
12-vjetori i papnisë së Françeskut bie këtë vit në një kohë të veçantë për Papën, i cili prej gati një muaji jeton në një dhomë spitali, në katin e dhjetë të Poliklinikës romane Gemelli. Prej andej, me një zë ende të mekët, ditët e fundit, u bashkua me besimtarët, që thonë Rruzaren për shëndetin e tij, në Sheshin e Shën Pjetrit. Një zë, që vazhdon të kërkojë paqe e jo luftë, dialog e jo shtypje, dhembshuri e jo indiferencë
Nga Andrea Tornielli
Nesër, e enjte, më 13 mars, Papa Françesku kremton 12-vjetorin e zgjedhjes së tij në fronin papnor. Konklavi filloi një ditë më parë. Ishte e martë, 12 mars 2013 dhe, në orën 16.30, siç ishte vendosur nga Kongregacioni i Përgjithshëm, kardinajtë u mblodhën në Konklav për zgjedhjen e Ipeshkvit të ri të Romës, siç parashikohet nga “Ordo rituum conclavis”. Nga Kapela Pauline e Pallatit Apostolik, të paraprirë nga kryqi dhe të ndjekur nga libri i Ungjijve, duke kënduar Litanitë e shenjtorëve, 115 kardinajtë me të drejtë zgjedhore ecën në procesion drejt Kapelës Sikstine për betimin. Më pas, Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore, imzot Guido Marini, shqiptoi “Extra omnes”.
Po atë mbrëmje, rezultati i votimit të parë: pa sukses. Të nesërmen, në mëngjes, kardinajtë zgjedhës u mblodhën për votimin e dytë dhe të tretë. Sërish asgjë nuk ndodhi dhe nga oxhaku doli tym i zi. Puna ndryshoi pasdite, kur në votimin e pestë Bergoglio arriti shumicën e nevojshme për t’u bërë pasardhësi i 265-të i Shën Pjetrit. Tymi i bardhë u duk mbi Vatikan në orën 19.06. Rreth një orë më vonë, më 20.12, njoftimin për zgjedhjen e Papës së ri, ardhur “nga fundi i botës”, e dha kardinali protodiakon Jean-Louis Tauran nga Lozha e Bekimeve e Bazilikës së Shën Pjetrit. Filloi papnia e Françeskut.
12-vjetori i saj bie këtë vit në një kohë të veçantë për Papën Françesku, i cili prej gati një muaji jeton në një dhomë spitali, në katin e dhjetë të Poliklinikës romane Gemelli. Lajmet e buletineve të fundit mjekësore janë inkurajuese, Ati i Shenjtë është jashtë rrezikut e shpresohet që, së shpejti, të kthehet në Vatikan, por pa dyshim, ai që po përjeton Papa këto ditë është një përvjetor shumë i veçantë i papnisë së tij. Pikërisht periudha e karakterizuar nga udhëtimi më i gjatë ndërkontinental (në Indonezi, Papua Guinea e Re, në Timorin Lindor dhe në Singapor), nga përfundimi i Sinodit mbi Sinodalitetin dhe nga hapja e Portës Shenjte të Jubileut 2025, tani, regjistron edhe këtë kohë delikate.
Pasardhësi i Shën Pjetrit, i sëmurë mes të sëmurëve, vuan dhe lutet për paqe, i shoqëruar nga lutja korale e sa e sa njerëzve në mbarë botën. Ai, që, në këto dymbëdhjetë vjet, nuk e ka përfunduar kurrë një mbledhje, një katekezë apo Engjëllin e Tënzot, pa fjalët “Ju kërkoj një favor, mos harroni të luteni për mua”, sot, ndien përqafimin e kaq shumë besimtarëve dhe jobesimtarëve, që e duan.
Është kohë, që zbulon zemrën. Është kohë, në të cilën s’është pa dobi të bëhen pyetje mbi natyrën e Kishës dhe mbi misionin e Ipeshkvit të Romës, aq i ndryshëm nga ai i drejtorit të përgjithshëm të një firme shumëkombëshe. Dymbëdhjetë vjet më parë, kardinali i atëhershëm Bergoglio foli në kongregacionet e përgjithshme duke përmendur jezuitin, teologun dhe kardinalin francez Henri De Lubac, që e quante “mendësinë shpirtërore të kësaj bote” si “të keqen më të madhe” në të cilën mund të bjerë Kisha. Rreziku i një Kishe që “beson se shkëlqen me dritën e vet”, se mund të bazohet në forcën e vet, në strategjitë e veta, në efikasitetin e saj, duke pushuar së qeni “mysterium lunae”, pra, duke harruar të reflektojë dritën e një Tjetri, të jetojë dhe të veprojë e mbështetur dhe e mbartur vetëm nga hiri i Atij, që tha: “Pa mua nuk mund të bëni asgjë”.
Duke i kujtuar edhe një herë ato fjalë, sot, shikojmë me dashuri dhe shpresë dritaret e katit të dhjetë të spitalit Gemelli. E falënderojmë Papën Françesku për këtë magjister të brishtësisë, për atë zë ende të mekët, që ditët e fundit iu bashkua Rruzares në Sheshin e Shën Pjetrit. Një zë i brishtë, që vazhdon të kërkojë paqe e jo luftë, dialog e jo shtypje, dhembshuri e jo indiferencë. Gëzuar përvjetorin Atë i Shenjtë, ne kemi ende shumë nevojë për zërin tuaj. (Radio Vatikani)