
Thirrje dhe mesazh nga Papa Leoni XIV
Nga Mikel Sopi
Drejt një humanizmi të frymëzuar nga Zoti
Në një epokë kur e vërteta relativizohet, morali individualizohet dhe njeriu shpesh shpërdoron lirinë për t’u larguar nga Zoti, Papa Leoni XIV ngjitet në fronin e Shën Pjetrit me një mesazh që kumbon me qartësi: T’i rikthejmë themelet morale të njerëzimit dhe të ndërtojmë një bashkëpunim të thellë ndërfetar mbi të vërtetën, dinjitetin dhe paqen.
Në fjalimin e tij të parë, Ati i Shenjtë theksoi: Zoti na do shumë, të gjithëve… Pa frikë dhe të bashkuar, dorë për dore me Zotin mes nesh do të shkojmë përpara. Të ndërtojmë ura me dialog për t’u bashkuar të gjithë. Ky vizion universal që i thërret të gjithë fetarët (krishterë, myslimanë, hebrenjë) të bashkohen për të mbrojtur njeriun si krijesë e Zotit, nuk i fshin dallimet, por i mbështet të gjitha fetë dhe kulturat që duan të ecin drejt një humanizmi të frymëzuar nga Zoti dhe jo nga ideologjitë.
Kjo madje nuk është më thjesht çështje fetare, por është çështje humane. Ndaj, duke qëndruar mbi dallimet e konfesioneve, Papa thërret për bashkëpunim ndërfetar në mbrojtje të jetës, të vërtetës dhe të dinjitetit njerëzor, kundër reduktimit të tij në objekt ideologjik.
Prozelitizëm i ri, nuk është fetar por ideologjik
Kemi hyrë në një periudhë ku feja nuk shtypet më dhunshëm si në të kaluarën, por shpërbëhet përmes relativizmit, synohet të “ripërkufizohet” sipas vlerave të botës. Ky është një prozelitizëm i ri, jo për kthim në besim, por për shndërrimin e vetë fesë në një mjet të ideologjive globale.
Shumë fe “labile” bien pre e këtij deformimi: ato pranohen publikisht vetëm nëse heshtin për të vërtetën, dhe përqafojnë një neutralitet të rremë moral. Teologu i madh, kardinali Henri de Lubac, do thoshte: Kur Zoti pushon së qeni kriter i ndërgjegjes, politika shndërrohet në arrogancë të ideologjisë.
Duke iu referuar këtij rreziku, në një takim të mbyllur me meshtarë e rregulltarë, Papa Leoni XIV u shpreh me guxim baritor: Mos e bekoni mëkatin, por ktheni mëkatarët. Detyra jonë nuk është ta normalizojmë gabimin, por ta ndihmojmë njeriun të ngrihet në të vërtetën.
Ky mesazh, që i përket thelbit të Ungjillit, nuk është gjykim, por ftesë për kthim dhe shërim. Mësimi krishterë na rikujton se Kisha nuk ekziston për të qenë muze i simboleve, por spital i mëkatarëve (krh. Lk 15). Kjo thirrje është sidomos aktuale në një botë që kërkon ta heshtë çdo formë të dritës morale, në emër të tolerancës së shtirur. Pikërishtë atë që thoshte Aleksander Solzhenitsyn: Liria pa moral bëhet shkatërruese, jo çlirimtare (krh. KKK, 1740).
Në vend të përhapjes së besimeve fetare në mënyrë klasike, kohët moderne po shohin një prozelitizëm të ri, që mund ta quajmë prozelitizëm ideologjik, që përdor gjuhën e të drejtave dhe progresit për të imponuar një vizion të cunguar të njeriut. Ky prozelitizëm ideologjik flet për “të drejta”, por fsheh të pavërteta. Ai përpiqet të zëvendësojë familjen me struktura artificiale, ndërgjegjen me diktat kulturor dhe vlerat shpirtërore me një nihilizëm që shpërbën shpirtin njerëzor (krh. KKK, 1995).
Në botën tonë gjithnjë e më të ndërlikuar, ku kufijtë midis së vërtetës dhe mashtrimit janë mjegulluar, Papa Leoni XIV paraqitet si një zë i kthjellët, që thërret Kishën dhe njerëzimin drejt një rizgjimi shpirtëror, moral dhe kulturor. Ky qëndrim në fakt na paraqitet si një roje e ndërgjegjes njerëzore në një botë që rrezikon të humbasë vetveten: Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë! (Lk 11,28).
Feja nuk është për t’u përshtatur me botën, por për ta ndriçuar atë. Kjo nuk nënkupton ndarje nga bota, por dëshminë e nevojshme brenda saj, që forcon kulturën e jetës, shpresës dhe pajtimit. Në duart tona nuk është vetëm fati i fesë, por shpresa e njerëzimit.
Bashkëpunimi ndërfetar si urgjencë për njerëzimin
Në rajone me përvojë bashkëjetese si Kosova dhe e gjithë bota shqiptare, feja mund të jetë dritë dhe shpresë në një shoqëri të plagosur nga mosbesimi, korrupsioni dhe ideologjitë që çojnë në zbrazëti. Nga ana tjetër, kemi mjaft shembuj dhe përpjekje frymëzuese:
- Në Kosovë, komunitetet fetare bashkëpunojnë për përafrim, mirëkuptim dhe shërim të plagëve shoqërore.
- Në Shkup, teologë të krishterë dhe myslimanë, diskutojnë etikën familjare dhe jetën njerëzore si vlera të përbashkëta.
- Në Shqipëri, programet dhe iniciativa fetare angazhohen për edukimin e të rinjtë kundër dhunës, drogës dhe ekstremizmit.
Bashkëpunimi ndërfetar nuk është luks, por domosdoshmëri morale. Nëse feja nuk bëhet dritë, errësira do ta mbulojë tërë njerëzimin.
Përfundim – të jemi gojë e Zotit për kohët që po jetojmë
Feja nuk është trashëgimi për në muze, por forcë për të jetuar të vërtetën në një botë që e mohon atë. Jemi të ftuar jo për ta imituar botën, por për ta ndriçuar atë. Dhe në këtë detyrë, të gjithë njerëzit me vullnet të mirë janë aleatë, qofshin të krishterë, myslimanë, hebrenjë, apo agnostikë të ndershëm që kërkojnë të vërtetën. Por, aty ku e vërteta largohet, forca (dhuna) bëhet ligj (Blaise Pascal).
Kjo thirrje bëhet për dëshmi dhe jo për kompromis. Nuk është koha për të humbur shpresën, por për të rizgjuar ndërgjegjen e popujve, për të mbrojtur fëmijët tanë, gjeneratat e reja nga mashtrimi dhe për të forcuar rolin shoqëror të fesë në të gjitha format e saj.
Në vendet tona, ku bashkëjetesa fetare është realitet historik dhe kulturor, bashkëpunimi ndërfetar është jo vetëm i mundur, por i domosdoshëm. Bashkëpunimi i mire dhe efektiv ndërfetar është, jo për t’i shuar dallimet, por për të mbrojtur themelin e përbashkët të jetës njerëzore.
Jo revolucioni, por shenjtërorët janë reforma më e thellë e Kishës (Hans Urs von Balthasar) Mos kini frikë! Hyni thellë në dialog me Zotin dhe me njëri-tjetrin dhe në këtë bashkim, fshihet shpresa e njerëzimit (Leoni XIV)./drita.info