DRITA E NJË MENDIMI QË NUK SHUHET

Papa Benedikti XVI në kontekstin bashkëkohor

 

Nga Dom Mikel Sopi

 

Prezantimi i vëllimit të katërt të Teksteve të Përzgjedhura të Papa Benediktit XVI, me titull Besimi i së Ardhmes. E ardhmja e Kishës, botuar nga Cantagalli, si dhe kremtimet përkujtimore me rastin e 99-vjetorit të lindjes së tij në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, përbëjnë moment domethënës jo vetëm në planin përkujtimor, por edhe në atë shkencor e kishtar.

Këto ngjarje vendosen në një horizont më të gjerë reflektimi mbi trashëgiminë e një prej mendimtarëve më të rëndësishëm bashkëkohorë, i cili ka ndikuar thellësisht jo vetëm diskursin akademik, por edhe jetën kishtare dhe mënyrën e të kuptuarit të marrëdhënies ndërmjet krishterimit dhe botës moderne, në një epokë të shënuar nga fragmentimi i së vërtetës, relativizmi kulturor dhe dobësimi i përkatësisë fetare.

Në këtë kontekst, pyetja e ngritur nga kryeipeshkvi Rino Fisichella gjatë prezantimit të veprës në Ambasadën Italiane pranë Selisë së Shenjtë në Palazzo Borromeo në Romë: Pse mendimi i Ratzingerit është ende kaq i rëndësishëm? merr një karakter jo thjesht interpretativ, por thellësisht hermeneutik dhe praktik.

Ky reflektim i imi synon të ndalet në disa pika themelore të mendimit të tij që na ndihmojnë të kuptojmë rëndësinë e këtij aktualiteti: marrëdhënien mes fesë dhe arsyes, thirrjen për shenjtëri dhe rëndësinë e lutjes.

 

  1. Feja dhe arsyeja – dialog i domosdoshëm

Mendimi teologjik dhe jetësor i Papa Benediktit XVI vazhdon të tërheqë vëmendjen e studiuesve edhe pas përfundimit të pontifikatit të tij. Pyetja thelbësore mbetet: Pse ky mendim ruan një forcë të tillë aktualiteti në një botë të transformimeve të shpejta kulturore, teknologjike dhe shpirtërore?

Sipas interpretimit të kryeipeshkvit Rino Fisichella, në veprën e tij Hyrje në krishterim (1968-69), Ratzinger e përkufizon fenë përmes dy dimensioneve themelore: “të qëndruarit” dhe “të kuptuarit”.

Dimensioni i parë, “të qëndruarit”, nënkupton besnikërinë e Kishës ndaj kohës historike në të cilën ajo jeton. Kjo nuk është një prani statike, por ekzistencë e gjallë që synon t’i japë kuptim njeriut në çdo epokë. Në këtë mënyrë, feja krishterë nuk mbetet e mbyllur në të kaluarën, por bëhet dialoguese me të tashmen.

Por a është ende i mundur një dialog i vërtetë mes fesë dhe arsyes në një kulturë ku arsyeja shpesh reduktohet në funksionalitet teknik dhe utilitarizëm?

Dimensioni i dytë, “të kuptuarit”, lidhet ngushtë me marrëdhënien mes fesë dhe arsyes. Për Ratzingerin, këto nuk janë realitete në konflikt, por në një marrëdhënie të ndërsjellë pasurimi. Duke u mbështetur në traditën e Shën Augustinit, ai thekson rëndësinë e intus legere, një lexim i brendshëm që hap rrugën drejt së vërtetës së thellë të realitetit dhe të vetë njeriut.

 

  1. Shenjtëria – themel i besueshmërisë së Kishës

Një tjetër aspekt qendror i mendimit të Papa Benediktit XVI është theksi mbi shenjtërinë si themel i besueshmërisë së Kishës. Kisha nuk e fiton autoritetin dhe besimin e saj përmes strukturave apo strategjive institucionale, por përmes shenjtërisë së jetës së anëtarëve të saj.

Bota ka nevojë për dëshmitarë që jetojnë me Zotin dhe që, përmes jetës së tyre të sinqertë, sjellin dritë në realitetin e përditshëm dhe në realitetin historik. Shenjtëria, në këtë kuptim, nuk është një ideal i largët, por thirrje konkrete dhe e përditshme. Në këtë horizont, kriza e Kishës në kohën tonë nuk është institucionale, por kriza e dëshmisë së shenjtërisë.

Megjithatë, kjo thirrje shpesh errësohet nga qëndrime që dëmtojnë jetën e bashkësisë: paragjykimi, karrierizmi, xhelozia apo përgojimi. Këto nuk janë thjesht dobësi njerëzore, por deformime që cenojnë unitetin kishtar dhe dobësojnë besueshmërinë e dëshmisë së krishterë.

 

  1. Lutja – lidhja e gjallë me Zotin

Në reflektimet e tij të mëvonshme, Ratzinger i jep një vend qendror lutjes, duke e kuptuar atë si hyrje në marrëdhënie të gjallë me Hyjin. Lutja nuk është vetëm akt individual, por pjesëmarrje në lutjen e vetë Krishtit dhe në bashkimin e thellë me Të.

Reflektimi i Papa Benediktit XVI mbi botën moderne karakterizohet nga një realizëm i thellë. Ai e përshkruan epokën tonë si një “Shtunë të Madhe”, një kohë e shënuar nga heshtja e Hyjit dhe nga përvoja e errësirës shpirtërore. Kjo “Shtunë e Madhe” nuk është vetëm përvojë e mungesës së Hyjit, por edhe kohë prove e një besimi të pastruar nga siguria emocionale dhe nga iluzionet fetare sipërfaqësore.

Ngjarjet dramatike të historisë moderne e vendosin njeriun përballë pyetjeve të thella mbi kuptimin e jetës dhe të vuajtjes. Megjithatë, për Ratzingerin, kjo errësirë nuk është fundi, por një hapje drejt një besimi më të pjekur, që gjen shpresë në dritën e Ringjalljes.

 

Përfundim

Mendimi i Papa Benediktit XVI mbetet aktual sepse ai na fton të kthehemi te thelbi i jetës së krishterë: te Zoti, te e vërteta dhe te dashuria. Ai na kujton se feja nuk është vetëm ide, por jetë; jo vetëm një mendim, por dëshmi; jo vetëm një traditë, por takim i gjallë me Zotin.

Përmes dialogut ndërmjet fesë dhe arsyes, thirrjes për shenjtëri dhe theksit mbi lutjen, ai ofron një vizion të Kishës që është njëkohësisht besnike ndaj traditës dhe e hapur ndaj së ardhmes. Në këtë kuptim, Benedikti XVI nuk ofron thjesht një interpretim teologjik të kohës sonë, por ai bën thirrje për kthim në qendër të krishterimit: Zotin e gjallë, të vërtetën që nuk relativizohet dhe dashurinë që bëhet formë jete.

Mendimi i tij mbetet i gjallë sepse nuk i shmanget pyetjeve të epokës moderne, por i ndriçon ato nga brenda. Prandaj, ftesa e tij mbetet aktuale: të jetojmë një fe që mendon, një fe që lutet dhe një fe që dëshmon.

 

Literatura

Benedikti XVI, Introduzione al cristianesimo, Brescia: Queriniana, 1968.

Benedikti XVI, La fede del futuro. Il futuro della Chiesa, Siena: Cantagalli, 2026.

Rino Fisichella, Fjalim në prezantimin e librit (La fede del futuro. Il futuro della Chiesa) Romë, 2026.

Kurt Koch, Homelia e tij ne përvjetorin e sivjetmë të Benediktit XVI në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Shën Augustini, Confessiones.

Shpëndaje: