
Firence nderon kardinalin Ernest Simoni, me ceremoninë e dorëzimit të Fiorino d’Oro, vlerësimi më i lartë i Bashkisë. Ceremonia u zhvillua në Sallën e Elementeve të Palazzo Vecchio-s, në prani të ipeshkvit të Firences, imzot Gherardo Gambelli, të autoriteteve civile, ushtarake dhe fetare, si edhe të ambasadores së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj, dhe të Familjes së Flamurit të qytetit të Firences. Ceremonia u mbajt në shenjë mirënjohjeje ndaj një njeriu që ka përjetuar përndjekjen dhe burgimin pa hequr dorë kurrë nga besimi dhe vlerat e faljes, paqes e pajtimit. Ky vlerësim jepet në vitin e 70-vjetorit të shugurimit meshtarak dhe të 10-vjetorit të kardinalatit të At Ernestit, i cili prej vitesh jeton në Firence dhe ka krijuar një lidhje të thellë me komunitetin e qytetit.
«Kardinali Simoni është bërë pikë referimi për shumë prej nesh dhe për shumë qytetarë, si besimtarë, ashtu edhe pjesëtarë të besimeve të tjera. Ai është simbol i besimit, i qëndresës, por mbi të gjitha i faljes dhe i lirisë së ndërgjegjes. Historia e At Ernestit na mëson se edhe përballë sprovave më të rënda mund të zgjedhim të mos i dorëzohemi urrejtjes dhe të vazhdojmë të besojmë te njerëzimi, — deklaron kryetarja e Bashkisë, Sara Funaro. — Jeta e tij është një dëshmi e jashtëzakonshme guximi dhe shprese, që u flet të gjithëve. Firence është krenare që e ka pritur dhe që mund ta konsiderojë pjesë të komunitetit të saj. Me Fiorino d’Oro duam t’i shprehim mirënjohjen dhe dashurinë e një qyteti të tërë, por edhe t’u përcjellim brezave të rinj vlerën e shembullit të tij: paqja, liria dhe respekti për dinjitetin njerëzor nuk janë arritje të garantuara njëherë e përgjithmonë, por përgjegjësi që secili prej nesh duhet t’i ruajë çdo ditë».
Ky është motivacioni i dhënies së Fiorino d’Oro:
«Qyteti i Firences i jep Fiorino d’Oro Shkëlqesisë së Tij, kardinalit Ernest Simoni, i njohur për të gjithë “At Ernest”, në 70-vjetorin e shugurimit të tij meshtarak dhe në 10-vjetorin e kardinalatit, që i kremton në Firence, në shenjë mirënjohjeje të thellë për shërbesën e tij të palodhur ungjillore dhe dëshminë e tij të palëkundur të jodhunës. Këtë dëshmi e dha si i burgosur gjatë viteve të përndjekjes nga diktatura në Shqipëri, por edhe më pas, si njeri i lirë gjatë rindërtimit, kur punoi për të shëruar plagët e thella të vendit të tij, duke kundërshtuar mëritë dhe hakmarrjet e mundshme dhe duke nxitur pajtimin e thellë. “Dëshmor i gjallë” i kohës sonë, At Ernesti është bërë simbol i besimit, qëndresës, faljes dhe lirisë së ndërgjegjes. Që prej shpërnguljes në Firence, ai i ka qëndruar pranë qytetit të tij të ri, shpirtërisht dhe njerëzisht, duke mishëruar vlerat e tij më të larta: paqen, humanizmin, vëllazërinë, ruajtjen e traditave, integrimin, kujdesin dhe vëmendjen ndaj brishtësive individuale e kolektive».
Me ceremoninë e sotme, Firence ripohon vlerësimin e saj për një figurë që e ka kthyer përvojën e vuajtjes në dëshmi shprese, dialogu dhe vëllazërie.

Postimi i Mëparshëm
