
Fondacioni “Drita”, në bashkëpunim me bashkësitë fetare në Kosovë, organizon këtë të enjte, më 16 prill 2026, tryezën e dytë të dialogut ndërfetar. Pas suksesit të edicionit të parë të mbajtur vitin e kaluar në Katedralja Shën Nënë Tereza, kjo nismë vazhdon të thellojë reflektimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve fetare në vend.
Tema e sivjetme, “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?”, synon të hapë një diskutim të thellë mbi natyrën dhe rëndësinë e dialogut ndërfetar në një shoqëri pluraliste si ajo e Kosovës. Tryeza do të mbahet në ambientet e Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë dhe pritet të mbledhë krerë të bashkësive fetare, përfaqësues të institucioneve shtetërore, figura të jetës kulturore, si dhe mysafirë nga rajoni.
Ky aktivitet synon të krijojë një hapësirë të hapur për shkëmbim mendimesh dhe përvojash mbi vlerën e dialogut ndërfetar, duke u mbështetur në traditën e bashkëjetesës që e karakterizon popullin tonë. Në një kohë sfidash globale dhe rajonale, ky model paraqitet si një pasuri e çmuar që duhet ruajtur dhe kultivuar me kujdes.
Fondacioni “Drita”, si organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, ka në fokus të veprimtarisë së saj promovimin e kulturës, arsimit dhe shkencës. Përmes projekteve të saj, ajo synon të mbështesë iniciativa me karakter edukativ, kulturor, ekonomik dhe socio-humanitar, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.
Tryeza e dialogut ndërfetar, e nisur vitin e kaluar, synon të bëhet një traditë e përvitshme, me qëllim ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet feve, si dhe ruajtjen e paqes dhe harmonisë në shoqërinë tonë.
Fotografia në ballinë: Tryeza e dialogut ndërfetare me krerët e bashkësive fetare në Kosovë, viti 2025

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër

