
Murgesha e vogël dhe pasardhësi i Pjetrit: dy gjigantë të bashkuar nga lutja dhe dashuria, në një harmoni të plotë në dëshminë e fesë dhe në mbrojtjen e jetës që nga kraharori i nënës. Një kujtim të lumturimit të Shenjtëreshës sonë, Shën Nënë Tereza (19 tetor 2003) nga Papa Gjon Pali II.
Nga Antonio Tarallo
“Me dëshminë e jetës së saj, Nënë Tereza ua kujton të gjithëve se misioni ungjillizues i Kishës kalon nëpërmjet dashurisë, i ushqyer prej lutjes dhe dëgjimit të fjalës së Zotit. Emblematike për këtë stil misionar është imazhi që paraqet të Lumturën e re duke shtrënguar, me njërën dorë, dorën e një fëmije, dhe me tjetrën duke lëvizur rruzaren. Soditje dhe veprim, ungjillizim dhe promovim njerëzor”. Këto janë fjalët e Shën Gjon Palit II, të shqiptuara gjatë ceremonisë së lumturimit të Nënës Terezë të Kalkutës (Shkup, 26 gusht 1910 – Kalkutë, 5 shtator 1997), e cila më vonë u kanonizua nga Papa Françesku, më 4 shtator 2016. Papa polak vuri në pah atë që ishte tipari kryesor i shenjtëreshës sonë: dashurinë. Dhe pikërisht kjo e fundit ishte bërthama qendrore e miqësisë së tyre. Një miqësi që lindi gjatë udhëtimit apostolik në Indi (1 – 10 shkurt 1986), të cilin Papa dëshiroi ta ndërmerrte për të qenë pranë një populli të zhytur në varfëri dhe, njëkohësisht, aq të etur për Krishtin.
Në atë rast, Shën Gjon Pali II deshi të vizitonte Nirmal Hriday, shtëpinë për më të varfrit ndër të varfër, për lebrosët që ishin pranë vdekjes, të cilën Nënë Tereza e kishte themeluar në Kalkutë. Ishte 3 shkurti 1986. Ishte hera e parë që dy kolosët e dashurisë takoheshin. “Nirmal Hriday dëshmon për dinjitetin e thellë të çdo qenieje njerëzore. Kujdesi plot dashuri që shohim këtu, është dëshmi e bindjes se vlera e njeriut nuk matet me dobinë e mendjes, me shëndetin apo me sëmundjen, me moshën, besimin apo racën. Dinjiteti ynë njerëzor na vjen nga Hyji, Krijuesi ynë, në përngjasimin e të cilit jemi krijuar. Asnjë privim apo vuajtje nuk mund ta zhdukë këtë dinjitet, sepse ne jemi gjithmonë të çmuar në sytë e Zotit”, — kështu u shpreh Ati i Shenjtë gjatë asaj vizite të famshme.
Të dy e kuptuan njëri-tjetrin që në çastin e parë: një harmoni dhe përputhje e përsosur midis tyre. Në qendër – lutja dhe dashuria. Që prej atij momenti ekzistojnë shumë imazhe që dëshmojnë këtë miqësi, e cila nuk ishte vetëm ajo mes një rregulltareje dhe pasardhësit të Pjetrit në fronin papnor. Ishte diçka shumë më tepër: një dialog ndërmjet zemrave, shpirtrave dhe ëndrrave. Fotografitë që njohim kanë bërë xhiron e botës: ai – i gjatë, fisnik e shtatlartë; ajo – e vogël, e përkulur mbi vetveten, sikur të mbante gjithnjë mbi supe çdo dhimbje të vogël të ndonjë të varfëri të Kalkutës. Ballë për ballë me njëri-tjetrin. Dhe në atë dallim të dukshëm lartësie, sytë e tyre megjithatë takoheshin: secili me barrën e vet të dashurisë. Shën Nënë Tereza e quajti 3 shkurtin 1986 si ditën më të bukur të jetës së saj: “Papa” i saj”, Ati i Shenjtë i Kishës së Romës, kishte dëgjuar britmën e shumë “të padukshmëve”, të shumë të varfërve që shoqëria (jo vetëm ajo e Kalkutës) i kishte flakur në skutat e botës. Ndërsa Shën Gjon Pali II mbeti thellësisht i prekur — pa e fshehur emocionin — nga ai takim i tyre i parë, duke e përkufizuar shtëpinë e Nirmal Hriday si një “vend që dëshmon për përparësinë e dashurisë.”
Nga takimi i vitit 1986 lindi një projekt i rëndësishëm dhe i paprecedentë: “Dhurata e Marisë”, mensa për të varfërit që drejtohet nga Misionaret e Dashurisë, kongregata e themeluar me frymëzim nga Nënë Tereza, brenda Vatikanit, vetëm pak metra larg pallatit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Bekimi i parë u bë më 17 qershor 1987, ndërsa hapja zyrtare ndodhi më 20 maj 1988. Kishin kaluar dy vjet nga takimi në Kalkutë. Shën Nënë Tereza, pra, me kongregatën e saj rregulltare, hyri në “qytetin” e Papës: një ide që në atë kohë ishte padyshim mjaft origjinale. E megjithatë, murgesha shqiptare arriti ta realizonte ëndrrën e saj për të hapur një shtëpi mikpritjeje në Shtetin e Vatikanit.
Si ndodhi kjo? Këtë “prapaskenë” e tregoi Joaquín Navarro-Valls, atëherë drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit, i cili shumë vite më vonë, në prag të kanonizimit të Nënë Terezës (4 shtator 2016), foli në një intervistë për Radio Vatikanin mbi marrëdhënien midis të dyve: “Ekzistonte një lidhje e jashtëzakonshme midis këtyre dy personaliteteve të mëdha të epokës sonë, të cilat ishin aq të ndryshëm nga njëri-tjetri për nga formimi, për nga historia, për nga biografia: ishin krejtësisht të ndryshëm! Por kishte midis tyre një bashkim qëllimesh dhe një mirëkuptim të jashtëzakonshëm, që bëhej i dukshëm sidomos kur takoheshin jashtë takimeve zyrtare.” Dhe lidhur me themelimin e kësaj shtëpie mikpritjeje, ai shtoi: “Ideja lindi gjatë një bisede midis tyre në Vatikan… Kur Papa pastaj e kishte menduar për pak kohë, tha: Të bëhet! – Mund të bëhet!.”
Takime personale dhe të mbushura me dashuri e respekt të ndërsjellë në Vatikan. Mund ta imagjinojmë intensitetin dhe madhështinë e atyre takimeve: rregulltarja përballë papës, duke kërkuar ndihmë për misionin e saj. Ato duar të bashkuara, të drejtuara kah qielli në shenjë lutjeje të përhershme, që më pas hapeshin për të shtrënguar dorën e papës polak dhe për të puthur unazën e Pjetrit — në shenjë nderimi të plotë ndaj Kishës së Romës, si dhe në shenjë admirimi të thellë dhe dashurie ndaj mikut të saj vëllazëror. Kështu ndodhi edhe gjatë udhëtimit apostolik në Shqipëri, kur për ta pritur Gjon Palin II në Tiranë më 25 prill 1993, ishte pikërisht ajo: Shën Nënë Tereza.
Por ndër shumë temat që bashkuan këta dy kolosë të fesë në një miqësi, që aq shumë kujton atë midis Shën Françeskut të Asizit dhe Shën Kjarës, është e rëndësishme të kujtohet ajo e mbrojtjes së jetës që nga ngjizja. Një angazhim që, si shenjti polak, ashtu edhe Shën Nënë Tereza, e përsëritën në shumë raste. Në këtë kontekst duhet kujtuar një datë e rëndësishme në biografinë e shenjtores rregulltare: 17 tetor 1979. Gjon Pali II ishte zgjedhur rreth një vit më parë, më 16 tetor 1978. Fjalimi i Nënë Terezës me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe mbetet në kujtesën e të gjithëve: “Shkatërruesi më i madh i paqes sot është aborti.” Gjon Pali II, gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, në Enciklikën e tij Evangelium Vitae (25 mars 1995), shkroi fjalë po aq të forta kundër abortit: “Pranimi i abortit në mendësi, në zakone dhe në vetë ligjin është një shenjë e qartë e një krize shumë të rrezikshme të ndjenjës morale, e cila po bëhet gjithnjë e më e paaftë për të dalluar të mirën nga e keqja, madje edhe kur është në rrezik e drejta themelore për jetën.”
Marrë nga Storia di un’amicizia: Giovanni Paolo II e Teresa di Calcutta – La Nuova Bussola Quotidiana
Përkthimi: Rev. “Drita”