Dinjiteti – arkitektura e brendshme e lirisë njerëzore

Nga m. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Shpesh dëgjojmë termin “dinjitet”. Thuhet: “duhet të kemi dinjitet” ose “ai është njeri me dinjitet”. Por sa herë ndalemi vërtet për ta kuptuar thellësisht këtë fjalë? Sa herë e pyesim veten me sinqeritet: çfarë do të thotë të jetosh me dinjitet? Në një botë ku vlerat shpesh veniten dhe presioni shoqëror na shtyn të heqim dorë nga vetvetja për t’u përshtatur, dinjiteti nuk është thjesht një parim moral. Ai është zgjedhja për të qëndruar besnik ndaj vetes, për të ruajtur integritetin dhe për të mos lejuar që rrethanat apo mendimet e të tjerëve të përcaktojnë vlerën tonë. Dinjiteti nuk është vetëm mënyra se si jetojmë, por edhe mënyra se si zgjedhim të përballemi me çdo sfidë. Është ajo forcë e heshtur që na mban drejt edhe kur gjithçka rreth nesh përpiqet të na përkulë. Është zëri i brendshëm që na kujton se vlera jonë nuk vihet në pazar dhe se parimet tona nuk duhet të sakrifikohen për përfitime të përkohshme. Të mos e kuptosh dinjitetin do të thotë të rrezikosh të humbasësh veten në përpjekjen për t’u pranuar nga të tjerët. Ndërsa ta njohësh dhe ta jetosh atë do të thotë të ndërtosh një identitet të fortë, që nuk thyhet nga refuzimi, padrejtësia apo frika. Prandaj, të flasësh për dinjitetin nuk do të thotë vetëm të analizosh një vlerë morale, por të reflektosh mbi mënyrën se si njeriu ruan lirinë e tij të brendshme, identitetin dhe respektin ndaj vetes. Sepse aty ku ekziston dinjiteti, ekziston edhe një formë e vërtetë e lirisë.

 

Çfarë është dinjiteti

Dinjiteti është respekti që njeriu duhet të ketë për veten, është vlera që ai i jep vetes si qenie njerëzore. Ai shërben si një mburojë e brendshme që e mbron individin nga manipulimi, abuzimi dhe poshtërimi. Të kesh dinjitet do të thotë të pranosh se askush nuk ka të drejtë të të ulë, të të lëndojë apo të të trajtojë sipas dëshirës së tij apo saj. Dinjiteti është kufiri i padukshëm, por i pathyeshëm, që ndan vetërespektin nga nënshtrimi. Ai është një nga vlerat më themelore që i jep kuptim dhe qëndrueshmëri jetës njerëzore. Ai nuk është vetëm një qëndrim i jashtëm apo një ndjenjë krenarie, por një gjendje e thellë e brendshme që reflekton vetëvlerësimin, integritetin dhe respektin për vetveten dhe për të tjerët. Kur trajtohet në dy dimensionet e tij shpirtëror dhe psikologjik, kuptohet më qartë thellësia dhe roli jetik që ai luan në formimin dhe ruajtjen e identitetit njerëzor. Dinjiteti lidhet ngushtë me ndjenjën e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit. Një individ që e njeh dhe respekton veten është më i qëndrueshëm emocionalisht dhe më i aftë të përballet me sfidat e jetës pa rënë pre e poshtërimit, manipulimit apo cenimit të të drejtave të tij. Psikologjia moderne thekson se dinjiteti është një komponent thelbësor i shëndetit mendor. Mungesa e tij çon në pasiguri, vetëdyshim, ankth dhe depresion. Ndërkohë, një ndjenjë e fortë e dinjitetit i jep individit fuqinë për të vendosur kufij të shëndetshëm, për të ruajtur integritetin personal dhe për të ndërtuar marrëdhënie të balancuara e të qëndrueshme. Nga ana tjetër, dinjiteti në planin shpirtëror është më shumë se vetëvlerësim. Është një vetëdije e thellë se njeriu është një qenie me vlerë të lindur, e pavarur nga statusi, pasuria apo pozicioni në shoqëri. Kjo ndjesi lind nga lidhja me burimin e brendshëm të paqes dhe dashurisë, që shumë njerëz e quajnë Zot, ndërgjegje universale apo forcë e brendshme. Njeriu që e njeh dinjitetin në mënyrë shpirtërore nuk e lejon veten të poshtërohet, por as nuk poshtëron të tjerët. Ai jeton me përulësi, por jo me nënshtrim, me forcë të brendshme, por pa arrogancë. Ky lloj dinjiteti bëhet themeli i etikës, drejtësisë dhe bashkëjetesës në paqe.

 

Bashkimi i dinjitetit shpirtëror dhe psikologjik është thelbi i qëndresës njerëzore

Kur dinjiteti shpirtëror dhe ai psikologjik bashkohen, krijojnë një personalitet të fortë, të qëndrueshëm dhe të ekuilibruar. Një individ i tillë di të kërkojë respekt pa qenë agresiv, di të japë dashuri pa u zhdukur në kërkesat e të tjerëve dhe di të ruajë dinjitetin edhe në kushte humbjeje, padrejtësie apo dhimbjeje. Ai nuk e mat veten me arritjet materiale, por me qëndrimin e tij etik dhe moral. Dinjiteti e bën njeriun të jetë vetvetja në çdo rrethanë, pa u shitur, pa u ulur dhe pa u dorëzuar ndaj presioneve që cenojnë integritetin e tij. Përkundrazi, mungesa e dinjitetit, qoftë në nivel psikologjik apo shpirtëror, e shkëput njeriun nga vetvetja. Ai ose lejon të tjerët ta shkelin, ose shkel mbi të tjerët për të mbrojtur një imazh të rremë force. Kjo krijon marrëdhënie toksike, mungesë vetëdijeje dhe shpesh çon në një jetë të zbrazët emocionalisht dhe shpirtërisht. Lidhja mes aspektit shpirtëror dhe psikologjik të dinjitetit është e pazgjidhshme. Kur një individ është i lidhur me vetveten në mënyrë të vërtetë, ai zhvillon një besim të qëndrueshëm dhe një harmoni të brendshme që e bën të fortë ndaj tronditjeve të jashtme. Në këtë mënyrë, dinjiteti shërben si një mburojë e fuqishme që ndihmon në rritjen personale dhe në ndërtimin e një karakteri të qëndrueshëm. Nga ana tjetër, mungesa e dinjitetit shpesh lidhet me pasiguri, frikë dhe ndjenjën e inferioritetit.

Në planin psikologjik kjo shfaqet si vetëvlerësim i ulët dhe ndjenjë pafuqie, ndërsa në aspektin shpirtëror si një ndarje nga vetvetja dhe nga vlerat e brendshme. Ky boshllëk shpirtëror dhe emocional shpesh çon në sjellje që dëmtojnë marrëdhëniet dhe pengojnë zhvillimin personal. Sigurisht, dinjiteti nuk është një cilësi që njeriu e fiton nga jashtë, por një vlerë që kultivohet brenda vetes. Ai është pasqyrë e lidhjes mes shpirtit dhe mendjes, një ekuilibër i brendshëm që e bën njeriun të qëndrojë drejt dhe i palëkundur përballë sfidave. Është themeli mbi të cilin ndërtohet jo vetëm mirëqenia personale, por edhe një shoqëri më e drejtë, më njerëzore dhe më e ndriçuar shpirtërisht.

Dinjiteti, nuk është krenari, por qëndresë morale dhe shpirtërore

Bibla e vendos dinjitetin në themel ontologjik, duke pohuar se njeriu është krijuar “sipas shëmbëlltyrës së Zotit” (Zan. 1, 27). Kjo nënkupton se vlera e individit nuk varet nga pushteti apo aprovimi i shoqërisë, por nga besnikëria ndaj së vërtetës dhe respekti për ndërgjegjen. Servilizmi, nga ana tjetër, është mohim i këtij dinjiteti. Njeriu që përkulet për të fituar favor humb unitetin mes ndërgjegjes dhe veprimit, duke krijuar zbrazëti shpirtërore dhe ankth. Përulësia e vërtetë nuk është nënshtrim ndaj frikës, por besnikëri ndaj së drejtës. Dinjiteti në këtë kontekst është aftësia për të ruajtur integritetin moral dhe autonominë e vendimmarrjes edhe nën presion. Veprimet duhet të burojnë nga ligji moral i brendshëm dhe jo nga frika apo shpërblimi. Një individ që ruan dinjitetin nuk është i paprekshëm nga presioni, por nuk lejon që frika të deformojë zgjedhjet e tij. Ai lidhet gjithashtu me vetëvlerësimin dhe ndjenjën e integritetit: kur veprimet përputhen me vlerat e brendshme, individi përjeton kuptim, qetësi dhe qëllim në jetë.

 

Strategji për ruajtjen e dinjitetit

Për të forcuar dinjitetin, kërkohet një proces i vazhdueshëm zhvillimi personal, vetëdijeje dhe formimi moral. Dinjiteti nuk është një gjendje e rastësishme apo e fituar një herë e përgjithmonë, por një aftësi e brendshme që ndërtohet përmes praktikës së përditshme, reflektimit kritik mbi veten dhe përmes përjetimit të vetëdijshëm të zgjedhjeve tona. Faktorët që ndikojnë në forcimin e dinjitetit janë të ndërlidhur dhe veprojnë njëkohësisht në formimin e një personaliteti të qëndrueshëm dhe të lirë.

Forcimi i vetëvlerësimit,

Përbën themelin e çdo qëndrueshmërie psikologjike dhe emocionale. Një individ që e njeh vlerën e tij të brendshme nuk e lejon veten të nënvlerësohet, të manipulohet apo të varet nga miratimi i vazhdueshëm i të tjerëve. Ky proces përfshin njohjen e vetes në mënyrë të ndershme, si të pikave të forta ashtu edhe të dobësive, pranimin e vetvetes pa iluzione dhe ndërtimin e një imazhi realist dhe të shëndetshëm për identitetin personal. Një vetëvlerësim i qëndrueshëm i jep individit aftësinë për t’u përballur me kritikën pa u thyer dhe për të ruajtur stabilitetin e brendshëm në situata presioni.

Ndërgjegjësimi moral, është aftësia për të reflektuar mbi veprimet personale në raport me të mirën dhe të keqen, si dhe mbi pasojat që ato sjellin për veten dhe të tjerët. Një individ me ndërgjegje të zhvilluar nuk udhëhiqet nga frika, përfitimi apo presioni i jashtëm, por nga parimet etike të brendshme që ka ndërtuar me kohën. Ky ndërgjegjësim shërben si një busull e brendshme morale që e ndihmon individin të mos dorëzohet përballë padrejtësisë dhe të ruajë integritetin personal edhe në rrethana të vështira. Sa më i thellë të jetë ndërgjegjësimi moral, aq më e vogël është prirja për servilizëm dhe kompromis me vlerat personale.

Kultura e guximit dhe përgjegjësisë, nënkupton aftësinë për të qëndruar besnik ndaj bindjeve personale edhe kur ato bien ndesh me opinionin apo pritshmëritë e të tjerëve. Guximi moral nuk është mungesë frike, por aftësia për të vepruar drejt pavarësisht saj. Ndërsa përgjegjësia nënkupton pranimin e plotë të pasojave të vendimeve personale pa ia kaluar fajin të tjerëve apo rrethanave. Një individ që kultivon këto vlera zhvillon forcë të brendshme, pavarësi mendore dhe aftësi për të mos u nënshtruar ndaj presioneve sociale apo autoritetit të padrejtë.

Autonomia dhe vendimmarrja e vetëdijshme, përfaqëson aftësinë për të marrë vendime të bazuara në mendim kritik, reflektim personal dhe vlera të brendshme, e jo nën ndikimin e presioneve shoqërore apo autoriteteve të jashtme. Vendimmarrja e vetëdijshme kërkon analizë të kujdesshme të alternativave, vetëreflektim dhe pranimin e përgjegjësisë për zgjedhjet e bëra. Një individ autonom nuk jeton sipas pritshmërive të të tjerëve, por sipas një sistemi të qëndrueshëm vlerash personale. Kjo e forcon identitetin e tij dhe e mbron nga konformizmi i verbër, si dhe nga humbja e dinjitetit përmes servilizmit.

Këto strategji nuk përbëjnë thjesht udhëzime teorike, por parime thelbësore për formimin e një individi të ekuilibruar psikologjikisht dhe të qëndrueshëm moralisht. Ato ndërtojnë gradualisht një personalitet të lirë, të vetëdijshëm dhe të aftë për të ruajtur integritetin e tij përballë presioneve të jashtme. Në thelb, sa më shumë që njeriu i kultivon këto vlera në jetën e përditshme, aq më shumë forcon dinjitetin e tij dhe jeton në përputhje me vetveten. Prandaj, dinjiteti nuk është thjesht mënyra si njeriu jeton në botë, por prova e heshtur se ai nuk ka pranuar kurrë të bëhet i huaj për vetveten.

 

Referencat

Bonhoeffer Dietrich, The Cost of Discipleship, SCM Press, London, 1959.

Frankl Viktor E., Man’s Search for Meaning, Beacon Press, Boston,1946.

Rest James,  Moral Development: Advances in Research and Theory, Praeger, New York, 1986.

Shpëndaje: