
Pashk Trokshi lindi në Durrës, në Shqipëri, më 2 shkurt, të vitit 1850. Studimet i kreu në kolegjin papnor shqiptar në Shkodër. U emërua si arqipeshkëv i Shkupit, më 10 janar, të vitit 1893. U shugurua në Shkodër nga arqipeshkvi vendas Pasquale Guerrini, me ndihmën e Rafael Dambrosit, arqipeshkëv i Durrësit, dhe të abatit të Mirditës Preno Doçi, një nga shqiptarët më të respektuar të asaj kohe.
Me dëshirën e shprehur të arqipeshkvit, shugurimi u krye në kishën e seminarit në Shkodër, më 5 maj, të vitit 1893.[1] Të martën pas shugurimit, imzot Trokshi e kremtoi meshën solemne pontifikale në kapelën e lartpërmendur. Pas drekës, ai ndoqi një shfaqje poetike të organizuar nga seminaristët për nder të tij. Një nga këngët e kënduara në shfaqje bënte fjalë për qytetin e Durrësit (kaq të dashur për arqipeshkvin) si të mbytur në trishtim e shkreti, si dhe për Shkupin si një qytet i lumtur e i gëzuar që po priste një arqipeshkëv kaq të denjë dhe shembullor si imzot Trokshi. Me atë rast arqipeshkvit iu dorëzua lista e kadetëve të kolegjit papnor shqiptar, e cila u publikua pikërisht në po atë ditë. Në atë listë të kadetëve, dedikimi i shkruar në latinisht ishte:
“PASCHALI TROKSCIO, Scuporum pontifici in memoriam faustissimi diei III. JO. MARTII An. MDCCCXCIII quo primus e susis alumnis solmeni ritu sacrorum antistes inauguratur Collegium Pontificium Albaniense obsequii et gratulationis causa. D.D.D.”
Të enjten pasardhëse, arqipeshkëv Trokshi u nis me kalë për në arqipeshkvinë e Shkupit. Në një pjesë të udhëtimit, në shenjë respekti dhe nderimi, u shoqërua nga priftërinj dhe murgj (rregulltar) dioqezan.[2]
Gjatë administrimit të arqipeshkëv Trokshit, në arqipeshkvi lindën disa keqkuptime, siç duket, të nxitura ndoshta nga autoritetet austriake. Më 31 mars, të vitit 1899, shohim konkretisht, imzot Pasquale Guerrinin si delegat apostolik në arqipeshkvinë e Shkupit. Pas disa muajsh, si administrator apostolik na shfaqet atë Pacifiku nga Viçenza, sepse imzot Guerrini kishte dal në pension pa e kryer punën. Kongregata për Përhapjen e Fesë kishte larguar prej disa kohësh arqipeshkëv Trokshin nga arqipeshkvia. Fillimisht ai ishte strehuar në Vjenë, e më pas në Romë. Ndërkohë, ishte arritur një marrëveshje midis Kongregatës dhe qeverisë austriake për rastin në fjalë. Populli ishte vazhdimisht me arqipeshkvin e vet, dhe kërkonte me çdo kusht kthimin e tij. Në ditën e gjithë shenjtërve të vitit 1900, Trokshi më në fund u kthye në Prizren për gëzimin e tij të madh dhe kështu, në arqipeshkvinë e shkatërruar u rivendos paqja. Njerëzit ishin të lumtur që kishin përsëri mes tyre arqipeshkvin e preferuar.
Trokshi mori pjesë në këshillin e tretë shqiptar, i cili u mbajt në Shkodër në vitin1895. Nga një qarkore e tij mësojmë se, kisha e mëparshme në Shkup, i ishte kushtuar Zojës së Bekuar, Zojës Mari. I njëjti arqipeshkëv në vitin 1902 raportoi se kishte bekuar dhe shuguruar në Shkup “kishën e re dhe tejet të bukur të Zemrës së Shenjtë të Jezusit, (Zemrës së Krishtit.)”
Për shkak të rrethanave shumë të vështira në arqipeshkvi, ai dha dorëheqjen, dhe më 29 prill, të vitit 1909, me vendim të Kongregatës për Përhapjen e Fesë, u emërua arqipeshkëv titullar i Nakoleanit. Nga letra e lamtumirës e arqipeshkëv Pashk Trokshit, e shkruar në Shkup më 16 prill, të vitit 1908, kuptohet se ai ia kishte dorëzuar dorëheqjen drejtpërdrejt papa Piut X për shkak të gjendjes së rëndë dhe të persekutimeve të mëdha që po kryheshin në arqipeshkvi nga myslimanët. Dikush kishte përhapur një thashetheme të rremë, sikur vet arqipeshkvi i kishte bindur katolikët që të përdhosnin një xhami në afërsi të Gjakovës. Myslimanët në Prizren gjithashtu e fajësonin arqipeshkvin për këtë ngjarje; prandaj, më 22 mars, të vitit 1908, ai ia dorëzoi dorëheqjen papa Piut X me qëllim që edhe besimtarët të çliroheshin nga telashet.[3] /drita.info
——————————-
[1] Gaspër GJINI, Skopsko – Prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, (1986) , f. 193; Gaspër GJINI, Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj, Drita, Prizren, (2011), f. 202.
[2] Lettere edificanti della Provincia Veneta, Serie VI, Modena , (1895), f. 26.
[3] Gaspër GJINI, Skopsko – Prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, (1986) , f. 193, 198.