Papa Leoni XIV: Katekeza mbi Sacrosanctum Concilium, 2. Reforma e liturgjisë: tradita dhe zhvillimi

Në enciklikën Mediator Dei, i Nderuari Piu XII shkruan se: “Kisha është një organizëm i gjallë dhe, për këtë arsye, edhe për sa i përket liturgjisë së shenjtë, duke ruajtur të paprekur integritetin e mësimit të saj, rritet dhe zhvillohet, duke iu përshtatur dhe duke u përputhur me rrethanat dhe nevojat që paraqiten gjatë rrjedhës së kohës” (I, V).

Në vazhdimësi të plotë me këtë parim, Koncili II i Vatikanit, në hyrjen e Kushtetutës Sacrosanctum Concilium (SC), pranon se “e ka për detyrë të merret në mënyrë të veçantë edhe me reformën dhe promovimin e liturgjisë” (nr. 1). Në të vërtetë, kuvendi konciliar ishte mbledhur me qëllimin “që ta rrisë çdo ditë e më shumë jetën e krishterë të besimtarëve, t’i përshtatë më mirë me nevojat e kohës sonë ato institucione që u nënshtrohen ndryshimeve, të përkrahë gjithçka që mund të ndihmojë në bashkimin e të gjithë besimtarëve në Krishtin dhe të përforcojë atë që është e dobishme për t’i thirrur të gjithë në gjirin e Kishës” (po aty).

Në atë moment historik ndihej fort nevoja për një ripërtëritje të formave rituale, nëpërmjet të cilave Kisha, prej shekujsh, kishte kryer lavdërimin e Hyjit dhe shenjtërimin e popullit të krishterë. Falë Lëvizjes Liturgjike ishte pjekur bindja, e shprehur më vonë nga Shën Gjon Pali II, se “ekziston një lidhje shumë e ngushtë dhe organike ndërmjet ripërtëritjes së liturgjisë dhe ripërtëritjes së tërë jetës së Kishës. Kisha jo vetëm vepron, por edhe shprehet në liturgji dhe prej liturgjisë merr forcën për jetën” (Dominicae Cenae, 13).

Për të favorizuar qasjen e besimtarëve në pasurinë e dhuratave të hirit që shpërndahen prej liturgjisë së shenjtë, Kushtetuta Sacrosanctum Concilium tregon, me një formulim shumë domethënës, drejtimin që duhet ndjekur: “të ruhet tradita e shëndoshë dhe të hapet rruga për një përparim të ligjshëm” (SC, 23).

Papa Benedikti XVI pa në këtë deklaratë qëllimesh “programin e reformës” së Etërve Konciliarë, “në baraspeshë me traditën e madhe liturgjike të së kaluarës dhe të ardhmen”. Ai vërente se “jo rrallëherë tradita dhe përparimi vihen përballë njëri-tjetrit në mënyrë të pasaktë”, ndërsa “në të vërtetë, këto dy nocione plotësojnë njëra-tjetrën: tradita përfshin në vetvete, në njëfarë mënyre, edhe përparimin. Sikur të thuhej se lumi i traditës e mbart në vetvete edhe burimin e tij dhe çon drejt grykëderdhjes së vet” (Fjalim pjesëmarrësve në Kongresin për 50-vjetorin e themelimit të Institutit Papnor Liturgjik të Shën Anselmit, 6 maj 2011).

Koncili pohon legjitimitetin e këtij përparimi të rrënjosur në Traditën autentike, duke dalluar brenda liturgjisë “një pjesë të pandryshueshme, sepse është me themelim hyjnor”, nga “pjesë që janë të ndryshueshme dhe që, gjatë kohës, mund ose madje duhet të ndryshojnë, nëse në to janë hyrë elemente që nuk i përgjigjen më aq mirë natyrës së brendshme të vetë liturgjisë ose që janë bërë më pak të përshtatshme” (SC, nr. 21). Ndryshime të tilla kanë ndodhur vazhdimisht gjatë shekujve, me qëllim që t’u mundësohet besimtarëve një pjesëmarrje më e frytshme, nëpërmjet veprimeve rituale, në misterin pashkvor të Krishtit, themeli i fesë së krishterë. Kulti i Kishës është “mishëruar” kështu në format kulturore të çdo epoke dhe ka qenë i aftë të ndikojë mbi to, madje edhe t’i shndërrojë ato. Në këtë mënyrë, liturgjia ka qenë për shekuj me radhë një forcë nxitëse e ungjillizimit. Sot është e nevojshme të ripërtërihet kjo energji në vazhdimësi me traditën autentike dhe të gjallë katolike, domethënë sipas një dinamike që synon t’i çojë besimtarët drejt plotësisë të së vërtetës.

Kuptohet, atëherë, pse Etërit e Koncilit propozuan që rishikimi i riteve, kur i përgjigjet “një dobie të vërtetë dhe të provuar të Kishës”, të bëhet gjithmonë “me kujdesin që format e reja të burojnë në njëfarë mënyre organikisht prej atyre ekzistuese” (SC, nr. 23). Për të mirën e mbarë Kishës, çdo reformë duhet të paraprihet gjithmonë nga “një kërkimi të kujdesshëm teologjik, historik dhe baritor” (po aty). Në këtë mënyrë, Magjisteri konciliar fton që të shmanget hutimi i besimtarëve, duke i ftuar të gjithë që, me nismën e tyre personale, të mos guxojnë të shtojnë, të heqin ose të ndryshojnë diçka në çështjet liturgjike (khs. SC, nr. 22). Përparimi për të cilin flet Kushtetuta konciliare nuk e cenon aspak bashkimin kishtar; përkundrazi, synon ta forcojë dhe ta nxisë atë.

Prandaj, i nxis të gjithë ata që janë të thirrur të përgatisin kremtimin e mistereve hyjnore, e në mënyrë të veçantë meshtarët që kryejnë shërbesën e kryesimit liturgjik, që të ruajnë gjithmonë atë respekt ndaj teksteve dhe normave të liturgjisë, i cili buron nga qëndrimi i brendshëm i gatishmërisë dhe i besimit në Hyjin, duke shfaqur përvujtëri para madhështisë së Tij dhe  besnikëri të sinqertë ndaj bashkimit kishtar.

Shpëndaje: