
Nga egoja fetare tek integriteti i brendshëm
Nga Daniell D. Ukaj
Krishti e kishte një përballje të madhe në tokë me farisenjtë dhe skribët, që ishin zbatues të përpiktë të ligjit, që dinin gjithçka çka duhet e çka nuk duhet, çka lejohej e çka nuk lejohej. Ishin ata që i vinin theksin te rregullat dhe që e mbanin veten se ishin të drejtë, ndërsa i përbuznin të tjerët.
Ja shëmbëlltyra e fariseut dhe tagrambledhësit që tregoi Jezusi:
“Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës. Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: ‘O Zot, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam’. Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit, por rrihte kraharorin e vet duke thënë: ‘O Zot, ji i mëshirshëm për mua, mëkatarin’. Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që krenohet do të përvujtërohet dhe kush përvujtërohet do të lartohet.” (Luka 18, 9–14)
Në këtë shembull, fariseu përfaqëson egon fetare: ai ndërton identitetin mbi krahasimin (“nuk jam si të tjerët”). Ky është mekanizëm mbrojtës klasik – vetëvlerësim që ushqehet duke zhvlerësuar tjetrin. Tagrambledhësi, përkundrazi, pranon dobësinë pa maskë. Kjo është vetëdije. Dhe pikërisht ai del i shfajësuar.
Jezusi na jep mesazhin se pranimi i brishtësisë prodhon integritet; mohimi i saj prodhon iluzion. Për Të nuk është e rëndësishme të pretendosh; nuk shfajësohesh kur pretendon. Për Jezusin vlen çiltërsia, vlen të jesh i vërtetë. Jo shtiracak. Jo hipokrit. Jo sipërfaqësor.
Dhe Jezusi vazhdon duke mësuar se raporti më qenësor me Hyjin ndërtohet në fshehtësi:
“Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell. Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të mëdha për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të të shpërblejë. Kur të luteni, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën dhe lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi do të të shpërblejë. Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni si shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi do të të shpërblejë.” (Mateu 6, 1–6.16–18).
Pra këtu Ai zhvendos theksin nga sjellja e dukshme te motivi i brendshëm. Lutja, agjërimi dhe lëmosha në fshehtësi janë çlirim nga varësia ndaj miratimit. Psikologjikisht, kjo do të thotë kalim nga identiteti i ndërtuar mbi “si më shohin” tek identiteti i ndërtuar mbi “kush jam”. Njeriu që jeton për sytë e të tjerëve mbetet i fragmentuar; ai që jeton në fshehtësi ndërton koherencë të brendshme. Integriteti është përputhja mes së brendshmes dhe së jashtmes – dhe kjo është shëndet emocional.
Kështu, Jezusi na mëson atë që sot e thekson edhe shkenca e psikologjisë: më e rëndësishmja është integriteti – të bësh gjënë e duhur pavarësisht situatës, edhe në fshehtësi, edhe në publik. Ky raport i vërtetë dhe i vetëdijshëm që ndërtojmë me veten, me Hyjin dhe me njëri-tjetrin na bën njerëz të lirë. Prandaj, kur vendoset ky parim dhe kjo vetëdije e brendshme, nuk duhen dhjetëra e qindra rregulla e ndalesa për ta kontrolluar jetën e njeriut.
Pra, Jezusit nuk i intereson egoja fetare; i intereson besimi.
A jetoj për t’u dukur i mirë apo për t’u bërë i vërtetë?
A kërkoj ndëshkim për të qetësuar fajin apo dashuri për të shëruar brishtësinë?
Këto pyetje le të na shoqërojnë përgjatë këtyre Kreshmëve.
Jezusi solli një civilizim të ri, mësime që edhe psikologjia sot i artikulon: se njeriu vetëm kur është i vetëdijshëm mund të jetojë në paqe dhe të jetë i lumtur – ose më saktë, në harmoni me veten (homeostazë). Sipas Jezusit vetëdija buron kur marrëdhëniet nisin dhe zhvillohen nga urdhri i dashurisë, jo nga imponimi apo autoriteti; kur njeriu hyn në kontakt me veten, pyet pa frikë, nuk gjykon por kërkon, nuk urren por fal. Jezusi erdhi për të na dëftuar se dashuria mjafton – dashuria e sinqertë. Erdhi për të na thënë: “Unë të dua”; dhe: “Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç unë ju desha juve.”
Kur njeriu e di se është i dashur edhe kur gabon, ai nuk ka më nevojë të pretendojë. Ai bëhet i lirë: i lirë për të falur, për të mos gjykuar, për të vepruar me integritet edhe kur askush nuk e sheh.
Por sot ndihet sikur nuk po mjafton dashuria, aq më pak dashuria pa kushte; apo nuk jemi aq të shëndetshëm për ta bërë që të vlejë? Sepse dashuria pa kushte është e matur, e pastër, e thellë; është marrëdhënie, është model, është e mësuar. Nuk është impresion – është vetëdije: “Ti je biri im, unë të dua, edhe kur gabon.” Dhe kjo lloj marrëdhënieje të bën të jetosh pa pretendime, por i vërtetë. Me integritet. Apo neve më shumë na intereson të pretendojmë se jemi të mirë? Të shfaqemi të mirë? S’jemi të gatshëm për këtë dashuri dhuruese; duam kushte, duam autoritet, duam të ndëshkohemi kur mëkatojmë. Dhe këtu mu kujtua Fan Noli, që në një moment pyet: mos ndoshta Jezusi do të duhej të përdorte kamxhikun për ta besuar më shumë? Ndoshta po. Por Jezusi e kuptonte se dashuria nuk mund të mësohet me dhunë. Frika prodhon bindje të jashtme, por jo vetëdije. Autoriteti imponon kontroll; dashuria krijon ndërgjegje. Ai e dinte se nuk mund të kesh dashuri pa liri. Ai zgjodhi rrugën më të vështirë: jo të kontrollojë sjelljen, por të transformojë zemrën.
Prandaj edhe ti që sot fillon këtë kohë te Kreshmës, dëgjoje Jezusin. Shko në dhomë, mbylle derën tënde dhe lutju Zotit në fshehtësi, sepse Zoti sheh fshehtësinë tënde. Atij i intereson raporti qenësor. Atij i intereson përmbajtja. Atij i intereson dashuria.
Si rrjedhojë, në mënyrë të natyrshme, do të lutesh pa t’u shqetësuar zemra, do të agjërosh pa t’u zbehur fytyra, do të bësh mirë pa i treguar botës, do ta duash të afërmin pa interes dhe do ta mbash kryqin e jetës me integritet, sepse tashmë Jezusi është me ty.
Ti nuk je vetëm.
Ti do të jesh besnik sepse Ai është besnik.
Ti do të jesh i butë sepse Ai është i butë.
Ti do të jesh i përvuajtur, sepse dashuria e Tij të bën të tillë.
Jezusi nuk të dëshiron si numër; Ai të dëshiron si person. Ai të njeh. Ai të thërret në emër. Ai të rimëkëmb, të vesh me empati, të mbush me pasion. Ai të do si dritë. Ai të do si kripë. Ai të do si vetëdije, sepse vetëm si i tillë mund ta duash Atë, veten dhe të afërmin.
Prandaj, siç Jezusi të kërkon, shfrytëzoji këto Kreshmë për ta kërkuar Zotin, për ta gjetur Zotin, për të jetuar me Të me ndershmëri. Këto Kreshmë beso që Jezusi të do, e duaj siç Ai të mëson.
Dhe për Pashkë mund të jesh një njeri i lirë./drita.info

Postimi i Mëparshëm
