
Nga m.Franciska (Suzana) Lekaj
Në jetën e përditshme të gjithë përballen me sfida, dështime, humbje dhe momente pasigurie. Kur njeriu gjendet në situata të tilla, shpesh ndihet i hutuar, i pasigurt dhe i vetmuar. Këto momente mund të lëkundin vetëvlerësimin dhe të sjellin dyshime, madje deri në mendimin se “Zoti më ka harruar.” Pikërisht në këto çaste inkurajimi bëhet një burim shprese dhe force.
Bibla na mëson se Zoti është gjithmonë me ne dhe na mbështet në çdo situatë. Ajo na fton të mos humbasim besimin: “Ta ruajmë të palëkundshme dëshminë e shpresës, sepse Ai që i dha premtimet është besnik”(Heb 10, 23). Gjithashtu, Shkrimi i shenjtë na siguron se ata që shpresojnë tek Zoti rinovojnë fuqinë e tyre: “Kurse ata që shpresojnë në Zotin, përtëriten në fuqi, marrin krahë porsi shqiponja, vrapojnë e nuk lodhen kurrë, ecin dhe kurrë nuk meken.” (Is 40, 31). Kjo na kujton se inkurajimi është një thirrje për të besuar në fuqinë e Zotit, për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të vlerësuar aftësitë tona.
Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë inkurajimi shpesh mungon, nuk gjen hapësirë të mjaftueshme. Njerëzit priren më shumë të kritikojnë sesa të mbështesin. Ky fenomen shpesh buron nga xhelozia dhe frika se të tjerët mund të arrijnë më shumë se ne. Megjithatë, kritika e tepërt rrallë ndihmon ose edukon dikë. Përkundrazi, inkurajimi i jep individit vullnet dhe guxim për të ecur përpara. Po citoj prapë Biblën, e cila na fton të mbështesim ata që na udhëheqin dhe kujdesen për ne. “Ju bëjmë lutje, vëllezër, dëgjoni ata që veprojnë ndër ju, që kujdesen për ju në Zotin dhe që ju qortojnë; çmoni dhe nderoni me dashuri për arsye të veprimtarisë që kryejnë ndër ju!” (1 Sel 5,12-13). Një mënyrë e thjeshtë për të ndërtuar një kulturë mbështetjeje është: “Të inkurajojmë publikisht dhe të kritikojmë privatisht“. Por shumica e njerëzve zgjedhin të bëjnë të kundërtën.
Shpesh mendohet se inkurajimi duhet të praktikohet vetëm në institucione edukative, por në fakt, ai është i nevojshëm në çdo aspekt të jetës. Nuk mund të inkurajojmë një nxënës nëse vetë nuk kemi marrë ndonjëherë inkurajim nga familja, drejtuesit, kolegët apo miqtë. Inkurajimi është një mjet i fuqishëm jo vetëm në edukim, por edhe në këshillim psikologjik dhe terapi. Shkollat e psikoterapisë, si ajo Adleriane dhe Rogeriane, e konsiderojnë inkurajimin si një mjet kyç në zhvillimin e individit. Ai ndihmon jo vetëm në sukses, por edhe në kapërcimin e sfidave të jetës. Sa më shumë inkurajim të marrë një individ, aq më i suksesshëm dhe i motivuar bëhet.
Inkurajimi ka një ndikim të thellë në forcimin e ndjenjës sociale të individit dhe në formimin e personalitetit të tij. Sigurisht, ai nuk është gjithmonë një veprim i dukshëm. Ai nuk ka të bëjë vetëm me fjalët, por edhe me veprime të thjeshta si: një buzëqeshje, një fjalë mbështetëse apo një gjest i vogël mirësie, të cilat mund të ndryshojnë rrjedhën e një dite, një jete apo edhe një karriere. Inkurajimi mund të vijë nga njerëzit që na rrethojnë si: familja, shokët, miqtë, kolegët etj. Duhet të krijojmë një klimë inkurajimi kudo që jemi: në familje, në shkollë, në punë, në shoqëri etj. E gjithë kjo mund të vijë nga vetvetja, atëherë kur besojmë në aftësitë dhe mundësitë tona. Vetëinkurajimi është çelësi i suksesit, pasi ai ndihmon në rrugën e vetëpërmirësimit dhe rritjes personale.
Inkurajim do të thotë t’i japësh zemër vetes ose tjetrit për ta nxitur të vazhdojë atë që bën, por me vullnet. “Le të kujdesemi për njëri-tjetrin me qëllim që të nxitemi kah dashuria dhe veprat e mira, dhe të mos i lëmë pas dore mbledhjet tona, si e kanë bërë zakon disa, por t’i japim zemër njëri-tjetrit”(Heb 10, 24-25). Në shumë pjesë të Biblës, inkurajimi lidhet ngusht me jetën e bashkësisë dhe mbështetjen e ndërsjellë. Po ashtu në të njëjtën letër lexojmë: “Por nxiteni njëri-tjetrin dita-ditës derisa të zgjasë kjo” (Heb 3, 13). Ky rresht na kujton se inkurajimi duhet të jetë një proces i vazhdueshëm dhe i përditshëm. Ai është i nevojshëm për të ruajtur forcën shpirtërore, për të luftuar tundimet dhe të keqen. Inkurajimi është çelësi për të ndihmuar veten dhe të tjerët që të kenë sukses. Shoqëritë ku njerëzit mbështesin dhe inkurajojnë njëri-tjetrin krijojnë një atmosferë pozitive, ku secili mund të japë më të mirën e tij.
Megjithatë, pavarësisht se nga kush vjen inkurajimi, ai është një forcë që ndihmon individin të kalojë sfidat e jetës dhe të arrijë qëllimet e tij. Sigurisht, është një mekanizëm që ndihmon njeriun të përparojë, të mos dorëzohet dhe të vazhdojë përpara, pa hequr dorë nga ëndrrat dhe objektivat e tij, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që has. Gjithashtu, ai e ndihmon individin të besojë në vetvete, në aftësitë dhe dhuratat që Zoti ia ka dhuruar. “Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë” (2 Tim 1,7 ). Ky është një inkurajim i fortë që na bën të kemi besim.
Inkurajimi është një mjet i fuqishëm që ndihmon për të përballuar peripecitë e jetës. Me fjalë inkurajuese dhe mbështetje të sinqertë, ne mund të ndihmojmë njëri-tjetrin në aspektin psikologjik, shpirtëror dhe profesional. Përmes inkurajimit, njeriu mund të kalojë barrierat e pasigurisë, dyshimit dhe të krijojë një mjedis më të shëndetshëm për zhvillimin emocional dhe psikologjik. Pra, ka një ndikim të thellë në rritjen personale të individit dhe shërben si një nxitës për sukses.
Shoqëritë në të cilat njerëzit mbështesin dhe inkurajojnë njëri-tjetrin krijojnë një atmosferë pozitive, ku secili mund të japë më të mirën e tij. Ky ndikim është i rëndësishëm jo vetëm në aspektin psikologjik, por edhe në atë shpirtëror. Gjithashtu, ai ndikon edhe në shëndetin mendor dhe emocional. Ai ndihmon individin të forcojë besimin në vetvete dhe të zhvillohet në të gjitha sferat e jetës. Pra, pavarësisht se nga kush vjen inkurajimi, ai që vjen nga vetvetja është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Sepse, ai që është i aftë të inkurajojë vetveten dhe të besojë në aftësitë e tij, i jep vetes një forcë të pashtershme për të përballuar çdo sfidë.
Inkurajimi ka një ndikim të fuqishëm në jetën e njeriut, në aspektin psikologjik, social, në zhvillimin e vetëvlerësimit dhe mënyrën se si individi e sheh dhe vlerëson veten. Vetëvlerësimi i ulët shpesh është një shkak i shumë problemeve psikologjike si ankthi, stresi dhe depresioni, duke e bërë individin të ndihet i paaftë ose i pavlerë. Në këto raste, inkurajimi luan një rol të jashtëzakonshëm, pasi ndihmon individët të kalojnë këto situata. Gjithashtu, ai ndihmon individët të ecin përpara, të luftojnë pasigurinë e brendshme dhe vetëdyshimin, veçanërisht në kohët e pasigurisë sociale dhe ekonomike.
Në psikologji, përdoren strategji të ndryshme që inkurajojnë individët të sfidojnë mendimet, situatat negative dhe të funksionojnë në përmirësimin e gjendjes mendore dhe shpirtërore. Inkurajimi, ndihmon individin të zhvillojë aftësi të reja, të provojë mundësi të reja dhe të rrisë nivelin e vetëvlerësimit. Kështu rritja e vetëvlerësimit ndikon në marrëdhëniet ndërpersonale, në qëndrueshmërinë emocionale dhe përmirësimin e shëndetit mendor.
Dallimi midis lavdërimit dhe inkurajimit
Lavdërimi dhe inkurajimi janë dy koncepte që shpesh përdoren për të motivuar dhe mbështetur individët dhe shpesh ndodh të shihen si e njëjta gjë. Megjithatë, ato dallojnë nga njëra-tjetra, jo vetëm në mënyrën se si aplikohen, por edhe në kontekstin ku përdoren dhe ndikimin që kanë. Edhe pse janë të ndryshme, të dyja kanë një qëllim të përbashkët: të motivojnë, mbështesin dhe krijojnë një atmosferë pozitive, duke rritur vetëbesimin dhe motivimin. Prandaj, të dyja janë të nevojshme për një proces të shëndetshëm zhvillimi në të gjitha sferat e jetës.
Lavdërimi është një formë vlerësimi që ka për qëllim të nënvizojë arritjet dhe cilësitë pozitive të dikujt. Ai është një vlerësim i drejtpërdrejtë dhe specifik për diçka që dikush ka arritur. Kur dikush lavdëron një person, do të thotë se po e bën një gjykim për atë që ka realizuar. Kjo mund të bëhet nga kushdo, madje edhe nga ata që nuk të vlerësojnë vërtetë, por e bëjnë për interesa të tyre. Lavdërimi është më shumë për një rezultat konkret dhe ndihmon në rritjen e krenarisë.
Inkurajimi, nga ana tjetër, është një shtysë për të vazhduar përpjekjet dhe për të besuar te vetja, veçanërisht në momentet e pasigurisë ose të sfidave. Inkurajimi nuk shoqërohet me një gjykim personal, por kufizohet në përsëritjen e asaj që vërehet dhe raportimin e saj tek bashkëbiseduesi. Është një mbështetje që ndihmon për të forcuar vetëbesimin dhe motivimin për të arritur diçka, pa u fokusuar në një rezultat të caktuar. Inkurajimi jepet nga ata që të vlerësojnë, të duan dhe që dëshirojnë të të shohin në versionin tënd më të mirë. Ai ndihmon individin të mos dorëzohet, edhe kur përballet me vështirësitë. “Mos u dorëzo! Vazhdo përpara! Do t’ia dalësh!”
Inkurajimi nuk është i lidhur me arritje të caktuara, por është një shtysë që ndihmon një person të vazhdojë përpjekjet e tij, shpesh pas dështimit dhe në kushte të pasigurta. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që të dimë të inkurajojmë veten dhe të tjerët. Inkurajimi është një mbështetje për procesin, jo për rezultate të veçanta. Mund të thuhet se lavdërimi fokusohet në arritje, ndërsa inkurajimi është një mbështetje për të mos u dorëzuar.
Inkurajimi është një forcë e fuqishme që ndihmon individin të përballojë sfidat e jetës dhe të arrijë qëllimet e tij. Ai krijon një mjedis të shëndetshëm për zhvillimin emocional dhe psikologjik duke e ndihmuar individin të luftojë pasigurinë dhe vetëdyshimin. Një shoqëri e mbështetur dhe e inkurajuar është më pak e prirë ndaj stresit, ankthit dhe depresionit. Prandaj, le të inkurajojmë më shumë dhe të gjykojmë më pak. Një fjalë e mirë sot, mund ta ndryshojë jetën e dikujt nesër./drita.info
Referenca
Maxwell, Johan C. Be a People Person: Effective Leadership through Interpersonal Relationships. Christian Art Publishers, United States, 2002.
Elrod, Hal. The Miracle Morning: The Not-So-Obvious Secret Guaranteed to Transform Your Life (Before 8 AM). BenBella Books, United States, 2023.