
E diele – Festa e Shën Pjetrit dhe Shën Palit – viti V
Leximi i parë Vap 12, 1-11
Pjetri përgatitet të kremtojë Pashkët hebraike, kur ndodh arrestimi i tij. Ai kremton një pashkë të ndryshme nga ajo që priste, por të njëjtë me atë të Mësuesit. E kremton, jo për të përkujtuar ikjen prej Egjiptit, por arratisjen e tij personale prej Jeruzalemit. Pashka e tij është çlirimi përfundimtar nga judaizmi dhe nga varësia e tij, është refuzimi i legalizmit hebraik, për tu bërë të njohur shpëtimin edhe paganëve.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë Herodi mbret filloi të salvojë disa anëtarë të Kishës. Me shpatë e preu Jakobin, të vëllanë e Gjonit. E kur hetoi se kjo gjë po u pëlqente judenjve, mendoi të burgosë edhe Pjetrin. Ishin ditët e bukëve të pabrume. E pasi e kapi, e qiti në burg dhe ua dha ta ruajnë katër skuadra, secila e përbërë nga katër ushtarë, me qëllim që mbas Pashkëve ta qesë para popullit. Kështu pra, Pjetri ruhej në burg, por urata e përzemërt e Kishës ngritej vazhdimisht para Hyjit për të. Atë natë, para se Herodi mendonte ta qesë para popullit, Pjetri flinte në mes dy ushtarëve, i lidhur në dy palë hekura, e para derës rojtarët ruanin burgun. Dhe ja, engjëlli i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi dhomën. Engjëlli i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi dhe i tha: “Çohu shpejt!” Prej duarve i ranë hekurat. Engjëlli i tha: “Ngjeshu dhe lidhi sandalet!” Ai bëri ashtu. Përsëri i tha engjëlli: “Veshu petkun tënd dhe eja pas meje!” Pjetri doli dhe po i shkonte pas. Nuk ishte i vetëdijshëm se çka po ngjante me anë të engjëllit ishte e vërtetë, por ai kujtonte se kishte një vegim. Kaluan rojën e parë dhe të dytën, edhe arritën te dera e hekurt që shpie në qytet. Kjo u hap vetvetiu. Ata dolën, kaluan një rrugë e atëherë papritmas engjëlli u nda prej tij. Atëherë Pjetri erdhi në vetë e tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti e paska dërguar engjëllin e vet për të më shpëtuar nga dora e Herodit dhe prej gjithçka priste populli i judenjve.” Fjala e Zotit.
Psalmi 34
Ref: Qoftë bekuar Zoti që i liron miqtë e vet
———————————
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
———————————
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
———————————
Shikojeni atë e do të ndriçoheni,
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
———————————
Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!
———————————
Leximi i dytë 2 Tim 4, 6-8.17-18
Pali ndjen afër vdekjen e tij, i braktisur prej të gjithëve, nuk ka humbur asgjë nga besimi i tij. Dëshiron të vdesë ashtu si ka jetuar; agonia e tij është një luftë, si ajo e Jezusit. Por në kopshtin e Ullinjve i gjithë ankthi i njerëzve u hyjnizua. Vdekja është ora e së vërtetës: jo sepse njerëzit tregojnë se çfarë janë me të vërtetë, por sepse vdekja mund të zbulojë thellësinë e besimit të tyre.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, sa për mua, gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit, dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë ditë do të ma japë Zoti, gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri ardhjen e tij. Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve. Vetë Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen! Fjala e Zotit.
Aleluja
Ti je Pjetër – Shkëmb; dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!
Aleluja
Ungjilli Mt 16, 13-19
Simoni i jep Jezusit titullin e Mesisë, dhe Jezusi i cakton titullin mesianik “Gur”. Arsyeja kryesore, për të cilën është quajtur gur ose shkëmb mbi të cilin është ndërtuar Kisha, është besimi që ka dëshmuar hapur. Ka qenë zëri përcjellës i besimit të apostujve, që është në bazë të ekzistencës së tyre dhe e bashkimit të tyre. Pjetri ka si detyrë edhe të konfirmojë besimin dhe të garantojë bashkimin mes besimtarëve në dashuri dhe bamirësi.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.” “Po ju – u tha atyre – ç’thoni: kush jam unë?” Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!” Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Pjetri dhe Pali janë quajtur dy shtyllat e Kishës dhe janë kujtuar gjithmonë së bashku në Liturgjinë dhe traditën e Kishës. Nëse Kisha i bashkon, e bën këtë për të nxjerrë në pah mrekullitë e hirit në zemrat e brishta të dy miqve të mëdhenj dhe apostujve të Krishtit.
Pjetri ishte peshkatar dhe takon Jezusin e Nazaretit, i cili i ndryshon emrin nga Simon, në Pjeter (në latinisht Gur), që ai të bëhej guri themelor i bashkësisë së re. Pas Ngjitjes në Qiell, Pjetri udhëhoqi bashkësinë e re, duke shpallur Lajmin e Mirë të Mbretërisë së Hyjit. Ai qe ndër të parët që u bë i vetëdijshëm për nevojën për të mirëpritur paganët në Kishë. Kur erdhi në Romë, Pjetri u bë apostulli i të gjithëve, guri i themelit që bashkon hebrenjtë dhe paganët në një ndërtesë të vetme.
Shën Pali, i goditur nga fuqia e Krishtit, pasi i kishte persekutuar dhunshëm të krishterët, merr Pagëzimin dhe i përkushtohet predikimit të Lajmit të Mirë. Ai mbështetet nga hiri i Hyjit, i cili i beson misionin e apostullit mes paganëve. Ai vdes në Romë pasi ka bërë katër udhëtime misionare dhe pasi ka shkruar, nën frymëzimin e Shpirtit, katërmbëdhjetë letra.
Pjetri dhe Pali: dy emra që gjatë shekujve kanë personifikuar të gjithë Kishën në traditën e saj të pandërprerë. Pse gëzohemi për këta apostuj? Sepse kanë luftuar luftën e mirë, kanë përfunduar vrapimin, kanë ruajtur besimin, dhe me gjakun e tyre i kanë dhënë themel Kishës së Romës. që kryeson në dashuri? .
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, në të kremten e dy shenjtërve apostuj Pjetrit dhe Palit, t’i kërkojmë Hyjit hirin që të dimë të vlerësojmë dhuratën, që na është dhuruar nëpërmjet Pagëzimit, t’i përkasim Kishës së Krishtit, themeluar mbi dëshminë dhe shenjtërinë e apostujve.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Zot.
L. Për Kishën të themeluar nga Krishti mbi Pjetrin: që të përparojë mes vështirësive dhe përpjekjeve pa u lodhur kurrë e pa braktisur rrugën e saj. Të lutemi.
L. Për barinjtë e Kishës: që të dinë të sjellin në mënyrë të përshtatshme në kulturën e sotme vlerat e shumta të Ungjillit. Të lutemi.
L. Për martirët e rinj të Kishës së Hyjit: që dëshmia e tyre të lindë të krishterë të rinj dhe të dhurojë fryte shenjtërie për Kishën. Të lutemi.
L. Për ata që shohin në Kishën vetëm difektet, e dënojnë dhe e braktisin: që të zbulojnë fytyrën hyjnore të Kishës dhe të qëndrojnë besnike ndaj saj. Të lutemi.
M. Pranoje, o atë lutjen që Kisha jote të drejton me ndërmjetësinë e shenjtërve Pjetrit dhe Palit dhe bëj që ne të të shërbejmë me përvujtëri dhe besim. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
(ecclesia.al)