
Nga m.Franciska ( Suzana) Lekaj
Sa shpesh ndodh që ajo që shohim tek njerëzit nuk përputhet me atë që ata janë në të vërtetë?
Në jetën e përditshme, hipokrizia dhe farezejizmi janë dukuri të zakonshme që i hasim çdo ditë në marrëdhëniet shoqërore, profesionale dhe personale. Edhe pse shpeshherë këto sjellje janë të padukshme, ato ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndërpersonale, në aspektin shpirtëror dhe në shëndetin mendor të individëve. Krijohet një ndarje mes asaj që thonë njerëzit dhe asaj që bëjnë, duke sjellë tension, pasiguri dhe ndjenja të brendshme konflikti. Kjo sjellje ndikon në mungesën e lidhjeve të vërteta dhe sinqeritetit në marrëdhënie, duke krijuar një ambient të pasinqertë dhe emocionalisht të ndarë.
Për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme dhe autentike, është e rëndësishme të jetojmë me sinqeritet, ndershmëri dhe të shmangim çdo formë të hipokrizisë dhe farezejizmit. Këto dukuri janë shpesh të lidhura ngushtë me presionin shoqëror dhe nevojën për t’u pranuar nga të tjerët. Njerëzit ndihen të detyruar të paraqesin një version të përsosur të vetes, duke fshehur dobësitë e tyre përpara shoqërisë. Megjithatë, kjo sjell tension të brendshëm dhe humbje të vetëidentitetit. Ata që mbajnë një “maskë” shpesh ndihen të izoluar emocionalisht dhe të vetmuar, edhe kur janë të rrethuar nga njerëz të tjerë.
Kështu, hipokrizia dhe farezejizmi ndikojnë në identitetin e individit, në marrëdhëniet me të tjerët dhe në ndjenjën e vetëvlerësimit. Ato lidhen me përpjekjen për të ruajtur një imazh të caktuar, që lind nga kontradikta mes bindjeve dhe veprimeve, duke krijuar tension të brendshëm. E gjithë kjo vjen nga mungesa e vetëdijes. Njerëzit hipokritë dhe farezejë shpesh nuk e kuptojnë se veprojnë në kundërshtim me vlerat e tyre, duke ruajtur një fasadë të bukur që, në fund, sjell humbje të unitetit të brendshëm dhe të besimit në vetvete. Ata krijojnë një moral të rremë. Kjo gjendje mund të çojë në stres, ankth, depresion dhe ulje të vetëvlerësimit. Individët hipokritë dhe farezejë shpesh jetojnë me frikën se do të zbulohen, gjë që çon në lodhje emocionale dhe një ndjenjë të vazhdueshme shqetësimi. Gjithashtu, kur të tjerët e kuptojnë se dikush po vepron me hipokrizi ose farezejizëm, lindin ndjenja pasigurie dhe zhgënjimi. Kështu, ndërtimi i marrëdhënieve të sinqerta bëhet shumë i vështirë, madje ndonjëherë i pamundur.
Hipokrizia dhe farezejizmi, përveç ndikimit negativ në aspektin shoqëror dhe psikologjik, janë gjithashtu shumë të dëmshme edhe në aspektin fetar, pa dallim feje. Sidomos për besimtarët e krishterë, këto janë sjellje që Jezusi i kritikoi ashpër, sepse ato përfaqësojnë një formë të dyfishtë të jetës, ku besimi dhe moraliteti ndahen nga veprimet dhe qëndrimet e vërteta të zemrës. “Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u përgjani varrezave të zbardhuara me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të të vdekurish me gjithfarë ndyrësie. Kështu edhe ju përjashta njerëzve u dukeni të drejtë, kurse përbrenda jeni plot hipokrizi e padrejtësi” (Mt 23,27-28).
Këto vargje biblike tregojnë thelbin e hipokrizisë: kontrastin mes pamjes së jashtme dhe gjendjes së brendshme. Zoti kërkon sinqeritet dhe përulësi të brendshme, jo vetëm veprime të jashtme që mund të duken të drejta. Hipokrizia dhe farezejizmi janë pengesë për një marrëdhënie të sinqertë me Zotin, me veten dhe me tjetrin. Të jetosh sipas vullnetit të Zotit do të thotë të kesh një jetë të sinqertë, të përkushtuar dhe të pastër, pa maska dhe dyfytyrësi. Ritet e jashtme, pa ndjenjën e brendshme, nuk kanë vlerë shpirtërore. Besimi i vërtetë nuk është për dukje, por për përkushtim të zemrës.
Në një tjetër rast, në Bibël thuhet: “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise, e tjetri tagrambledhës. Fariseu, qiri në këmbë, lutej me vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam si njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose – si ky tagrambledhësi. Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’ Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejt qiellit, por rrihte kraharorin dhe thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’ Unë po ju them: ky u kthye në shtëpin e vetë i shfajësuar e jo ai, sespe: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndësrsa kushë përvujtërohet, do të lartësohet” (Lk 18, 9-14). Jezusi kritikoi ashpër dyfytyrësinë dhe theksoi se besimi i vërtetë nuk qëndron vetëm në veprime të jashtme, por reflektohet në zemrën dhe jetën e përditshme të njeriut. Një njeri mëkatar që kërkon falje është më i drejtë përpara Zotit sesa një farise krenar që lëvdon vetveten.
Edhe pse të dyja hipokrizia dhe farezejizmi janë sjellje që dëmtojnë figurën e njeriut, farezejizmi duket si një manifestim më ekstrem i hipokrizisë. Përveç mospërputhjes midis veprave dhe fjalëve, ai shoqërohet edhe me ndjenjën e superioritetit dhe përçmimit ndaj të tjerëve. Në Bibël, farisenjtë përfaqësojnë ata që i japin rëndësi traditave njerëzore dhe rregullave të jashtme, duke harruar thelbin e dashurisë dhe mëshirës së Zotit.
Në aspektin psikologjik, ky tipar lidhet me nevojën për kontroll dhe për t’u dukur më i drejtë se të tjerët, shpesh si mënyrë për të kompensuar pasiguritë e brendshme. Farezejizmi mund të çojë në izolim emocional dhe mungesë ndjeshmërie ndaj të tjerëve, duke krijuar një klimë shoqërore të ftohtë dhe të pasinqertë.
Të dukesh apo të jesh? Dallimi mes hipokrizisë dhe farezejizmit në jetën e përditshme
Hipokrizia përfshin ndarjen mes fjalëve dhe veprimeve kur një individ paraqet një imazh moral apo të drejtë, por në realitet vepron ndryshe. Hipokriti e bën këtë për të ruajtur statusin ose për të fituar miratimin e të tjerëve, pa përfaqësuar vërtet vlerat që pretendon.
Në psikologji, hipokrizia shihet si një mekanizëm mbrojtës për të menaxhuar perceptimin që të tjerët kanë për individin. Kjo ndarje dëmton shëndetin mendor dhe vetëbesimin, pasi individi ndjehet i detyruar të përmbushë pritshmëritë duke mbajtur një pamje të jashtme që nuk përputhet me identitetin e tij të vërtetë. Hipokriti kritikon sjelljet e të tjerëve, por kur ndodhet në situata të ngjashme, vepron ndryshe dhe justifikon veten me arsyetime të paqëndrueshme.
Farezejizmi është një formë më e theksuar dhe më e qëllimshme e hipokrizisë, ku personi jo vetëm që shfaq një fasadë morale, por edhe gjykon dhe kritikon të tjerët në emër të këtij morali. Ai përpiqet të duket moralisht më i lartë, shpesh përmes kritikës ndaj të tjerëve, ndërkohë që vetë nuk e jeton këtë moral. Farezeu është shpesh i vetëdijshëm për fasadën që mban dhe e përdor atë për të fituar status dhe ndikim shoqëror. Kjo sjellje mbështetet në krenari të jashtme që maskon pasigurinë e brendshme.
Farezejizmit i përkasin ata që kritikojnë të tjerët për mungesë ndihme, por vetë nuk ndihmojnë kur kanë mundësi; ose ata që predikojnë ndershmëri dhe besnikëri, por vetë i thyejnë këto vlera. Farezejizmi krijon një ambient të tensionuar dhe të pasinqertë, duke ndikuar negativisht në ndërtimin e marrëdhënieve të vërteta. Ai shpesh mbështetet në një ndjenjë të rreme superioriteti dhe dëshirë për dominim.
Në jetën e përditshme, hipokrizia dhe farezejizmi mund të shfaqen pa u vënë re, por ndikimi i tyre është i thellë dhe i dëmshëm në marrëdhëniet ndërpersonale, në shëndetin mendor dhe në jetën shpirtërore të individit. Këto sjellje rrjedhin nga mungesa e autenticitetit dhe frika për të treguar vetveten. Kur një njeri përpiqet të ruajë një imazh të jashtëm që nuk përputhet me realitetin e tij të brendshëm, ai humbet lidhjen me të vërtetën, me veten, me të tjerët dhe me Zotin.
Vetëm përmes vetëdijes, përulësisë dhe përpjekjes për të jetuar me sinqeritet e ndershmëri, mund të heqim maskat që na rëndojnë dhe të ndërtojmë një jetë më të çliruar, më të vërtetë dhe më të lidhur me thelbin tonë njerëzor e shpirtëror. Sinqeriteti nuk është dobësi, por guxim – guximi për të qenë real në një botë që shpesh na shtyn të shtiremi.
Në shoqërinë moderne, ku imazhi dhe perceptimi shpesh mbizotërojnë mbi thelbin dhe autenticitetin, hipokrizia dhe farezejizmi janë kthyer në maska të përditshme që shumë njerëz i mbajnë për të qenë të pranuar. Megjithatë, këto maska nuk sjellin paqe të brendshme, por ndarje, stres dhe zbrazëti që thellohet me kohën.
Psikologjikisht, këto sjellje krijojnë tension mes asaj që jemi në të vërtetë dhe asaj që përpiqemi të dukemi. Shpirtërisht, ato na largojnë nga Zoti, sepse Ai shikon zemrën dhe qëllimin, jo fasadën. Bibla na mëson qartë se Zoti kërkon përulësi, sinqeritet dhe dashuri të vërtetë jo pamje të jashtme dhe krenari të rreme.
Farezejizmi dhe hipokrizia nuk janë vetëm mëkate morale apo fetare, por sëmundje të ndërgjegjes njerëzore, që shfaqen kur njeriu humb lidhjen me veten dhe me të vërtetën. Të jetosh sipas vullnetit të Zotit do të thotë të jesh i pastër në zemër, i ndershëm në veprim dhe i përulur në shpirt. Në një botë që na nxit të dukemi më shumë sesa të jemi, sinqeriteti është një akt guximi dhe vetëm kur guxojmë të jemi të vërtetë, mund të ndërtojmë marrëdhënie të shëndetshme dhe një paqe të brendshme që nuk ka nevojë për maska./drita.info
——————————–
Referenca
Erving Goffman, The Presentation of Self in Everyday Life, Doubleday, Garden City, New York, 1959.
Leon Festinger, A Theory of Cognitive Dissonance, Stanford University Press, California, 1957.