U PËRURUA ROMANI “MOLLA” I ZEJNULLAH RRAHMANIT

Në kuadër të takimeve kulturore “Pena e Dritës”, mbrëmë në bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, u përurua romani “Molla” i autorit Zejnullah Rrahmani, për të cilin folën studiuesit Prof. asoc. dr. Elsa Skënderi Rakipllari dhe akademik Kujtim M. Shala. Në këtë manifestim të veçantë kulturor morën pjesë anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, mësimdhënës universitarë, studiues e shkrimtarë të dalluar të letërsisë sonë.

Duke e cilësuar romanin “Molla” si veprën më të madhe letrare të dashurisë në letërsinë shqipe, studiuesja Elsa Skënderi Rakipllari, ndër të tjera, theksoi: “Koncepti klasik – i gruas së përkryer e të adhurueshme, që e njohim si idealitet estetik thuajse kanonik të romantizmit, në veprën “Molla”, shkon dhe ndërthuret me një konceptim më bashkëkohor për erosin në letërsi. Gruaja – e dashura vendoset në kontekstin jetësor bashkëkohor dhe përmes figurës së saj shenjohet një kontekst referencial i njohur për lexuesin; kohët tona, zhvillimet e njohura të shoqërisë bashkëkohore dhe referencat lehtësisht të gjetshme në topikën e qytetit të Prishtinës. Dashuria në veprën “Molla” nuk është aq mitike sa të ndodhë mes njerëzish e perëndish, as mes njerëzish që gëzojnë qytetari veç në rrugët fiksionale të letërsisë, por mes njerëzve të “vërtetë”, të pikasshëm në “realitetin” tonë. Në të vërtetë, gjasmimi është trilli më fantastik që ia jep statusin letrar një vepre. Në këtë vepër e vërtetëdukshmja e dashurisë moderne prej gjuhës dhe referencave të tilla konkrete shkon e finalizohet si idealitet romantik klasik për dashurinë”.

Gjithashtu, studiuesja Skënderi Rakipllari, tha se “pavarësisht vëllimit të madh tekstual të veprës (mbi njëmijë faqe) dhe ndarjes në tri pjesë (vëllime) të librit, rrëfenjat përbërëse të “Mollës” mund të lexohen më vete dhe sipas një rendi krejtësisht të lirë, çka nuk e pengon subjektin e romanit që për fund të përthekohet e shkojë në vendin e vet, duke e paraqitur prapë tërësinë tekstuale si të lidhur e të kryer”.

“Në veprën “Molla” një sërë motivesh funksionalizohen si fill i kuq lidhës i veprës. Më domethënësi ndër to është motivi i librit. Libri nuk është thjesht vepra konkrete, e titulluar “Molla”. Por libri është magnum opus-i i gjithë jetës në dashuri; është një diskurs i tërë vetëreflektues për qenien në dashuri e në jetë; Libri është dëshmi e patjetërsueshme, artefakt që e mposht kohën dhe harresën; është mediumi filozofik e estetik i shkrimtarit; Libri është arti i tij në kërkim të pasosur për gjuhën dhe figurën e dashurisë. Ai libër zë fill që me dashurinë dhe ti-ja pritëse e këtij rrëfimi të pashoq, di si ta lexojë atë”, ka theksuar ajo.

Ndërsa, akademik Kujtim M. Shala, përveçqë i ka bërë një analizë shteruese romanit “Molla”, ka paraqitur para të pranishmëve një lexim shterues të tërë krijimtarisë letrare të Zejnullah Rrahmanit, duke e cilësuar atë si autor përfaqësues të letërsisë shqipe.

Vetë autori, romancieri Zejnullah Rrahmani ka prezantuar një pamje shumë interesante për dashurinë në letërsi, madje duke nisur që nga “Epi i Gilgameshit”, Homeri, tekstet e shenjta, letërsia e Lindjes e deri te letërsia bashkëkohore.

Me një fjalë të shkurtër, romanin “Molla” dhe tërë veprën e madhe letrare të Zejnullah Rrahmanit e ka vlerësuar edhe akademik Ali Aliu, ndërsa me disa pika të zgjedhura artistike përurimin e kanë begatuar artistët e rinj, Shpëtim Mehmeti, piano, dhe Doruntina Gjini, solokëndim. (drita)

Shpëndaje: