
Intervistë me Atë Thomas Schwarz, President i Renovabis
Në fillim të prillit, Kosovën e vizitoi Atë Thomas Schwarz, president i Renovabis, një nga organizatat katolike që ka kontribuar shumë në mbështetjen e Kishës sonë. Me këtë rast, revista jonë dioqezane Drita zhvilloi një intervistë me të për të treguar një dëshmi të gjallë solidariteti kishtar. Atë Schwarz ndau, për Dritën, përvojën e tij në këtë veprimtari fisnike dhe vizionin e një organizate kishtare që, pas ndryshimeve historike në Evropën Lindore, ka marr misionin e solidaritetit konkret te Kishat motra në ato vende, duke mbështetur zhvillimin e strukturave baritore, edukative dhe sociale, si dhe forcimin e kapaciteteve të Kishës vendore për të qenë e pranishme në dialogun shoqëror dhe ndërfetar.
Intervista trajton tema thelbësore të misionit kishtar në botën bashkëkohore: solidaritetin, formimin e klerit dhe laikëve, edukimin e brezave të rinj, rolin e bamirësisë si shprehje e dashurisë së krishterë, si dhe rëndësinë e një Kishe që nuk mbetet e izoluar, por që bëhet “kripë e tokës” në shoqëri. Këtu del në sipërfaqe edhe ideja se ndihma kishtare nuk është vetëm asistencë materiale, por edhe proces formimi dhe fuqizimi që synon dinjitetin dhe përgjegjësinë e personit. Duke u nisur nga përvoja konkrete e bashkëpunimit me Kishën në Kosovë, kjo intervistë ofron një dëshmi të gjallë mbi mënyrën se si solidariteti kishtar ndërtohet si shprehje e Ungjillit dhe si kontribuon në ndërtimin e paqes, zhvillimit dhe shpresës në shoqëritë e sotme.
Drita: I nderuar Atë Thomas Schwarz, mirë se keni ardhur në Kosovë. Shpresoj ta keni një qëndrim të këndshëm. Njëkohësisht, Ju falënderojmë përzemërsisht që keni gjetur kohë për revistën tonë Drita dhe të bashkëndani me ne disa nga pjesët e punës suaj në Renovabis.
Renovabis është një organizatë e Kishës Katolike në Gjermani e dedikuar për të ndihmuar Kishat në Evropën Lindore. Si është themeluar dhe cilat janë objektivat e saj? A mund t’u ofroni lexuesve tanë një përshkrim të shkurtër?
Atë Thomas Schwarz: Pas bashkimit paqësor të Gjermanisë në vitin 1990, katolikët gjermanë, por edhe shumë laikë, ndjenë detyrimin, të nxitur nga mirënjohja, që t’u ofronin diçka popujve dhe Kishave të Evropës Lindore, të cilat ndodheshin në një fazë transformimi nga shoqëritë socialiste dhe komuniste drejt shoqërive demokratike. Këto shtete nuk kishin pasur mundësinë të jetonin një përvojë demokratike, siç kishte ndodhur në një pjesë të Gjermanisë.
Prej këtu lindi ideja për të krijuar një shenjë konkrete solidariteti, për të forcuar partnerët tanë, domethënë Kishën Katolike në ato vende, në mënyrë që ajo të mund të bëhej një pjesë vërtet integrale e shoqërive të tyre. Në këtë kontekst, shtetet e reja që u formuan — ndër to edhe Kosova, shumë e rëndësishme — kanë përfituar nga angazhimi ynë: në Kosovë kemi mbështetur rreth 350 projekte dhe kemi investuar rreth 24 milionë euro në këtë shtet të ri në zemër të Evropës.
Qëllimi ynë nuk ishte vetëm të ofronim ndihmë, por të forconim Kishën në mënyrë që ajo të mund të ishte realisht pjesë e shoqërisë. Kjo do të thotë të ndërtohen (infra)strukturat për të konsoliduar praninë e saj të brendshme, por edhe të zhvillohet aftësia e saj për të qenë partnere në dialogun shoqëror, me Kishat dhe religjionet e tjera. Në këtë mënyrë, Kisha mund të tregojë se nuk është një geto: edhe pse është pakicë, ajo nuk është një realitet i izoluar që mjaftohet thjesht me ekzistencën e vet, por një farë e gjallë dhe domethënëse më shoqëri.
Drita: Keni përmendur dy koncepte shumë të rëndësishme për Kishën: solidaritetin dhe (për)forcimin (mbështetjen). Nga njëra anë një Kishë solidare; nga ana tjetër një Kishë e (për)forcuar, e aftë të dialogojë me të tjerët në një shoqëri multireligjioze dhe multikulturore. Në këto dy koncepte mund të njohim edhe realitetin e Kishës sonë në Kosovë, sepse jetojmë në një shoqëri ku jemi të grishur ta ungjillizojmë nëpërmjet kulturës dhe bamirësisë (veprimtaria bamirëse, Caritas). Në këtë drejtim: cilat janë projektet kryesore ku Renovabis ka ofruar mbështetjen më të madhe? Apo, në cilat fusha përqendrohet më shumë veprimtaria juaj?
Atë Thomas Schwarz: Mund të themi se edukimi dhe formimi i brezave të ardhshëm kanë qenë gjithmonë për ne një prioritet. Për këtë arsye, këtu në Kosovë kemi kontribuar në zhvillimin e shkollave në Prishtinë (Don Bosko), Prizren (Loyola Gimnasium) dhe Gjilan (Don Bosko), të cilat mendoj se janë ndër më të mirat në vend. Edukimi ka qenë gjithmonë në qendër të angazhimit tonë, sepse ne besojmë në të ardhmen e të rinjve. Dhe shpresojmë që kjo e ardhme të mos realizohet jashtë vendit, por që të rinjtë të gjejnë kurajon të qëndrojnë këtu, të përmirësojnë situatën dhe të kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm të shtetit të ri dhe në jetën e qytetarëve të tij.
Së dyti, ne mbështesim strukturat baritore, sepse si edukimi ashtu edhe Caritas-i janë të mundura vetëm aty ku ekziston një pastoral i gjallë dhe funksional. Strukturat baritore nuk nënkuptojnë vetëm kishat, por edhe qendrat e formimit baritor. Për këtë kemi vënë në dispozicion fonde për realizimin e këtyre projekteve.
Natyrisht, një tjetër fushë themelore është Caritas-i/veprimtaria bamirëse, sepse Kisha është Caritas, bamirësi, domethënë dashuri për të afërmin. Caritas-i është dora e hapur e Kishës ndaj nevojtarëve. Gjithçka që bëjmë është e nxitur nga dashuria hyjnore, në të cilën ne marrim pjesë.
Pra, edukimi, strukturat baritore dhe bamirësia/Caritas-i janë fushat kryesore në të cilat jemi të pranishëm dhe në të cilat vazhdojmë edhe sot të mbështesim Kishat. Do të shtoja edhe (për)forcimin në të gjitha këto fusha, në mënyrë që të mund të promovohet dialogu. Për këtë arsye, kur shohim se në një Kishë lokale lind një nismë në këtë drejtim, ne jemi të gatshëm ta mbështesim dhe ta zhvillojmë më tej: në fushën kulturore, ndërfetare dhe ndërkonfesionale. Sepse dialogu është thelbësor për të shmangur ndarjet në shoqëri.
Drita: Renovabis ka mbështetur shumë projekte në Kosovë, siç e keni treguar më sipër. Jemi shumë mirënjohës për ndihmën tuaj, sepse keni kontribuar në (për)forcimin tonë si Kishë. Kisha jonë, ashtu si e gjithë shoqëria në Kosovë, ka dalë nga një sistem komunist diktatorial, në të cilin ishte e ndaluar një veprimtari normale baritore. Për të ndryshuar këtë situatë dhe për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të begatë, demokratike dhe të lirë, duke ofruar Ungjillin e Dashurisë, ka qenë e nevojshme të fillohej pothuajse nga zeroja në shumë fusha. Kisha jonë ka njohur një rritje si në strukturat e saj, ashtu edhe — dhe kjo është më e rëndësishmja — në ungjillizim, ku shumë bashkëkombës po rizbulojnë rrënjët e krishtera të të parëve të tyre. Në këtë kuptim, Kisha jonë përballet me shumë sfida dhe ka nevojë për mbështetjen e Kishave motra në Perëndim, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë formativ. Në këtë drejtim a ofron Renovabis mbështetje?
Atë Thomas Schwarz: Ipeshkvi juaj Dodë Gjergji ka shkruar një letër baritore të mrekullueshme drejtuar Dardanit (“O Dardan, a je ka’ shpia”), të cilën e kam lexuar me shumë vëmendje dhe gëzim. Në të, me një ndjeshmëri të hollë dhe me një delikatesë të madhe ndaj vëllezërve dhe motrave myslimane, ai njeh rrënjët e krishtera të pranishme në shumë familje, duke theksuar se pagëzimi nuk përbën një ndarje apo një thyerje, por më tepër një kthim te rrënjët familjare. Ai ka ditur ta paraqesë këtë si një urë që mund të orientojë të ardhmen. Kjo më ka prekur thellë.
Mendoj se ju vetë e dini më mirë se si Renovabis mund t’ju shoqërojë në rrugën e ardhshme. Edhe këshilla a Renovabis ndjek këtë linjë: ne nuk kemi projekte apo politika tonat për t’i imponuar, në kuptimin që të themi çfarë duhet bërë. Qëllimi ynë është më tepër të forcojmë partnerët tanë në vende të ndryshme, si këtu në Kosovë.
Janë vetë Kishat lokale, që e njohin më mirë realitetin e tyre, ato që përcaktojnë prioritetet dhe agjendën baritore. Ne dëshirojmë t’i mbështesim, duke i ndihmuar të realizojnë atë që ato vetë e njohin si mision për të ardhmen e Kishës në kontekstin e tyre.
Ne kemi besim të plotë në ipeshkvin tuaj, që së bashku me besimtarët, të identifikojnë prioritetet për Kishën dhe pastaj na drejtohen neve për ndihmë konkrete në realizimin e projekteve. Megjithatë, nuk jemi ne ata që i përcaktojmë këto prioritete dhe as që projektojmë në vend të Kishave lokale: kjo nuk ka qenë kurrë politika e Renovabis.
Kur marrim një kërkesë, ne përpiqemi të ofrojmë mbështetjen tonë sipas mundësive që kemi në dispozicion. Për këtë arsye, vizita jonë këtu në Kosovë nuk është vetëm një gjest solidariteti dhe inkurajimi, por edhe një udhëtim zbulimi: ne duam të shohim çfarë është realizuar, sa gjëra janë ndërtuar për të ardhmen e Kishës në këtë vend. Në ne ekziston një kuriozitet i gjallë për të zbuluar realitete të bukura dhe premtuese, zhvillime që ngjallin emocion dhe japin optimizëm për të ardhmen e Kishës Katolike në Kosovë.
Drita: Keni mbështetur shumë meshtarë në formimin e tyre dhe në studimet e tyre, në mënyrë që ata të mund të shërbejnë më mirë dhe të ofrojnë më shumë për ungjillizimin. Mes tyre jam edhe unë. Në emër të të gjithë meshtarëve, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë. Pyetja ime është: a do të vazhdoni edhe në të ardhmen të mbështesni meshtarët dhe seminaristët në formimin e tyre?
Atë Thomas Schwarz: Renovabis është gjithmonë e gatshme të ofrojë bursa studimi, jo vetëm për seminaristët, pra për meshtarët e ardhshëm ose për meshtarët tashmë të shuguruar, por edhe për rregulltarët që i shërbejnë Kishës. Nëse në një Kishë ka mungesë meshtarësh dhe rregulltarësh, ne e konsiderojmë të rëndësishme të mbështesim, përmes bursave, edhe laikët e angazhuar në shërbim të Kishës, veçanërisht ata që dëshirojnë të ndjekin studime të specializuara.
Kjo vlen jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet ku ne veprojmë. Një Kishë e formuar mirë është në gjendje të kryejë me efektivitet misionin e saj ungjillizues në shoqëri. Çdo person i formuar mirë është si kripa e tokës: nuk nevojitet një sasi e madhe, por ajo e duhura, që i jep shije dhe vlerë asaj që ofrohet.
Edhe Kisha Katolike në Kosovë përballet me sfida, por edhe me mundësi të mëdha: si pakicë, ajo mund të jetë ajo “kripë” që i jep shije njerëzores në shoqëri dhe kontribuon në ndërtimin e paqes. Katolikët këtu janë të thirrur ta marrin këtë mision, dhe për këtë jam shumë mirënjohës për gjithçka që është bërë deri tani.
Në një kohë të shënuar nga konflikte dhe luftëra në shumë pjesë të botës — siç ka ndodhur edhe këtu në Kosovë më shumë se 20 vite më parë, me luftën dhe dhunën — jemi të thirrur të angazhohemi me vendosmëri për paqen, e cila është pjesë thelbësore e misionit tonë. Siç kam lexuar së fundmi në një ese: nuk ekziston një luftë “e drejtë”, por ekziston vetëm një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.
Në këtë mision për paqen realizohet edhe pjekuria e shoqërisë. Unë e shoh këtë në Kishën tuaj dhe për këtë jam shumë i lumtur dhe mirënjohës. Dhe do të jem i gëzuar të mund t’ju vizitoj përsëri dhe të shoh edhe shumë vepra të tjera që e çojnë përpara këtë mision.
Drita: Është bukur të shohim se si një Kishë e ndihmon një Kishë tjetër motër. Do të doja të bëja një pyetje personale: si meshtar, si ndiheni në këtë shërbim të Kishës në Gjermani, në të qenit një zemër e hapur ndaj të tjerëve?
Atë Thomas Schwarz: Për mua, si meshtar, ka qenë gjithmonë e qartë se, nëse dua t’i shërbej Zotit, duhet t’i shërbej mes njerëzve. “Karriera” ime është shërbimi, por jo gjithçka që është shërbim është e orientuar drejt karrierës. Kjo është logjika e Mbretërisë së Hyjit: shërbimi është thelbësor.
Kam qenë shumë i lumtur kur ipeshkvinjtë gjermanë më kanë besuar detyrën për të udhëhequr Renovabis: për mua është një mundësi për të mësuar çdo ditë dhe për të parë në mënyrë konkrete se si realizohet solidariteti. Nuk bëhet fjalë vetëm për veprim në një famulli, por për përjetimin e Kishës universale, e cila nuk njeh kufij apo kufizime.
Ajo është vërtet universale, sepse njeh në çdo person njerëzor një vëlla dhe një motër në nevojë, qoftë katolik, ortodoks, mysliman apo i përkatësive të tjera fetare. Nevoja nuk njeh fe, por gjithmonë ka një fytyrë njerëzore.
Drita: Si arrin Renovabis të mbledhë fondet e nevojshme për të ndihmuar ata që janë në nevojë? E bëj këtë pyetje sepse dëshirojmë të kuptojmë një model që mund të jetë për ne dhe për të tjerët një shembull për t’u imituar në të ardhmen, në mënyrë që të bëhemi një Kishë e vetëdijshme për nevojat e të tjerëve.
Atë Thomas Schwarz: Gjëja më e rëndësishme është të kesh aftësinë të jesh një tregimtar i mirë. Unë e konsideroj veten si dikush që rrëfen histori, histori suksesi. Për të mbledhur fonde, duhet të jesh i aftë të tregosh përvojat e tua, nevojat që ke hasur, por edhe mundësitë që ke zbuluar.
Askush nuk dëshiron të jetë pjesë e një historie mjerimi; përkundrazi, secili dëshiron të jetë pjesë e një historie suksesi, ndihme konkrete dhe efikasiteti. Nëse jepet diçka, duhet të tregohet se nga ai gjest lind zhvillimi, se i jepet përgjigje një nevoje reale, se hapet një rrugë për të ardhmen dhe krijohen mundësi të reja për jetën e përbashkët, si në Kishë ashtu edhe në shoqëri, në dobi të të gjithëve.
Kjo është ajo që bëj unë dhe kjo është ajo që bën Renovabis: ne tregojmë histori. Tregojmë histori në të cilat shpresojmë që bamirësit dhe donatorët në Gjermani të duan të njihen dhe të marrin pjesë. Sepse të gjithë ne dëshirojmë të marrim pjesë në diçka që ka kuptim.
Dhe kjo është diçka që mund ta bëni edhe ju.
Drita: Kjo është shumë e bukur. Më keni prekur personalisht. Në një botë ku shohim dhe dëgjojmë kryesisht lajme negative, të mund të ofrohen histori të bukura, plot kuptim, histori suksesi, histori pozitive, është diçka e çmuar. Edhe kjo është një formë ungjillizimi, sepse Ungjilli është pikërisht lajmi i mirë dhe i gëzueshëm. Për këtë ju falënderoj: të gjithë kemi nevojë për pozitivitet në një botë të papërsosur, për t’i tërhequr njerëzit drejt së mirës dhe për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të themeluar mbi pozitivitetin dhe suksesin në të mirën.
Atë Thomas Schwarz: Në Gjermani nuk ekziston vetëm Renovabis, por edhe shumë organizata të tjera. Nëse takon një person që është i uritur, ke dy mundësi: t’i japësh ushqim ose ta mësosh të prodhojë ushqimin. Ne mendojmë se është e nevojshme, para së gjithash, të ndihmohet konkretisht ai që është në nevojë, në mënyrë që të mos vdesë nga uria. Megjithatë, nuk ndalemi këtu: ne duam gjithashtu t’i ndihmojmë njerëzit të bëhen të aftë të zhvillojnë jetën e tyre, duke i mësuar, për shembull, të kultivojnë, të prodhojnë atë që u nevojitet.
Kjo u rikthen dinjitetin njerëzve: i ndihmon të bëhen protagonistë, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Kështu ata kuptojnë se Kisha nuk është vetëm ajo që jep ushqim, por edhe ajo që ndihmon secilin të realizohet, duke ofruar mundësi konkrete pune dhe rritjeje.
Dhe pikërisht këtu gjendemi në zemër të Doktrinës sociale të Kishës: dinjiteti i personit, e mira e përbashkët, solidariteti dhe subsidiariteti. Këto parime janë thelbësore për punën e Renovabis.
Drita: Ju falënderojmë, Atë Thomas, për këtë intervistë. Ju shprehim mirënjohje edhe një herë për punën e madhe që po bëni për Kishën tonë. E falënderojmë Zotin që në Kishat tona nuk mungojnë persona dhe institucione të angazhuara në këtë shërbim shoqëror të Ungjillit, i cili mbjell shpresë dhe mbështet rritjen e Mbretërisë së Hyjit në botë.
Duke Ju uruar Pashkë të bekuara, i lutemi Zotit të Ringjallur që solidariteti në Kishat tona të mos mungojë kurrë dhe që ne të mund ta dëshmojmë gjithmonë Ungjillin në shoqërinë e sotme.
Intervistoi: Dom Fatmir Koliqi

Postimi i Mëparshëm
