
Nga m. Francisk ( Suzana) Lekaj
Në përfundim të vitit shkollor, teksa institucionet arsimore dhe edukative reduktojnë aktivitetin e tyre, një institucion tjetër mbetet në funksion të pandërprerë: familja. Pikërisht gjatë kësaj periudhe pushimi veror krijohet një mundësi e vlefshme për të rivendosur vëmendjen tek marrëdhëniet themelore në jetën e fëmijës marrëdhëniet me prindërit. Kjo periudhë nuk duhet të përjetohet vetëm si një kohë për çlodhje fizike, por si një mundësi për ushqim emocional dhe përmbushje shpirtërore, përmes komunikimit të sinqertë, pranisë së qëllimshme dhe dashurisë së pakushtëzuar.
Familja përfaqëson burimin e parë dhe më të fuqishëm të edukimit. Ajo nuk është thjesht një strukturë sociale, por një mjedis psikologjik dhe shpirtëror ku fëmija ndërton bazat e personalitetit, sjelljes dhe moralit. Psikologë si Erik Erikson theksojnë rëndësinë e marrëdhënieve të hershme në zhvillimin e besimit, sigurisë dhe autonomisë te fëmijët. Sipas Jean Piaget, zhvillimi kognitiv ndodh nëpërmjet përvojave të përditshme në mjedisin familjar, ku fëmija përthith modele sjelljeje, komunikimi dhe vlerash.
Komunikimi është themeli mbi të cilin ndërtohet çdo marrëdhënie njerëzore, dhe brenda familjes ai merr një funksion edhe më të thellë. Ai nuk është thjesht shkëmbim informacioni, por shprehje e lidhjes emocionale, mbështetjes dhe përkujdesjes. Psikologu Carl Rogers thekson rëndësinë e dëgjimit empatik, që përfshin praninë e plotë të prindit me sy, veshë dhe zemër në përjetimin e fëmijës.
Për fat të keq, shpesh në jetën e përditshme komunikimi ndërpritet nga lodhja, stresi apo rutina. Shprehja “nuk kam kohë” është një nga pengesat më të zakonshme në lidhjen prind-fëmijë. Megjithatë, përmes disa praktikave të thjeshta, prindërit mund të forcojnë këtë lidhje:
- Dëgjimi aktiv pa ndërprerje;
- Empatia – të ndjesh me fëmijën, jo vetëm për fëmijën;
- Këshillimi pozitiv, jo ndëshkimi kritikues;
- Vlerësimi verbal, për të rritur vetëbesimin.
Fëmijët që ndihen të dëgjuar, të pranuar dhe të vlerësuar, zhvillojnë një ndjenjë të brendshme stabiliteti dhe sigurie, e cila ndikon drejtpërdrejt në sjelljen, arritjet dhe marrëdhëniet e tyre me të tjerët.
Përtej këtyre teorive psikologjike, aspekti shpirtëror i familjes është gjithashtu thelbësor. Në shumë tradita kulturore dhe fetare, prindërimi shihet si një mision i shenjtë, ku prindi është jo vetëm kujdestar i jetës fizike të fëmijës, por edhe udhëheqës shpirtëror. Vlera të tilla si dashuria, falja, përulësia dhe drejtësia, të përçuara përmes shembullit të prindërve, formojnë ndërgjegjen morale dhe shpirtin e fëmijës.
Pushimet verore, kohë për rilidhje dhe përmbushje shpirtërore
Pushimet verore ofrojnë një mundësi të çmuar për rilidhje emocionale dhe shpirtërore. Në një realitet të mbingarkuar me teknologji dhe ritme të shpejta jetese, krijimi i hapësirave për kohë cilësore familjare është më i rëndësishëm se kurrë. Veprimtari të thjeshta si leximi së bashku, shëtitjet në natyrë, përgatitja e ushqimit apo bisedat e qeta mbrëmjeve, bëhen mësime jetësore që fëmijët i mbajnë mend përherë.
Këto momente janë gjithashtu të rëndësishme për ushqyerjen shpirtërore të fëmijës. Praktika si lutja, falënderimi, falja dhe ndarja forcojnë lidhjet familjare dhe i japin fëmijës një ndjenjë të thellë përkatësie dhe kuptimi. Në këtë mënyrë, fëmija mëson jo vetëm çfarë duhet të bëjë, por pse duhet të veprojë me dashuri, respekt dhe ndershmëri.
Studimet psikologjike tregojnë se fëmijët që rriten në një mjedis me komunikim të hapur, dashuri të qëndrueshme dhe vlerësim të ndërsjellë, janë më pak të prirur për probleme emocionale, ankth, depresion apo sjellje devijante në adoleshencë. Nga ana tjetër, në një këndvështrim shpirtëror, këta fëmijë zhvillojnë ndërgjegje morale të fortë, përgjegjësi, vetëkontroll dhe ndjenjën e drejtësisë.
Të qenit prind nuk është një status formal, por një thirrje që kërkon përkushtim, reflektim dhe dashuri të qëndrueshme. Prindërimi është një udhëtim që zgjat gjithë jetën dhe që nuk kërkon përsosmëri, por prani të sinqertë dhe komunikim të ndjeshëm.
Në vend që të presim një ditë të veçantë për të folur me fëmijët tanë, le ta nisim sot me një pyetje të sinqertë, një përqafim të ngrohtë, një fjalë inkurajuese dhe një lutje të përbashkët. Sepse familja është burimi i parë dhe më i qëndrueshëm i dashurisë, dhe fëmijët që rriten në këtë burim, do të jenë individë të fortë, të drejtë dhe të lumtur.
Nëse fëmija jeton me kritikën, ai mëson të gjykojë. Nëse jeton në tolerancë, ai mëson durimin. Nëse rritet me kurajë,ai mëson të ketë besim. Nëse jeton me drejtësinë,ai mëson të jetë i drejtë. Nëse pranohet dhe jeton në miqësi, ai mëson të gjejë dashuri në botë. (Dorothy Law Nolte)./drita.info