U KREMUA FESTA E ZOJËS NDIHMËTARE, PAJTORJA E KATEDRALES SË PRIZRENIT DHE E DIOQEZËS PRIZREN–PRISHTINË

Më 23 maj, në Katedralja e Prizrenit, është kremtuar festa e Zojës Ndihmëtare, pajtorja e Katedrales së Prizrenit dhe pajtorja e Dioqezës sonë Prizren–Prishtinë.

Meshën e Shenjtë të festës e udhëhoqi ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët e dioqezës.

Në homelinë e tij, ipeshkvi theksoi se, ndonëse dita liturgjike e pajtores sonë bie më 24 maj, sivjet nuk ka qenë e mundur të kremtohet në atë datë, për shkak se përkon me festën e madhe të Rrëshajëve. Ai kujtoi se në Kishë ekziston tradita dhe norma liturgjike që, kur dy festa bien në të njëjtën ditë, festa më e madhe ka përparësi. Duke e shpjeguar këtë me një krahasim nga tradita shqiptare, ai tha se, sikurse në odat tona dikush çohet për t’ia lëshuar vendin tjetrit në shenjë nderimi, po ashtu edhe festa e Zojës Ndihmëtare ia lëshon vendin festës së Rrëshajëve, e cila është ndër kremtimet më të mëdha të Kishës. Për këtë arsye, festa e pajtores është bartur për t’u kremtuar më 23 maj.

Duke komentuar Ungjillin e ditës, ipeshkvi kujtoi fjalët e Shën Elizabetës drejtuar Marisë: “Nga më vjen ky nder, që Nëna e Zotit tim të vijë tek unë?”. Ai theksoi se edhe për Kishën tonë në Kosovë nuk ka nder më të madh sesa ta ketë Zojën Ndihmëtare si ndërmjetëse dhe mbrojtëse të vetën. Gëzimi i takimit të Elizabetës me Marinë – tha ai – pasqyron sot gëzimin e Kishës sonë për pajtoren e saj. Ashtu si Maria këndoi me hare himnin e saj të madhërimit, edhe ne e madhërojmë Zotin për veprat e mëdha që ka bërë në Kishën tonë.

Më tej, imzot Dodë Gjergji kujtoi se sivjet po kremtohet jubileu i Zojës, në 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë pajtore të popullit shqiptar. Ai nënvizoi se Kisha në Shqipëri dhe Kisha në Kosovë ia kanë kushtuar këtë vit Virgjërës Mari. “Muajin marian e kemi filluar në Shkodër, sot jemi në festë këtu në Prizren, ndërsa të shtunën e ardhshme do të jemi në Shenjtërorja e Letnicës për ta përmbyllur me devotshmëri këtë muaj,” tha ai.

Ipeshkvi ftoi që ky muaj t’i kushtohet lutjes për paqe në botë, për paqe në popullin tonë, për mirëkuptim dhe për forcë shpirtërore për të pranuar një harmoni vendimesh, në mënyrë që vendi ynë të ecë përpara dhe e ardhmja e tij të mos cenohet, por të ndërtohet me frymën e Zotit.

Në përfundim, ai i ftoi të gjithë besimtarët që ta lusin Zojën Ndihmëtare, pajtoren e dioqezës, që ashtu siç e ka mbrojtur Kishën tonë ndër shekuj, të vazhdojë ta mbrojë dhe ta ndihmojë edhe sot.

Në atmosferën festive dhe të devotshmërisë ndaj Zojës Ndihmëtare, që tradicionalisht e karakterizon këtë bashkësi, famullitari i Prizrenit dhe vikari i përgjithshëm i dioqezës, Don Shan Zefi, falënderoi të gjithë besimtarët për pjesëmarrjen e tyre dhe uroi nga zemra festën e famullisë dhe të dioqezës, duke dëshiruar që dashuria amnore e Zojës të mbetet gjithmonë në zemrat e besimtarëve.

Shpëndaje: