Shpërdorimi i kohës dhe humbja e mundësive të zhvillimit personal dhe shpirtëror

Nga m.Franciska (Suzana) Lekaj

 

Siç dihet, për rëndësinë dhe vlerën e kohës kanë shkruar shumë filozofë dhe shkencëtarë. Sigurisht, nuk do t’i analizojmë shkrimet e tyre, por do të shqyrtojmë rëndësinë dhe vlerën e kohës në aspektin psikologjik dhe në jetën tonë të përditshme. Padyshim, koha është një dimension ekzistencial me të cilin të gjithë përballemi. Mirëpo, të flasësh për rëndësinë dhe kuptimin e saj do të thotë të prekësh një faktor sa të rëndësishëm, aq edhe delikat. Sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me kohën kronologjike  orë, minuta, sekonda  por me perceptimin e kohës në aspekt psikologjik.

Pa diskutim që këto dy dimensione ndryshojnë nga njëra-tjetra, sepse aspekti psikologjik nuk ka të bëjë me matjen, por me ndjenjat, formimin dhe edukimin e njeriut në tërësi. Prandaj, nuk është e lehtë të flasësh apo të shkruash se çfarë është koha. Këtë na e vërteton edhe Shën Augustini: “Çfarë është koha? Kur nuk më pyet askush, e di; por kur më duhet ta shpjegoj, nuk e di.” Pra, nuk është e thjeshtë të flasësh për kohën, ajo mbetet një mister. Por mbi të gjitha, është ajo që i jep vlerë jetës së përditshme dhe ndikon në procesin e zhvillimit të njeriut. Sepse ajo i mundëson njeriut jo vetëm rritjen, mësimin dhe formimin, por edhe përmirësimin e vetës.

Vlera e kohës, e parë nga këndvështrimi psikologjik, varet shumë nga karakteristikat dhe formimi personal, si dhe nga ai kulturor. Por, sa është i vetëdijshëm sot njeriu për rëndësinë dhe vlerën e kohës? Sa është i aftë në orientimin e saj? Si e kalon dhe si e jeton atë? Secili duhet t’i bëjë vetes këto pyetje. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të kuptojë se sa kontribuon koha në mirëqenien e tij/saj. Sigurisht, gjithë kjo varet nga aspekti individual, sepse koha nuk ndryshon, por varet nga unë, ti, ne, se si e perceptojmë dhe si e vlerësojmë atë. E gjithë kjo varet nga perceptimi dhe gjendja e brendshme e personit. Sepse, siç kemi përjetuar pothuajse secili, nganjëherë duket se koha shkon shpejtë, e nganjëherë nuk ecën fare. Pra, varet nga individi dhe nga situata, gjendja emocionale dhe shpirtërore që ai/ajo përjeton.

Shpesh na ndodh të dëgjojmë shprehjen: “Ka ndryshuar koha, nuk është më si më parë!” Definitivisht, koha nuk ka ndryshuar; jemi ne njerëzit që e perceptojmë dhe e vlerësojmë ndryshe. Nëse ndalemi dhe mendojmë për disa figura të njohura botërisht, si Nënë Tereza, Leonardo Da Vinçi, Mikel Anxhelo e shumë të tjerë, që edhe sot flitet për veprat e tyre madhore, e kuptojmë se për ta koha ishte e njëjtë 24 orë, as më shumë, as më pak. Por ajo që i bën veprat e tyre të rëndësishme është rezultati i perceptimit, vlerësimit dhe shfrytëzimit të kohës në mënyrë të drejtë, të dobishme dhe produktive. Pra, koha ka lëvizur dhe lëviz në të njëjtën shpejtësi, nuk ka ndryshuar, por është perceptimi i secilit prej nesh për mënyrën si e vlerësojmë dhe sa i japim rëndësi për mirëqenien tonë dhe të të tjerëve. Kërkohet shumë kujdes dhe përgjegjësi për atë se çfarë bëjmë me dhuratën e kohës. Sepse perceptimi që kemi dhe rëndësia që i kushtojmë asaj ndikojnë shumë në sjelljen dhe formimin tonë, e pa përjashtim edhe në marrëdhëniet me ata me të cilët punojmë e jetojmë.

Mirëpo, sot, në një botë me kaq shumë arritje teknologjike që synojnë të na ndihmojnë të kemi më shumë kohë për vete dhe për të tjerët, përkundrazi më shumë se asnjëherë dëgjojmë secilin duke u arsyetuar dhe ankuar se nuk ka kohë. Natyrisht, ritmi i jetës është bërë aq i shpejtë sa askush nuk ka kohë për askënd. Prindërit nuk kanë kohë për fëmijët, fëmijët për prindërit, burri për gruan dhe anasjelltas, miku për mikun, kolegu për kolegun etj. E gjithë kjo është një arsye sesa mungon dashuria e vërtetë. Kështu lejojmë që koha të na kalojë duke u ankuar dhe arsyetuar, pa e vlerësuar, pa e jetuar dhe pa e shfrytëzuar tani dhe këtu. Njeriu harxhon energji duke u marrë me të shkuarën dhe të ardhmen dhe lejon t’i ikë e tashmja. Të jetuarit e momentit, sot, tani dhe këtu është më se e rëndësishme dhe e dobishme për vlerësimin e kohës më shumë se çdo gjë tjetër.

Fatkeqësisht, pak njerëz e vlerësojnë dhe e shfrytëzojnë faktorin kohë në të tashmen. Ka shumë nga ata që e kalojnë kohën pa bërë dhe mësuar asgjë, vetëm duke u ankuar dhe vajtuar të kaluarën dhe duke fajësuar të tjerët. Ka nga ata që nuk punojnë fare, preferojnë të qëndrojnë në rrjetet sociale duke parë se çfarë kanë bërë dhe bëjnë të tjerët. Vazhdimisht ushqejnë vetveten me thashetheme, shpifje, sharje dhe gjithashtu duke gjykuar jetën e tjetrit. Merren me gjëra të kota, pa kuptim, që nuk sjellin gëzim apo ndonjë emocion në jetën shpirtërore. Më e keqja është se pas gjithë kësaj ndihen të qetë, ndërgjegjja nuk i bren dhe nuk ndihen fajtorë për humbjen e kohës kot. Me një fjalë, nuk bëhen merak sepse për ta kjo duket si asgjë. Humbje kohe është jo vetëm kur nuk bëjmë asgjë, por edhe kur bëjmë shumë gjëra, por pa vullnet, energji, dashuri, gëzim dhe gjallëri. Kjo tregon se nuk jemi të dhënë tërësisht në atë që bëjmë. Kujdes! Koha është e kufizuar, mos e humb duke u marrë me gjëra të kota, me gjëra që nuk ia vlejnë dhe sidomos duke u marrë me jetën e dikujt tjetër.

Sikur njeriu ta njihte, vlerësonte dhe çmonte vlerën e kohës dhe të mendonte më shpesh se koha që kalon nuk kthehet, është e papërsëritshme, pa dyshim do të vepronte ndryshe. Do të angazhohej më shumë në të gjitha sferat e jetës. Për këtë, nuk duhet harruar se koha është mundësi për të rritur, edukuar dhe formuar veten. Gjithashtu, është faktor i rëndësishëm në formimin e vetëvlerësimit, i domosdoshëm në ndërtimin e identitetit dhe personalitetit të qenies njerëzore. Koha është ajo që na mëson t’i japim vlerë vetës dhe tjetrit, po ashtu edhe angazhimeve dhe veprimeve tona. Mund të na duket se koha është diçka e ndarë nga ne dhe bota përreth, por nuk mund të jetë kështu, sepse jeta është e lidhur ngushtë me kohën dhe nuk mund të kuptohet e ndarë. “Koha është substanca nga e cila është krijuar jeta” (Benjamin Franklin).

Rëndësia e kohës në jetën e njeriut është e padiskutueshme dhe shumëdimensionale, kryen shumë funksione thelbësore. Ajo nuk varet nga akrepat e orës ose matësitë e tjera, sepse nëse ndalen akrepat e orës ose dëmtohen matësitë, koha nuk ndalet, por vazhdon funksionin dhe rolin e saj. Faktori kohë ka pasur dhe ka rëndësi të veçantë në jetën e njeriut në tërësi, veçanërisht në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Po ashtu edhe në procesin terapeutik, kur bëhet fjalë për marrëdhënien psikolog – klient, ka të njëjtën rëndësi, si për të rritur ashtu edhe për fëmijë. Sepse çdo seancë ka një kohë të caktuar, një orë, dhe kjo është një orë e shenjtë. Pikërisht këtu bëhet fjalë për pjesën më delikate të njeriut dhe kërkohet kujdes nga të dy palët se si shfrytëzohet dhe vlerësohet kjo kohë sa më mirë dhe me dobi për të dy palët. Pra, koha na mundëson një lloj ndërgjegjësimi për njohjen e vetës dhe për vlerën e çdo gjëje që na rrethon.

Nëse ndalemi pak dhe imagjinojmë se çfarë do të ndodhte nëse mungon faktori kohë?! Si do të vepronte njeriu pa vetëdijen e kohës? Sigurisht do të ishte një kaos, dhe qenia njerëzore nuk mund të jetë e qartë dhe e plotë pa nocionin e kohës. Sepse ajo i siguron njeriut informacione të rëndësishme, dhe nga kjo ai mund të veprojë në të gjitha sferat. Pra, koha është ai faktor që i mban të gjithë bashkë si një tërësi të papërsëritshme. Për këtë është e rëndësishme që njeriu të dijë si ta jetojë dhe ta vlerësojë kohën, sepse ajo është gjithçka. Pa diskutim, është dhurata më e madhe që mund t’i bëjmë dikujt. Por a vlerësohet dhurimi i kohës? Sigurisht që jo, sepse ne vlerësojmë vetëm atë që shohim dhe prekim, ndërsa atë që ndiejmë nuk e vlerësojmë. Ne si njerëz shpejt harrojmë sa kohë dikush ka kaluar me ne duke na dëgjuar, këshilluar apo thjesht duke qëndruar përballë në heshtje. Sidoqoftë, ajo mbetet dhurata më e çmuar që mund t’i bësh dikujt, sepse përfshin dashurinë, respektin, vlerësimin, durimin, përkushtimin dhe mbi të gjitha dhurimin e vetës.

Koha i referohet një periudhe të caktuar, dhe ato janë tri dimensionet që të gjithë i dimë: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Këto janë shtyllat që ngjyrosin jetën e secilit nga ne në mënyra shumë të ndryshme, sidomos në aspektin emocional. E gjithë kjo sigurisht ndikon në mirëqenien dhe aftësinë e njeriut për të qenë sa më efektiv dhe i dobishëm. Por mos menaxhimi i mirë i gjithë kësaj mund të ndikojë dhe të çojë njeriun në çrregullime psikologjike.

 

Rëndësia e menaxhimit të kohës

Çdo njërit prej nesh mund t’i ketë rastisur të punojë apo të jetojë me dikë që humbet në punë ose që shfaq dembelizëm. Sigurisht, të dyja këto sjellje janë tregues të qartë se personat kanë vështirësi në orientimin dhe menaxhimin e kohës. Njerëzit me probleme të tilla lehtë përballen me stres, ankth, depresion etj. Pa dyshim, mos menaxhimi i mirë i kohës ndikon në gjendjen emocionale, shpirtërore, mendore dhe fizike dhe tregon shumë për personalitetin e njeriut. Si puna e tepërt, ashtu edhe papunësia janë të dëmshme dhe tregojnë për një gjendje të brendshme të paqëndrueshme. Duhet kuptuar se çdo gjë ka kohën e vet, dhe nuk është e nevojshme as të dalim jashtë forcave tona, por as të neglizhojmë fuqinë që kemi. Kështu shkruhet në Bibël, tek libri i Kishtarit: “Gjithçka e ka kohën e vet, dhe secila punë nën qiell e ka momentin e vet: kohë për të lindur e kohë për të vdekur, kohë për të mbjellë e kohë për të shkulur atë që u mboll, kohë për të vrarë e kohë për të shëruar, kohë për të ndërtuar e kohë për të shkatërruar, kohë për të qarë e kohë për të qeshur, kohë për të bërë gjëmë e kohë për të kërcyer, kohë për të shpërndarë gurë e kohë për t’i mbledhur, kohë për t’u marrë ngryk e kohë për t’u mos marrë ngrykë, kohë për të kërkuar e kohë për të humbur, kohë për të ruajtur e kohë për të flakur tej, kohë për të qepur e kohë për të shqepur, kohë për të heshtur e kohë për të folur, kohë për të dashur e kohë për të urryer, kohë për të luftuar e kohë e paqes.” (Kish 3,1-8) Pra, kush di të vlerësojë dhe menaxhojë kohën, do të ketë një jetë më të rregullt, sepse di të japë kohë çdo gjëje.

Menaxhimi i kohës nënkupton aftësinë për të organizuar këtë burim të rëndësishëm në mënyrë efektive dhe produktive. E gjithë kjo kërkon urtësi, mençuri dhe qëndrueshmëri. Mirëpo, pavarësisht sa përpiqet njeriu të planifikojë dhe menaxhojë kohën, shpesh i duket se nuk ka kohë të mjaftueshme. Në përgjithësi, menaxhimi i kohës duhet të jetë teknikë e të gjithëve, sepse vetë jeta është menaxhim i kohës. Kërkohet të dimë t’i japim vlerë dhe kuptim pushimeve, kohës së lirë, sepse e gjithë kjo është mundësi reflektimi dhe rikuperimi i energjisë. T’i japësh kohë vetes është gjëja më e rëndësishme, sepse atëherë do të dini ta dhuroni atë edhe të tjetrit. Duhet të gjejmë kohë për të dëgjuar vetën dhe tjetrin, kohë për lutje, meditim, shëtitje, ushtrime, lexim, këshillim etj.

Po citoj përsëri si Bibla na kujton të përdorim kohën me mençuri: “Vëreni me kujdes se si jetoni, jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë, të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija.” (Ef 5,15-16)

Pra, ka shumë rëndësi se si e jetojmë kohën, sepse ajo është zemra e organizimit të jetës dhe baza e përvojës së personit. Vlerësimi i kohës nuk mund të bëhet vetëm njëherë në muaj apo në vit, por çdo ditë duhet të ketë kërkesë llogarie se si e jetojmë atë. Mbi të gjitha, nuk duhet harruar se koha është një forcë që vepron thellë brenda secilit njeri, për të cilën shpesh as nuk jemi të vetëdijshëm. Secili mbart brenda vetes një të kaluar, një të tashme dhe angazhohet pa u ndalur për një të ardhme. Suksesi, kënaqësia dhe gëzimi i të jetuarit varen shumë nga marrëdhënia që kemi me kohën. Menaxhimi i mirë i kohës nuk ka të bëjë vetëm me një mënyrë pune efikase dhe të disiplinuar, por përfshin gjithashtu orientimin e vlerave. Gjithmonë duhet të kujtojmë vetes se qëndrimi ynë ndaj kohës është një forcë që vepron thellë brenda nesh. Por kryesisht nuk jemi të vetëdijshëm për të, sepse ajo ndikon në çdo zgjedhje apo vendim që marrim. Ta shfrytëzojmë kohën vetëm për gjëra të mira e të dobishme, të jetojmë ndershmërisht me veten dhe me tjetrin, dhe koha do të na zbulojë gjithçka. Sepse ne jemi koha, askush dhe asgjë tjetër.

Koha është pasuria më e çmuar që ka çdo njeri, por shpesh mbetet më e shpërdoruara. Mënyra se si e vlerësojmë, e jetojmë dhe e menaxhojmë kohën ndikon thellësisht në cilësinë e jetës sonë dhe në marrëdhëniet që ndërtojmë me të tjerët. Prandaj është thelbësore ta kuptojmë se shfrytëzimi i kohës për rritje personale, edukim shpirtëror dhe formim të vetvetes nuk është një zgjedhje e zakonshme, por një domosdoshmëri. Koha është mundësi – mundësi për të jetuar më me vetëdije, për të qenë më të dobishëm, më të përmbushur dhe më të ndershëm me veten dhe me botën. Kush e çmon kohën, çmon jetën./drita.info

 

—————————————–

Referencat

Friedrich Assländer dhe Anselm Grün, Non ho tempo /L`arte di averne di piu e vivere meglio, Paoline, Milano, 2010

Stefan Klein, The Secret Plus of Time/ making Sens of Life`s Scarcest Commodity, Hachette Books, 2009 New York

Oliver Burkeman, For Thousand Weeks: Time Menagement for Mortals, Farrar, Straus and Giroux, 2021 New York

Shpëndaje: