Aktualisht Presidente e Drejtore Operative e EWTN News, Maria Montserrat Alvarado do të pasojë Paolo Ruffini-n në nëntor, duke vijuar rrugëtimin e reformës së Kuries Romake të nisur nga Papa Françesku
Papa Leoni XIV ka emëruar Maria Montserrat Alvarado-n, aktualisht Presidente dhe Drejtore Operative e EWTN News, prefekte të re të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin, për Media, duke filluar nga data 1 nëntor 2026.
E lindur në Qytetin e Meksikos (Città del Messico), Alvarado ka përfunduar titujt akademikë pranë Florida International University dhe George Washington University. Nga viti 2009 deri në vitin 2023, ajo ka mbajtur pozicione drejtuese pranë Becket Fund for Religious Liberty, duke u angazhuar në nisma të dedikuara për mbrojtjen e lirisë fetare dhe promovimin e dinjitetit njerëzor. Që nga viti 2023, Alvarado mban postin e Presidentes dhe Drejtores Operative të EWTN News, fusha e gazetarisë së Eternal Word Television Network, duke mbikëqyrur platforma mediatike ndërkombëtare që prodhojnë përmbajtje në shtatë gjuhë të ndryshme përmes televizionit, radios, shtypit të shkruar, mediave digjitale dhe rrjeteve sociale.
Me emërimin e Alvarados, Papa Leoni XIV vazhdon rrugën e reformës dhe rinovimit të Kuries Romake të nisur nga Papa Françesku, i cili e ka rritur numrin e besimtarëve laikë, burra e gra me detyra udhëheqëse dhe përgjegjësi në shërbim të Kuries Roma dhe e të Kishës universale. Alvarado është gruaja e parë jorregulltare (laike) që emërohet prefekte e një dikasteri të Selisë së Shenjtë.
I rithemeluar nga Papa Françesku më 27 qershor 2015 në kuadër të reformës së Kuries Romake, Dikasteri i Vatikanit për Komunikimin Shoqëror mbikëqyr sistemet e komunikimit të Selisë së Shenjtë, duke përfshirë Vatican News, Radio Vatikanin, L’Osservatore Romano, Vatican Media (shërbimet fotografike, audio dhe video), Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, Shtëpinë Botuese të Vatikanit (Libreria Editrice Vaticana), Shtypshkronjën e Vatikanit dhe Arkivin e Filmit të Vatikanit (Filmoteca Vaticana). Përveç funksioneve operative dhe teknologjike që i janë caktuar, Dikasteri i Vatikanit për Komunikimin Shoqëror thellon dhe zhvillon gjithashtu edhe aspekte teologjike dhe baritore të aktivitetit të Kishës në fushën e komunikimit. Alvarado do të pasojë dr. Paolo Ruffini-n, të cilin Papa Françesku e pati emëruar në vitin 2018 si prefektin e parë laik të një dikasteri të Kuries Romake dhe që do të mbushë 70 vjeç në tetorin e ardhshëm.
Në një deklaratë të botuar pas njoftimit të emërimit, Alvarado pohoi: “Ndonëse ky emërim ishte i papritur, unë e mirëpres atë me dëshirën e sinqertë për t’i shërbyer Atit të Shenjtë në fillim të papnisë së tij. I jam mirënjohëse Paolo Ruffini-t për udhëheqjen e tij gjatë viteve të fundit dhe mezi pres të vazhdoj, në miqësi dhe shpresë, punën e rëndësishme për forcimin e Dikasterit, në mënyrë që ai të vijojë t’i shërbejë Kishës në Romë dhe kudo, për t’i komunikuar Krishtin botës”.
Ndërkohë, prefekti në largim dr. Ruffini falënderoi stafin për bashkëpunimin gjatë tetë viteve të fundit dhe premtoi një tranzicion të qetë deri në marrjen e detyrës nga Alvarado. Drejtuesit e EWTN-së gjithashtu shprehën mbështetjen dhe urimet e tyre për misionin e saj të ri./ R.SH. Vatikan

Postimi i Mëparshëm
