Zef MIRDITA
Në këtë punim sintetik autori jep një vijim kronologjik zhvillimi të fenomeneve etnike, shoqëroro-ekonomike, kulturore, politike dhe religjioze në trevën Qendrore dardane, që është territori i Kosovës së sotshme, duke filluar që nga parahistoria deri në antikën e vonë.
Është e njohur që ndryshimet klimatike dhe gjeomorfologjike të filluara në kalimin nga pleistoceni në holocen kanë mundësuar jetën edhe në territorin e sotshëm të Kosovës. Mirëpo, për dallim nga pjesët e tjera të territorit të Serbisë së sotshme, periudhën e paleolitit, për shkak të kërkimeve të pamjaftueshme arkeologjike në këtë trevë, ende nuk e kemi të njohur. Sidoqoftë, katër sopata guri që janë gjetur rastësisht më rastin e ndërtimit të pendës te liqeni i Badovcit, jo larg prej Graçanicës, 8 km në juglindje të Prishtinës, edhe pse konsiderohen si objekte të periudhës së paraqeramikës, pa mëdyshje flasin për ekzistimin e një vendi të banuar në këtë trevë.
Mirëpo, për dallim nga paleoliti, periudhën neolite, falë kërkimeve arkeologjike, e kemi më të njohur. Është e njohur se ajo ndahet në dy grupe, atë kontinentale dhe adriatike. Grupi kontinental në bazë të llojllojshmërisë së pasur të formave, plastikës dhe qeramikës së pasur ndahet në dy faza: grupin kulturor të Starçevës dhe të Vinçës.
Në territorin e sotshëm të Kosovës grupi kulturor i Starçevës është dëshmuar në Gladnice te Graçanica, 8 km në juglindje të Prishtinës, Budrigën e Sipërme, në rrëzën jugore të Zhegovcit, në Partesh, Nosalje, Kllokot, të gjithat në zonën e Gjilanit dhe Vitisë së Kosovës, si dhe Çupevë të Poshtme te Klina, Kramavikë, Rakosh, në drejtim në mes Klinës dhe Gjakovës, Karagaç dhe Zhitkovc te Mitrovica e Kosovës. Veçanërisht është karakteristike Rudniku te Gjurakovci, në rrugën Pejë-Mitrovicë e Kosovës, që paraqet fazën më të hershme të grupit kulturor të Starçevës, respektivisht të Protostarçevës I, që për nga koha datohet rreth vitit 5500 para Kr.
Kah mesi i mijëvjeçarit të pestë, respektivisht në vitin 4390 para Kr. apo diçka më herët në Ballkan depërtojnë bartësit e grupit kulturor anatoliko-halkolitik. Ky depërtim zhvillohet në dy drejtime. I pari nga juglindja dhe Thrakia nëpër Pellgun danubian, kurse tjetri rrugës detare nga Greçia kah Dalmacia. Ky migrim në rend të parë shkaktoi konfrontimin me kulturat lokale ekzistuese dhe pas një faze të caktuar adaptimi dhe asimilimi krijohet një grup i ri kulturor. Ky proces i nisur nga Crvena Stijena dhe Smilçiqi krijoi grupin e ri Dunavecin te Korça në Shqipëri, Danilon te Shibeniku, kurse në zonën kontinentale nga grupi kulturor i Starçevës krijohet ai i Vinçës, që është një fazë më e re e neolitit. Shtrirja gjeografike e këtij grupi kuturor të Vinçës është dëshmuar që nga Stara Pllanina dhe Suva Pllanina në jug deri te pjesët verilindore të Bosnjës dhe të Sllavonisë si dhe të maleve të Vllahisë, Oltenisë, Vojvodinës së sotme deri tek shpatijet veriore të Kosovës, Bjeshkëve të Nemuna, Pashtrikut, Sharrit dhe të Karadakut të Shkupit. Karakteristike për këtë grup hibrid kulturor është që në këtë territor të gjerë gjeografik paraqitet edhe me variantet e tij, si: 1. Varianti i Bosnjës lindore, 2. ai i Transilvanisë respektivisht Erdeljit, 3. ai i Oltenit. Kurse në territorin e Kosovës, përveç atij klasik, kemi edhe variantin e Moravës së Jugut dhe atë kosovar.
Dëshmitë e këtij grupi kulturor të Vinçës të variantit kosovar janë të pasura dhe mirë të njohura. Marrë në përgjithësi, ky grup kulturor karakterizohet me vendbanime, respektivisht me braktisjen e vendbanimeve më të hershme të grupit kulturor të Starçevës, siç janë ato në rrëzë të Parteshit dhe grykës së lumit Samodrezha si dhe në Qupoven e Poshtme dhe Kramaviku, ndërsa disa prej tyre ripërtërihen, si për shembull ato në Rudnik te Gjurakovci, Zhitkovc, në anën lindore të lumit Karagaç, rrjedhjes së mesme të lumit Ibër, përgjat lumit Sitnicë, pjesërisht te Graçanica, përgjatë rrjedhës së lumit Lab dhe tek fshati Barilevë. Mirëpo këtë grup e karakterizon edhe themelimi i vendbanimeve të reja, siç janë ato në “Tjerrtorja” te Prishtina, Valaçi dhe “Fafosi” te Mitrovica e Kosovës. Nga aspekti i tipareve të veçanta dhe të përbashkëta të grupit kulturor të Starçevës dhe Vinçës, duke përfshirë këtu edhe variantin kosovar të Vinçës, mund të vërehen në tipat e vendbanimeve që pasqyrojnë mënyrën e subzistencës ekonomike, që qartë flet për mënyrën e prodhimit dhe depërtimit të grupeve të reja kulturore.
Nga ana tjetër, qeramika e Starçevës është me faturë të dobët, e vrazhdtë, barbotin dhe monokrome, me forma të thjeshta, konike dhe sferike, për dallim nga grupi i Vinçës, që ka faturë të mirë, me dekorime të bukura, kanelura dhe të inkrustruara, me forma bikonike. Për këtë të fundit veçanërisht është karakteristike plastika që flet jo vetëm për afinitetin e lartë kulturor dhe estetik por edhe për llojllojshmërinë e kërkesave dhe shprehjeve të jashtme të njeriut të grupit kulturor të Vinçës.
Karakteristikë e përbashkët e këtyre dy grupeve kulturore neolitike janë variantet e tyre lokale, që kornizohen edhe me tërësi gjeografike. Kështu grupi kulturor i Starçevës ndahet në tri variante, si: 1. Bosna lindore, 2. Serbia verilindore dhe 3. ai i Moravës së jugut me territorin e Kosovës.
Karakteristikën e këtij varianti të Moravës jugoro – kosovar e përbënë qeramika e pikturuar me ornamente lineare tipike për grupin kulturor të Starçevës, siç shihet në Gladnicë te Graçanica, 8 km në juglindje të Prishtinës, dhe veçanërisht me altaret karakteristikë me katër këmbë me recipiente.
Mirëpo, varianti i grupit kulturor të Vinçës me tipare lokale kornizohet me territorin e sotshëm të Kosovës, edhe pse pjesërisht lidhet me luginën e Moravës së Jugut. Ky variant veçanërisht shprehet në “Tjerrtoren” te Prishtina, Valaç, Zhitkovc, “Fafos” te Mitrovica e Kosovës. Dallohet për nga terakota, skulpturat realistike, idole, me formë kambanare të pjesës së poshtme të trupit, kentaure, skulptura, enë të tipit askos, enë me forma bikonale dhe veçanërisht me figurë realistike nga Karagaçi te Mitrovica e Kosovës, që për nga koha i takon mbarimit të grupit kulturor të Vinçës. I tërë ky repertoar të prodhimit të enëve dhe mjeteve të tjera kulturore apo plastika prej qeramikes qartë flet jo vetëm për zhvillimin e brendshëm shoqëroro-ekonomik por edhe për shijimin e nevojave kulturore dhe artistike të një jete të organizuar dhe të një shoqërie të hierarkizuar, që, përveç pronësisë së përbashkët dhe punës kolektive, njeh shtresimin e strukturave të ngushta farefisnore dhe familjare.
Nga ana tjetër duhet theksuar fakti, që varianti – qoftë ai i Starçevës apo i Vinçës – me variantet e tyre lokale në territorin e sotshëm të Kosovës, por ngushtë të lidhura me luginën e Moravës jugore, nuk janë shprehje e një zhvillimi të izoluar jashtë kornizës së zhvillimit të përgjithshëm të grupeve të cekura kulturore, por janë rezultat i zhvillimit të elementeve të përbashkëta edhe të atyreve të kësaj zone. Tek e fundit, homogjeniteti i një kulture të caktuar është vetëm një shprehje e jashtme e unitetit etnikulturor dhe ekonomik, ndërsa variantet janë shprehje e diferencimit kulturor të brendshëm shoqëroro-ekonomik, ndonëse me prejardhje të përbashkët etnike. Në këtë nuk veprojnë vetëm fuqitë e brendshme shoqërore-ekonomike por edhe ndikimet që janë fryt i takimeve të strukturave shoqëroro-ekonomike dhe kulturore. Përveç kësaj edhe territori i sotshëm i Kosovës nga pikëpamja arkeologjike paraqet një zonë kalimtare të cilën e bëjnë lugina e Prizrenit, dmth. zona ndërmjet Gjakovës, Prizrenit dhe Suha Rekës, ku vërehet një përzierje elementesh të grupit adriatik kulturor nga trevat e Ballkanit qendror, gjë që është e kuptueshme, duke pasur para sysh luginën e lumit të Drinit të Bardhë si dhe zonën e Mitrovicës së Kosovës me luginën e Ibrit, që të gjitha së bashku përbëjnë variantin kosovar të grupit kulturor të Starçevës dhe të Vinçës.
Nga aspekti shoqëror kjo periudhë karakterizohet me koncentrimin e bashkësive të vogla apo të mëdha sociale në treva të përshtatshme për jetë të bazuar në bujqësi, për çfarë fletë depoja në Valaç te Mitrovica e Kosovës me pemë të egra të karbonizuara (dardha, thana, kulumria) si dhe bishtajat e fasulat dhe në blegtori. Një zhvillim i tillë ekonomik nënkupton edhe përdorimin e mjeteve për punë nga obsidiani i përpunuar. Domestikimi i kafshëve qoftë për fuqi pune apo për ushqim nga njëra anë si dhe gjuetia dhe peshkimi nga ana tjetër flasin për ekonomi të përzier duke përdorur metalin. Më tutje, edhe shtëpitë që janë reflektim i ekonomisë dhe marrëdhënieve shoqërore të grupit kulturor të Starçevës gjinden përskaj lumenjëve dhe teracave moçalike, të karakterit të strehimoreve nën dhe dhe të strehimoreve mbi dhe, siç është rasti në Gladnice te Graçanica dhe vende të tjera në grupin kulturor të Vinçës, përveç se janë shumështresore, madje edhe strehimoret mbi dhe gjinden në terrene shkëmbore, siç është rasti te Valaçi (Mitrovica e Kosovës), janë natyralisht të mbrojtura dhe vështirë për tu shkelur, që qartë flet për periudhën e pasigurtë të shkaktuar nga depërtimi i strukturave të reja etnike që, njëherësh janë bartës të kulturës së metalit. Edhe shtëpitë e dëshmuara në këto vendbanime së bashku me depot e vogla për ushqim qoftë në strehimore nën dhe apo në pitose flasin për një shoqëri të diferencuar farefisnore.
Nga ana tjetër edhe sistemi i procesit të vazhdueshëm në prodhim flet për stabilitetin e shoqërisë si dhe për forcimin e strukturave ekzistuese shoqëroro-ekonomike. Këtë e vërtetojnë furrat dhe enët për përgatitjen e ushqimit, guri i mullirit, enët mirë të sajuara dhe të pjekura për përdorimin e përditshëm. Duke marrë para sysh rëndësinë e madhe të gruas në jetën ekonomike, mund të supozohet se ka ekzistuar sistemi i ekzogamisë ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike.
Diku rreth vitit 4000 para Kr. në Reshtan dhe në Hisar – te dy lokalitetet janë në afërsi të Suha Rekës – lajmërohen bartësitë e grupit kulturor Dunavec (Korça në Shqipëri) – Danilo (Shibenik). Depërtimi i tyre është zhvilluar nëpër luginën e Drinit të Bardhë. Për dallim nga grupi kulturor i Vinçës, bartësit e grupit kulturor Dunavec-Danilo janë në një nivel më të ulët kulturoro-ekonomik. Edhe ata janë bujq dhe blegtorë. Mirëpo, përkundër braktisjes së Reshetanit nga popullata e mëparshme, megjithatë në bazë të materialit të tundshëm, në rend të parë qeramikës, në këtë zonë vërehet bashkëjetesa e popullatës së re ardhacake me atë vendore. Në pjesët tjera të territorit të sotshëm të Kosovës diçka e ngjashme nuk është dëshmuar.
Ndryshimet rrënjësore në shoqëri dhe në ekonomi lajmërohen kah fundi i mijëvjeçarit IV-të para Kr. Nën ndikimin e elementeve etnokulturore që vijnë nga Anatolia, nga njëra anë, si dhe me përdorimin e bakrit natyral, nga ana tjetër, fillojnë ndryshimet jo vetëm në jetën e përditshme, madje jo vetëm në strukturat shoqërore, por edhe në aspektin ekonomik. Shkaqet e këtyre ndryshimeve janë bartësit e grupit kulturor Bubanj-Hum, lokalitet jo larg Nishit, përndryshe me karakter të periudhës kalimtare. Elementet determinuese të këtij grupi kulturor shprehen në qeramikën e grafikuar.
Zbulimet e këtij grupi kulturor në territorin e sotshëm të Kosovës janë vërtetuar pranë lumenjëve, p.sh. Ibrit, Sitnicës në Rrafshin e Kosovës, të Drinit të Bardhë në luginën e Prizrenit, Labit në zonën ndërmjet Prishtinës dhe Podujevës, Gadimës së Epërme ndërmjet Ferizajit dhe Vitisë së Kosovës dhe deri diku edhe në Hisar I A te Suha Reka, që i përgjigjet grupit Bubanj – Hum I dhe Hisar B që i përgjigjet grupit Bubanj – Hum II-III. Përkundër pikave të mbrojtura dhe strategjikisht shumë të rëndësishme, vendbanimet nuk janë jetëgjata.
Karakteristika e këtij grupi etnokulturor, nga njëra anë, është simbioza e tyre me popullatën vendore, kurse, nga ana tjetër, ndonëse e përpunojnë metalin, në pikëpamjen ekonomike ata janë blegtorë. Në të vërtetë me depërtimin e këtij elementi etnokulturor fillon edhe depërtimi i Indoevropianëve dhe fillimi i periudhës së hershme të bakrit. Në këtë përzierje strukturash shoqëroro-ekonomike me ardhjen e kalorësve nga stepat lajmërohet edhe një kompleks etnokulturor, i njohur si kultura Baden-Kostolac, që shumë mirë mund të lidhet me fazën Bubanj-Hum I.B. Bartësit e këtij grupi janë nomadë-blegtorët. Edhe vendbanimet e tyre janë jetëshkurtëra, të ngritura në teraca, kodrina dominante, fortesa të tipit “gradinave”, që po ashtu flet për situatën e pasigurtë të kësaj periudhe.
Në territorin e sotshëm të Kosovës ky tip vendbanimi është dëshmuar te Graçanica (Prishtina), Raskova, në Klinën e Poshtme te Serbica (në Drenicë), kurse me një zgjatje pak më të madhe në Hisar te Suha Reka dhe në Gadimën e Poshtme. Edhe pse ky grup është mjaft i shtrirë në Evropën e mesme, në Panoni dhe Pellgun danubian, megjithatë në territorin e sotshëm të Kosovës lajmërohen në një vend majft të kufizuar. Për këtë arsye periudha e kohës së hershme të bronzit në bazë të zbulimeve te Valaçi dhe Karagaçi është periudhë e stabilizimit kulturor dhe etnik. Shikuar kronologjikisht, ajo kufizohet në mes të fazës Bubanj-Hum III dhe grupit të Sllatinës, që është karakteristike për luginën e Moravës së Jugut. Gjetjet karakteristike të këtyre dy grupeve etnokulturore në Kosovë janë dëshmuar në Valaç, “Fafos” (Mitrovicën e Kosovës), “Tjerrtorja”(Prishtinë).
Fazën e zhvilluar të kohës së bronzit (B 2 sipas REINECK-ut) e karakterizon grupi i Paraqinit, i shtrirë në lumderdhjen e Moravës së Madhe, por dhe më në jug. Në trevën e Kosovës ai lidhet me grupin e Sllatinës. Megjithatë, ky grup në trevën e Kosovës vështirë mund të përcaktohet. Mënyra e varrimit të të ndjerëve është djegia dhe vendosja e hirit në urnë. Kjo është dëshmuar në Lushtë dhe “Fafos” në bregun e djathtë të Sitnicës te Mitrovica e Kosovës, Karagaç te Zveçani, Badovc te Graçanica, Varosh te Ferizaji. Mirëpo, ato nuk mund të trajtohen si varre të tipit fushave të urnave, respektivisht varre të rrafshta. Sidoqoftë, materiali i zbuluar në “Fafos” dhe Lushtë dallohet nga ai i vendgjetjeve të tjera të cekura dhe lidhet me atë të Paraqinit, respektivisht të grupit të Sllatinës apo fazën e Mediana I, që i takon mbarimit të kohës së mesme të bronzit. Në suazë të këtij grupi hyn Gladnica te Graçanica dhe disa zbulime nga Hisari te Suha Reka, ndoshta edhe tumat nga Rogova te Prizreni. Marrë në tërësi, i tërë territori i Kosovës nga pikëpamja e zhvillimit kulturor është i ngjashëm me grupin kulturor të Mediana.
Nga pikëpamja ekonomike bartësit e këtij grupi kulturor kanë qenë blegëtorët primitiv. Për një veprimtari të tillë ekonomike na flasin vendbanimet, e në veçanti shtëpitë. Ato ndodhen në rrafshina dhe në teraca të larta përbri luginave të lumenjve, ndërsa dhomat janë gropa të cekëta katërkëndëshe. Në bazë të asaj që është zbuluar në Rumani, ato janë të tipit kolibe që iu përshtaten blegëtorëve. Për këtë arsye edhe nuk kanë karakter të përhershëm. Edhe pse në Kosovë forma të tilla shtëpish nuk janë zbuluar, megjithatë i tërë materiali arkeologjik i kësaj periudhe i zbuluar në këtë trevë dëshmon lidhshmërinë e ngushtë kulturore me luginën e Moravës së Jugut. Me ardhjen e elementeve indoevropiane popullata vendore e Ballkanit qendror njihet me përdorimin e qerres dhe domestikimin e kalit. Lind një diferenciacion social dhe ekonommik. Magjithatë, pëkundrejt gjitha këtyre, duhet vënë në dukje faktin që elementi autokton ka mbetur edhe më tutje komponentë e rëndësishme gjatë tërë neolitit.
Vendgjetjet karakteristike të kësaj periudhe në territorin e sotshëm të Kosovës janë Bërnjica e Poshtme, 7 km në veri të Prishtinës, Karagaçi te Mitrovica e Kosovës, Badovci te Graçanica, Varoshi te Ferizaji. Sado që këtu kemi të bëjmë me djegien e të vdekurve, megjithatë, këto varre nuk mund të merren si provë e kulturës së fushave të urnave. Nga ana tjetër, tipit të nekropoles së Bërnjicës së Poshtme i takojnë edhe ato nga Strazhava e Epërme, Topolnicës së Poshtme, Togoçevcit e vende të tjera te Prokuplja. Edhe pse ekzistojnë edhe disa dallime sidomos në mënyrën e ndërtimit të nekropolës, ato, megjitahtë, janë veti e zhvillimit specifik lokal.
Në të vërtetë, përveç ekzistimit të elementeve të huaja kulturore në këtë trevë gjatë shek. XIII-të – X-të para Kr., popullata autoktone mbetet në mënyrë të qëndrueshme në traditat e veta të mijëvjeçarit të dytë para Kr. Në këtë supstrat në Ballkan zhvillohen popullatat autoktone, të njohura si ILIRËT dhe THRAKËT. Pikërisht në këtë kohë të hershme të bronzit fillon edhe diferencimi etnik, që do të përfundojë në kohën e hekurit me të gjitha fenomenet evolutive në ekonomi, diferencim struktural të shoqërisë dhe në kulturë.
Sidoqoftë, me gjithë këtë kalimin nga koha e bronzit në atë të hekurit e karkaterizon pasiguria si pasojë e migrimeve të ndryshme. Ajo fillon në shek. XIII-të para Kr. dhe mbaron në shek. X-të para Kr. Kjo përndryshe është e njohur si faza e I-rë e kohës së hekurit. Dëshmi për këtë është prania e materialit arkeologjik me prejardhje të huaj, siç janë shpatat mikenike te Glareva jo larg prej Klinës, që për nga koha mund të datohen në shek. XIV-të – XIII-të para Kr.
Mirëpo, grupi kulturor Bërnjica e Poshtme, në raport me kompleksin e gjerë me tiparet e tija specifike, paraqet një grup kulturor më veti. Dallimet ekzistuese kulturore të kësaj periudhe, madje edhe më gjerë, duke përfshirë këtu edhe Bërnjicën e Poshtme, mund të interpretohen dhe të kuptohen vetëm në raport me zhvillimin lokal të aglomeracioneve të caktuara që nuk janë kursyer nga ndryshimet shoqërore dhe materiale.
Nga pikëpamja sociale, grupi kulturor Bërnjica e Poshtme paraqet organizimin farefisnor dhe bashkësitë familjare, gjë që shihet nga grupacionet e varreve në nekropolë të Bërnjicës së Poshtme. Në këtë grup hyn edhe Karagaçi, Valaçi (te Mitrovica e Kosovës), Gadima e Epërme te Ferizaji dhe në bazë të gjetjeve të rastësishme Cërnica te Gjilani, Ulpiana me të gjitha specificitetet që mund të spjegohen vetëm si dallime të brendshme fisnore.
Nga pikëpamja ekonomike, përveç metalurgjisë, blegëtoria paraqet gjithnjë degën bazore të ekzistencës. Nga e tëra që u cek mund të shihet qartë kontinuiteti etnik dhe kulturor autokton në këtë trevë, e veçanërisht të atyre që jetojnë në vendet kodrinore dhe malore. Dhe, megjithatë, nuk mund të thuhet se kjo trevë ka qenë jashtë mundësirave të ndikimit të dyndjes së madhe egjeane.
Foto 1. Reshtanët te Suha Reka. Rytoni neolit
Abb. 1. Resetani neben Suva Reka. Jungsteinzeitliches Rhyton
Për dallim nga faza I-rë e kohës së hekurit, fazën II-të të kësaj kohe, që është hallshtati i hershëm sipas Reineckut B 3/C I – D, e karakterizon stabilizimi i përgjithshëm. Nga pikëpamja e raporteve shoqërore atë e karakterizon forcimi i aristokracisë fisnore dhe familjare, kurse nga ajo etnike mund të përcaktohet me bashkësinë që tani tashmë është e diferencuar dhe e përcaktuar në trevën qendrore të ballkanit, të cilën e përbëjnë ILIRËT.
Stabilizimin etnokulturor të këtij territori që reflektohet edhe në kulturën materiale, nuk e kanë çrregulluar as depërtimet e elementit të huaj etnik, të njohur si grupi thrako-kymerik. Në territorin e Kosovës ai është i tipit të kufizuar, respektivisht sporadik dhe është dëshmuar në Shirokë dhe në Dubiçak te Suha Reka, për ç`arsye është quajtur edhe “Grupi i Suha Rekës”. Në këtë kontekst hyn edhe nekropola nën tumën në Llashticë te Gjilani, Suha Rekë, Përçevë te Klina, Romajë te Prizreni dhe Banjën e Pejës. Kurse në Rrafshinën e Kosovës lajmërohet si “Depoja e Janjevës” që për nga koha i takon shekullit VIII-të para Kr., sikurse dhe Romaja. Karakteristikë e këtij “Grupi të Suha Rekës” është djegia e të vdekurve. Në këtë kontekst hyjnë edhe të ashtq. “Gjetjet nga Janjeva”, sepse ato, në bazë të elementeve zbukuruese, lidhen me grupin kulturor Basa-rabik. Mirëpo, për nga koha janë shumë afër me “Depotë nga Janjeva”, që është fundi i shek. VIII-të dhe fillimi i shek. VII-të para Kr. Meqë gjetjet e këtij grupi kulturor kryesisht janë me karakter të metalit, dhe atë të pajimeve të kalit, nuk mund të flitet për vendbanime apo nekropola. Pasi që grupi thrako-kymerik nga pikëpamja etnike nuk është karakteristik për territorin e sotshëm të Kosovës, edhe pse ka disa imitacione të caktuara, do të thuhej se nuk ka ndryshime të dukshme etnostrukturale.
Tani në këtë zonë kemi tashmë DARDANËT etnikisht të formuar. E njëjta situatë është edhe për fazën III-të të kohës së hekurit, që për nga aspekti kohor e përfshinë fundin e shek. VI-të – IV-të para Kr. Mirëpo, në fazën e IV-të të kohës së hekurit, që është periudha latene, në hapsirën e gjërë të territorit të Dardanëve vërehet një përzierje e vendasve me Keltët. Por meqë Keltët në këtë zonë nuk kanë qëndruar gjatë, ndikimi i tyre në ndryshimin e strukturës etnokulturore dhe shoqëroro-ekonomike, nuk e ka pasur një rëndësi të madhe.
Në planin e raporteve shoqëroro-ekonomike edhe faza III-të dhe IV-të e kohës së hekurit është e rëndësishme. Në këtë kohë vërehet forcimi i aristokracisë fisnore dhe përhapja e organizimit politik, e pastaj edhe krijimi i federatës. Mirëpo, edhe në organizimin shtetëror me karakter centralistik, siç është rasti me mbretërinë dardane, nuk ka ndonjë unitet të fortë. Këtu janë të pranishëm edhe ndikimet e botës helenistike, e në veçanti në organizimin e jetës shoqëroro-politike, gjithësesi duke i mbajtur disa veçanëti vetiake në organizimin politik, social dhe ekonomik.
Në ndarjen në shtresa të strukturës sociale dhe ekonomike të kësaj zone ndikon edhe zhvillimi dinamik tregtar, si me Thrakinë ashtu edhe me botën helenistike, që qartë shprehet në prodhimin e objekteve prej argjendi, ari e qeramike. Mirëpo qeramika, e punuar në çikrik e dëshmuar në Belaçevc te Fushë Kosova, Shirokë, Dubiçak dhe Hisar te Suha Reka pastaj në Valaç te Mitrovica e Kosovës dhe në vende të tjera me elemente tradicionale dekorative, qartë flet për kontinuitetin e pandërprerë etnokulturor autokton. Por në Karagaç, Shirokë, Gadime të Poshtme dhe Cërnicë, përveç prodhimit lokal në të cilën qartë shihet edhe imitacioni i prodhimit helenistik, gjenden fragmente saksish antike me figura të kuqe nga shek. V-të dhe IV-të para Kr. Ky fenomen është dëshmuar në territorin e gjerë dardan. Nga pikëpamja e shtresimit social, në këtë trevë në fazën III-të dhe IV-të të kohës së hekurit hasim në fenomenin e DOULOI-ve (Athen VI 272d), nën të cilët kuptohen “shërbëtorët”, “qiraxhinjtë”, “shtëpiakët”, “kmetët” e të tjerë.
A është territori i Kosovës hapësirë jetësore e këtyre strukturave, është vështirë të thuhet. Mirëpo, duke marrë para sysh mundësinë e bujqësisë ekstenzive në këtë hapësirë, dhe që është njëra nga veprimtaritë ekonomike të këtyre shtresave në kohën e paqes, mund të konsiderohet, edhe pse me kusht, se kjo ka qenë hapësirë e jetesës së tyre.
Dardanët, të zhvilluar ekonomikisht, të organizuar politikisht, bëhen faktor i rëndësishëm në raporte ndërkombëtare. Ata gjatë sundimit të Filipit II (359-226) biejnë në konflikt me Maqedonët, që trajtohen si armiqtë e tyre më të përbetuar. Pikërisht kjo është edhe koha e shkatërrimit të vendbanimeve dardane, që është pasojë e operacioneve luftarake të Filipit II (346-343) me Dardanët, më vonë edhe të Lekës së Madh.
Me përfshirjen e kësaj treve në sistemin politik të Perandorisë Romake ajo hyn në sistemin e uniformimit kulturor, gjithësesi me specificitete të caktuara të traditës së kësaj hapësire. Mirëpo, edhe vetë zhvillimi politiko-ekonomik si dhe socio-kulturor në kornizën e këtij sistemi do të reflektohet edhe në raportet shoqëroro-ekonomike të shoqërisë dardane në tërësi, edhe të hapësirës së saj qendrore, që është territori i sotshëm i Kosovës.
Rreth vitit 15 pas Kr., kur, sipas gjitha gjasave, edhe është themeluar provinca Moesia Superior, e deri në vitin 297 pas Kr. territori i sotshëm i Kosovës është pjesa e saj përbërëse. Deri atëherë nga aspekti juridiko-administrativ është organizuar në kornizën e tri territoreve administrativo-municipale, që janë: Municipium Ulpianum, Municipium te Dërsniku dhe Municipium DD me territorin e njësive peregrinore, njëri që përfshinte zonën e luginës së Prizrenit, ndërsa tjetri te Vitia e Kosovës, me territorin e Moravës së Binçës.
Në formimin e një sistemi të tillë administrativ ka ndikuar gjithësesi jo vetëm faktori gjeografik, por edhe vetë politika pragmatike e jashtme romake e cila kurrë nuk ka shkuar drejt shkatërrimit të strukturës socio-ekonomike të popullatës vendase, pastaj edhe të adaptimit të saj në sistemin politiko-juridik romak. Këto civitates peregrinorum janë përbërë nga njësi të vogëla socio ekonomike, që janë quajtur pagi dhe vici.
Gjersa pagi kanë qenë njësi të caktuara farefisnore, vici kanë qenë rrrethe të përbërë nga disa njësi territoriale që si qendra kryesore – civitates – kanë përfaqësuar qendrat politike dhe ekonomike. Për ekzistimin e tyre flet materiali epigrafik, siç janë: vicus Titus, vicus Zatidis, vicus Perdica, që nuk jemi në gjendje për t`i identifikuar dhe lokalizuar, për dallim nga vicus Cavadinus, që mendohet se do të mund të kërkohej diku te Scupi, respektivisht te Kavgalia, dhe vicus Dasa, për të cilin materiali epigrafik ekskluzivisht thotë se gjendej në provincën e Dardanisë, në territorin e Ulpianës: “vicus Dasa in provncia Dardania reg(ione) Upian(ae).” Ekzistimi i këtyre civitates peregrinorum qartë flet se popullata e këtij territori ka qenë jashtë sferës së romanizimit.
Foto 2. Statueta neolite e kulturës së Vinçës
Abb. 2. Pristina. Jungsteinzeitliche Statuette der Vinça-Kultur
Municipium Ulpianum, që gjendet 7 km në jug të Prishtinës, jo larg nga fshati Graçanicë, është ngritur në rangun e municipiumit romak në kohën e perandorit Trajan, ndërsa Municipium te Dërsniku dhe Muicipium DD, emrat e të cilëve nuk i kemi të njohur, janë ngritur në rangun e municipiumeve romake në kohën e perandorit Hadrian. Në këtë administrim municipial është shquar një shtresë e hollë e shoqërisë që gëzonte privilegje të ndryshme për shërbesën e tyre. Ishin këta anëtarët e këshillit vendor qytetar, respektivisht ordo decurionum.
Mirëpo, popullata lokale vendase në tërë hapësirën ka jetuar me doket dhe zakonet e veta, ekonomikisht shpesh herë në një varfëri të padurueshme. Kjo shkaktoi edhe dukjen e shtresës sociale, e njohur si latrones Dardaniae ( “cubat e Dardanisë”).
Në mënyrë që të mbrohet nga aktiviteti i tyre, pushteti romak këta latrones i ka regrutuar në njësitë kohortale, të njohura si cohors I dhe II Aurelia Dardanorum. Hapësirat e aktivitetit të këtyre latrones në trevën e sotshme të Kosovës, sipas gjitha gjasave, janë shpatiet e Sharrit. Për praninë e tyre në këtë hapësirë flet edhe materiali epigrafik nga Rahoveci, Zllakuqani te Klina, edhe pse për këtë hapësirë të dhënat gjithnjë janë sporadikë.
Mirëpo, për ekzistimin e kësaj shtrese sociale në këtë hapësirë na flasin edhe beneficiarii, një llojë stacionesh policore të atëhershëm të rendit publik. Këto stacione beneficiare janë vërtetuar në Ulpianë, Kaçanik, Vushtri, Prizren dhe Shkozë te Prizreni. Nëse mirret para sysh se ata lajmërohen më së shumti në kohën “pax romana”, atëherë qartë shihet ekzistimi i aktivitetit të latrones. Ata vërtetë janë reflektim, përveç i pauperizimit të tyre ekonomik, edhe i raporteve shoqërore, që evidentisht flet për ndikimin e dobët të romanizimit në këto hapësira.
Nga ana tjetër, ka ekzistuar edhe shtresa e pronarëve të mëdhenj të tokave që në hapësirën e sotshme të Kosovës është paraqitur në familjen Furii, pronat e së cilës shtriheshin që nga Bllaca dhe Usja te Shkupi e deri te Ulpiana dhe Prizreni. Për nga prejardhja janë familje e vjetër dardane, përndryshe në kohën romake janë të klasës së senatorëve. Kanë pasur një rol të rëndësishëm edhe në vetë qytetin Ulpiana.
Përveç tyre, shquhet edhe familja Pontii, po ashtu të klasës senatoriale dhe me prejardhje dardane. Por përveç të karakterit latifundist, veprimtaria e saj e rëndësishme është zhvilluar në metalurgji.
Mirëpo përveç kësaj duhet të vëhet në dukje, se trevat e minierave megjithatë kanë qenë pronë perandorake, për çfarë qartë flet monedha me të cilën kanë qenë të paguar minatorët, dhe në aversin e së cilës gjendej i vulosur Dea Roma, ose emri i perandorit Trajan, kurse në revers Dardanici. Përveç kësaj, këto dy familje kanë qenë ngusht të lidhura me Gordianin III, perandorin romak që në vitin 242 pas Kr. ka kaluar nëpër Moesia Superior.
Qendra të rëndësishme xehetare të kësaj hapësire në antikë janë Municipium DD dhe Ulpiana. Siç është thënë, ato kanë qenë pronë perandorake dhe si të tilla kanë pasur monedhën e vet në të cilën ka qenë e gdhendur METALLUM ULPIANUM dhe METALLA DARDANICA.
Metallum Ulpianum përfshinte xeheroret te Kishnica, Janjeva, Novobrda prej të cilave rrëmihej plumbi, argjendi dhe diç ari, ndërsa Metalla Dardanica kishte të bënte me ato miniera me qendër të Municipiumit DD me reviret e minierës nën Kopaonik. Ato janë nën mbikëqyrjen e procuratores metallorum, për të cilët na flasin materialet epigrafike, në të cilët kryesisht dëshmohen libertinët perandorakë. Nga kjo shihet se nuk ka pasur pronarë privatë, veçanërisht jo në këtë kohë. Edhe ata conductores që kanë poseduar ndonjë shkritore (fornaces) apo ndonjë vend xehesh (putei) prej nga kanë nxjerrur xehe metalesh është dashur të jenë shumë të pasur. Mirëpo, edhe kjo ka qenë në qira.
Përveç këtyre strukturave sociale, ka ekzistuar edhe robëria, që në jetën ekonomike, vërtet, nuk ka pasur një rol të rëndësishëm. Mirëpo, edhe ata kanë qenë pronë perandorakë dhe si leberti kanë poseduar një pasuri të vogël (peculium) ose kanë qenë nëpunës perandorak (vilici) që janë vërtetuar edhe në territorin e sotshëm të Kosovës. Kjo shtresë sociale ka qenë pronë edhe e familjeve të pasura, siç është rasti i familjes Furii.
Përveç metalurgjisë, ka qenë e zhvilluar edhe blegëtoria dhe vreshtaria. Nga prodhimet blegtorale më të rëndësishmit kanë qenë djathi dardan (caseus dardanicus) dhe dhjami, respektivisht lardhi që janë eksportuar.
Foto 3. Shiroku afër Suha Rekës. Zbulimet e
grupit Suha Reka. Koha e bronzit.
Abb. 3. Siroko neben Suva Reka. Funde aus der Bronzezeit
Këto veprimtari ekonomike kanë qenë karakteristike për luginen e Prizrenit dhe të Pejës, për çfarë na flasin edhe mbeturinat e materialit vendbanues në fshatrat Mushitishtë, Studençan, Torazhdë, vendbanime në mes Prizrenit dhe Suha Rekës, Bërnjaç, Rudnik, Ilixhe, vende në mes Pejës dhe Mitrovicës së Kosovës si dhe përgjatë luginës së Drinit të Bardhë te Dobruzhda, Vlashnja, Nasheci në afërsi të Prizrenit si dhe Xërxes, Doblibares, Bërdosanes, Ratkovcit dhe Dërsnikut të Poshtëm, të gjitha në hapësirën në mes të Rahovecit, Gjakovës dhe Klinës.
Kurse në Rrafshin e Kosovës, përveç bujqësisë që ka ndikuar në ngritjen e vendbanimit të tipit “gradina”, kanë vazhduar të rrojnë edhe më tutje, siç janë në Drenicë, Lab dhe vende të tjera. Gjithësesi edhe burimet termale kanë ndikuar në ngritjen e vendbanimeve, si Ilixha e Kllokotit te Vitia e Kosovës, Ilixha e Pejës që është e njohur me emrin Thermidava dhe ajo te Malisheva në rrugën nga Dulja në drejtim kah Rahoveci.
E tërë kjo ka ndikuar në zhvillimin e rrjetit rrugor. Nëpër territorin e Kosovës së sotshme në antikë ka kaluar magjistralja transballkanike Naissus-Lissus, e cila te Vicianumi, te fshati i sotshëm Çagllavicë, 3 km në jug të Prishtinës, është degëzuar në dy drejtime. Njëri ka shkuar nëpër Ulpianë për në Scupi dhe Thesalonike, kurse tjetri nëpër Therandë te Prizreni i sotshëm, Gabuleum te Kukësi i sotshëm në Shqipëri e më tutje.
Përveç kësaj magjistraleje transballkanike, kemi edhe viae vicinales, rrjetin aneksor rrugor e cila lidhte brendësinë me qendrat municipale. Një rrjet të tillë rrugor na vërtetojnë edhe kërkimet arkeologjike, siç është ai pranë luginës së Ibrit, që lidhte këtë territor me Adriatikun dhe rruga që shkonte nga Foça nëpër Plavë dhe te Theranda lidhej me magjistralen Naissus-Lissus. Kjo rrugë te Gradishti, respektivisht te ura e Fshajt mbi Drinin e Bardhë, lidhej me rrugën aneksore që shkonte nëpër fshatrat Radost, Ratkovc, Damjan, Çiflak, Kramavik, Klinë, pra bregut të majtë të Drinit të Bardhë. Nga Klina drejtimi ka shkuar në verilindje nëpër Drenicë dhe Rrafshinën e Kosovës, kurse te Vicianumi lidhej me trasenë Ulpiana-Municipium DD.
Një rrjet i këtill i rëndësishëm rrugor flet për zhvillimin intenziv të jetës ekonomike, për çfarë flasin stacionet doganore, respektivisht Portorium Illyricum, nëpunësit e së cilës janë quajtur conductores dhe vilici. Stacione të tilla janë dëshmuar në Runjevë te Kaçaniku, Llapna Sello, 7 km në jug të Prishtinës, Batushë te Fushë Kosova, pranë të cilit ka qenë njësia ushtarake për mbrojtje, në Gushtericë të Poshtme dhe Turiçevc (në Drenicë).
Sidoqoftë, megjithatë, këtë hapësirë nuk e rroku urbanizimi. Përveq qendrave municipale, Ptolomeu përmend edhe Arribantion-in që mund të lokalizohet te fshati i sotshëm Binçë te Vitia e Kosovës. Nga ana tjetër, vendbanimet që përmenden bashkë me magjistralën transballkanike Naissus-Lissus janë me karakter stationes apo mansiones, siç janë Vindenis te vendi i sotshëm Gllavniku te Podujeva, Vicianum (Çagllavica), Theranda (te Prizreni) dhe mutationes, siç është Vellanis te Prishtina e sotme dhe të tjerë.
Përveç formave të cekura të veprimtarisë ekonomike, në antikë në këtë vend ka qenë i zhvilluar zanati, siç është vorbëtaria, argjendaria e të tjera. Edhe pse këtu ndjehet ndikimi i zanatit romak, prodhimi i karakterit lokal është më se i qartë. Tradita lokale qartë shihet në format dhe dekorim, ashtu siç shihet qartë në stolitë e arit me xhevahirë dhe me pasten prej qelqi (në Vindenis), diademat (“Prisojë” te Soçanica) e të tjera.
Jeta intenzive dhe ekonomikisht e pasur ka ndikuar jo vetëm në shtresimin shoqëror por edhe në lulëzimin kulturor. Kështu në qendrat municipale ka ekzistuar edhe një jetë e pasur kulturore, si teatri, që qartë shihet nga maskat teatrale të gjetura në Ulpianë.
Një aspekt i caktuar i romanizimit ndjehet jo vetëm në urbanizim dhe në infrastrukturën e tij por edhe në jetën religjioze. Do thënë se kultet epihorike dhe hyjnitë vendase janë ruajtur edhe në kohën romake të cilët nëpërrmjet “interpretatio romana” janë inkuadruar në panteonin romak. Nga këto hyjni epihorike në “interpretatio romana” duhet të përmendet Andinus-i (Kaçanik, Vushtri), Jupiter Melcid (Ulpiana), Dea Dardaniae (Smira te Vitia e Kosovës), ndërsa prej kulteve romake janë të njohur Jupiter Capitolinus, Triada e Kapitoliane (Jupiter, Junona me Minervën), respektivisht Jupiteri, Herkuli dhe Neptuni, shembuj të papërsëritshëm në tokën Ilire; pastaj Minerva, Neptuni, Merkuri, Fortuna, Nimfa, Silvani dhe Silvana, Genius Illyrici si mbrojtës i stacioneve kufitare.
Prej kulteve lidnore janë dëshmuar kulti i Dolihenit, Mitrës, Serapisit, kurse prej atyre thrakë Zbelturdi (Kaçanik, Vushtri, Banjskë te Mitrovica e Kosovës), “Kalorësi thrakë” dhe “Kalorësit të Pellgut danubian” ( në Studençan te Suha Reka).
Në trevën e sotshme të Kosovës nuk është e pranishme në mënyrë të vazhdueshme as një formacion i ushtrisë romake, edhe pse në mbishkrime janë dëshmuar veteranët leg. IV Flavia dhe leg. VII Claudia.
Foto 4. Ulpiana. Kora (shek. 2-3 pas Kr.)
Abb. 4. Ulpijana. Kopf der Kora, II.-III. Jh. n. Chr.
Kriza që në shek. III-të pas Kr. e kishte kapluar Perandorinë Romake nuk e anashkaloi as Illiricum-in. Reformat e Dioklecianit, më vonë edhe ato të Konstantinit të Madh, janë ndërmarr me qëllim të ruajtjes së unitetit të Perandorisë Romake. Kanë qenë bazë e organizimit shtetëror të perandorisë deri në rënien e saj.
Në këtë veprimtari reformative, në vitin 297 pas Kr., për të parën herë Dardania përmendet si njësi provniciale më veti.
Krizat politike do të reflektohen edhe në jetën ekonomike dhe në raportet shoqërore. Në këtë kanë ndikuar edhe invadimi i barbarëve, nga njëra anë, dhe zvogëlimi i popullatës, nga ana tjetër. Meqenë se xehetaria gjatë kësaj krize, veçanërisht në shek. III-të dhe IV-të pas Kr., edhe më tutje ka qenë njëra prej degëve më të rëndësishme të përfitimit dhe ka pasur qëllimin e ruajtjes dhe shërimin e të ardhurave perandorake, ajo edhe më tutje ka mbetur në duart e perandorit. Mirëpo, ato i kanë udhëhequr procuratores të zgjedhur nga rendet e kurialëve, siç mund të shihet edhe në bazë të ediktit të perandorit Teodoz nga viti 386 pas Kr.
Për shkak të dobësimit gjithnjë e më të madh të jetës ekonomike, veçanërisht bujqësisë, për tu ruajtur fuqia punonjëse, kolonët dhe inkvilinët me edikte të ndryshme perandorake e kanë pasur të ndaluar që ta braktisin tokën dhe zotërinjët e tyre. Përveç kësaj, tregëtia bie, që qartë reflektohet edhe në zanat. Objektet luksoze të metalit kryesisht janë prej bronzit, siç janë fibulat (Soçanicë, Ulpianë) e të tjera.
Për dallim nga vendbanimet e tjera urbane jeta e të cilave shuhet në këto kohëra të pasigurta, siç është rasti me Municipiumin DD, Ulpiana zhvillohet në një prej qendrave të rëndësishme të Dardanisë. Ajo, si edhe Municipium DD, nuk dallohet nga qendrat e tjera urbane të Perandorisë Romake. Këtë e vërtetojnë mbeturinat e forumeve, tempujve, kanalizimit, termeve, bazilikave.
Termeti katastrofal që e goditi Dardaninë në vitin 518 pas Kr. ndër vendbanime të tjera e ka shkatërruar edhe Ulpianën. Perandori bizantin Justiniani (527-565), për t`i ruajtur kufijt e Perandorisë Romake nga invadimet e fiseve barbare, por edhe për t`i ripërtërirë vendbanimet e shkatërruara nga tërmeti, ngrit vendbanime ushtarake të tipit castrum, prej të cilave njëri ka qenë edhe Besiana, emri i së cilës është ruajtur në emrin e fshatit të sotshëm Besia jo larg nga Prishtina në drejtim të Podujevës. E ka ripërtërirë edhe Ulpianën, e cila pas kësaj është quajtur Justiniana Secunda. Me gjithë këtë Justinianit nuk i shkoi për dore që ta ndalte depërtimin e barbarëve dhe të Sllavëve. Kjo ka ndikuar jo vetëm në dobësimin ekonomik por edhe në strukturën etnosociale të kësaj treve. Ndërsa ardhacakët zinin vendet në luginat e lumenjëve dhe rrafshina, popullata autoktone strehohej në kodra dhe male.
Për sa u përket proceseve shoqëroro-ekonomike të territorit të sotshëm të Kosovës, në antikën e vonë ato kanë qenë identike me ato në pjesët e tjera të Ballkanit.
Mirëpo, popullata autoktone është e pranishme edhe më tutje në të gjitha format e jetës. Kjo qartë reflektohet në krishtërim dhe në jetën e organizuar kishtare. Justiniana Secunda tani bëhet qendër e rëndësishme shpirtërore, kulturore dhe politike. Mund të thuhet se krishtërimi është këtu qysh nga fundi i shek. I-rë. Në kohën e perandorit Trajan kemi dy martir të krishterë në Ulpianë. Këta janë Lauri dhe Flori. Në shek. IV-të krishtërimi organizohet në hierarkinë e tij. Përkundrejt përndjekjeve dhe dhunës të perandorëve bizantin, hierarkia e saj gjithmonë ka mbetur në bashkim shpirtëror dhe kanonik me Kishën romake. Aktivitetin e tij të gjallë krishterimi e ka shprehur në ngritjen e objekteve kishtare dhe bazilikave (Ulpiana, Soçanica, Zaskoku te Ferizaji, Lipjani, Zhuri te Prizreni, Kosmaçi në Drenicë, kompleksi Galiqi te Mitrovica e Kosovës dhe vende të tjera).
(Teksti origjinal: Dr. Sc. Zef MIRDITA, Kosovo od prapovijesti do kasne antike. Në: Prilozi instituta za arheologoiju u Zagrebu, Zagreb 1997, fq. 167-178)
Përktheu nga kroatishtja: Shtjefën DODES SJ
Foto 5. Ulpiana. Bazilika, shek. VI
Abb. 5. Ulpijana. Basilika, VI. Jh.
Foto 6. Ulpiana. „Memoria“ nö kuadër të nekropolës veriore, shek. II-IV pas Kr.
Abb. 6. Upiana. „Memoria“ im Rahmen der nördlichen städtischen Nekropole, II.-III. Jh. n. Chr.
LITERATURA:
MÓCSY, András, Gesellschaft und Romanisation in der römischen Provinz Moesia Superior, Budapest 1970.
MÓCSY, András, A History of the Middle Danube Provinces of the Roman Empire. London and Boston – Routledge & Kegan 1974.
GARAŠANIN Draga, Iliri. Në: Iliri i Dačani – The Illyrians and Dacians. Narodni Muzej Beograd – Istorijski muzej Transilvanije – Kluj, Beograd 1971, 17-32.
SREJOVIĆ, Dragoslav, Karagač and the Problem of the Ethnogenesis of the Dardanians. Në: Balcanica IV. Srpska Akademija nauka i umetnosti. Beograd 1973, fq. 39-82.
ČEŠKOV, Emil, Rimljani na Kosovu i Metohiji, Beograd 1969.
ČEŠKOV, Emil, Municipium DD kod Sočanice, Priština – Beograd 1970.
HAMP, Eric, Kukës and Prizren. Në: Recherches albanologiques. 2-1985. Institut Albanologique de Prishtina. Prishtina 1987, 57-58.
PAPAZOGLU, Fanula, Srednjobalkanska plemena u predrimsko doba. Akademija nauka i umjetnosti Bosne i Hercegovine. Djela. Knj. XXX. Centar za balkanološka ispitivanja, knj. 1. Sarajevo 1969.
PAPAZOGLU, Fanula, The Central Balkan Tribes in Pre-Roman Times, Amsterdam 1978.
PAPAZOGLU, Fanula, Quelques aspects de l`histoire de la province de Macedoine. Në: Aufstieg und Niedergang der römischen Welt. II. Prinzipat 7, 1, Walter de Gruyter – Berlin – New York, 1979, fq. 302-369.
Iliri i Albanci. Srpska akademija nauka i umetnosti. Knj. XXXIX/10, Beograd 1988.
ŠAŠEL, Jaro, Dardania, Furii e Pontii. Në: Scritti sul mondo antico in memoria di Fulvio Grosso. A cura di Gasperini. Universita di Macerata. Publicazioni della Facolta di Lettere e Filosofia. 9. Giorgio Bretschneider editore – Roma, 1981, fq. 587-594.
GARAŠANIN, Milutin, Praistorija na tlu SR Srbije, I.-II., „Srpska književna zadruga“, Beograd 1970.
MIRKOVIĆ, Miroslava, Einheimische Bevölkerung und römische Städte in der Provinz Obermösien. Në: Aufstieg und Niedergang der römischen Welt. II. Prinzipat 6, 1, 1977, fq. 828, 835-837, 840-843.
Praistorija na tlu jugoslovenskih zemalja, sv. II, III, IV, V, Sarajevo 1979, 1987.
DUŠANIĆ, Slobodan, Aspects of Roman Mining in Noricum, Pannonia, Dalmatia and Moesia Superior. Në: Aufstieg und Niedergang der römischen Welt. II. Prinzipat 6, 1, 1977, fq. 52-94.
DUŠANIĆ, Slobodan, Organizacija rimskog rudarstva u Noricu, Panoniji, Dalmaciji i Gornjoj Meziji 622(37). Në: Istorijski Glasnik. 1-2 (Beograd 1980), fq. 7-55.
MIRDITA, Zef, A propos de la romanisation des Dardaniens, në: Studia Albanica. Academie de sciences de la RP d`Albanie. Institut d`Histoire. Institut de Linguistique et Litterature. IX-2, Tirana 1972, fq. 287-298.
MIRDITA, Zef, Les origines des Dardaniens, në: Studia Albanica. X-2, Tirana 1973, fq. 117-149.
MIRDITA, Zef, Das Christentum und seine Verbreitung in Dardanien. Në: Balcanica IV. Srpska Akademija nauka i umetnosti. Beograd 1973, fq. 83-93.
MIRDITA, Zef, Zum Problem der Ethnogenese der Dardaner. Në: Akten des internationalen albanologischen Kolloquiums Innsbruck 1972. Zum Gedächtnis an Norbert Jokl. Innsbrucker Beiträge zur Kulturwissenschaft. Sonderheft 41. Hrg. Von Herman Oelberg, 1977, fq. 630-676.
MIRDITA, Zef, Problem rekonstrukcije pravca puta Vicianum-Gabuleum, në: Putevi i komunikacije u antici. Materiali XVII. Peć 1978, fq. 53-67.
MIRDITA, Zef, Studime Dardane (Dardanische Studien), „Rilindja“, Prishtinë 1979.
MIRDITA, Zef, Antroponimia e Dardanisë në kohën romake (Die Anthroponymie Dardaniens zur Römerzeit), “Rilindja”, Prishtinë 1981.
MIRDITA, Zef, Contribution à l`étude de la religion et des cultes des Dardaniens à l`époque preromaine. Në: Recherches albanologiques 1-1984. Institut albanologique de Prishtina. Prishtina 1985, fq. 139-159.
MIRDITA, Zef, Die wirtschaftlichen und gesellschaftlichen Verhältnisse des Zentralgebietes Dardaniens in der Antike. Në: Balcanica XVIII-XIX. Srpska Akademija nauka i umetnosti Beograd 1987-1988, fq. 89-102 = Referati jugoslovenskih učesnika na V međunarodnom kongresu za proučavanje Jugoistočne Evrope održanom u Beogradu 1984, Beograd 1987 – 1988, fq. 89-102.
MIRDITA, Zef, Društveno-ekonomski odnosi na centralnom dardanskom području u željezno doba do njegovog uključivanja u rimsku upravu. Në: Histria Archaeologica, 20-21, 1989-1990, Pula 1995, fq. 79-89.
MIRDITA, Zef, Encore une fois sur le probleme d`ethnogenese des Dardaniens. Në: I. Iliro – Trački Simpozijum. Paleobalkanska plemena između Jadranskog i Crnog Mora od eneolita do helenističkog doba. Akademija nauka i umjetnosti Bosne i Hercegovine – Srpska akademija nauka i umetnosti. Sarajevo – Beograd 1991, fq. 101-110.
MIRDITA, Zef, O zapadnoj granici Dardanaca i Dardanije u antici. Në: Godišnjak. Knj. XXIX. Centar za balkanološka ispitivanja knj. 27. Akademija nauka i umetnosti Bosne i Hercegovine. Sarajevo 1991, fq. 163-184.