Dhimbja që nuk shihet – Vetëvrasja si krizë shpirtërore dhe shoqërore

Nga m. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Vetëvrasja është një nga plagët më të dhimbshme, më komplekse, në një shoqëri që shpesh injoron dhimbjen e heshtur të individit. Ajo është bërë një nga dramat më të mëdha të kohës moderne. Është një akt i heshtur, që shpesh ndodh në errësirën e brendshme të shpirtit njerëzor. Është një proces i ndërlikuar, që lidhet me dhimbje të thellë psikologjike, shpirtërore dhe emocionale. Pra, pas çdo vetëvrasjeje fshihet një histori e mbushur me vuajtje, ndjenjë boshllëku, izolim dhe mungesë shprese. Sigurisht, kjo nuk është një çështje thjesht individuale, por një plagë shoqërore që kërkon vëmendje, ndjeshmëri dhe veprim.

Gjithashtu, vetëvrasja lind si rezultat i një krize të thellë shpirtërore dhe shoqërore, ku mungon ndjenja e përkatësisë, kuptimi i jetës dhe mbështetja njerëzore. Kjo është shpesh një krizë ku lindin pyetjet: “Pse po vuaj?”, “Cili është qëllimi i jetës sime?”, apo “A ka ndonjë shpresë përtej kësaj errësire?” Këto bëhen të pamundura për t’u përgjigjur. E pastaj, vetëvrasja nuk shihet vetëm si një akt fizik, por si një thirrje e dëshpëruar për kuptim dhe shpëtim nga vuajtja. Pra, mbi të gjitha, vetëvrasja nuk është thjesht një fund tragjik, por një pasojë tragjike e një dhimbjeje të thellë që shpesh kalon pa u parë, pa u kuptuar dhe pa u dëgjuar në kohë.

Gjatë kohëve të fundit, siç e dimë, janë shtuar rastet e tilla. E e gjithë kjo ka të bëjë me krizën ekzistenciale që përjeton njeriu në një botë gjithnjë e më të zhurmshme, por çdo ditë e më shumë ai mbetet i padukshëm edhe mes turmës. Kjo dhimbje e padukshme është më shumë se një gjendje emocionale; është një thirrje për ndihmë, një nevojë e dëshpëruar për lidhje, për kuptim dhe për dashuri. Si individë dhe si shoqëri, kemi detyrimin të ndalemi dhe të dëgjojmë, jo vetëm fjalët, por edhe heshtjen. Sepse shpëtimi i një jete nuk vjen gjithmonë nga zgjidhje të mëdha, por shpesh nga një vëmendje e vogël. Duhet të jemi një dorë e shtrirë në kohën e duhur.

Sigurisht, vetëvrasja është një tragjedi njerëzore që kërkon vëmendje të veçantë, jo vetëm nga këndvështrimi mjekësor apo ligjor, por mbi të gjitha nga qasja humane, shpirtërore dhe psikologjike. Për këtë, kërkohet jo vetëm si individ, por si shoqëri, të kontribuojmë në ndaljen e këtij fenomeni famkeq, duke sugjeruar mënyra sesi të veprojmë për të parandaluar këtë akt ekstrem.

Në zemrën e çdo diskutimi për vetëvrasjen qëndron jeta njerëzore si vlerë themelore. Sepse çdo jetë njerëzore është unike dhe e pazëvendësueshme. Dhe misioni i njeriut në tokë është të jetojë jetën në lidhje me të tjerët. Ne, njerëzit, jemi krijesa sociale që formojmë identitetin tonë përmes ndërveprimeve me familjen, miqtë, komunitetin dhe shoqërinë në tërësi. Akti i vetëvrasjes shpesh lind nga ndjenja e shkëputjes, e vetmisë dhe e mungesës së kuptimit në këto lidhje.

Kur individi humb ndjesinë e përkatësisë dhe të dashurisë njerëzore, ai ndjen një zbrazëti që nuk mund të mbushet lehtë. Sipas studimeve, thuhet se vetëvrasja ndodh kur bashkohen tri faktorë: ndjenja e pashpresësisë, ndjenja e të qenit barrë për të tjerët dhe aftësia për të kryer aktin. Pra, këto janë aspekte që rrënjosen në marrëdhëniet njerëzore. Për këtë, kërkohet një bashkëjetesë më e ndjeshme, më e vëmendshme dhe më mbështetëse, nëse duam të ndihmojmë në ndalimin e vetëvrasjes.

Sa herë që dikush arrin të ndalë vetëvrasjen, shpesh është një kujtesë e fuqishme për të se nuk është vetëm, se ekziston dikush që kujdeset, dikush që do të dëgjojë. Ndihma njerëzore, qoftë një bisedë e sinqertë, një përqafim i heshtur apo një gjest i vogël mirësie, ka fuqinë të ndryshojë një mendje, një zemër dhe ndoshta një jetë të tërë. Të ndalosh vetëvrasjen do të thotë t’i japësh shans të dytë dashurisë, pajtimit, faljes dhe lidhjeve që ende nuk janë krijuar.

Gjithashtu, është thelbësore dhe njerëzore të forcojmë dhe edukojmë kulturën e kujdesit ndaj tjetrit, të dëgjimit aktiv, ku çdo individ mund të ndihet i dëgjuar, i vlerësuar dhe i nevojshëm. Të lihen anash paragjykimi, gjykimi, opinioni i tjetrit, thashethemet, sepse këto nuk ndihmojnë. Luftimi i vetëvrasjes do të thotë të kultivojmë një shoqëri më humane, ku askush nuk ndihet i tepërt apo i padukshëm. Sepse vetëm kur arrijmë të kuptojmë thellësisht vuajtjen e tjetrit dhe çfarë e çon atë deri aty, mund të ndërtojmë ura shprese dhe mbështetjeje për të gjithë ata që ndihen të humbur.

Çdo jetë njerëzore është unike dhe e pazëvendësueshme. Po ashtu, edhe në traditat shpirtërore, jeta konsiderohet një dhuratë hyjnore. Ndaj, ndalimi i vetëvrasjes është një akt që shpesh sjell me vete një zgjim të ri shpirtëror. Një person që e kalon atë prag shpesh fillon të kërkojë kuptim më të thellë në vuajtje, në ekzistencë dhe në lidhjen me një forcë më të lartë, qoftë ajo Zoti, Universi apo vetë ndërgjegjja njerëzore. Një person që ndalon nga vetëvrasja shpesh përjeton një zgjim shpirtëror, një rikthim drejt një burimi të brendshëm drite që i jep jetës sërish kuptim.

Kujtojani vetës çdo ditë se vetëvrasja nuk është një zgjedhje, por një pasojë e dhimbjes së padurueshme mendore dhe emocionale. Shpesh, vetëvrasja nuk është një zgjedhje për të vdekur, por një përpjekje për të shpëtuar nga një dhimbje që duket se nuk do të përfundojë kurrë. Depresioni, çrregullimi bipolar, skizofrenia, ankthi kronik dhe traumat janë disa nga gjendjet që lidhen drejtpërdrejt me rrezikun për vetëvrasje.

Ndaj, në aspektin psikologjik, ndalimi i saj është hapi i parë drejt shërimit të brendshëm. Shpesh, mjafton një moment, një bisedë, një psikiatër apo psikolog i përkushtuar për ta kthyer mendimin vetëvrasës në një dëshirë për të jetuar. Megjithatë, stigma sociale ndaj problemeve të shëndetit mendor shpesh pengon individët që të kërkojnë ndihmë. Kjo është një sfidë që kërkon ndërgjegjësim publik dhe edukim për të kuptuar se kërkimi i ndihmës nuk është dobësi, por guxim.

Mos keni turp të kërkoni ndihmë profesionale. Sigurisht, trajtimi i depresionit, ankthit, traumave dhe çrregullimeve mendore kërkon kohë, durim dhe kujdes. Por shpresa ekziston. Me ndihmën e profesionistëve, familjes dhe të afërmve, shumë persona që kanë menduar për vetëvrasje kanë arritur të ndërtojnë jetë të reja, më të qëndrueshme. Ndalimi i vetëvrasjes është akti i parë i një vetëpranimi: “Unë vuaj, por dua të shërohem. Dua të jetoj. E dua jetën.”

Për më tepër, shërimi psikologjik nuk është proces i menjëhershëm. Ai kërkon kohë, mbështetje, dhe ndonjëherë shumë rikthime përpara stabilizimit. Rëndësia e rrjeteve mbështetëse (familja, terapistët, shërbimet sociale) është jetike. Të ndalosh vetëvrasjen, do të thotë të ndihmosh dikë të shohë se ekzistojnë zgjidhje, se dhimbja nuk është e përjetshme, dhe se ekzistojnë mënyra për të rindërtuar jetën.

Psikologu Viktor Frankl, që mbijetoi kampet naziste, shkroi se njeriu mund të përballojë pothuajse çdo “si”, nëse ka një “pse”. Terapia e tij, e njohur si logoterapia, thekson rëndësinë e gjetjes së kuptimit edhe në vuajtje. Kjo është thelbësore për të ndihmuar njerëzit që janë në prag të vetëvrasjes t’u rikthejmë ndjesinë se jeta ka ende një arsye për të vazhduar, se errësira nuk është fundi.

Ndjenjat e fajit, zbrazëtisë dhe humbjes mund të shndërrohen në reflektim, lutje dhe kërkim të faljes. Shpirti ka një mënyrë të vetën për të shëruar, sidomos kur njeriu fillon të besojë sërish jo vetëm në një fuqi më të madhe, por edhe në veten. Të ndalosh vetëvrasjen është të zgjedhësh jetën, me gjithë dhembjet dhe bukuritë e saj, dhe të ecësh drejt dritës, edhe kur ajo duket e largët.

Vetëvrasja nuk është një çështje që mund të trajtohet vetëm në mënyrë individuale; ajo kërkon një përgjigje kolektive, gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme. Duke e parë nga aspekti njerëzor, shpirtëror dhe psikologjik, mund të kuptojmë më mirë kompleksitetin e saj dhe të ndërtojmë strategji më efektive për parandalim. Të themi “STOP vetëvrasjes” nuk është thjesht një parullë; është një thirrje për t’u afruar me njeriun që vuan, për të dëgjuar me zemër, për të ofruar shpresë dhe për të ndërtuar ura drejt jetës. Shpresa është një përqafim për ata që vuajnë në heshtje një premtim se jeta, me gjithë plagët e saj, ia vlen të jetohet. Përmes vlerës njerëzore, forcës shpirtërore dhe mbështetjes psikologjike, mund të ndërtojmë një shoqëri që nuk i mbyll sytë ndaj dhimbjes, por i hap krahët jetës. Jeta ka vlera që shkojnë përtej çastit të errët dhe, ndonjëherë, mjafton vetëm një person, një fjalë, një dorë, për të rikthyer shpresën. Të thuash “STOP vetëvrasjes” do të thotë të thuash “PO jetës”. Është një thirrje për të ndalur, për të parë përreth, për të dëgjuar ata që nuk flasin, për të ndihmuar ata që nuk kërkojnë ndihmë. Është një akt solidariteti njerëzor dhe një përpjekje për të ndërtuar një shoqëri më të kujdesshme, ku asnjë jetë të mos humbasë për shkak të vetmisë, stigmatizimit apo mungesës së mbështetjes./drita.info

 

—————————–

Referenca

Thomas E. Joiner, Why people die by suicide. Harvard University Press, United States, 2005.

Viktor E. Frankl, Man’s search for meaning, Beacon Press, United States, 2006.

Shpëndaje: