
Nga Nikollë D. Ukaj
Në Stubëll të Epërme të Vitisë u mbajt edicioni i 37-të i manifestimit tradicional kulturor, letrar dhe shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, një prej veprimtarive më jetëgjata të këtij karakteri në Kosovë.
Edicioni i sivjetmë iu kushtua 180-vjetorit të internimit të shqiptarëve të Malësisë së Shkupit në Turqi (1846), me vëmendje të veçantë ndaj historisë së banorëve të Stubllës, Binçës, Terziajve dhe Vërnakollës.
DITA E PARË – 18 shtator 2026
Takimet fillojnë me mbrëmjen e sofrës tradicionale të Stubllës, e cila nëpërmjet këngës, muzikës dhe ushqimeve tradicionale ruhet tradita e të parëve dhe bartet te gjeneratat e reja. Kjo mbrëmje mbledh banorët e Stubllës nga vendi e diaspora, dhe miq të tyre. Sivjet, për shkak të gjendjes së krijuar në Kosovë, për shkak të vendimit të rëndë të Dhomave të Specializuara ndaj krerëve të UÇK-së, nuk pati muzikë live, si shenjë solidarizimi dhe mbajtje zie.
DITA E DYTË – 19 shtator 2026
Pjesa qendrore u zhvillua më 19 shtator, pranë Muzeut të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe fetare, akademikë, studiues, shkrimtarë, artistë, veprimtarë të kulturës dhe qytetarë të shumtë.
Pas intonimit të himneve shtetërore nga Kori “Siparantum”, fjalën e mirëseardhjes e mbajti kryetari i Këshillit Organizativ dhe famullitari i Stubllës, Don Fatmir Koliqi. Ai i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe për kontributin e vazhdueshëm që japin në zhvillimin dhe mbështetjen e “Takimeve të Dom Mikelit”.
Manifestimin e shpalli zyrtarisht të hapur Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Gjatë fjalës së tij, ai bëri zyrtare nisjen e procesit të beatifikimit të Martirëve të Karadakut, një ngjarje me rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore për këtë trevë dhe për gjithë Kosovën. Ky është procesi i parë i beatifikimit që nis zyrtarisht nga Dioqeza Prizren–Prishtinë, duke shënuar një moment historik për Kishën Katolike në Kosovë. Duke folur edhe për vendimin e Gjykatës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Imzot Gjergji përcolli mesazhin dhe qëndrimin e Kishës, duke bërë thirrje që shqiptarët të bashkohen si komb. Ky qëndrim mori jehonë edhe në mediat e Kosovës.
Me fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti. Ai vlerësoi vazhdimësinë e manifestimit, rëndësinë e tij për jetën kulturore e shkencore dhe kontributin në ruajtjen e kujtesës historike e të identitetit kombëtar. Kryetari Haliti ritheksoi gjithashtu mbështetjen e Komunës së Vitisë për “Takimet e Dom Mikelit”.
Manifestimin e përshëndeti edhe ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci. Ajo vlerësoi faktin se Stublla, përmes këtij manifestimi, solli përsëri në vëmendje një pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare. Bogujevci theksoi rëndësinë e veprimtarive që, përmes kulturës dhe dijes, ruajnë kujtesën dhe lidhjen me të kaluarën.
Me fjalë përshëndetëse u drejtuan edhe akademike Justina Shiroka-Pula, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, dhe akademiku Stefan Çapaliku, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Ata vlerësuan dimensionin shkencor, kulturor dhe kombëtar të “Takimeve të Dom Mikelit”, si dhe kontributin e manifestimit në ndriçimin e historisë, ruajtjen e kujtesës dhe nderimin e qëndresës e të sakrificës së Martirëve të Karadakut.
Programi u pasurua me paraqitjen artistike të Korit “Siparantum”, nën drejtimin e dirigjentit dhe kompozitorit Memli Kelmendi. Kori, i cili e ka përfaqësuar Kosovën në skena të rëndësishme ndërkombëtare, interpretoi “Anima Christi” të Marco Frisinës, me tenorin Rizah Jahaj, si dhe këngën “Mori drandofillja e vogël” të kompozitorit Mark Kaçinari.
Një nga pjesët qendrore të manifestimit ishte Tribuna Shkencore. Në kuadër të saj u paraqitën tri kumtesa, të cilat trajtuan periudha dhe dukuri të ndryshme historike, të lidhura nga përpjekja e shqiptarëve për ruajtjen e besimit, identitetit dhe vetëdijes kombëtare.
Kumtesën e parë, me titull “Fenomeni i kripto-kristianizmit nëpër shekuj”, e paraqiti Don Shan Zefi. Në këtë trajtesë, kripto-kristianizmi u shqyrtua jo vetëm si dukuri fetare, por edhe si formë e qëndresës, e ruajtjes së kujtesës dhe e mbrojtjes së identitetit në rrethana të vështira historike.
Don Lush Gjergji paraqiti kumtesën “Martirët dhe procesi dioqezan i beatifikimit”. Përmes saj u trajtuan rëndësia historike dhe shpirtërore e martirëve, dëshmia e tyre e besimit, si dhe puna institucionale e kishtare për dokumentimin dhe njohjen e sakrificës së tyre.
Kumtesa e tretë, me titull “Shqiptarët në Perandorinë Osmane, nga Tanzimati deri në Pavarësi: zhvillimet politike, shoqërore dhe kombëtare, 1839–1912”, ishte përgatitur nga prof. dr. Ethem Ceku. Për shkak të mungesës së tij, kumtesën e lexoi profesor Xhevat Beqiri.
Në këtë punim, çështja shqiptare u vendos brenda zhvillimeve të mëdha politike dhe shoqërore të kohës, që nga reformat e Tanzimatit deri te forcimi i lëvizjes kombëtare dhe shpallja e Pavarësisë.
Tri kumtesat sollën këndvështrime të ndryshme, por të ndërlidhura: ruajtjen e fshehtë të besimit, dëshminë e martirëve dhe rrugëtimin politik e kombëtar të shqiptarëve drejt Pavarësisë. Përmes tyre u dëshmua se historia shqiptare është ndërtuar mbi dijen, besimin, sakrificën dhe përpjekjen e vazhdueshme për ruajtjen e identitetit.
Pas përfundimit të Tribunës Shkencore, Nue Bekaj interpretoi një pjesë të shkëputur nga koreodrama kushtuar Martirëve të Karadakut.
Në pjesën kushtuar botimeve u promovuan dy vepra që, përmes studimit shkencor dhe rrëfimit letrar, sjellin dëshmi për martirët shqiptarë dhe sakrificën e tyre.
Studiuesi Sarë Gjergji paraqiti librin e Don Gjergj Gjergjit “Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846–1848”. Studimi trajton një periudhë të rëndësishme dhe të dhimbshme të historisë shqiptare, duke sjellë dëshmi për martirizimin dhe qëndresën e shqiptarëve gjatë këtyre viteve.
Libri i dytë ishte “Burrat e besës”, roman historik i Imzot Dodë Gjergjit, të cilin e paraqiti famullitari i Ferizajt, Don Mikel Sopi. Përmes këtij romani historik, historia, kujtesa dhe sakrifica e martirëve marrin formën e rrëfimit letrar. Të dyja veprat, njëra përmes studimit dhe tjetra përmes letërsisë, kontribuojnë në dokumentimin, njohjen dhe ruajtjen e kujtesës për martirët shqiptarë.
Në kuadër të manifestimit u ndanë edhe dy çmime tradicionale. Çmimi “Dom Gjergj Gjergji” iu nda profesor Muhamet Malajt, ndërsa Çmimi “Qeshk Shanë Ukaj” iu nda veteranit të arsimit Marjan Ukaj, në vlerësim të kontributit të tij shumëvjeçar në fushën e arsimit.
Programi vijoi me Orën e Madhe Letrare “Agim Ramadani”, një prej shtyllave tradicionale të “Takimeve të Dom Mikelit”, e cila bashkoi poetë dhe krijues nga treva të ndryshme shqiptare.
Çmimi i parë iu nda shkrimtarit Stefan Çapaliku për poezinë “Requiem për Franc Jozefin”. Çmimi i dytë iu nda poetes Naime Beqiraj, ndërsa çmimi i tretë poetes Ardita Lajçi-Gjocaj.
Në kuadër të edicionit të 37-të u prezantua edhe një ekspozitë me piktura dhe dokumente që lidhen me internimin dhe kujtesën e ngjarjeve historike të vitit 1846. Ekspozita, e përgatitur nga Don Fatmir Koliqi dhe kryetari i fshatit, Marjan Ramaj, solli një dimension të veçantë pamor dhe dokumentues të historisë së kësaj treve.
Programi i edicionit të 37-të të “Takimeve të Dom Mikelit” u moderua nga Nikollë D. Ukaj dhe Prishila Ramaj.
Dita qendrore u përmbyll me një drekë të përbashkët, të përgatitur nga Grupi i Grave të Famullisë së Stubllës. Kontribut të veçantë në mbarëvajtjen e aktivitetit dha edhe Grupi i të Rinjve të Famullisë, i cili u kujdes për protokollin dhe pritjen e pjesëmarrësve.
DITA E TRETË – 20 shtator 2026
Dita e tretë e takimeve u mbajte në Kishën e Shën Ndout në Binçë, me meshën e shenjtë në orën 18:00, gjatë së cilës u lexua dekreti i fillimit të nisjes së hetimeve për beatifikimin e martirëve të Kosovës 1846-1848, dhe shpallja e postullatorit të këtij procesi, Don Lush Gjergji. Kjo ditë bashkoi krejt Kishën e Kosovës, në krye me Imzot Dodë Gjergjin, meshtarë, rregulltarë e rregulltarë e popullin e Zotit, pasi shënon një moment të rëndësishëm hiri për Kishën tonë dioqezane.
Edicioni i 37-të i “Takimeve të Dom Mikelit” dëshmoi edhe një herë se ky manifestim mbetet një pikëtakim i rëndësishëm i historisë, shkencës, kulturës, letërsisë, muzikës, artit dhe trashëgimisë.
I zhvilluar pranë Muzeut të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, manifestimi riktheu në kujtesën kolektive një kapitull të dhimbshëm të historisë dhe nderoi përpjekjet e brezave për ruajtjen e besimit, gjuhës, dijes dhe identitetit kombëtar.

Postimi i Mëparshëm
