INTERVISTË/Krishterimi në Prishtinë ndër shekuj – pjesa II

Intervistë ekskluzive me historianin Prof. Dr. Jahja Drançolli

 

Pjesa e dytë e intervistës ekskluzive me Prof. Drançolli, mbi krishterimin në Prishtinë dhe rrethinë, përqendrohet në periudhën e Imzot Pjetër Bogdanit (shek. XVII) e këndej, deri në ditët e sotme, që shfaqet si periudhë sa e lavdishme aq edhe e trishtë: e lavdishme sepse janë përpjekjet e Pjetër Bogdanit për të liruar trojet arbërore nga otomanët, kurse e trishtë sepse murtaja ua mori jetën gjeneralit Piccolomini dhe Bogdanit, e me shkuarjen e tyre ra “murtaja” në tërë territorin e Dardanisë.

Prishtina do të bie nën okupimin e tërësishëm otoman gjatë së cilës do të dëbohen katolikët nga trojet e tyre e do të kthehen vetëm në shekullin XX, përkatësisht pas rënies së perandorisë otomane dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kisha katolike në Prishtinë do të rimarr vetën në gjysmën e dytë të shekullit XX, dhe përfundimisht pas Luftës së fundit (1999) dhe Pavarësisë së Kosovës (2008).

 

 

Drita: Një periudhë e lavdishme e njëkohësisht e dhimbshme e Prishtinës na del në periudhën e Imzot Pjetër Bogdanit, që është shek. XVI dhe XVII, kur bëheshin përpjekjet për të liruar trojet tona nga pushtimet osmane. Çfarë roli ka pasur Prishtina në atë periudhë, si në aspektin kishtar po ashtu edhe në aspektin kombëtar, në përpjekjet e çlirimit?

 

Prof. Drançolli: Me pushtimin osman të Prishtinës (1455) u bë i mundshëm depërtimi gradual i islamit si religjion me të cili identifikoheshin edhe vetë osmanët. Perandoria Osmane si forcë ekskluzivisht ushtarake në fillimet e zgjerimit të vetë nuk e shikonte islamin si mjet të domosdoshëm që duhet imponuar të nënshtruarve nga ana e saj. Për këtë arsye deri në fillimet e shek. XVII islami nuk ishte fenomen masiv në mesin e popullatës arbërore në Kosovë, pra edhe në Prishtinë. Nga ana tjetër kur Perandoria Osmane sidomos gjatë shek. XVII zhvillonte fushata të mëdha në Azi, Mesdhe dhe Europën Qendrore, ajo dëshironte që të nënshtruarit e vetë t’i lidhte edhe nga pikëpamja fetare në mënyrë që t’i kontrollonte më lehtë. Duke u nisur në radhë të parë nga premisa ekonomike-politike, por të shoqëruar gjithnjë edhe më elemente të dhunës, fenomeni i ndryshimit të strukturës fetare u bë faktor dominant në mesin e popullatës arbërore edhe në qytetin e Prishtinës, qytet ky që nuk mund të shikohet si çështje e izoluar nga trevat e tjera arbërore, si dhe nga trevat të tjera të islamizuara të Ballkanit. Në fillim vetëdija fetare islame te popullata arbërore mbeti shumë e perciptë. Fenomeni i laramanisë (krishterimi i fshehtë, kriptokatolicizmi) e dëshmon këtë. Kjo dëshmohet gjithashtu edhe nga përhapja e bektashizmit te arbërit si një variant më i butë i islamit.

Përveç popullatës vendore, gjatë gjithë shekujve XVI-XVII, si pjesë e rëndësishme e popullatës së krishterë të qytetit ishin edhe kolonistët raguzan dhe italian. Kështu, rreth viteve 1502-1512, F. Petançi (Felix Petancius Genealogia Turcorum imperatorum circa 1502-1512), një diplomat dhe udhëpërshkrues raguzan, e kishte vizituar Prishtinën duke e veçuar atë si lokalitet të pasur. Mendim të përafërt kishte edhe austriaku Benedikt Kuripesiç në vitin 1530 (Benedict Curipeschitz von Obernburg), si dhe Lazar Soranco (1599) Prishtinën e konsideron për më të madhin qytet të Kosovës. Në këtë kuadër janë me shumë interes njoftimet që dalin nga raportet e klerit katolik arbër që e kishin vizituar edhe Prishtinën gjatë shekujve XVI-XVII. Në këtë kuadër duhet veçuar Shtjefën Gasprin dhe pjesëtarët e familjës Bogdani, me në krye me Pjetrin dhe projektin e tij të quajtur “Çeta e Profetëve” (“Cuneus Prophetarum”, Padova 1685), sipas të cilit shtrohen argumente të shumta për dëmet që i sillte në atë kohë kishës katolike krishterimi ortodoks dhe islami. Të bën përshtypje edhe raporti i Ciprovacii Pjetër (Bogdani Bakshiç), argjipeshkëv i Sofjes sipas urdhërit të klerit katolik dhe selinë e rekomandimeve të promovuara të Prishtinës, që ruan datën e 8 nentorit 1649 (“A. 1649 , 8. Novembris: Petrus archiepiscopus Sophiensis scribit se ob adiuncta temporum Romam accedere non posse; mittit relationem de statu suae ecclesiae, sacra sup pellectilia pro ecclesiis Pavlićanorum rogat, et P. Franciscum Soimirović ad preces cleri et catholicorum Serbiae ad sedem Pristinensem promoveri commendat”). Një njoftim i ngjashëm doli edhe nga raporti i vitit 1655 të nënshkruar nga dora e argjipeshkvit të njëjtë, dhe sipas të cilit Prishtina në atë vit kishte 3.000 shtëpi.

Njoftime interesante për Prishtinën gjatë shekujve në fjalë ndeshim edhe te defterët, kronikat dhe udhëpërshkruesit osman. Në këtë rast do të veçojmë Defterin osman të vitit 1544, sipas të cilit mësojmë për monumentet e kultit të krishterë në Prishtinë, si: Manastiri i Shën Nikollës, manastir ky që do të përmendet sërish në vitin 1830, kur mbi themelet e tij është ndërtuar kisha e re që do të ruan emrin e patronit të njëjtë. Gjithashtu, defteri në fjalë zbulon edhe kishën e Shën Gjergjit, kishën e Shna Prenes, si dhe disa kisha të tjera më të vogla. Ndërsa, udhëpërshkruesi Evlia Çelebi, zbulon se Prishtina zotëronte 2.600 shtëpi, ndër të cilat përmendet një saraj dhe gjyqi, si dhe 300 dyqane dhe objekte të tjera.

Mbi të gjitha këto njoftime që u përmendën më sipër, gjithsesi njoftimet më të rëndësishme janë ato që ndërlidhën me jetën dhe veprën e Pjetër Bogdanit në kontekstin me qytetin e Prishtinës. Burimet në fjalë që ruhen në arkiva të Romës, tashmë janë botuar në një vëllim të veçantë nga studiuesja e shquar e albanologjisë Odette Marquet (“Pjetër Bogdani, letra dhe dokumente”). Në anë tjetër, janë më rëndësi të veçantë për ndriçimin e jetës dhe veprës së Bogdanit, por edhe të qytetit të Prishtinës edhe burimet zyrtare Austro-hungareze të periudhës së Luftërave Austro-osmane, si dhe burimet që ofrojnë studiuesit italianë të kapërcyellit të shek. XVII dhe fillimit të shekullit XVIII, si, L. Marsigli, C. Contarini,  S. Bizozeri, e ndonjë tjetër. Në të gjitha këto dokumente të përmendura më sipër spikatët roli i argjipeshkvit të Shkupit, Pjetër Bogdani (1677-1689), si dhe të qytetit të Prishtinës në luftëra të përmendura, të cilat historiografia botërore i konsideron për ngjarje më të rëndësishme të gjysmës së dytë shekullit XVII. Gjatë luftërave të përmendura, reputacioni i Pjetër Bogdanit do të rritet edhe më shumë gjatë depërtimit të gjeneralit austriak  Piccolomini  në Kosovë dhe Maqedoni Veriore në vitin 1689. Atëherë, Prishtina do të shpallet si kryeqendër e forcave austriake dhe arbërore që numëronin së paku 6.000 të udhëhequr nga Pjetër Bogdani, i cili shumë shpejt do të bëhet viktimë e sëmundjes së murtajës, duke ndërruar jetë më 6 dhjetor të vitit 1689. Sipas burimeve të llojllojshme, sidomos sipas njoftimeve të nipit të tij Gjon Bogdani, trupin e tij që ishte varrosur në kishën e re me emrin, Shën Françesk Ksavieri, në anën e djathtë pran lterit të madh (“[…] Chiesa sotto il titolo di San Francesco Xaverio al destro contro dell altar maggiore […]”), tatarët dhe osmanët do ta nxjerrin nga varri trupin e tij, ndërsa një kishë të njohur me emrin Shna Prena (Santa Veneranda), e demoluan dhe e plaçkitën tërësisht gjatë luftës së madhe.

Drita: Me vdekjen e Bogdanit, Prishtina bie sërish nën sundimin e otomanëve, dhe si e tillë kemi një periudhë të “zhbërjes” së krishterimit, jo vetëm në qytet por edhe në rrethinë? Çfarë ndodh më saktësisht me Prishtinën në periudhën e mëpastajme, pas Bogdanit?

 

Prof. Drançolli: Burimet zyrtare që dalin nga zyrat arkivore perëndimore dhe osmane, sidomos të atyre të zyrës papnore, austriake dhe venedikase, dëshmohet se pas disfatës së fuqive të  krishtera dhe me ardhjen e osmanëve në Prishtinë të shoqëruar me epideminë e murtajën e  fillimeve të shek. XVIII, si dhe me luftën e re austro-osmane (1736-1739), që për epilog kishte disfatën e sërishme të ushtrive të krishtera, qytetit të Prishtinës dhe rrethinës u sollën shkretime të reja shtesë të shoqëruara me mërgatën e popullatës vendore drejt vendeve të afërta të lira nga sundimi osman. Në kushte të tilla të sforcohet institucioni i haraçit, sidomos haraçit në gjak, që do të shpejton përhapjen e islamit jo vetëm në qytetin e Prishtinës.

Dokument nga zyra e papatit (1706), ku dëshmohet demolomi (prishja) i kishës katolike kushtuar  Shna Prenes në Prishtinë

Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen, në vitet që pasojnë pas ngjarjeve të përmendura dihet saktë se do jetë më evidente paraqitja e fenomenit të laramanëve, sidomos pas luftës midis Perandorisë së Austrisë dhe Perandorisë Osmane të viteve 1736-1739. Së këtejmi, pas tërheqjes së forcave austriake drejt veriut, kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga argjipeshkvi Mikel Suma mbetën të vetmuar përballë ndëshkimit të pushtetit osman. Për ata që kishin luftuar deri atëherë heroikisht kishte vetëm dy rrugë: o të hiqnin dorë nga besimi i tyre dhe të integroheshin në botën islame, ose të emigronin në ndonjë vend të Europës për të ruajtur identitetin në pritje të kohëve më të mira. Mirëpo, ekzistenca e dukurisë së krishterimit të fshehtë te popullata katolike herë pas here shkaktonte ngatërresa në mesin e klerit katolik sidomos rreth administrimit të shërbesave fetare për individët që ndiqnin fshehurazi ritin katolik. Vëmendje të veçantë kësaj çështjeje i kushtoi Kuvendi i Arbënit, i mbajtur më 1703, me thirrjen e drejtpërdrejt të Papa Klementit XI-Albanit. Arsyeja kryesore e kalimit në islam sipas Kuvendit, në rend të parë është barra e rëndë e tatimeve dhe obligimeve të tjera të cilat të krishterët kanë qenë të detyruar t`ua paguajnë osmanëve. Pavarësisht nga veprimet perfide të pushtetit osman, që i detyronte katolikët të kalojnë në fe islame, Kuvendi kërkonte që sakramentet t’u ndahen vetëm atyre që haptas e rrëfejnë fenë e krishterë të ritit roman. Ndonëse, kalimi në islam ishte shenjë e dobësisë dhe e ligështisë, rikthimi në fe të vjetër ishte trimëri, regjistrohet në dokumente relevante të proveniencës katolike.

Drita: Në Prishtinë kthehen përsëri të krishterët, përkatësisht katolikët dhe prania e Kishës në shek. XX dhe ndërtojnë kishën në pjesën e sotme ku gjendet sheshi Zahir Pajaziti, apo përballë Grandit, që do të jetë aty deri në vitin 1959, kur do të rrënohet nga sistemi komunist për ta bartur në pjesën djerrinë të qytetit, kur gjendet sot kisha e Shën Ndout?

 

Prof. Drançolli: Shekulli XX tek shqiptaret solli rrethana të reja politike shoqërore e kulturore, të cilat domosdoshmërisht u reflektuan edhe në fushën e organizimit kultutor-fetar. Kisha Katolike në shek. XX  e shoqëruar nga Pavarësia e Shqiperisë (1912) mori rolin e prezantimit jo vetem fetar, por edhe politik të shqiptarëve para institucioneve europiane përgjegjëse për të ardhmen politike të shqiptarëve. Mirëpo, ky interesim i shtetit të ri për shqiptarët jashtë Shqipërisë politike shumë shpejtë do të sfidohet me vështirësi të shumta, dhe në këtë kuadër edhe me probleme të organizimit kishtar. Në fakt organizimi i Kishës Katolike jashtë territoreve të Shqipërisë londineze, sërish do të gjendet në kushte okupuese të një sunduesi të ri, Mbretërisë së Serbisë, Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Jugosllavisë Komuniste, duke rezultuar me ndalimin e çdo forme të religjionit të shqiptarëve.

Kisha Katolike në Kosovë, pra edhe në Prishtinë, ndryshe nga Shqipëria dhe gjetiu pati një ecuri më të veçantë, duke qenë nën trysninë serbomadhe, e cila katolicizmin e konsideronte për rival  në përpjekje drejt shembjes së identitetit europian të shqiptarëve.

Pushtimi serb i Kosovës bëri që Kisha Katolike e Kosovës ndër shqiptarët të organizohet nëpërmes të Ipeshkvisë Shkup-Prizren. Në të vertetë Ipeshkvia Shkup-Prizren deri në vitin 1914 ruante statusin e argjipeshvisë. Por me nënshkrimin e Konkordatit në mes të Selisë së Shenjtë dhe Mbreterisë serbe, titulli i argjipeshkvit i kalon Ipeshkvisë së Beogradit.

Pushtimi serb i Kosovës më 1912 perveç, që u shpreh në organizimin kishtar të ndarë nga ai i Shqipërisë bëri që mos të  respektoheshin të drejtat elementare fetare e njerëzore të shqiptarëve. Padyshim, kjo politikë ndeshi në rezistencë të shqiptarëve, që u shpreh përmes lëvizjeve të ndryshme, por edhe në aktivitetin e dendur politik, jo vetëm të atdhetarëve laik por edhe të klerit katolik. Ky aktivitet jo vetëm i klerit katolik shprehej me vepra konkrete që ishte përgjigje e mirë ndaj politikës përçarëse serbe dhe më vonë jugosllave (1918-1989). Madje, politika ditore kishte ndikuar edhe në emërimet e ipeshkvijve jo shqiptar në krye Ipeshkvisë Shkup-Prizren, si,  Imzot Ivan Franjo Gnidovec (1924-1939), Imzot Smiljan Franjo Čekada (1940 – 1967) dhe Imzot Joakim Herbut (1969 – 1992). Si rrjedhojë e kësaj politike ditore ishte demolimi i kishës katolike në vitin 1959 për t’u ndërtuar një shtëpi e mallrave, e cila gjendet përballë Grand hotelit të sotëm.

Kisha e Shën Ndout në Prishtinë, e shkatërruar nga regjimi komunist në vitin 1959

Dihet gjithashtu se Kosova me Prishtinën kryeqytet deri më 1981, e gëzonte një autonomi në ish-Federatën Jugosllave. Ajo autonomi u mohua pikërisht në vitin e përmendur, kur edhe nisi ripersekutimi shtetëror kundër shqiptarëve të Kosovës. Me këtë mohim flagrant të drejtave individuale dhe kolektive, nisi edhe kriza në Kosovë dhe Jugosllavi përgjithësisht, duke shkaktuar luftëra që morën shumë jetë njerëzish dhe rrënuan qytete e fshatra. Kjo dhunë mori fund me ndërhyrjen e forcave të aleancës ushtarake të NATO-s, mu aty ku kishte filluar. Në këto kohë krize, gjithë populli dhe Kisha katolike e Kosovës në krye me ipeshkvin Nikë Prela (1918-1996) promovonin qëndresën paqësore. Ndërkaq, në nëntor të vitit 1995, Selia Shenjtë për ipeshkëv të komunitetit katolikë shqiptarë të Kosovës emëroi ipeshkëv, meshtarin dhe misionarin e merituar të këtyre anëve Dom Mark Sopi (1996 – 2006), shugurimi i Shkëlqesisë si Tij për shkaqe të rrethanave të vështira në Kosovë, u bë në Romë më 6 janar të vitit 1996. Pas vdekjes së papritur të Imzot Mark Sopi, në krye të Ipeshkvisë Prizren do të emërohet Imzot Dodë Gjergji (2006).

Një kthesë e rëndësishme në organizimin administrativ të Kishës Katolike të Kosovës do të shohim sidomos pas Luftës së fundit (1999) me instalimin e administratës ndërkombëtare në Kosovë, dhe sidomos me shpalljen e Pavarësisë së Kosovë (2008). Gjatë kësaj kohe u hodhën themelet dhe u ndërtuan Katedralja dhe Shenjtërorja e Nënë Terezës në Prishtinë; është  shënuar 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës (2010); është themeluar Shkolla Katekistike Dioqezane në Prishtinë (2014); është bërë shugurimi i Katedrales dhe Shenjtërores “Nëna Tereza” në Prishtinë (2017), me delegatin e posaçëm të Papa Françeskut, kardinalin shqiptar, Hirësinë e tij Ernest Simoni Troshani; është shpallur Dioqeza e re Prizren-Prishtinë (5 shtator 2018); për herë të parë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Hirësia e tij Kardinal Pietro Parolin, e viziton Dioqezën Prizren-Prishtinë dhe ipeshkvin e saj Imzot Dodë Gjergjin (2019).

Katedralja dhe Shenjtërorja Shën Nënë Tereza në Prishtinë, në ditën e shugurimit, më 5 shtator 2017

 

Drita: Sot, në Prishtinë kemi një prani të re të Kishës Katolike: Katedralja neoromanike kushtuar Shën Nënë Terezës dhe Dioqeza e re e shpallur nga Papa Françesku, që bartë emrin e Prishtinës bashkë me Prizrenin, përkatësisht Prizren-Prishtinë. Duket se po i rikthehet zëri i dikurshëm. Por, përkundër kësaj, gjurmët e krishterimit antik janë asgjësuar. A mund të bëhet një arkeologji e krishterë e Prishtinës, natyrisht me vullnetin e institucioneve të vendit tonë, për ta pasuruar trashëgiminë e kryeqytetit të vendit tonë?

Prof. Drançolli: Përgjithësisht shqiptarët kishin trashëguar nga tradita ndjenja të larta tolerance fetare, traditë kjo që është prezantuar dhe popullarizuar në botë përgjatë shekujve nëpërmjet të dijetarëve dhe klerit tonë. Sot, para çdo intelektuali dhe qytetari i Republikës së Kosovës, pra edhe prishtinasi është detyrë parësore “ndërtimi i Paqes pas konfliktit” në Kosovë dhe më gjerësisht në Ballkan, detyrë kjo që është një ndërmarrje afatgjate dhe jashtëzakonisht komplekse. Një ndër detyrat më të rëndësishme në ecejaket e ndërtimit të Paqes padyshim se është forcimi i mirëkuptimit ndër-fetar. Antagonizmat etno-fetare në Kosovë dhe rajon mund të zbutën deri në një masë të caktuar, kur njerëzit të fitojnë një kuptim më të thellë dhe më të saktë të “religjionit të tjetrit”, si dhe fenomeneve fetare në përgjithësi. Së këtejmi, tradita e pasur më se 2000-vjeçare e krishterimit në Prishtinë dhe rrethinë vetëm sa e sforcon mirëkuptimin në një ambient multireligjioz.

Drita: I nderuar profesor, duke ju falënderuar për këtë intervistë ekskluzive për revistën tonë “Drita”, me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri 2021, dëshiroj të përfundojmë me një pyetje rreth figurës së madhe të qytetit tonë: Pjetër Bogdani është simbol dhe ndërgjegje kombëtare dhe fetare e Prishtinës. A mendoni se ai e meriton një përqasje më të denjë të qytetit të tij?

Prof. Dançolli: Padyshim se, Pjetër Bogdani i takon vargut të personaliteteve më të shquar jo vetëm të historisë kombëtare por edhe më gjerësisht. Bogdani ka realizuar disa projekte të karakterit europian, të cilat janë aktuale edhe sot e gjithë ditën në fusha të llojllojshme të jetës. Bogdanin, krahas Gjergj Kastrioti-Skënderbeut është një ndër personalitetet të historisë tonë që ka gjetur një pasqyrim të gjerë e jetëgjatë në shkencën dhe kulturën botërore. Bogdanin duhet konsideruar udhëheqës, simbol, mësues dhe krijues i lirisë. Bogdanin gjithashtu duhet konsideruar për njërin ndër kryendërtuesit e gjuhës tonë; për njërin personalitetet që kishte kultivuar dhe mbajtur gjallë fenë e të parëve tanë për t’u lënë trashëgimi gjeneratave të sotme; për njërin ndër ndërtuesit e politikës tonë të jashtme dhe përkrahjes ndërkombëtare për çështje tona çlirimtare ndaj pushtuesit të huaj. Nga sa u tha më lart, mund të themi me plot gojën se Bogdani meriton sot shumë më tepër sesa ato që gëzojnë bashkëpunëtorët e tij në qytete të ndryshme të Europës, të cilët kanë vepruar dhe krijuar në kushtet e lirisë dhe prosperitetit ekonomik./drita.info

Intervistoi: Don Fatmir Koliqi

Shpëndaje: