Servilizmi – korrupsioni ndaj vetes dhe humbja e dinjitetit

Nga m. Franciska ( Suzana ) Lekaj

 

Servilizmi në shoqërinë tonë përfaqëson një problem shumë serioz, ai është një proces i brendshëm i deformimit të vetëdijes morale dhe i shkëputjes së individit nga vetvetja. Pra, nuk është vetëm një fenomen individual, por edhe një realitet i përhapur në shoqërinë tonë. Ai shfaqet në forma të ndryshme: në marrëdhëniet me pushtetin, në vendet e punës, në institucionet publike dhe madje edhe në jetën e përditshme. Shpesh, individët zgjedhin të heshtin përballë padrejtësisë, të përshtaten me të fortin dhe të sakrifikojnë të vërtetën për të ruajtur një pozicion, një përfitim apo një siguri të rreme. Në këtë mënyrë, servilizmi nuk mbetet më një zgjedhje personale, por shndërrohet në kulturë. Kur servilizmi shpërblehet dhe qëndrimi ndëshkohet, shoqëria fillon të prodhojë individë që mësohen të jetojnë pa zë dhe pa qëndrim. Kjo krijon një cikël të rrezikshëm, ku padrejtësia nuk sfidohet, por normalizohet. Më e rrezikshmja është se servilizmi fillon të maskohet si “urtësi”, “adaptim” apo “realizëm”. Por në thelb, ai mbetet ajo që është, një formë e heshtur e dorëzimit moral. Dhe një shoqëri që e pranon këtë si normë rrezikon të humbasë jo vetëm drejtësinë, por edhe dinjitetin kolektiv. Ky fenomen ka pasoja të thella psikologjike dhe shpirtërore, si për individin ashtu edhe për shoqërinë. Ai ka në thelb frikën nga njerëzit, e cila çon në korrupsionin e vetes dhe në humbjen e dinjitetit njerëzor.

Pra, servilizmi nuk është thjesht sjellje e përulur, është heqje dorë nga dinjiteti personal për përfitim, frikë ose rehati. Ai nuk lind nga respekti, por nga frika. Ai nuk është përulësi, por dorëzim. Ai shfaqet kur vetëvlera zëvendësohet me nevojën për pranim, kur ndërgjegjja hesht përballë interesit. Ai është ndarje nga vetvetja. Dhe njeriu servil fillon të flasë me zërin e tjetrit, të mendojë sipas pritshmërive të pushtetit dhe të ndiejë sipas lejes që i jepet. Kjo krijon një konflikt të brendshëm dhe të vazhdueshëm midis asaj që jemi dhe asaj që shfaqim. Sigurisht, kjo gjendje ushqen ankth, zbrazëti dhe një ndjenjë të fshehtë turpi, sepse shpirti e di kur po tradhtohet. Gjithashtu, servilizmi  është humbje e boshtit të brendshëm. Shpirti i njeriut kërkon drejtësi, të vërtetë. Kur këto sakrifikohen për përfitim, shpirti nuk bërtet, ai venitet ngadalë. Kjo është forma më e rrezikshme e korrupsionit, jo ajo që vjen nga jashtë, por ajo që pranohet nga brenda. Kështu që njeriu nuk thyhet nga goditja, por nga zakoni për t’u përkulur.

Servilizmi krijon iluzionin e sigurisë: “Nëse bindem, do të jem i mbrojtur.” Por kjo siguri është e rreme. Ajo ndërton varësi dhe shkatërron lirinë. Një njeri servil nuk është i lirë as kur flet, as kur hesht, sepse çdo veprim i tij kalon përmes frikës së humbjes së favoreve. Shoqëritë që tolerojnë servilizmin vuajnë nga paraliza morale. Ato nuk rriten, sepse e vërteta nuk ngrihet kurrë e drejtë. Por drama më e madhe ndodh brenda individit, ai mëson të jetojë pa qëndrim, pa shtyllë, pa zë. Dhe kur njeriu humb zërin e brendshëm, humb edhe paqen. Kurse e kundërta e servilizmit nuk është arroganca, por dinjiteti. Dinjiteti është guximi për të mos u shitur, edhe kur çmimi duket i lartë. Është aftësia për të qëndruar drejt, edhe kur përkulja shpërblehet. Dinjiteti shëron dhe çliron. Dhe duhet kuptuar një herë e mirë se servilizmi nuk është fat, nuk është imponim, nuk është detyrim, por është zgjedhje e jotja personale. Sigurisht që çdo zgjedhje lë gjurmë. Pyetja nuk është çfarë fiton duke u servilosur, por çfarë humb duke e bërë servilizmin zakon dhe stil jete?

 

Servilizmi si vetë-mashtrim dhe humbje graduale e ndërgjegjes

Në këtë pikë duhet theksuar se servilizmi nuk është vetëm një marrëdhënie e shtrembëruar me pushtetin, por edhe një marrëdhënie e shtrembëruar me vetveten. Njeriu servil nuk i bindet vetëm të tjerëve, ai fillon të bindë edhe veten se servilizmi është e drejtë dhe e domosdoshme. Me kalimin e kohës, ai e justifikon servilizmin si “përshtatje me realitetin”, frikën si “mençuri” dhe dorëzimin si “realizëm”. Kështu, vetë-mashtrimi nuk ndodh menjëherë, por ndërtohet gradualisht, hap pas hapi, derisa bëhet pjesë e mënyrës së tij të të menduarit. Me kalimin e kohës, individi nuk e ndien më konfliktin e brendshëm, jo sepse ai është zhdukur, por sepse është mpirë. Ndërgjegjja nuk zhduket, ajo thjesht hesht, dhe kjo heshtje bëhet më e rrezikshme se vetë konflikti, sepse njeriu fillon të besojë se nuk ka më asgjë të gabuar në atë që bën. Në këtë mënyrë, humbja e ndjeshmërisë morale bëhet më e thellë se vetë veprimi i gabuar. Dhe kjo është faza më e rrezikshme e servilizmit, kur njeriu nuk e ndien më se po tradhton vetveten, dhe kur tradhtia ndaj vetes nuk perceptohet më si tradhti, por si normalitet. Në këtë pikë, ai nuk ka më nevojë për presion të jashtëm, sepse bindja është bërë e brendshme dhe automatike. Në këtë gjendje, servilizmi nuk është më zgjedhje e vetëdijshme, por bëhet refleks i brendshëm. Njeriu nuk mendon më nëse duhet të serviloset apo jo  ai serviloset automatikisht, pa e vënë në dyshim. Kjo e bën servilizmin jo vetëm problem moral, por edhe deformim të thellë të karakterit dhe të strukturës së ndërgjegjes, ku kufiri mes së drejtës dhe së gabuarës fillon të zbehet deri në zhdukje.

 

Servilizmi në dritën biblike – frika nga njerëzit dhe tradhtia e së vërtetës

Servilizmi nuk lind nga dashuria, por nga frika. Në Bibël, frika nga njerëzit shihet si kurth për shpirtin, sepse ajo e zhvendos besimin nga e vërteta tek pushteti (Fjalët e Urta 29, 25). E gjithë kjo krijon një njeri të ndarë, një fytyrë për të fortin dhe një tjetër për ndërgjegjen. Shpirtërisht, ajo e largon njeriun nga identiteti i tij i dhënë nga Zoti. Në këtë kuptim, servilizmi është mohim i vetvetes dhe i shëmbëlltyrës hyjnore. Në Shkrimet e Shenjta, servilizmi shfaqet qartë në veprim, kur Mbreti Saul humbi mbretërinë sepse “u frikësua nga populli”. “Mëkatova se iu shmanga fjalës së Zotit e fjalëve të tua. E druajta popullin dhe dëgjova  zërin e tij“ (1 Sam 15, 24).

Herodi, edhe pse e dinte të vërtetën për Gjon Pagëzuesin, u nënshtrua ndaj opinionit. Mbreti u trishtua, por për shkak të premtimit dhënë me përbetim e për shkak të të grishurvet, nuk deshi t’ia mohoj kërkesën (Marku 6, 26). Kurse Pilati përfaqëson kulmin e servilizmit. Ai e njohu të vërtetën, por zgjodhi turmën (Mateu 27, 24). Sa herë ne kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe sot??? Larja e duarve nuk ishte neutralitet, ishte dorëzim moral. Bibla denoncon edhe profetët e rremë dhe lajkatarët që i thonë pushtetit vetëm atë që dëshiron të dëgjojë. Mendjelehtas shërojnë plagën e popullit tim e thonë: Paqe! Paqe! Paqe! E paqe s’ka (Jer 6, 14). Kjo formë servilizmi krijon verbëri morale kolektive, ushqen iluzione dhe largon shoqërinë nga drejtësia, të cilën populli dhe njerëzit po e përjetojnë çdo ditë pa përjashtim.

Në fakt, sa më shumë që servilizmi bëhet normë, aq më pak e dallojmë si problem. Ai bëhet pjesë e kulturës, pjesë e sistemit, pjesë e jetës së përditshme. Dhe pikërisht aty qëndron rreziku më i madh, kur e keqja nuk luftohet më, por pranohet si normale.

Gjithashtu, gjatë leximit të Biblës shohim se si profetët e vërtetë përndiqeshin sepse refuzuan të serviloseshin. Ata treguan se bindja ndaj së vërtetës kërkon guxim, jo pëlqim. Jezusi është kundërmodeli absolut i servilizmit. Ai ishte i përulur, por kurrë servil. Nuk u përkul para pushtetit politik apo fetar, sepse misioni i tij ishte besnikëria ndaj së vërtetës. “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ja do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ja do t’i mbështetet njërit e tjetrit do t’ ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë” (Mateu 6,24). Kjo është një e vërtetë e thellë, kur përpiqesh t’i pëlqesh të gjithëve, humb vetveten. Sigurisht që kjo ndarje sjell lodhje, ankth dhe zbrazëti. Lehtësisht mund të thuhet se servilizmi nuk është thjesht problem etik, është krizë morale, është krizë e brendshme e njeriut. Ai prodhon individë të ndarë dhe të pasigurt, që i largon nga e vërteta dhe nga vetvetja, dhe kështu vazhdon të krijojë paralizë morale.

Në fund, mbetet një pyetje që nuk është vetëm fetare, por thellësisht njerëzore: “Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën? (Mateu 16, 26)  Por ka edhe një të vërtetë më të thellë që shpesh nuk thuhet: Njeriu nuk e humb veten vetëm kur serviloset, ai e humb veten kur pushon së ndjeri se po serviloset. Sepse servilizmi nuk është vetëm akt, është gjendje. Ai fillon me frikë, vazhdon me kompromis dhe përfundon me heshtje të ndërgjegjes. Dhe kur ndërgjegjja hesht, njeriu mund të duket i suksesshëm nga jashtë, por nga brenda ai është bërë i huaj për vetveten. Ky është çmimi i padukshëm i servilizmit. Dhe është çmimi më i lartë që një njeri mund të paguajë.

 

Referenca

Baumeister, R.F., Meanings of Life, , Guilford Press, New York, 1991.

Festinger, L., A Theory of Cognitive Dissonance, Stanford University Press, Stanford, 1957.

Fromm, E., Escape from Freedom, Farrar & Rinehart, New York, 1941.

Shpëndaje: