
Nga Pierangelo Sequeri
«Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe. Menjëherë i treguan për të. Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu» (Mk 1, 30-31).
Pasardhësi aktual i Simon Pjetrit nuk ka vjehërr (nëse duam të lëmë mënjanë ndonjë trashëgues metaforik të pozicionit, që rri diku në prapaskenën e shtëpisë). Ngjarja e shërimit mund të zbatohet, sot, edhe te vetë Pjetri, pothuajse në të njëjtët terma. Analogia më bënë përshtypje. Në rastin e sëmundjes së Papa Françeskut, njohim një situatë të ngjashme dhe presim – fjalë për fjalë – të njëjtën gjë: që ethet të largohen e që shërbimi i tij të rifillojë, sipas ritmeve të përkushtimit pa kursim që i njohim mirë. Edhe ne, në lutjet tona, “i flasim Jezusit”, me dëshirën që të tërheqim vëmendjen e Tij. Ky rrëfim i shkurtër dhe i fuqishëm (i pranishëm në të tre Ungjijtë sinoptikë), i cili ndërpret dhe njëkohësisht lidh rrëfimin e veprimit publik intensiv e dramatik të Jezusit – në luftë me shpirtrat e së keqes (Mk 1, 21-27) e pastaj i rrethuar nga kërkesat ngulmuese të turmave (Mk 1, 35) – shfaqet si një kundërvënie, që reflekton kujdesin e Jezusit edhe për ata që ndodhen brenda shtëpisë. Një kllapë e butësisë, që vepron si kundërvënie ndaj tipareve më pasionante të veprës së çlirimit nga e keqja, që shënon jetën dhe fatin e misionit të Jezusit.
Veçoritë e ngjarjes – shqetësimi i dishepujve për sëmundjen e gruas, sapo hyjnë në shtëpi; shenja afektive e afërsisë së Jezusit, i cili ia kap dorën; mirënjohja e heshtur për shërimin, që shndërrohet në gatishmëri për të shërbyer – janë ngjyrosje të një njerëzie të thellë, të brishtë dhe të paharrueshme.
Çfarë tjetër dëshironi të shtoni? Lexoj komente, dëgjoj intervista, përceptoj të pathëna, që e zbehin në mënyrë të marrë intensitetin e përmbledhur në ato pak rreshta të ungjillit, në të cilat duhet të gdhendim dashurinë dhe lutjen e këtyre ditëve. Ne duam t’i flasim Jezusit me dashuri për Papën tonë, i shtrirë në shtrat nga ethet, dhe shpresojmë me gjithë zemër që Ai ta ngrit butësisht në këmbët e tij, që ai të rifillojë shërbimin për të cilin i jemi kaq mirënjohës. Sigurisht, fakti që njeriu nuk tërhiqet, qoftë edhe në pragun e ndonjë rreziku, është tashmë i vërtetuar: Françesku s’ka asgjë për të provuar para askujt. Në të vërtetë, jemi ne ata që duhet ta mbrojmë me butësi dhe vendosmëri, duke e mbajtur me mençuri nga ana e sigurt e këtij pragu: në shtrat, kur është e nevojshme. Pa e cenuar lirinë e tij, kuptohet. As pa e zhvlerësuar dëshminë e mishëruar në guximin e tij. Për këtë arsye jemi mirënjohës ndaj atyre që kujdesen për të me të gjitha mjetet njerëzore të mundshme. Prandaj, në lutjen tonë, dhe me tërë butësinë e mundshme, të përpiqemi t’i flasim Jezusit rreth mirënjohjes sonë për të, jo për pikën e tij të thyerjes.
Papa Françesku e hapi shërbesën e tij duke i kërkuar popullit të Zotit ta bekonte dhe duke i nxitur të “mos harronin” të luteshin për të. Siç bënë gjithmonë, në fund të çdo takimi. Tani ne e nderojmë me gjithë zemër këtë kërkesë dhe e vulosim në vetë qendrën e premtimit tonë. Çfarë tjetër? Asgjë më shumë. Çka është më shumë vjen qoftëlargut, edhe kur nuk duket ashtu.
Natyrisht, kjo nuk nënkupton të marrim tonin devocional të butë apo retorika të vjetruara sakrale, që ushqehen nga një mitologji arkaike të trupit të Papës dhe që rrethojnë “të sëmurin e madhërueshëm” me hipokrizi të fshehur, e në realitet, duke shpresuar në heshtje daljen e tij nga skena e pushtetit. Ne tanimë duhet të vaksinohemi kundër kësaj dykuptimësie. Për më tepër, pikërisht prej tij – prej Françeskut, po them – kemi mësuar, në mënyrën më të çiltër dhe njëherazi këndshëm të ashpër, një stil papnor që nuk e fsheh normalitetin e brishtësisë dhe cenueshmërinë normale të pjesëve të jetës. Ato janë, në fund të fundit, shenja të një raporti intenziv dhe të thellë me “popullin”: të cilit i përket çdo shërbëtor i Ungjillit, në një shërbim që është dhuratë hiri, e jo privilegj i një super-njeriu. Edhe Papa, për këtë shërbim, duhet të përgjigjet personalisht para Zotit. Cili do të jetë hapi i fundit i këtij misioni të besuar atij, nuk na përket neve ta imagjinojmë, ta rekomandojmë (apo, aq më pak, ta imponojmë, ashtu siç guxon ndokush që i ka lejuar së keqes ta frymëzojë lutjen e vet).
Bekimi i vjehrrës së Pjetrit tani është për ty, Françesk: dhe për këtë ne flasim me Jezusin. Për shëndetin, mjekët sigurojnë kujdesin më të mirë. Për dorën e Jezusit, e cila të ndihmon të ngritesh çdo ditë, kemi gjithmonë shpresë. Për rifillimin e shërbimit, kur dhe për aq kohë sa Zoti do të dëshirojë, jemi të sigurtë se do të jetë po aq bujar, siç ka qenë deri tani. Brenda lutjes dhe dashurisë sonë, qëndron pikërisht kjo.
Burimi: https://www.avvenire.it/opinioni/pagine/la-preghiera-per-francesco
Përktheu: Don Marjan Topalli