Pjetri, nga fisi Shala, nga e kanë prejardhjen të parët e tij, mbante gjithashtu edhe mbiemrin Gllasnoviq njëlloj si nipat e tij. Ai lindi nga prindër të devotshëm dhe të ndershëm, në vitin 1785, në qytetin e Janjevës, që në atë kohë ishte një famulli, që i përkiste argjipeshkvisë së Shkupit.
Pjetër Shala e mësoi latinishten në moshë të re, nga xhaxhai i tij, dom (Gjon) Ivan Shala. Pasi jetoi për katër vjet nën disiplinën e xhaxhait të tij, ai u dërgua për të studiuar në Napoli, në kolegjin e familjes së shenjtë si kadet (nxënës) i Kongregatës, nga i ndjeri argjipeshkëv Mazareku. Sipas vendimit të Napoleonit I, të gjithë kadetët u urdhëruan që të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës, e kështu Pjetri u detyrua që të rikthehej në atdheun e tij. Pas kthimit në shtëpi, përfundoi studimet për teologji, dhe në vitin 1809, u shugurua prift nga argjipeshkëv Mazareku.
Më pas, për 23 vjet, shërbeu në disa famulli; në Gjakovë, e cila ishte famullia më e vështirë e argjipeshkvisë, për shkak të numrit të madh të besimtarëve dhe të shtrirjes së gjerë gjeografike, shërbeu i vetëm (pa ndonjë ndihmës), për 17 vjet. Argjipeshkëv Krasniqi u sëmur nga paraliza dhe u dobësua, prandaj u detyrua ta emëronte Pjetrin si famullitar në Prizren dhe si vikar të tij të përgjithshëm. Kur argjipeshkëv Krasniqi ndërroi jetë, Kongregata e emëroi Pjetrin si pasardhës të tij. E kështu, u shugurua ipeshkëv dhe paliumi (manteli) iu dorëzua në Shkodër, nga imzot Beningo Albartini, me origjinë nga Dubrovniku, një ish-kadet françeskan, që shërbente si ipeshkëv i Shkodrës.
Dom Gaspër Krasniqi, ndërkohë, pasi përfundoi edukimin dhe arsimimin në kolegjin urban në Romë, në vitin 1836, u kthye në vendlindjen e tij, në Gjakovë. Ai ishte një shpirt i shqetësuar, njëlloj si të afërmit e tij, dhe për shkak të egos së sëmurë që kishte, u bë shkak që besimtarët katolik të pësonin dëme të mëdha; përveçse egoist, ishte edhe tejet i pangopur. Natyra e tij problematike u bë shkak që ai t’i shkruante Kongregatës një letër, ku shprehej kundër argjipeshkvvit Pjetër Shalës; kjo bëri që Dom Gaspëri të emërohej vikar apostolik i argjipeshkvisë së Shkupit, ndërsa argjipeshkëv Pjetrit iu lejua të kryente, vetëm funksionet e rendit ipeshkvnor. Kjo ishte edhe arsyeja e krijimit të një mosmarrëveshjeje të madhe mes besimtarëve katolik, e sidomos mes besimtarëve të Prizrenit, që i kishin parë me sytë e tyre të gjitha këto zhvillime; aq e dukshme u bë mosmarrëveshja, saqë besimtarët nisën të merrnin anë, kështu disa morën anën e Shalës, e të tjerët i dolën në krah Krasniqit.
Për të zbutur skandalin si dhe për t’i qetësuar grindjet, Kongregata e urdhëroi Pjetrin që të shkonte në Shkodër; ishte një urdhër të cilit ai iu nënshtrua menjëherë. Në vitin 1842, erdhi në Prizren françeskani Ivan Topiç, që në atë kohë shërbente si ipeshkëv i Lezhës dhe si administrator i argjipeshkvisë së Shkupit. Ai ishte delegat i Kongregatës, i ngarkuar me detyrën e rivendosjes së paqes mes besimtarëve katolik. Kështu filloi një proces hetimor, në fund të të cilit, ish-kadeti Krasniqi u shpall fajtor. Atij iu hoq mëkëmbësia (pushteti) dhe u dërgua në shtëpi, pa u ngarkuar më tutje me asnjë shërbim tjetër priftëror.
Ipeshkvi Topiç ia raportoi të gjitha gjetjet Kongregatës, e cili miratoi procedurën dhe zbatoi vendimin e tij. Pjetër Shala jetoi për 8 vjet në Shkodër, dhe më pas, në vitin 1846, me lejen e Kongragatës u rikthye në shtëpinë e babait të vet në Janjevë, ku jetoi në vetmi. Kur u sëmur, mori sakramentet e vajimit, dhe më 19 gusht, të vitit 1854, ndërroi jetë. Me aq sa e lejuan rrethanat e vendit si edhe njerëzit, ai u varros me nderime në mes të kishës së vogël së Shën Nikollës, ku prehen edhe paraardhësit e tij Bogdani dhe Mazareku.
Pjetëri ishte njeri me natyrë të mirë, por frikacak, i dëlirë në autoritet dhe i sjellshëm me të gjithë. Gjatë shërbimit të tij, përjetoi shumë shqetësime, frikë e rreziqe, më së shumti për shkak të tiranit mizor, Mahmud Pashës, i cili sundonte dhe administronte në mënyrë absolute dhe arbitrare krahinën e Prizrenit, të cilën vazhdonte ta mbante me forcë nën sundimin e vet.[1]/drita.info
————–
[1] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 22-26 r.