TË JESH ONLINE ME ZOTIN – Një jetë me sinjal të plotë

“Sa herë ju ka ndodhur që të keni nevojë t`i telefoni miqtë e të mos ketë rrjet/valë. Nëse në jetën tuaj s’është Jezusi, është sikur të mos kesh rrjet/valë: s`arrin të flasësh dhe tërhiqesh në vetvete. Le të vendosemi, prandaj, gjithmonë atje ku ka rrjet: në familje, në famulli, në shkollë, sepse në këtë botë do të kemi gjithmonë për të thënë diçka të mirë dhe të vërtetë.” – Papa Françesku

 

Në epokën e teknologjisë, jemi më shumë se kurrë të lidhur – me njëri-tjetrin, me rrjetin, me botën. Por ironikisht, shpesh jemi të shkëputur nga vetja dhe nga Zoti. Një shembull i thjeshtë, por domethënës, na vjen nga përvoja e përditshme, të cilën na e kujton Papa Françesku: sa herë kemi pasur nevojë të telefonojmë dikë, por na ka munguar rrjeti? Sa të zbrazët dhe të pasigurt ndihemi kur na del njoftimi “nuk ka sinjal”?

Këto përvoja bashkëkohore me teknologjitë na ndihmojnë, në mënyrë figurative, të shohim raportin tonë me/pa Zotin. Se, ngjashëm është edhe jeta pa Zotin: ndjehemi si një rrjet i shkëputur, një ekran bosh që nuk arrin të transmetojë asgjë përtej vetvetes.

Kur mungon rrjeti, nuk mund të bëjmë asnjë thirrje. Kur mungon Zoti në jetën tonë, jemi të mbyllur në vetvete, pa mundësi komunikimi, pa frymë, pa horizont. Të jesh offline shpirtërisht është të humbasësh orientimin, të shohësh botën si një vend ku njeriu rrotullohet vetëm rreth nevojave të tij, dëshirave të çastit dhe mbisundohet nga pasiguritë dhe frika. Kjo nuk është jetë e plotë, por fragment i saj. Për më tepër, është një rreth vicioz dhe i pashpresë.

Porse, kur jemi të lidhur me Zotin, kur jemi online me Të, gjithçka ndriçohet ndryshe, rrethi i mbyllur hapet dhe shfaqen rrezet e shpresës. Fjala e Tij bëhet udhëzuese për ne, lutja bëhet bisedë e vazhdueshme, dhe ndërgjegjja jonë fillon të ndihet si një telefon që nuk e humb sinjalin. Sepse, Jezusi nuk është vetëm rrjeti që na bashkon me Zotin; Ai është edhe platforma që na lidh me njëri-tjetrin në të vërtetë, në dashuri, në shërbim, në dhembshuri.

Në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi thotë: “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta” (Gjn 14,6).
Të lidhesh, të jetosh me Të do të thotë të jesh gjithmonë brenda sinjalit hyjnor. Nuk ka zonë të vdekur ku nuk depërton praninë e Tij, përveçse nëse ne vetë e mbyllim pajisjen e zemrës. Jezusi bëhet shtegu i sigurt, që të çon në jetën e plotë të së vërtetës, ku e gjen kuptimin në marrë-dhënie të përhershme.

Por ku e gjejmë rrjetin e Zotit më të fortë? Papa Françesku thotë se aty ku janë lidhjet e dashurisë ndërnjerëzore të përditshme: në familje, në bashkësi, në jetën e Kishës-Famullisë, që është shkollë e së vërtetës. Janë këto vendet ku Fjala transmetohet, ku lutja merr jehonë, ku sakramentet janë valë të përhershme të hirit, ku dashuria rritet në marrëdhënie të shëndetshme e frytdhënëse. Po, këtu janë vende hiri e rritje, vende lidhjeje me Zotin dhe tjetrin. Pa këto hapësira, jemi gjithnjë në rrezik të shkëputemi, të ndalemi, të humbim vlerat e të endemi vërdallë endej e këndej të përhumbur.

Të jesh online me Zotin nuk do të thotë të ndjesh gjithmonë emocione të forta fetare. Do të thotë të jesh i disponueshëm, të jesh i hapur, të jesh në pritje të mesazhit të Tij, ashtu si telefoni që pret sinjalin për të thirrur dikë që do. Do të thotë të mos fikësh pajisjen e shpirtit kur përjeton heshtje, por ta mbash të ndezur në besim.

Në botën tonë të gjithë kanë për të thënë diçka, por të jesh në valët e Hyjit është të thuash gjithmonë diçka të mirë dhe të vërtetë, siç thotë grishja e Papa Françeskut.

Ati i shenjtë na inkurajon të përcaktohemi për vende ku nuk humbet kurrë sinjali, atje ku mund ta marrësh tjetrin dhe të të marrin përherë ty. Janë hapësira të pranisë së Zotit. Sepse, Zoti është rrjeti më i qëndrueshëm, sinjali që nuk dështon, thirrja që gjithmonë lidhet, përgjigjja që nuk vonon kurrë.

Ndaj, më shumë se një figurë e jetës sonë me teknologjitë, grishja e Papës është jetike: mos u kënaq me sinjal të dobët. Jetën tënde shpirtërore mbaje gjithmonë me mbulim të plotë. Sepse me Zotin, gjithmonë ka valë. Edhe në shkretëtirë. Edhe në heshtje. Edhe në errësirë.

Rri online me Zotin!

 

Përgatiti për Dritë: f.k.

Shpëndaje: