LITANITË LAURETANE: 3. SHENJTA VIRGJËRA E VIRGJËRAVE

Zemër e Pastër

Askush nuk mund të shpresojë të jetë i denjë për vizitën e një engjëlli, siç ishte Nëna e Hyjit; dhe fakti që ajo u nderua në këtë mënyrë është një nga arsyet e nderimit të madh që Kisha i kushton asaj. Na kujtohen fjalët e Zotit tonë, lidhur me një nga tetë Lumturitë: “Lum ata që e kanë zemrën e pastër, sepse do ta shohin Hyjin” (Mt 5,8).

Papastërtia e verbëron mendjen shpirtërore, sepse e zhyt njeriun në lakmi dhe e largon nga gjërat qiellore. Maria ishte Virgjër, Virgjër e shenjtë – prandaj nuk është për t’u habitur që ajo i pa dhe i përjetoi gjërat e Hyjit më thellë se të tjerët.

Ajo dëgjoi prej njërit nga lajmëtarët më të lartësuar të Hyjit sekretin më të madh e më të lartësuar që i është besuar ndonjëherë një zemre njerëzore. Nga thjeshtësia e ëmbël dhe lutëse e një jete në dukje të zakonshme, ajo u zgjodh ndër të gjitha krijesat për t’u bërë Nëna e Hyjit. Dhe reagimi i saj i parë ndaj kësaj thirrjeje ka mahnitur botën deri në ditët tona.

 

Nderi sjell përvujtëri

Zakonisht, kur një person ftohet të pranojë një nder – qoftë i vogël apo i madh, të udhëheqë një grup të vogël apo një ushtri – ai gëzohet; dhe para se të mendojë për paaftësinë e vet, e pranon me krenari. Shpesh këto nderime ushqejnë vetëm krenarinë dhe jo jetën e brendshme. Jo kështu Zoja e Bekuar.

 

Flija e virgjërisë

Ndërmjet saj dhe Hyjit kishte një sekret të thellë. Në kohën kur çdo vajzë e devotshme hebreje, sidomos nëse i përkiste shtëpisë mbretërore të Davidit, kishte për ëndërr martesën me shpresën për t’u bërë nëna e Mesisë, Maria – me përvujtëri dhe dashuri për Hyjin përtej çdo kuptimi njerëzor – do të hiqte dorë nga një nder i tillë.

Ajo kishte bërë një kusht (premtim) virgjërie. Kjo është domethënia që autorët shpirtërorë i japin fjalëve të saj: “Unë nuk njoh burrë” (khs. Lk 1,34).

Virgjëria dhe amësia, në kuptimin natyror, dukeshin të papajtueshme; Maria ishte e gatshme të hiqte dorë nga amësia, qoftë edhe nga ajo e Emanuelit, për të qëndruar besnike ndaj kushtimit të saj.

 

Dinjiteti i Hyjit kërkon virgjërinë

Që nga shpallja solemne e dogmës Të zënët e Papërlyer (1854), dhe pas shqyrtimit të dëshmive të shumta të Etërve dhe Shkrimtarëve të Kishës nëpër shekuj, mësimi i Kishës është bërë i qartë dhe i sigurt mbi virgjërinë e Marisë.

Është e pamendueshme që ajo, para apo pas lindjes së Krishtit, të mos ishte gjithmonë Virgjër.

Dinjiteti i Atit Qiellor e kërkonte këtë; sepse, meqenëse Biri i Tij është edhe Biri i Marisë, është e sigurt se Ati nuk do të dëshironte që atësia e Krishtit të ndahej me askënd tjetër. Shenjtëria dhe pafajësia e Krishtit kërkonin që Ai të merrte mish nga një Virgjër, pa bashkëpunimin e burrit.

Prandaj, besimi i qëndrueshëm dhe i përshpirtshëm i të gjitha epokave të krishtera pohon se Maria ishte Virgjër e kushtuar; se trupi, jeta dhe zemra e saj nuk u prekën kurrë nga pasioni njerëzor; se pastërtia e saj e panjollë mbeti e paprekur, si zambaku i bardhë i dëlirësisë së saj.

 

Ajo flijoi amësinë – dhe kështu u bë Nënë!

Ky ishte vizioni i saj; ky ishte ideali i saj: një vizion bukurie dhe besnikërie, për të mos qenë nënë – qoftë edhe Nëna e Hyjit. Ishte një premtim solemn, të cilit ajo iu përmbajt me gjithë zjarrin e shpirtit të saj, edhe kur mesazhi i jashtëzakonshëm i engjëllit hyri papritur në jetën e saj si një stuhi vere.

Të bëhej nënë – po, ta përsërisim, edhe Nënë e Hyjit – nuk do ta bënte të lëkundej nga kushti i saj. Ajo ishte Virgjër dhe Virgjër do të mbetej gjithmonë. Ishte aq e vendosur në këtë udhë, sa përgjigjja e saj e parë ndaj Kryengjëllit tingëllon si një hezitim: “Si do të ndodhë kjo, pasi unë nuk njoh burrë?” (khs. Lk 1,34). Hyjit do t’i duhej të kryente një mrekulli të re, të paprecedentë, para se ajo të jepte pëlqimin e saj.

Fjalët e saj mund të përmblidhen kështu: ajo pranonte të bëhej Nëna e Mesisë vetëm me një kusht – që të mos i kërkohej kurrë të thyente kushtin e saj të virgjërisë. Vetëm pasi u sigurua për veprimin e Shpirtit Shenjt, ajo shqiptoi “FIAT”-in e saj: “Ja shërbëtorja e Zotit; u bëftë në mua sipas fjalës sate.” (Lk 1,38).

Vetë fakti që një Virgjër ngjizi, një Virgjër lindi, një Virgjër u bë frytdhënëse dhe një Virgjër mbeti përgjithmonë Virgjër, i jep një kuptim të ri dhe madhështor mësimit katolik mbi virgjërinë.

 

Dëlirësia dhe Virgjëria

Ekziston një dallim ndërmjet dëlirësisë dhe virgjërisë, edhe pse ndonjëherë këto fjalë përdoren në mënyrë të përgjithshme.

Virgjëria është virtyti i qëndrueshmërisë në ruajtjen e vetes plotësisht të lirë nga çdo kënaqësi seksuale.
Dëlirësia, ndërkaq, ruan personin nga kënaqësitë e çrregullta ose të tepruara.

Jo të gjithë janë të thirrur për virgjëri, por të gjithë janë të thirrur për dëlirësi. Njeriu mund të mos jetë virgjër dhe të mos jetë në mëkat; por askush nuk mund të jetë i padëlirë dhe njëkohësisht pa mëkat.

Në Shkrimin e Shenjtë, kur flitet për dëlirësinë, shpesh nënkuptohet virgjëria – një fryt i veçantë i krishterimit. U desh Biri Virgjër i një Nëne Virgjër për të sjellë në botë një mënyrë jete kaq të re dhe të pakuptueshme për mendësinë pagane.

Maria i kishte kushtuar Hyjit përmbajtje të plotë nga çdo kënaqësi shqisore; e kishte zgjedhur këtë si trashëgimi shpirtërore; dhe Jezusi zgjodhi të lindte prej kësaj virgjërie. Këtu gjendet burimi i gjithë nderimit që Kisha i kushton jetës së virgjër.

Historia dëshmon se në botën pagane sensualiteti kishte thyer çdo kufi, deri në atë pikë sa vetë kënaqësia trupore ishte bërë formë adhurimi – një realitet që, në forma të reja, shihet edhe sot.

 

Një ligj i ri i pastërtisë

Në kulmin e kësaj errësire pagane, Jezusi lindi prej një Virgjëre dhe u bë Ligjvënësi i madh i dëlirësisë së virgjër. Jeta dhe shembulli i Tij, si dhe jeta dhe shembulli i Nënës së Tij, u bënë burim i nderimit të krishterë për thirrjen në pastërti.

Kjo doktrinë e re rrjedh pandërprerë nga Krishti dhe Maria, përmes Apostujve si Pali dhe Gjoni, dhe u përhap përtej çdo shpjegimi thjesht njerëzor. Nuk ishte thjesht një ide apo ndjenjë; ishte një ngjarje konkrete, një fakt historik, një realitet i mishëruar në historinë e shpëtimit.

 

Një ushtri e re dhe e fuqishme

Ashtu si dielli çan papritur retë e dendura, në një botë ku njeriu ishte bërë rob i pasioneve dhe i uljeve morale, u shfaqën papritur vajza të panumërta, të cilat përbuzën atë që bashkëkohësit e tyre e çmonin, dhe i dhanë një lavdi të re krishterimit.

Shën Augustini thotë: “Shiko këto turma virgjërash dhe të rinjsh të shenjtë, teksa i drejtohen Zotit: në Kishën tënde u rrit ky brez; për Ty lulëzoi fuqia e rinisë që nga gjiri i nënës; aty belbëzoi për herë të parë Emrin Tënd; Ty të zgjodhën si thesar; Ty ta kushtuan kushtin e tyre, dhe për Mbretërinë e Qiellit hoqën dorë nga martesa, jo nga frika e kërcënimeve të Tua, por nga dashuria për premtimet e Tua.”

Sapo Jezusi mori jetën e Tij virgjërore prej një Nëne Virgjër, një turmë shpirtrash, të fejuar me Të, u përhap në mbarë botën. Asnjë komb nuk kishte njohur një dukuri të tillë; dhe sot edhe më i dobëti mund të krenohet me ata që zgjedhin këtë jetë vetëmohuese, mbi të cilën mbështetet përhapja e jetës mbinatyrore.

 

Virgjëri frytdhënëse

Që nga Maria, virgjëria është bërë një nga kushtet e frytshmërisë së Kishës, e cila shkëlqen në mënyrë të veçantë në jetën e zgjedhur lirisht të meshtarëve dhe të Urdhrave rregulltare të burrave dhe grave.

Ata e paraqesin flijimin e tyre publikisht dhe e vulosin atë me kushtin e virgjërisë. Ata qëndrojnë sot si lavdia e Kishës, duke sfiduar mendimin shekullar se jeta e tyre është e padobishme për shoqërinë.

Ata mund të shikojnë pas në shekuj dhe të përmendin figura si: Shën Agata, Shën Çeçilja, Shën Agnesa, Shën Gjoni, Shën Injaci, Shën Alfonsi, Shën Alojsi – si dhe mijëra burra e gra të çdo epoke, që kanë refuzuar iluzionin e  lumturisë tokësore dhe kanë gjetur paqen në kushtimin e plotë ndaj Hyjit. Po, të kushtosh jetën në virgjëri sepse dëshiron vetëm Hyjin si dashuri të vetme, është një thirrje që miliona e kanë ndjekur dhe në të kanë gjetur paqe dhe dashuri të vërtetë.

 

Virgjëri e denjë për amësinë

Ky ishte kushti që Maria bëri për të qenë e denjë për Birin e saj. Ajo e pranoi amësinë vetëm në kushtet e një mrekullie të jashtëzakonshme. Duke parë Engjëllin Gabriel në trajtë njerëzore, ajo tha me habi: “Unë nuk njoh burrë.”

A po e refuzonte ajo nderin që i ofrohej? Po – me gjasë do ta kishte refuzuar, po të mos i ishte zbuluar plani i Hyjit. Butësisht, si një melodi qiellore, zgjidhja iu bë e qartë: “Shpirti Shenjt do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejetlartit do të të mbulojë me hijen e vet.” (Lk 1,35).

Kjo amësi e re dhe misterioze do ta bashkonte atë me Hyjin në një mënyrë të papërshkrueshme. Biri i saj nuk do të ishte një person njerëzor – megjithëse me trup dhe shpirt njerëzor – por një Person Hyjnor.

Prandaj ardhja e Tij, larg së cenuari virgjërinë e saj, do ta shenjtëronte dhe do ta lartësonte atë. Nuk kishte më asnjë pengesë: virgjëria e saj do të mbetej e paprekur, dhe përgjigjja e saj: “Ja shërbëtorja e Zotit” mbetet përgjigjja e fesë, përkulja e plotë para Vullnetit të Hyjit:
“U bëftë vullneti yt.”

Dhe kështu, Maria është Virgjër, sepse ia kushtoi trupin e saj Hyjit; dhe për shkak të dinjitetit të saj si Nëna e Hyjit, ajo është më e mrekullueshmja ndër të gjitha: ajo është me të vërtetë Virgjëra e virgjërave. Ajo është Virgjëra e atyre që adhurojnë para fronit të Qengjit dhe këndojnë këngën që askush tjetër nuk mund ta këndojë; ata e ndjekin Qengjin kudo që shkon, janë shpenguar prej Tij dhe “gjenden të panjollë përpara Hyjit” (khs. Zb 14,4-5).

“Nënë e Krishtit, Virgjëra e virgjërave!
Eja me Jezusin Tënd tek unë;
Edhe nëse bota është e ftohtë,
Zemra ime do të jetë
Strehë për Të dhe për Ty.”

 

Teksti është marr ngahttps://devotiontoourlady.com/meditations-on-the-litany-of-our-lady.html

Përthimi dhe përshtatja për revistën “Drita” nga Adelina Palushi

Shpëndaje: