PSIKOLOGJIA E ZGJEDHJES SË PROFESIONIT

Nga Mihály Szentmártony

 

Kur bëhet fjalë për të rinjtë dhe përgatitjen e tyre për të ardhmen, prindërit dhe të rriturit zakonisht e bëjnë këtë pyetje: “Çka do të bëhet prej këtij fëmije”? Nuk jam i kënaqur me këtë pyetje, thjesht për antropologjinë që i rri në themel asaj. Në fakt, nuk është e sigurt se kjo pyetje bartë në mënyrë të drejtë detyrën kryesore të moshës së re. Pyetja do të duhej të shprehej kështu: “Kush do të jem, kur të rritem?” Detyra kryesore e të rinjve nuk është zgjedhja e profesionit (çka do të jem?), por krijimi i identitetit personal (kush do të jem?). Kjo e fundit nuk rritet vetvetiu, por është punë sistematike mbi veten. Gjithsecili bëhet diçka, por kjo nuk është siguri se do të bëhet dikush.

Zgjedhja e thirrjes është një prej vendimeve më të rëndësishme të adoleshentit. Vërtet, ajo fillon shumë herët, por në kohë të hershme nuk shkakton kokëçarje te vetë të rinjtë, por më shumë ndoshta te prindërit. “Çdo të bëhet me këtë fëmijë?” – me brengosjen e përsëritur të prindërve, duke i përdor fjalët e prindërve të Gjon Pagëzuesit. Mirëpo, pikërisht kjo rrethanë e vështirëson zgjedhjen e thirrjes në adoleshencë: i riu jeton nën trysni të vazhdueshme. Prindërit gjithnjë e përsërisin pyetjen: “E, çka do të doje të bëhesh kur të rritesh?” Të njëjtën pyetje e dëgjon prej farefisit, prej mësimdhënësve, prej kolegëve. Kësaj i bashkëngjiten frika dhe mërzitë e vetë adoleshentit. Së fundmi, për shkak të jetës shoqërore dhe zhvillimit teknologjik gjithnjë e më të ndërlikuar vetë profesionet bëhen të komplikuara dhe të paqarta, kështu që edhe për të rriturit bëhet e vështirë t’i definojnë disa prej tyre, e le më fëmijët. Megjithatë, ai duhet të vendos dhe të merr rrugën e një thirrjeje të jetës.

 

Cilën thirrje të zgjedh?

Një varg i tërë teorish përpiqet të ofrojë përgjigje në këtë pyetje, përkatësisht në pyetjen si zhvillohet tërheqja ndaj profesioneve të caktuara prej fëmijërisë deri te mosha e pjekurisë. Vetë kjo shumëfishmëri e qasjes dëshmon se kemi të bëjmë me një fushë të rëndësishme dhe të ndërlikuar. Do t’i shohim fluturimthi disa teori të njohura mbi orientimin profesional.

1. Teoria e kompromisit me realitetin e Ginzbergit – Kjo teori vë në dukje se zgjedhja e thirrjes/profesionit nuk është fryt i një momenti, por rezultat i një procesi të gjatë, në të cilin mund të vërejmë etapa karakteristike. Ato etape janë në të vërtetë vendime të pjesshme që ngushtojnë hapësirën për zgjedhje. P.sh. vendimi se dikush do të mësojë një zanat, e jo të shkojë në fakultet, përjashton një seri të tërë të profesioneve përkatësisht të thirrjeve në të ardhmen. Në atë proces veçanërisht janë të rëndësishme tri etapa.[1]

Faza e fantazisë zgjatë diku deri në moshën 11 vjeçe. Në atë moshë fëmijët mendojnë shumëçka që do të dëshironin të bëheshin, pa marrë para sysh aftësitë dhe mundësitë e tyre personale, përkatësisht nevojat shoqërore. Prej një oxhakfshirësi deri te astronauti, gjithçka u bie ndër mend dhe gjithçka u doket tërheqëse.

Faza e eksperimentimit përfshin moshën e jetës prej 11 deri 18 vjeç. Ky eksperimentim i përfshin katër momentet. Në fazën e hershme adoleshentët i vështrojnë thirrjet apo profesionet e veçanta gati ekskluzivisht në bazë të interesimit personal, përkatësisht të dëshirave të veta. Por në moshën prej 13 deri 14 vjeç e kanë të njohur se profesionet e ndryshme kërkojnë aftësi dhe përgatitje të veçanta. Pas kësaj i riu fillon t’i vlerësojë profesionet e ndryshme sipas vlefshmërisë së brendshme. Në fund, ky eksperimentim kalon në vendim real.

Faza e realizmit, sipas Ginzbergut, fillon pas moshës 19 vjeçare. Nën trysninë për  zgjedhjen e afërt dhe të menjëhershme i riu merr informata të hollësishme mbi profesione të veçanta, zgjedhja bëhet e qartë, dhe shfaqen edhe synimet për specializim.

Në shikim të parë duket se kjo është një teori shumë e bukur dhe elegante, e cila hap pas hapi përcjellë zhvillimin psikik të të riut. Megjithatë, kjo ka një të metë estetike: realiteti nuk do t’i përshtatet gjithmonë këtij zhvillimi të brendshëm! Hulumtimet, në fakt, tregojnë se shumë adoleshentë qysh në fëmijërinë e vonshme e dinë qartë çka dëshirojnë të bëhen në jetë, kurse ka djelmosha dhe vajza, madje edhe të rritur, të cilët nuk e kanë krejt të qartë zgjedhjen e tyre, që është tregues se ende nuk e posedojnë vetëdijen e qartë për orientimin e vet profesional. Për këtë arsye është me rëndësi të sillet ndërmend se orientimi profesional, pa njëfarë antropologjie të gjerë, përkatësisht filozofie të jetës, nuk mund të jetë bazë për jetë të kënaqshme. Me fjalë tjera, nuk mjafton pyetja e vetme çka do të punojë dikush në jetë, por është e nevojshme të shtrohet edhe pyetja pse dëshiron ta bëjë pikërisht atë. Vetëm kur njeriu ta dijë përgjigjen edhe në këtë pyetje (së paku për vete, përgjithësisht), atëherë mund të thuhet se çdo profesion bëhet thirrje (e jetës).

2. Teoria e vetërealizimit e Superit – Kjo teori, në mënyrën e vet, ofron përgjigje në pyetjen e bërë më parë: pse dikush e zgjedh një thirrje të caktuar? Duket krejt evidente përgjigja se këtë e bënë për arsye se në atë profesion, përkatësisht thirrje sheh mundësi më të shumta për ta realizuar vetveten, që t’i zhvillojë potencialet dhe dhuntitë e veta më të mira. Shkurt: qëllimi i çdo zgjedhjeje profesionale është dëshira për vetërealizim, ose, nëse dikujt i pëlqen më shumë kështu: dëshira për lumturi. Pikërisht në këtë përvojë të pranuar botërisht e ndërton teorinë e vetë[2] psikologu amerikan D. Super.

Teoria e Superit e zgjedhjes së thirrjes bënë pjesë ndër teoritë më të popullarizuara dhe ka më së shumti prova eksperimentale. Teza bazë e tij është kjo: prirja dhe interesimi për thirrje të veçanta janë shprehje e synimit për realizimin e vetvetes në një profesion të caktuar. Me fjalë të tjera, vetërealizimi është ai motiv bazik, i cili gradualisht e kthen personin drejt një thirrje. Për atë arsye zhvillimin e vetëdijes profesionale mund ta shprehim edhe si diferencim gradual të figurës mbi veten dhe arritje e integrimit gjithnjë të ri në nivel më të lartë, deri atëherë kur njeriu nuk do ta mbërrijë thirrjen e vet, ashtu që ajo të bëhet pjesë e patjetërsueshme e të kuptuarit e vetes.

Teorinë e Superit e përkrahin shumë të dhëna eksperimentale. Personat u japin përparësi atyre profesioneve që tregojnë harmoni më të madhe me strukturën themelore të personalitetit. P.sh. në qoftë se dikush është më shumë introvert, i drejtuar kah bota e tij e brendshme, atëherë do ta zgjedhë profesionin që është në harmoni me ato tendenca; p.sh. do ta zgjedhë studimin e matematikës, do t’i interesojnë kompjuterët ose edhe do ta zgjedhë një profesion administrativ, përgjithësisht profesion që nuk do të ketë punë të drejtpërdrejt me njerëz. Në të kundërtën, nëse është dikush është më shumë ekstrovert, i drejtuar kah bota e jashtme, veçanërisht ndaj njerëzve, sigurisht do ta zgjedhë një thirrje të tillë që i mundëson një kontakt sa më të madh me të tjerët; kështu do të bëhet mjek, psikolog, pedagog apo meshtar, përkatësisht avokat apo tregtar.

Prandaj, zgjedhja e thirrjes nuk është fryt i një çasti, por proces dinamik. Në atë proces individi shqyrton dhe pranon ato role profesionale të cilat në mënyrën më të mirë të mundshme ia sigurojnë shprehjen e personalitetit të tij dhe i garantojnë vazhdimësinë e asaj figure të vetes që e ka ndërtuar deri më tani. Hap pas hapi, siç bëhet e vetëdijshme në ne figura mbi veten, mundohemi këtë ta shprehim edhe nëpërmjet profesioneve të ndryshme. Prandaj, zhvillimi i interesave profesionale është i pandashëm prej zhvillimit të përgjithshëm të personalitetit. Ciklin e plotë zhvillimor do të mund ta ndanim në pesë etapa: fëmijëria, adoleshenca, rinia, pjekuria dhe pleqëria. Neve do të na interesojë në rend të parë adoleshenca dhe rinia.

Adoleshenca është një periudhë kritike e zhvillimit të figurës mbi veten. Kjo është njëkohësisht moshë kur adoleshenti duhet ta gjejë profesionin më të përshtatshëm për shprehjen e vetvetes. Natyrisht, kjo supozon se adoleshenti disponon njohuri të mjaftueshme dhe objektive të vetvetes. E pra, meqë bëhet fjalë për proces, edhe këtu mund të vërejmë disa etapa:

a) etapa e kristalizimit shënon kërkimet në moshën ndërmjet viteve 14 dhe 18. Së pari shfaqen idetë që paraqesin harmoninë ndërmjet figurës mbi veten dhe mënyrës së të shprehurit të tyre.

b) etapa e specifikimit sjell zvogëlimin e numrit të profesioneve të mundshme, adoleshenti ndërmerr hapat e parë drejt realizimit konkret të thirrjes së zgjedhur. Kjo rëndom është periudha e shkollës së mesme, që do të thotë përgatitje e drejtpërdrejt e drejtimit e jetës.

c) realizimi i zgjedhjes profesionale është etapa e radhës, ndërmjet viteve 21 dhe 24. I riu tashmë jo vetëm se përgatitet për thirrjen e vet, por aktivisht merret me atë për çka është përgatitur deri më tani.

d) vendosja e themelit të karrierës së ardhshme relativisht është një periudhë e gjatë, dhe zgjatë prej moshës 25 deri në 35. Këto janë vitet e krijimit dhe realizimit.

e) përforcimi i vetëdijes profesionale do të thotë kulmi i këtij zhvillimi, dhe fillon pas moshës 35. Kjo tashmë është detyrë e moshës së pjekur.

Megjithatë, mbetët pyetje e hapur si i riu do ta gjejë atë profesion, i cili në një mënyrë më të mirë do ta pasqyrojë synimet dhe aftësitë e tija personale? Në thelb janë tri rrethana që e përcaktojnë këtë: zhvillimi personal, mundësitë e jashtme dhe profesionet që i ka në dispozicion. Në ankesën se pas kësaj mbetet një hapësirë shumë e varfër për një zgjedhje,  Superi përgjigjet se individi është i aftë për përshtatje të madhe, dhe në fund të mund ta gjejë veten në shumë profesione. Megjithatë, kjo e fundos paksa teorinë e tij. Në fakt, me këtë kthehemi mbrapa te pyetja mbi filozofinë e jetës, sepse këtu më nuk është kryesore pyetja çfarë profesioni ka dikush, por a është i aftë ta gjejë vetveten në një situatë të caktuar. Një kënaqësi të tillë nuk mund ta jep asnjë profesion që njeriu e zgjedhë prej zori, por vetëm qasja e zgjeruar e vetes dhe realitetit. Me fjalë të tjera, një njeri i kënaqur mund të jetë i kënaqur pa marrë para sysh se çka detyrohet të punojë, kurse i pakënaquri s’do të bëhet i kënaqur as në kushtet më ideale.

3.  Në fund do të përmendim edhe Teorinë e Hollandit, e cila bazohet në harmoninë ndërmjet tipit të personalitetit dhe veçorive të rrethit.[3] Duke e vështruar personin nga pikëvështrimi i zgjedhjes profesionale, Holland gjen shtatë tipa: realist, intelektual, shoqëror, konservator, argëtues dhe artistik. Këtyre tipave u përshtaten gjithashtu gjashtë tipa të profesioneve. Njeriu do të jetë i kënaqur dhe i suksesshëm në thirrjen e vet, nëse gjen dhe zgjedh atë që më së shumti i përshtatet personalitetit të tij.

Kjo teori aq shumë e thjeshtëson realitetin sa më s’do të merremi me të. Megjithatë, ajo e ka një porosi të dobishme: vendi i takimit ndërmjet tipit të personalitetit dhe profesionit të caktuar është familja. Pra, çdo familje ka atmosferë profesionale të caktuar: familja artistësh ka për miq artistë dhe fëmija shumë herët takohet më këtë profesion. Për më tepër, fëmijët qysh prej ditëve më të hershme mund të marrin pjesë aktivisht në profesionin e prindërve të vet. Nganjëherë vetë prindërit prej ditëve të hershme e përgatisin fëmijën për një profesion të caktuar, si p.sh. e regjistrojnë në shkollë të muzikës, i mësojnë gjuhë të huaja etj.

 

Vendimi personal

Prej shumë teorive të mundshme dhe ekzistuese i kemi paraqitur vetëm tri. Besoj që kemi përshtypjen se ende, edhe pas gjithë kësaj paraqitjeje, nuk jemi bërë më të mençur për të këshilluar një djalosh apo vajzë, po të na pyesnin se cilin profesion ta zgjedhin. Është e vështirë të jepen parime përgjithësisht të vlefshme. Zgjedhja e thirrjes është një ngjarje aq jetësore për çdo individ sa rregulla më e rëndësishme do të ishte kjo: le të jetë kjo një zgjedhje krejtësisht personale, e njëkohësisht realiste. Nëse një njeri do të ndihet mirë në profesionin e tij, kjo varet prej katër faktorëve, që duhet të merren parasysh para se të bëhet zgjedhja e profesionit.

Inteligjenca ka rol të rëndësishëm. Jo në kuptimin se për shumicën e profesioneve do të ishte e nevojshme aftësia intelektuale mbi mesatare (shumica e fakulteteve mund të kryhet edhe me inteligjencë mesatare!), por për shkak të diçkaje krejtësisht tjetër. Sipas disa hulumtimeve, fëmijët më pak të aftë janë më të prirë për zgjedhje më pak reale sesa fëmijët me aftësi më të madhe. Me fjalë të tjera, ekziston rrezik i mbiçmimin të vetes, që më vonë mund të sjell mossukses sistematik në thirrje.[4]

Aftësitë speciale mund të jenë një rrethanë vendimtare për një zgjedhje të thirrjeve të caktuara, si p.sh. muzikore apo artistike.

Është i rëndësishëm momenti dhe interesi: sa më shumë do të ketë interes prej punës së tij, aq më i suksesshëm do të jetë. Thonë se njeriu më i lumtur është ai që është i lumtur të bëjë atë që duhet të bëjë, d.m.th. kur puna njëkohësisht është hobi.

Më në fund, duhet merren parasysh edhe mundësitë që jo gjithmonë përputhen me aftësitë dhe profesionin. Në lidhje me këtë ndoshta do të jetë me interes për ta dëgjuar një ngjarje të vogël, e cila mund të jep shumë qartësi gjithë atyre që janë të detyruar të bëjnë punë për të cilat nuk janë shumë të entuziazmuar. Pyetja është kjo: a është e pashmangshme që një punë të tillë ta përjetojmë si një detyrim? Apo është e mundshme që edhe në mes të një pune më bajate të ndjehem i/e lirë përbrenda?

Një punëtor, detyra e të cilit ka qenë që në shiritin lëvizës ta fusë një vidë në një makinë të komplikuar, i ka hyrë kësaj pune si sportist, siç e ka theksuar vet. Çdo tre muaj ka arritur ta përmirësojë realizimin për disa sekonda. Ka qenë tejet krenar për ato arritjet e veta; krejt koncentrimin e vet e ka orientuar në ato realizime, dhe ka pohuar se ndjehet i lirë, meqë është zotërues i veprave të veta.

Ndoshta një dorëzim i tillë i plotë ndaj punës është një gjë e rrallë. Megjithatë, mbetet fakti se vetëm qasja personale në çdo punë mund ta sigurojë ndjenjën e kënaqësisë dhe lirinë e brendshme. Nëse dikush vullnetarisht pranon diçka çka jeta e detyron, atëherë ndjehet i lirë. Askush s’mund të na detyrojë në atë që vullnetarisht e pranojmë. Kush ia shton kësaj edhe botëkuptimin e vet të krishterë, ai nuk mund ta ketë një jetë të dështuar. Se çfarë do të thotë kjo, do të kërkojmë përgjigje në kreun vijues./drita.info

 

(Pjesë nga libri: Mihály Szentmártony, Svjet mladih. Psihološke studije, FTI, Zagreb 2007, f. 175-183. Përktheu: Fatmir Koliqi)

 

——————————————————

[1] E. Ginzberg, Occupational Chioce, New Jork, 1951.

[2] D. Super – M. J. Bohn, Occupational Psycology, Belmnt, 1970.

[3] L. Holland, Making Vocational Choises. A Theory of Careers, Englewood Cliffs, 1973.

[4] Khs. P. F. Pice, The Asolescent: Development, Relationships and Culture, Boston, 1981.

Shpëndaje: