VEPRIMI DHE VUAJTJA SI VENDE KU MËSOHET SHPRESA

Nga Don Gino Oliosi

 

«Çdo veprim serioz dhe i drejtë i njeriut është shpresë në veprim. Para së gjithash, është i tillë në kuptimin se, në këtë mënyrë, përpiqemi t’i çojmë përpara shpresat tona, të vogla apo të mëdha: të zgjidhim këtë apo atë detyrë që është e rëndësishme për ecjen e mëtejshme të jetës sonë; me angazhimin tonë të japim një kontribut që bota të bëhet pak më e ndritshme dhe më njerëzore dhe kështu të hapen dyert drejt së ardhmes. Por, angazhimi i përditshëm për vazhdimësinë e jetës sonë dhe për të ardhmen e tërësisë na lodh ose shndërrohet në fanatizëm, nëse nuk na ndriçon drita e asaj shprese të madhe, të cilën nuk mund ta shkatërrojnë as dështimet në gjërat e vogla, as dështimi në ngjarje me përmasa historike. Nëse nuk mund të shpresojmë përtej asaj që, nga rasti në rast, është realisht e arritshme dhe përtej asaj që autoritetet politike e ekonomike na ofrojnë si të shpresueshme, jeta jonë shumë shpejt tkurret dhe mbetet pa shpresë. Është e rëndësishme ta dimë: unë gjithmonë mund të shpresoj ende, edhe atëherë kur, për jetën time dhe për çastin historik që po jetoj, në dukje nuk kam më asgjë për të cilën të shpresoj. Vetëm shpresa e madhe – siguria se, pavarësisht të gjitha dështimeve, jeta ime personale dhe historia në tërësinë e saj janë të ruajtura nga pushteti i pathyeshëm i Dashurisë dhe se, falë saj, kanë kuptim dhe rëndësi. Vetëm një shpresë e tillë mund të japë, në një situatë të tillë, ende guximin për të vepruar dhe për të ecur përpara» (Benedikti XVI, Spe salvi, nr. 35).

Pas kaq shumë përpjekjeve të dështuara të modernitetit, edhe vetëkritika na çon të themi se nuk mund ta “ndërtojmë” Mbretërinë e Hyjit me forcat tona: as vetëm me zbulimet e çmuara shkencore, as vetëm me kulturën, as vetëm me politikën, as vetëm me ekonominë. Ajo që ndërtojmë mbetet gjithmonë mbretëri e njeriut, me të gjitha kufizimet që i përkasin natyrës njerëzore, ndërsa vetja jonë, që në zanafillë, priret drejt së pafundmes. Mbretëria, sovraniteti i Hyjit, është dhuratë dhe pikërisht për këtë arsye është e madhe dhe e bukur dhe përbën përgjigjen ndaj asaj shprese që vetë Hyji e ka vendosur në zemrën e çdo njeriu si një prirje drejt së pafundmes. Vetëm kjo shpresë e dhuruar është shpresë e besueshme, në sajë të të cilës mund ta përballojmë të tashmen tonë: e tashmja, edhe kur është pak ose shumë e mundimshme, mund të jetohet dhe të pranohet nëse na çon drejt një caku dhe nëse për këtë cak mund të jemi të sigurt; nëse ky cak është aq i madh sa ta arsyetojë mundimin e udhëtimit. Ne nuk mund ta “meritojmë” qiellin me veprat tona. Ai është gjithmonë më shumë se ajo që meritojmë, ashtu siç edhe të qenët të dashur pa masë, deri në falje, nuk është kurrë diçka e “merituar”, por gjithmonë dhuratë. E megjithatë, me gjithë vetëdijen tonë për “vlerën e shtuar” të qiellit, mbetet gjithmonë e vërtetë se veprimi ynë nuk është aspak i parëndësishëm për zhvillimin e historisë. Ne mund ta hapim veten dhe botën për ardhjen e vazhdueshme të Hyjit: të së vërtetës, të dashurisë dhe të së mirës, vetëm me fuqinë e së vërtetës, të dashurisë dhe të së mirës. Këtë kanë bërë shenjtërit, të cilët, si “bashkëpunëtorë të Hyjit”, kanë dhënë kontributin e tyre në shpëtimin dhe shëlbimin e botës, në saje të të cilit na është dhuruar shpresa, një shpresë vërtet e besueshme (khs. 1 Kor 3,9; 1 Sel 3,2).

Ne mund ta çlirojmë jetën tonë dhe, në këtë mënyrë, edhe botën nga helmimet dhe ndotjet që mund ta shkatërrojnë të tashmen dhe të ardhmen. Mund t’i zbulojmë dhe t’i mbajmë të pastra burimet e krijimit dhe kështu, së bashku me krijimin që na paraprin si dhuratë, të bëjmë atë që është e drejtë sipas kërkesave të tij të brendshme dhe sipas qëllimit të tij: kjo është qasja e vërtetë etiko-morale. Dhe kjo ruan kuptimin e vet edhe atëherë kur, sipas asaj që duket, nuk kemi sukses ose dukemi të pafuqishëm përballë fuqive armiqësore që marrin epërsi. Kështu, nga njëra anë, prej veprimit tonë buron shpresë për ne dhe për të tjerët; por, në të njëjtën kohë, është shpresa e madhe, e mbështetur në premtimet e Hyjit, ajo që, në çaste të mira ashtu edhe në çaste të këqija, na jep guxim dhe e orienton veprimin tonë.

 

Si veprimi ashtu edhe vuajtja bëjnë pjesë në ekzistencën njerëzore dhe janë vende ku mësohet shpresa

Vuajtja buron, nga njëra anë, prej kufizimit tonë njerëzor dhe, nga ana tjetër, prej masës së fajit të njeriut dhe të të Keqit, e cila gjatë rrjedhës së historisë është grumbulluar dhe edhe në të tashmen rritet pa ndalur. Sigurisht, duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta pakësuar vuajtjen: të parandalojmë, sa të jetë e mundur, vuajtjen e të pafajshmëve; të lehtësojmë dhimbjet; të ndihmojmë në kapërcimin e vuajtjeve psikike. Të gjitha këto janë detyra si të drejtësisë, ashtu edhe të dashurisë, dhe bëjnë pjesë në kërkesat themelore të ekzistencës së krishterë dhe të çdo jete vërtet njerëzore. Në luftën kundër dhimbjes fizike janë bërë përparime të mëdha; megjithatë, vuajtja e të pafajshmëve, si edhe vuajtjet psikike, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit janë shtuar më tepër. Po, duhet të bëjmë gjithçka për ta kapërcyer vuajtjen, por ta zhdukim plotësisht atë nga bota nuk është në mundësitë tona – thjesht sepse nuk mund ta heqim nga vetja kufizimin tonë njerëzor dhe sepse askush prej nesh nuk është në gjendje ta zhdukë fuqinë e së keqes, të të Keqit dhe të fajit, i cili – këtë e shohim – vazhdimisht bëhet burim vuajtjeje. Këtë mund ta realizonte vetëm Hyji, prej të cilit vjen vetëm e mira: vetëm një Hyj që hyn personalisht në histori, duke u bërë njeri, në gjithçka i ngjashëm me ne, përveç mëkatit, dhe që vuan në të e sprovohet. Ne e dimë se ky Hyj është i pranishëm dhe se, për këtë arsye, ajo fuqi që “shlyen mëkatin e botës” (Gjn 1,29) dhe që, pasi ka ngadhënjyer mbi Djallin, çliron nga e keqja shkatërruese, është e pranishme në botë dhe të gjithë mund t’i drejtohen asaj. Me fenë në ekzistencën e kësaj fuqie, të cilën mund ta takojmë në lutje dhe në veprim, ka lindur shpresa për shërimin e botës. Por, bëhet fjalë pikërisht për një ecje të vazhdueshme të shpresës dhe ende jo për përmbushjen përfundimtare; për shpresën dhe besimin që na japin guximin të vihemi në anën e së mirës edhe atje ku gjithçka duket pa shpresë, në vetëdijen se, duke gjykuar sipas rrjedhës së historisë ashtu siç shfaqet nga jashtë, fuqia e fajit dhe e të Keqit mbetet edhe në të ardhmen një prani e tmerrshme, e cila kërkon vazhdimisht “shëlbim”, “shërim”, “çlirim” dhe “shpëtim”, që, sipas fesë së krishterë të vërtetuar edhe nga përvoja historike, nuk është një gjendje e dhënë njëherë e përgjithmonë, por gjithmonë një ngjarje e hirit.

Mundemi dhe, prandaj, duhet të përpiqemi ta kufizojmë vuajtjen, të luftojmë kundër saj, por nuk mund të kapemi prej iluzionit se do ta zhdukim atë. Pikërisht atje ku njerëzit, në përpjekje për të shmangur çdo vuajtjeje, përpiqen t’i ikin çdo gjëje që mund të nënkuptojë mundim, atje ku duan t’ia kursejnë vetes lodhjen dhe dhimbjen e së vërtetës, të dashurisë dhe të së mirës, rrëshqasin në një jetë të zbrazët, në të cilën ndoshta nuk ekziston më pothuajse asnjë dhimbje, por ku ndjehet edhe më fort ndjenja e errët dhe e dëshpëruar e mungesës së kuptimit dhe e vetmisë. Nuk është shmangia e vuajtjes, ikja përballë dhimbjes, ajo që e shëron njeriun, por aftësia për ta pranuar vuajtjen e pashmangshme dhe, brenda saj, për të pjekur, për të gjetur kuptim nëpërmjet bashkimit me Personin e Jezu Krishtit, i cili gjatë jetës së tij tokësore vuajti me dashuri të pafund dhe, i Ringjallur, qëndron pranë nesh e na ndihmon që të mos biem në dëshpërim.  Papa sjell disa fjali nga një letër e martirit vietnamez Pal Le-Bao-Thin (+1857), në të cilat bëhet e qartë ky shndërrim i vuajtjes nëpërmjet fuqisë së shpresës që buron nga feja, pra nga vetë shpresa: “Unë, Pali, i burgosur për shkak të emrit të Krishtit, dua t’ju bëj të njohura vuajtjet në të cilat jam zhytur çdo ditë, që të ndezur nga dashuria hyjnore të lartësoni bashkë me mua lavdet drejtuar Hyjit: e amshuar është mëshira e tij. Ky burg është me të vërtetë një shëmbëlltyrë e ferrit të amshuar: përveç torturave mizore të çdo lloji, si prangat, zinxhirët, shpifjet, fjalët e turpshme, akuzat e rreme, ligësitë, betimet e padrejta dhe mallkimet, në fund i shtohen ankthi dhe trishtimi. Hyji, që i shpëtoi tre të rinjtë nga furra e zjarrtë, është gjithmonë pranë meje; edhe mua më ka çliruar nga këto vuajtje, duke i shndërruar në ëmbëlsi: e amshuar është mëshira e tij. Në mes të këtyre mundimeve, që zakonisht i përkulin dhe i thyejnë të tjerët, me hirin e Hyjit jam plot gëzim dhe hare, sepse nuk jam vetëm, por Krishti është me mua… Si mund ta përballoj këtë pamje të tmerrshme, duke parë çdo ditë perandorë, mandarinë dhe oborrtarët e tyre që blasfemojnë emrin tënd të shenjtë, o Zot, që rri mbi Kerubinët dhe Serafinët? Ja, kryqi yt shkelet nën këmbët e paganëve! Ku është lavdia jote? Duke parë të gjitha këto, në zjarrin e dashurisë sate, më mirë të më priten gjymtyrët dhe të vdes si dëshmi e dashurisë sate. Tregoma, o Zot, fuqinë tënde, më eja në ndihmë e më shpëto, që në dobësinë time të dëftohet fuqia jote para popujve… Vëllezër shumë të dashur, duke i dëgjuar këto gjëra, gëzohuni dhe lartësoni një himn të përhershëm falënderimi ndaj Hyjit, burimit të çdo të mire, dhe lëvdojeni bashkë me mua: e amshuar është mëshira e tij… Po ua shkruaj të gjitha këto, që feja juaj dhe e imja të bëhen një e vetme. Ndërsa stuhia tërbohet, e hedh spirancën deri te froni i Hyjit: shpresë  e gjallë që është në zemrën time.” Papa vëren se kjo është një letër e shkruar nga “ferri”. Këtu shfaqet gjithë tmerri i një kampi përqendrimi, ku, krahas mundimeve të shkaktuara nga tiranët, shpërthen edhe e keqja brenda vetë viktimave, të cilat, në këtë mënyrë, bëhen edhe ato mjete të mizorisë së torturuesve. Vuajtja dhe mundimet mbeten të tmerrshme dhe pothuajse të papërballueshme. Megjithatë, lind ylli i asaj shprese të besueshme, spiranca e zemrës që arrin deri te froni i Hyjit, në saje të së cilës mund të përballohet edhe një e tashme e mundimshme, e cila mund të jetohet dhe të pranohet në funksion të një caku të sigurt. E keqja nuk shpërthen dhe nuk fiton brenda njeriut, por ngadhënjen drita: vuajtja – pa pushuar së qeni vuajtje – bëhet, megjithatë, këngë lavdie.

 

Masa e njerëzimit përcaktohet në thelb nga marrëdhënia me vuajtjen dhe me njeriun që vuan

Kjo vlen si për individin, ashtu edhe për shoqërinë. Një shoqëri që nuk arrin t’i pranojë ata që vuajnë dhe nuk është e aftë, nëpërmjet dhembshurisë, të kontribuojë që vuajtja të ndahet dhe të bartet edhe në brendësi, është një shoqëri mizore, e dëshpëruar dhe çnjerëzore. Por shoqëria nuk mund t’i pranojë ata që vuajnë dhe t’i mbështesë në vuajtjen e tyre, nëse individët nuk janë vetë të aftë për këtë; dhe, nga ana tjetër, individi nuk mund ta pranojë vuajtjen e tjetrit nëse ai vetë nuk arrin të gjejë në vuajtje një kuptim, një udhë pastrimi dhe pjekurie, një udhë shprese. Ta pranosh tjetrin që vuan do të thotë, në njëfarë mënyre, ta marrësh mbi vete vuajtjen e tij, kështu që ajo bëhet edhe vuajtja ime. Por, pikërisht pse tani është bërë vuajtje e bashkëndarë, në të cilën është prania e një Tjetri, kjo vuajtje përshkohet nga drita e dashurisë dhe, për këtë arsye, nga drita e shpresës.

 

Elementet themelore të njerëzimit, heqja dorë nga të cilat do të shkatërronte vetë njeriun

Të vuash me tjetrin, për të tjerët; të vuash për dashurinë ndaj së vërtetës dhe drejtësisë; të vuash për shkak të dashurisë dhe për t’u bërë një person që dashuron vërtet. A jemi të aftë për këtë? A është tjetri mjaftueshëm i rëndësishëm që, për hir të tij, unë të bëhem një person që vuan? A është e vërteta për mua aq e rëndësishme sa ta meritojë vuajtjen? A është premtimi i dashurisë aq i madh sa ta arsyetojë dhurimin e vetvetes? Pikërisht këtu qëndron një meritë e veçantë e fesë së krishterë në historinë e njerëzimit, që ajo ka zgjuar te njeriu, në mënyrë të re dhe në një thellësi të re, aftësinë për këto forma të vuajtjes që janë vendimtare për njerëzimin e tij.  Feja e krishterë na ka treguar se e vërteta, drejtësia dhe dashuria nuk janë thjesht ideale, por realitete me një peshë dhe dendësi jashtëzakonisht të madhe. Na ka treguar, në të vërtetë, se Hyji – e Vërteta dhe Dashuria në Person – ka dashur të vuajë për ne dhe me ne. Hyji nuk mund të vuajë (në kuptimin njerëzor), por mund të bashkëvuajë (me njeriun). Njeriu, çdo njeri, ka për Hyjin një vlerë aq të madhe, saqë Ai vetë u bë njeri për të bashkëvuajtur me njeriun, realisht, në mish e në gjak, siç na dëshmohet në rrëfimin e Mundimeve të Jezusit, i cili lejoi të vritej për të na çliruar, për të na shëlbuar nga vuajtja dhe për të na bërë të shpresojmë. Prej atëherë, në çdo vuajtje njerëzore ka hyrë Ai që e ndan vuajtjen dhe qëndresën tonë; prej atëherë, në çdo vuajtje përhapet ngushëllimi i dashurisë pjesëmarrëse të Hyjit dhe kështu lind ylli i shpresës.  Sigurisht, në vuajtjet dhe sprovat tona të shumta, kemi gjithmonë nevojë edhe për shpresat tona të vogla e të mëdhapër një vizitë dashamirëse, për shërimin e plagëve të brendshme dhe të jashtme, për zgjidhjen e mirë të një krize, për çlirimin nga elementet e dëmshme e kështu me radhë. Në sprovat më të vogla, këto forma shprese mund të jenë edhe të mjaftueshme. Por në sprovat vërtet të rënda, në të cilat duhet ta marr vetë vendimin përfundimtar që e vërteta të vihet mbi mirëqenien, karrierën dhe pasurinë, bëhet e domosdoshme siguria e shpresës së vërtetë dhe të madhe, për të cilën kemi folur. Edhe për këtë arsye kemi nevojë për dëshmitarë, për martirë, që janë dhuruar plotësisht, për të na e dëshmuar këtë – ditë pas dite. Kemi nevojë për ta që, edhe në alternativat e vogla të jetës së përditshme, të zgjedhim të mirën para rehatisë, duke e ditur se pikërisht kështu e jetojmë jetën dhe shpresën. Duhet t’ia përsërisim vetes: aftësia për të vuajtur varet nga lloji dhe masa e shpresës që mbajmë brenda nesh dhe mbi të cilën e ndërtojmë jetën. Shenjtërit mundën ta përshkonin udhën e madhe të të qenët njeri, ashtu siç e ka përshkuar Krishti para nesh, sepse ishin të mbushur me shpresën e madhe që i jep njeriut mundësinë ta përballojë edhe një të tashme të mundimshme, ta pranojë dhe ta jetojë atë në drejtim të një caku për të cilin jemi të sigurt.

Papa flet për një formë përshpirtërie, ndonjëherë me teprime edhe jo të shëndetshme, në të cilën njerëzit “ia kushtojnë” Hyjit mundimet e vogla të përditshme, ato që na godasin vazhdimisht si shpime pak a shumë të bezdisshme, duke u dhënë kështu një kuptim. Por çfarë do të thotë “t’ia kushtosh (vuajtjet…)”? Këta njerëz ishin të bindur se mund t’i përfshinin mundimet e tyre të vogla në bashkëvuajtjen e madhe të Krishtit, dhe kështu ato, në njëfarë mënyre, bëheshin pjesë e thesarit të dhembshurisë për të cilin njerëzimi ka nevojë. Në këtë mënyrë, edhe shqetësimet e vogla të jetës së përditshme mund të fitonin një kuptim dhe të kontribuonin në ekonominë e së mirës dhe të dashurisë ndërmjet njerëzve. Dhe Papa shtron pyetjen: “Ndoshta duhet të pyesim vërtet veten nëse një gjë e tillë mund të bëhej përsëri një perspektivë me kuptim edhe për ne.”

 

Marr nga: Agire e soffrire come luoghi di apprendimento della speranza

Përktheu: Don Fatmir Koliqi

Fotografia në ballinë: Vincent Van Gogh, Samaritani i mirë (1890).

Shpëndaje: