Fotografia e parë e Papa Françeskut që nga shtrirja në spitalin Gemelli

Zyra e shtypit Selisë së Shenjtë publikoi një foto të Papës duke u lutur pasi kishte kremtuar Eukaristinë në mëngjes të dielën e 16 marsit. Ky është imazhi i parë i Papës që nga shtrimi i tij në spital më 14 shkurt të kaluar.

 

Në foton e Papa Françeskut të marrë nga pas, ai është ulur në një karrige me rrota, i veshur me alben (petkun e Meshës) dhe stolen ngjyrë vjollce pas kremtimit të Meshës, ndërsa shikon kryqin në altarin e kapelës në katin e dhjetë të poliklinës Gemelli, në Romë, ku zakonisht shkon për t’u lutur çdo ditë pasi kushtet e tij janë përmirësuar pak. Ja fotografia e parë e Papa Françeskut që prej 14 shkurtit që është shtruar në Poliklinikën Gemelli. Zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë e publikoi këtë mbrëmje. Fotografia paraqet imazhin e Papës këtë mëngjes, menjëherë pas Meshës, bashkë me meshtarë të tjerë, në kapelën pranë dhomës së tij të spitalit Gemelli.

 

Shpresa për të “parë” Papën

Prej ditësh gazetarë të ndryshëm, por edhe njerëz të thjeshtë pyesnin për imazhet e Papës. Imazhert e fundit datonin, në fakt, më shumë se një muaj më parë, kur në shtëpinë e shën Martës në Vatikan, një mëngjes para se të shtrohej në spital, Françesku pati pritur anëtarët e Fondacionit Spanjoll Gaudium et Spes. Që atëherë, askush, përveç mjekëve që e trajtojnë dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, nuk ka pasur rastin ta shohë Papën, zëri i tij i lodhur, u dëgjua në audion e 6 marsit e kaluar, transmetuar gjatë lutjes së Rruzares në sheshin e Shën Pjetrit, përmes të cilit zë Papa bekoi besimtarët dhe falënderoi ata që u lutën për të në këtë kohë sëmundjeje. Pastaj u publikuan tekste të ndryshme të shkruara, duke përfshirë katekizimin e lutjeve të Engjëllit të Zotit dhe të audiencave të përgjithshme, mesazhe, telegrame etj.

 

Lutje, pushim, terapi

Në mbrëmje, kjo shenjë e re e ‘prezencës’ së Françeskut mbërrin në një nga momentet më intime, lutjen. Është fjala për lutjen që shënon ditët e tij së bashku me pushimin dhe terapinë farmakologjike dhe fizioterapinë respiratore e motorike, që vazhdoi edhe sot. Në veçanti, Zyra e Shtypit njoftoi se Papa ka përfituarnga fizioterapia motorike. Sot nuk kishte vizitorë, rifilloi me disa punë.

Situata mbetet stabile, siç është konfirmuar tashmë ditët e fundit, por ende në një kuadër klinik që stafi mjekësor – siç njoftohet në buletinet e fundit – e cilëson si “komplekse”. Të njëjtat komunikime mjekësore kanë filluar të bëhen më të pakta ditët e fundit, pikërisht në dritën e situatës së qëndrueshme të Papës, por Zyra e Shtypit të Selisë së Shenjtë përditëson gazetarët (të cilët janë deri në 700 të akredituar që nga fillimi i shtrimit të Papës në spital) për të ndjekur gjendjen e Papës. “Një moment sprove”, siç ka shkruar në lutjen e Engjëllit të Zotit të kësaj të diele, bashkë me shumë të sëmurë tjerë “të brishtë, në këtë çast, si unë”.(Radio Vatikani)

Shpëndaje: