
(Tryeza e Dialogut ndërfetar sipas modelit shqiptar, e organizuar nga Fondacioni “Drita” në Prishtinë, Qendra “BogdaniPolis”, më 21 mars 2025)
Të nderuar pjesëmarrës,
liderë fetarë,
përfaqësues të institucioneve shtetërore,
kori diplomatik,
dhe ju të gjithë të pranishëm,
miq të dialogut ndërfetar dhe mbështetës të paqes mes nesh
Më lejoni që në fillim ta falënderoj FONDACIONIN “DRITA” për këtë iniciativë dhe për besimin që na ka dhënë për të qenë mikpritësi i parë i kësaj nisme. Ose, thënë në mënyrë figurative, që kjo sofër e Dialogut të shtrohet në Shtëpinë tonë. Po, padyshim do të jemi kështu të lumtur kur vitin e ardhshëm të ulemi në këtë tryezë, në ambientet e Bashkësisë Islame në Kosovë, pastaj edhe te të tjerët.
Është e rëndësishme të theksoj se bashkëjetesa në diversitetin fetar dhe uniteti etnik, gjuhësor e kulturor është një pasuri e paçmueshme që e kemi trashëguar nga të parët tanë. Lirisht mund të themi se dialogu ndër ne vjen nga përvoja e jetës në dashurinë dhe mirëkuptimin vëllazëror. Vërtet, ky është bërë një kod jete që askush nuk dëshiron ta shkel apo ta ndryshojë, edhe, po të dojë dikush ta ndryshojë, nuk e arrin.
Këndej, ulja jonë rreth kësaj tryeze të Dialogut nuk është thjesht një mundësi shtesë për të reflektuar njohuritë intelektuale, doktrinare apo filozofike mbi dobinë e dialogut. As ndonjë urgjencë që lidhet me nevojën e promovimit të tolerancës mes nesh, e aq më pak një nevojë akute për të shuar mosmarrëveshjet.
Për ne, është një moment i bukur ku mund të kremtojmë dashurinë ndërvëllazërore. Një festë e përbashkët mes vëllezërve që herë duhen, herë-herë ngatërrohen, por gjithnjë pajtohen pa vështirësi dhe vetë gjejnë rrugën e pajtimit, pa e dëmtuar paqen mes tyre. Ky dimension i qenies tonë, i ka përcjellë shqiptarët në histori dhe është shndërruar në një sintezë të identitetit dhe harmonisë mes nesh.
Kur flasim për modelin shqiptar të dialogut ndërfetar, duhet të kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me një formulë doktrinore që buron nga besimet tona, një përvojë të imponuar nga konfliktet e dikurshme, apo me një eksperiment shoqëror të kohëve moderne.
Por, bëhet fjalë për një proces të brendshëm: të trashëguar nga përvoja historike si evolim natyror i jetesës brenda rrethanave të vështira historike. Ky proces ka mundësuar që të bashkëveprojmë, bashkëqëndrojmë dhe bashkësynojmë një të ardhme të mirë. Kur do të realizoheshin qëllimet e shumë gjeneratave: të jetojmë në paqe, të kemi lirinë dhe të sigurojmë mirëqenie për fëmijët tanë. Ky është thelbi i ekzistencës sonë të ndarë, por jo të përçarë.
Sot, në botën ku jetojmë, shumëkund dallimet janë bërë arenë konflikti dhe përçarje. Por, edhe në këtë realitet të dhimbshëm të ditëve tona, ne shqiptarët duhet të gjejmë përgjigjen e duhur për vështirësitë e reja, dhe të vazhdojmë të dëshmojmë se diversiteti fetar, dhe çdo dallim tjetër,
- nuk duhet të cenojë bashkimin e njerëzve në ambicien e tyre për të arritur qëllimet pozitive.
- bashkëpërpjekjen për të ndërtuar paqen sociale dhe
- bashkëpërgjegjësinë për njëri-tjetrin.
Duam të ofrojmë përvojën tonë si kontribut për të gjithë të tjerët, pasi ne jemi dëshmi e gjallë që uniteti në diversitet është i mundur. Jemi të bindur se feja, vërtetë, na bën të besojmë ndryshe, por nuk kërkon të përçahemi dhe se Krijuesi i përbashkët na fton ta duam, e jo ta urrejmë njëri-tjetrin. Me këtë bindje, të parët tanë nuk lejuan që dasitë fetare të ndërtojnë mure mes nesh, apo të krijojnë kufij ku duhet të ndahemi, por ruajtën dashurinë ndërvëllazërore si një hapësirë që përfshin të gjithë, respekton lirinë dhe nuk mohon të përbashkëtën.
Kjo mënyrë e kuptimit të dallimeve nuk na lejon të krijohen iluzione për shoqëri ideale, të hutohemi pas uniteteve të rreme, ose të frikohemi nga ata që përpiqen të na përçajnë. Por, vazhdimisht motivohemi për të shuar konfliktet, për të sheshuar dallimet. Mbi gjitha për të përhap aromën e dashurisë, pajtimit dhe faljes, që mundësojnë bashkëjetesë në harmoni.
Ky model nuk është një sistem artificial i vendosur mbi shoqërinë, por është një përvojë shoqërore e rrënjosur thellë në kulturën, historinë dhe ndërgjegjen tonë kolektive, edhe pse mungonte dhurata e paqes politike, e drejta shoqërore dhe liria kolektive.
Kështu që, sa herë analizojmë rrënjët e kësaj harmonie, të ndërtuar mbi konceptin e bashkëjetesës që nuk kufizon ndërveprimin shoqëror dhe nxit dashurinë ndërvëllazërore, natyrshëm shtrohet pyetja: Si ka qenë e mundur të ruhen këto vlera në mungesë të paqes, mëvetësisë dhe lirisë? Përgjigja është e thjeshtë: Populli ynë ka ditur të jetojë dritën e shpirtit të vet duke jetuar me shpresë errësirën historike, përmes së cilës ka kaluar, duke jetuar me njëri-tjetrin paqësisht. E, duke respektuar diversitetin e vet fetar në lagje, në rrethin shoqëror dhe në familje, me dinjitet, me respekt dhe bashkëndjesi për njëri-tjetrin. Vërtet, vetëm kështu, duke shpresuar së bashku, do të arrinin tri vlerat e munguara: paqen, lirinë dhe mëvetësinë.
Pikërisht kjo është arsyeja pse ne nuk kemi pasur kurrë konflikte fetare brenda nesh, dhe kemi arritur të ruajmë unitetin etnik, gjuhësor dhe kulturor. Këndej, për ne sot, dhe për gjeneratat që do të vijnë, dashuria ndërvëllazërore dhe bashkëjetesa në paqe mbetet amanet që duhet mbajtur. Pasi, vetëm me këtë unitet mund të gjejmë forcën për t’u përballuar me sfidat e kohës, të ruajmë identitetin tonë etnik-kulturor, të japim kuptim paqes dhe të shijojmë frytet e lirisë. Sepse forca jonë nuk buron nga homogjeniteti, por nga harmonia mes diversiteteve tona. Pikërisht kjo filozofi mendimi dhe kjo formë jete mund të jetë model për botën.
Pikërisht, siç e theksoi Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, kur e quajti vendin tonë “një shembull të harmonisë fetare që bota duhet ta mësojë.” Ky është një vlerësim që nuk buron nga propagandat apo iluzionet e idealizuara, por nga vetë realiteti ynë historik.
Modeli ynë nuk është thjesht një bashkëjetesë pasive, një tolerancë e ftohtë që pranon tjetrin për hir të paqes sipërfaqësore. Por është një ndërveprim aktiv, një përqafim i dallimeve, dhe një vullnet për të bashkëndarë vlerat më të mira me njëri-tjetrit. Kjo është ajo që na dallon nga shumë përpjekje të tjera për dialog ndërfetar, pasi ne nuk kemi nevojë të ndërtojmë ura; ne jetojmë mbi këto ura, ose jemi ura vet.
Vetëm se këto vlera nuk duhet t’i marrim si të mirëqena, por duhet t’u japim dimensionin e lirisë, duke jetuar këtë liri në paqe dhe duke respektuar lirinë e personit, pavarësisht se liria e dikujt, nuk përputhet me vlerësimet apo dëshirat tona.
Çdo përpjekje për të cenuar lirinë e individit, apo çdo këmbëngulje për të qëndruar mbi urën e bashkëjetesës që e kanë ndërtuar të parët tanë, pa lirinë e lëvizjes së të tjerëve drejt nesh dhe pa mundësinë tonë për të lëvizur drejt të tjerëve, vlerat tona mbeten vetëm histori.
E, si rrjedhojë, as nuk do të mundemi ta ruajmë unitetin. Aq më pak do të kemi mundësi të ofrojmë modelin tonë si ofertë për të tjerët. Këndej, le të angazhohemi, si në të kaluarën ashtu edhe sot, të jetojmë realitetin e diversitetit fetar duke ruajtur unitetin mes nesh dhe shpresën e përbashkët për një të ardhme të sigurt. Pasi, jam i bindur se dashuria ndërvëllazërore në kushtet e lirisë dhe realitetin e paqes na mundëson që këto vlera të bashkëjetesës në paqe t’i shtrijmë jashtë nesh, te ata me të cilët duhet të bashkëjetojmë në Kosovë, por edhe si model për popujt e Lindjes dhe Perëndimit.
Thirrje për të ardhmen
Në një botë ku narrativat e përçarjes po bëhen gjithnjë e më të forta, është detyra jonë të tregojmë se ka edhe një rrugë tjetër: rruga e dashurisë, bashkëjetesës së sinqertë dhe respektit të ndërsjellë. Pasi, jemi shembulli më i mirë, më i dukshëm dhe dëshmia më e mirë, se është e mundur të kemi bashkësi shoqërore me diversitetet njerëzore, kulturore e fetare, ku mbizotëron ndjesia e dashurisë dhe respektit, dhe jo frika nga njëri-tjetri.
Për këtë arsye, më duhet të falënderoj Fondacionin “Drita” që ka marrë iniciativën për të organizuar këtë tryezë dialogu. Dhe jam i bindur se do ta vazhdojë këtë iniciativë.
Pasi, të gjithë ne këtu jemi të bindur, siç ka thënë Papa Françesku, se: “Paqja nuk ndërtohet me traktate, por me zemrat e njerëzve që e zgjedhin atë çdo ditë.” Ne shqiptarët e kemi bërë këtë zgjedhje prej shekujsh dhe sot është dita për ta pohuar sërish, jo vetëm si një amanet nga e kaluara, por si një premtim për të ardhmen.
Le ta ruajmë këtë pasuri dhe ta shpërndajmë atë si një dritë udhërrëfyese për një botë më të mirë! Faleminderit!/drita.info