Nis procesi i lumnimit për Maria Middleton, një adoleshente nga Pensilvania (SHBA)

Anëtarët e Konferencës Ipeshkvore të Shteteve të Bashkuara (USCCB) votuan për të çuar përpara çështjen e lumnimit të Maria Middletonit, një adoleshente nga Pensilvania, e cila vdiq në vitin 2020. Që çështja e lumnimit të mund të niset, duhet ta miratojnë ipeshkvinjtë e rajonit përkatës. Ky miratim i jep ipeshkvit vendor, të dioqezës së personit, autorizimin të mbledhë të gjitha dokumentet e nevojshme dhe t’ia paraqesë Vatikanit për shqyrtim.

 

Ne jemi mësuar t’i mendojmë shenjtërit e Kishës si njerëz në moshë e të largët në kohë, por shenjtëria arrihet edhe në të rinjtë e të rejat e ditëve tona, që jetojnë një jetë krejt të zaknshme, por me një përshpirtëri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, në të cilët Zoti vepron me hirin e tij. Pas shenjtërit të të rinjve, italianin Karlo Akutis, që vitin e kaluar Kisha e shpalli të shenjtë, një lajm i mirë na vjen nga SHBA-ja: ka nis procesi i lumnimit për adoleshenten Maria Middleton, nga Pensilvania.

Së fundmi, ipeshkvijtë amerikanë votuan në favor të çështjes së lumnimit të Maria Middleton, duke e çuar atë në fazën e ardhshme. Tani, Imzot Nelson J. Pérez,  mund të vazhdojë hetimin mbi jetën e Maria Middletonit, për të zbuluar nëse ajo ka jetuar me virtyte heroike. Pasi të përcaktohet kjo, të gjitha dokumentet dhe dëshmitë do të mblidhen e do të dërgohen në Romë për një vlerësim dhe shqyrtim fillestar.

 

Kush ishte Maria Middleton?

Maria lindi në Doylestown të Pensilvanisë, më 10 shtator 2002. Ajo bëri një jetë “të zakonshme” si adoleshente, por ruajti një dashuri të thellë dhe të qëndrueshme për Zotin. Ajo merrte pjesë shpesh në adhurimin eukaristik në Shenjtëroren Kombëtare të Zojës së Çestohovës, në Doylestown të Pensilvanisë.

Gjatë rritjes, ishte aktive në shkollë: u zgjodh kryetare e klasës dhe u bë anëtare e National Honor Society. Ajo nisi fushata për mbledhjen e palltove dhe organizoi një maratonë vallëzimi për fëmijët që përballeshin me kancerin. Nuk e dinte se një ditë edhe vetë do të preket prej kësaj sëmundje të rëndë.

Maria zgjodhi Shën Gjon De’Ark si shenjtëreshën pajtore të saj të krezmimit dhe ishte e gatshme të përballonte çdo betejë shpirtërore që i dilte përpara.

Kur ishte 16 vjeçe, Maria u diagnostikua me një tumor malinj të trurit, të paoperueshëm. Disa vite më vonë, në vitin 2020, ajo ndërroi jetë në moshën 18-vjeçare.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Maria ruajti një besim të thellë te Zoti, duke ia besuar Atij gjithçka. Fjalët e saj të fundit të shkruara ishin: “Mendo me shpresë”.

Pak pas vdekjes së saj, u krijua fondacioni “Mendo me shpresë”, për të vijuar trashëgiminë e Marisë në ndihmë të njerëzve në nevojë.

(marrë nga aleteia.org)

Shpëndaje: