
Nga Don Frok Zefi
Pjetër Karagiqi në cilësinë e arqipeshkvit të Shkupit, në relacionin e tij mbi vizitën kanonike në arqipeshkvinë e Shkupit të vitit 1706, dëshmon se në qytetin e Gjakovës dhe në rrethina shërbenin misionarët apostolik, si dhe françeskanët e reformuar që ishin vendosur në Zogaj. Më tej ai raporton se ata merrnin nga Kongregata për Përhapjen e Fesë, një ndihmë ekonomike prej rreth 20 skudësh, për të plotësuar nevojat e tyre. Mes të tjerash, ai shkruan se as në Gjakovë e as në Zogaj nuk kishte godina kishtare, e për pasojë mesha predikohej ose në kapelën e cila gjendej në shtëpinë françeskane në Zogaj, ose nëpër shtëpitë e besimtarëve.[1] Përmes këtij relacioni, mësojmë gjithashtu se në Gjakovë, në Zogaj por edhe në fshatrat e tjerë ishin gjithsej 2100 besimtarë të krishterë.[2] Edhe në relacionin që ai e pati shkruar në vitin 1707, të dhënat për Gjakovën dhe Zogajn janë të njëjta si ato të mëparshmet, pa shtuar ndonjë zhvillim të ri.[3]
Relacioni i vitit 1710, mbi vizitën kanonike në arqipeshkvinë e Shkupit, i shkruar nga arqipeshkvi Karagiq, na informon se në qytetin e Gjakovës dhe në rrethina shërbenin dy misionarë apostolik, dy françeskanë të reformuar të cilët ishin: Atë Josipi nga Galizata dhe atë Domenik Veneciani, dhe se që të dy banonin në fshatin Zogaj, meqë selia në Gjakovë mungonte. Gjithashtu, përmes këtij relacioni informohemi se ata merrnin nga Kongregata një ndihmë ekonomike prej 20 skudësh në vit, dhe se në të gjitha vendet ku shërbenin françeskanët, jetonin gjithsej rreth 2300 besimtarë të krishterë. Askund nuk kishte godina kishtare, ku të mund të mbahej mesha.[4] Në relacionin mbi vizitën kanonike të vitit 1713, arqipeshkvi Karagiq shkruan se në qytetin e Gjakovës dhe në rrethina shërbenin dy misionarë françeskan të cilët mbështeteshin nga një mjek, që edhe ky ishte françeskan. Ata banonin në fshatin Zogaj, ku të gjithë banorët ishin besimtar të krishterë, ndërsa tashmë ndihma ekonomike që merrnin kishte arritur në 25 skudë në vit. Gjendja me godinat kishtare vazhdonte që të ishte e njëjtë, askund nuk kishte godina kishtare, dhe mesha predikohej nëpër shtëpitë e besimtarëve. Shërbimi që bënin misionarët ishte shumë i çmuar, pasi fal tyre merrnin përkujdes e mbështetje shpirtërore “më shumë se 2.000 besimtarë të krishterë.”[5]
Në vitin 1715, françeskanët ishin dëbuar nga arqipeshkvia e Shkupit, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja se pse arqipeshkvi Karagiq në relacionin e shkruar prej tij mbi vizitën kanonike në arqipeshkvi në vitin 1716, dëshmon se në qytetin e Gjakovës shërbenin dy misionarë françeskanë që mbështeteshin nga një mjek i cili gjithashtu ishte françeskan. Ata banonin në Zogaj, dhe merrnin nga Kongregata një ndihmë ekonomike prej 12 cekinësh, duke u shërbyer me devotshmëri rreth 2.000 besimtarëve të krishterë. Pak kohë më parë, atje kishte shkuar një prift nga ipeshkvia e Sapës që zëvendësonte një nga etërit françeskan. Ai banonte në Zogaj, dhe e vizitonte shpesh qytetin e Gjakovës madje duke vënë në rrezik edhe jetën e tij. Mes të tjerash arqipeshkvi dëshmon, “në muajin korrik mbushet një vit qysh kur iu luta shkëlqesisë suaj për këtë prift, për të cilin ju keni caktuar një ndihmë ekonomike prej 10 skudësh. Megjithatë, më lejoni t’ju them se nëse ai nuk e përfiton realisht këtë ndihmë, do të jetë i detyruar që të rikthehet në vendlindjen e tij.”[6]
Përveç këtij prifti që kishte ardhur nga Shqipëria, në Gjakovë shërbente edhe një tjetër famullitar i quajtur dom Ivan Ivani. Ai kishte lindur në Gjakovë, ndërsa studimet i kishte kryer në Kolegjin ilirik të shën Pjetrit dhe shën Palit në Fermo, ku edhe kishte jetuar si konviktor. Ai kishte mbërritur në kolegj, më 10 korrik të vitit 1711, dhe ishte larguar nga kolegji më 12 shkurt, kur gjendej në meshë së bashku me kolegët në kishën e “Shpirtit të Shenjtë të shën Filipit” te etërit oratorian.[7] Në regjistrin e konviktorëve të kolegjit të sipërpërmendur, kemi gjetur se mbiemri i Ivanit është shënuar “Ivanović,” ndërkohë që arqipeshkvi Karagiq në të gjitha relacionet e tij, ia shkruan mbiemrin në formën “Jovanović.” Meqë në Gjakovë atëherë nuk kishte të krishterë të tjerë përveç shqiptarëve, dom Ivan Ivani ishte një shqiptar që njihej me mbiemrin e sllavizuar, njëlloj si në rastin e arqipeshkvit “Nikollović” (Gjon Nikoll Kazazi).
Në relacionin mbi vizitën kanonike të arqipeshkvisë së Shkupit të vitit 1719, arqipeshkvi Karagiq dëshmon se në qytetin e Gjakovës e në rrethina, shërbente si famullitar dom Ivan Ivani, i lindur në Gjakovë. Në këtë kohë, në qytet jetonin rreth 800 besimtarë të krishterë, e famullitari ia kishte dalë që të pagëzonte 150 fëmijë mes tyre.[8]
Në relacionin mbi vizitën kanonike të vitit 1772, arqipeshkvi Karagiq gjithashtu shkruan se në Gjakovë më parë kishte ekzistuar kisha e shën Pjetrit, së cilës tashmë i shiheshin vetëm themelet pasi osmanët e kishin shkatërruar, ndërsa gurët e mureve të saj ishin marrë e me to ishin ndërtuar shtëpi e dyqane në qytet.[9] Sipas relacionit mësojmë se, tashmë famullitari merrte nga Kongregata një ndihmë ekonomike prej rreth 25 skudësh në vit. Për të njëjtën gjendje vihemi në dijeni edhe në relacionin e arqipeshkvit për vitin 1725.[10]
Relacionit mbi vizitën kanonike të vitit 1725, në arqipeshkvinë e Shkupit, arqipeshkvi Pjetër Karagiq i bashkëngjit edhe një raport të cilin e titullon, “Mbi gjendjen e besimtarëve të krishterë, shtëpive, priftërinjve dhe të të pagëzuarve në misionet e arqipeshkvisë së Shkupit në vitin 1725.” Në këtë raport, arqipeshkvi dokumenton informacionin e mëposhtëm:
- “Në qytetin e Gjakovës shërben si misionar apostolik dom Ivan Ivani. Qyteti ka gjashtëmbëdhjetë shtëpi besimtarësh, me gjithsej 75 frymë. Fshatrat që i përkasin këtij misioni janë si vijon:
- Zogaj, (11 shtëpi, 115 frymë);
- Tropoja, (13 shtëpi, 250 frymë);
- Babaj, (25 shtëpi, 80 frymë);
- Stavileci, (6 shtëpi, 10 frymë);
- Oseku, (4 shtëpi, 8 frymë);
- Prushi (2 shtëpi, 6 frymë);
- Deva, (4 shtëpi, 102 frymë);
- Korenica, (3 shtëpi, 9 frymë);
- Krostenica, (3 shtëpi, 10 frymë);
- Dega, (8 shtëpi, 30 frymë);
- Rusta, (6 shtëpi, 32 frymë);
- Radogoshi, (15 shtëpi, 80 frymë);
- Bytyçi, (18 shtëpi, 50 frymë);
- Zhebeniku, (1 shtëpi, 5 frymë);
- Babaj, (2 shtëpi, 6 frymë);
- Gramoçeli, (4 shtëpi,12 frymë);
- Dujaka, (3 shtëpi, 9 frymë);
- Shipshani (1 shtëpi, 4 frymë);
- Luzha, (14 shtëpi, 90 frymë);
- Botusha, (2 shtëpi, 4 frymë).
Gjithashtu, nga ky relacion mësojmë se, misionari i sipërpërmendur, ka pagëzuar për tre vite e fundit të periudhës kohore për të cilën jemi duke folur, 65 fëmijë.[11]
Arqipeshkvi Mikel Summa, në relacionin e vizitës kanonike në arqipeshkvinë e Shkupit, për vitin 1729, midis të tjerash shkruan se në misionin e Gjakovës shërbente dom Ivan Ivanaj, së bashku me ndihmësin e tij, dom Anton Teodorin. Nën përkujdesin e tyre ishin 16 shtëpi, me 70 besimtarë. Arqipeshkvi gjithashtu shkruan se, ia kishte dalë mbanë që të krezmonte 6 meshkuj dhe 6 femra, ndërsa për priftërinjtë shkruan se përkujdeseshin mes të tjerash, edhe për vendbanimin e Zogajt, ku ishin 13 shtëpi me 180 besimtarë. Në Zogaj, arqipeshkvi, ashtu siç e shkruan edhe ai vetë, kishte krezmuar 25 meshkuj dhe 30 femra. Gjithashtu, nën përkujdesin e priftërinjve për të cilët ai na jep informacion, ishin edhe 1.200 besimtarë të shpërndarë në rrethin e Gjakovës.[12] Ajo çka është interesante, është se arqipeshkvi Summa, nuk e përmend fare Gjakovën në relacionin e tij të vitit 1732.
Në relacionin e vizitës kanonike të vitit 1735, arqipeshkvi Summa mes të tjerash shkruan se misioni i Gjakovës kishte 25 shtëpi me 126 besimtarë të krishterë. Në këtë mision bënin pjesë gjithashtu edhe këto vendbanime: Zogaj, me 14 shtëpi e 218 frymë; Radogoshi, me 20 shtëpi e 200 frymë; Rusta, me 13 shtëpi e 205 frymë; Krastrosina, me 13 shtëpi e 18 frymë; Brekoci, me 5 shtëpi e 47 frymë; dhe, Dujaka, me 6 shtëpi e 90 besimtarë të krishterë. Përveç vendbanimeve që janë përmendur për këtë rrethinë, jepet informacion se aty jetonin edhe 1.00 besimtarë të krishterë, të cilëve ua ndante sakramentet vikari i përgjithshëm dom Gjon Nikolla dhe ndihmësi i tij Anton Teodori, ndërkohë që mësojmë gjithashtu se ata merrnin nga Kongregata rreth 25 skudë në vit.[13]
Në relacionin e vizitës kanonike në arqipeshkvinë e Shkupit të vitit 1747, arqipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi, gjithashtu nuk e përmend fare Gjakovën, ndërsa në relacionin e vitit 1750 ai shkruan mes të tjerash se, në Gjakovë nuk kishte asnjë ndërtesë kishtare, pasi “ishin rrënuar qysh në kohën e paraardhësve tanë.” Kisha për të cilën ai flet, ka qenë kisha që i ishte përkushtuar shën Pjetrit, e cila pasi u shkatërrua, nuk u rindërtua më, ndërsa rrënuesit e papërgjegjshëm e kishin marrë ndëshkimin e tyre nga Zoti për veprën e shëmtuar që kishin kryer. Ai gjithashtu, raportonte se në Gjakovë ekzistonte shtëpia e famullitarit dhe e ndihmësit të tij, por atje mungonte apartamenti i famullisë, çka ishte një e vërtetë shumë e rëndë, pasi vinte si pasojë e shumë mosmarrëveshjeve dhe acarimeve të ndërsjellta. Arqipeshkvi shprehet në relacionin e tij, se do të ishte shumë e rëndësishme që ky problem në Gjakovë, të zgjidhej sa më shpejtë që të ishte e mundur.[14]
Në po të njëjtin relacion, arqipeshkvi shkruante se Kongregata duhej të sqarohej sa i takonte Gjakovës dhe Zogajt, pasi ato ishin dy misione të veçanta, që ndodheshin larg njëra-tjetrës, dhe nuk ishin aspak të bashkëngjitura në një mision të vetëm, ashtu si paraqiteshin nga disa të tjerë. Gjakova ishte një qytet ku kishte selinë gjykata, policia, dhe prefektura krahinore. Aty jetonin disa pashallarë, të cilët qeverisin territoret jashtë qytetit; aty kishte shumë xhami, disa mijëra shtëpi myslimane dhe rreth 30 shtëpi të krishtera. Ndërsa Zogaj si vendbanim gjendej rreth 3 orë larg në këmbë nga Gjakova, dhe shtrihej në disa kodrina, Në famullinë e Zogajve gjendeshin disa fshatra, ku pjesa dërrmuese e banorëve ishin të krishterë. Arqipeshkvi ishte i mendimit se mosmarrëveshja ishte krijuar për shkak se Kongregata i kishte caktuar një ndihmë financiare prej 25 skudësh një famullitari, çka nuk ishte reale sepse ekzistonin dy famulli dhe duheshin ndihmuar që të dyja, ndihma duhej dhënë një për secilin mision.[15]
Në relacionin e vitit 1756, arqipeshkvi Tomë Tomiqiq shkruante se në qytetin e Gjakovës gjendeshin 16 shtëpi besimtarësh të krishterë, dhe dom Gjergj Berisha ishte rrëfyesi i tyre.[16] Dom Gjergj Berisha kishte lindur në Gjakovë, 27 vite më parë. Ai i kishte nisur studimet si konviktor në kolegjin ilirik të shën Pjetrit dhe të shën Palit në Fermo, më 18 shtator të vitit 1740, së bashku me Gjon Logorecin. Pasi kolegji u mbyll, ai kaloi në kolegjin Urbanian në Romë.[17] Si misionar, ai i kishte shkruar shumë relacione Kongregatës për Përhapjen e Fesë, prej të cilave mësojmë mbi shumë detaje interesante të jetës dhe të veprimtarisë së tij misionare. Gjatë shërbesës së tij, i ndërronte shpesh famullitë, dhe kjo gjë nuk i pëlqente aspak arqipeshkvit Mazreku. Në këto kushte dhe rrethana, në një relacion drejtuar kardinalit përfaqësues të Kongregatës, arqipeshkvi Mazreku propozonte për pasardhës të tij dom Gjergjin.
Arqipeshkvi Mazreku në relacionin e tij mbi vizitën kanonike në arqipeshkvinë e Shkupit, të vitit 1760, shkruan se më 9 janar të atij viti, 9 besimtarë të krishterë nga Peja, e kishin përcjellë për në Gjakovë, ku në atë kohë jetonin 9 pashallarë dhe disa osman të dëgjuar e me ndikim të madh. Shtëpitë i kishin në Gjakovë, ndërsa shërbimin e kryenin jashtë qytetit, për pasojë arqipeshkvi ishte vendosur në shtëpinë e një besimtari të njohur në qytet, i cili njihej si mbrojtës i të krishterëve nga osmanët dhe që quhej Gjon Krasniqi. Pikërisht në shtëpinë e tij, arqipeshkvi mbajti meshën, predikoi dhe ndërmjetësoi për pajtim dhe për sqarimin e disa ngatërresave serioze. Kisha e Gjakovës, ishte shkatërruar tërësisht gjatë luftrave të fundit, për pasojë ishin mbledhur rreth 200 lira, nga arqipeshkvi i cili kishte dhuruar një shumë të caktuar parash, si dhe nga besimtarët vendas, me qëllim blerjen e një shtëpie për famullitarin e tyre.[18] Në këtë kohë në Gjakovë shërbente si famullitar dom Gjergj Berisha, i cili ishte student në kolegjin Urbanian, dhe jetonte në shtëpinë e të atit. Ai njihej si një famullitar shumë i vyer dhe si një predikues i shkëlqyer i katekizmit.[19]
Për shkak se organet qeveritare osmane vendase, për një kohë e kishin penguar në kryerjen e detyrës së famullitarit, madje ia kishin ndaluar edhe kryerjen e martesave publike, dom Gjergj Berisha, i cili shërbente në Gjakovë, më 13 janar të vitit 1763, i dërgoi Kongregatës për Përhapjen e Fesë, një kërkesë me qëllim që ajo të ndërmjetësonte përmes “ambasadorit të plotfuqishëm në Stamboll, me qëllim që përmes tij të sigurohej një ferman i plotfuqishëm posaçërisht dhe kryesisht për besimtarët e krishterë në Serbi.” Dom Gjergji personalisht nuk kishte forcë për të udhëtuar në Stamboll, e pikërisht për këtë arsye iu drejtua Kongregatës për ndihmë. Mirëpo nëse Kongregata e urdhëronte që ai të shkonte personalisht në Stamboll, ai nuk do të përtonte e nuk do ti trembej udhëtimit të gjatë, të rëndë dhe shpenzimeve të mëdha, vetëm e vetëm që tu vinte në ndihmë besimtarëve të tij të dashur, të cilët përballeshin me rreziqe të vazhdueshme e të pandërprera të shoqëruara edhe me keqtrajtime, e që shumë herë detyroheshin që të jepnin ryshfet, e që në rastin më të keq rrezikonin që të mbeteshin edhe pa prift për shkak se fermani që dom Gjergji kërkonte nuk ekzistonte.[20]
Gjatë vizitës kanonike të vitit 1764, arqipeshkvi Mazreku, kishte ardhur në Gjakovë shumë herët në mëngjes me qëllim që të mos shihej nga osmanët. Gjakova në këtë kohë kishte 23 shtëpi besimtarësh të krishterë me rreth 141 frymë, të cilët kishin blerë një shtëpi të madhe, që do të shërbente edhe si kishë por edhe si një shtëpi famullie. Mirëpo asgjë nuk shkoi mirë, sepse kur kishte ardhur në qytet qeveritari i ri osman, ai e kishte prishur marrëveshjen e shitblerjes, e kishte burgosur priftin bashkë me disa besimtarë të krishterë, ndërsa shtëpinë e blerë e kishte konfiskuar. Në Gjakovë e rrethina, arqipeshkvi vërejti vendbanimet e reja të shqiptarëve, të cilët për shkak të kushteve të rënda i kishin lëshuar shtëpitë e tyre dhe ishin zhvendosur diku nëpër periferi. Edhe pse publikisht, ata e pranonin besimin e krishterë, arqipeshkvi nuk ia kishte dalë që ti vizitonte, nga frika se pas vizitës së tij, osmanët do të gjenin rast për të vazhduar me keqtrajtimet.[21]
Më 16 korrik të vitit 1765, dom Gjergj Berisha njoftonte Kongregatën se vitin e shkuar ai kishte qenë famullitar në Prizren, e prej andej kishte dërguar informacion për gjendjen e tij, mirëpo nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Ndërsa tani si famullitar në Gjakovë, ai dëshironte që ti shprehte Kongregatës respektin plot përulësi, njëlloj si kishte vepruar edhe më parë. Në Gjakovë, e cila ishte edhe vendlindja e tij, ai jepte mësime feje, duke u mësuar disa të rinjve shkrim e këndim, e duke u ndarë sakramentet të varfërve.[22]
Në relacionin e 10 gushtit të vitit 1767, dom Gjergj Berisha i shkruante Kongregatës, se për aq kohë sa dëshironte që të përmbushte detyrimin e tij, do ta informonte edhe për rrethanat e tij, duke shpresuar më pas se do të merrte një përgjigje nga Kongregata e cila do ta ngushëllonte dhe do ti ofronte këshilla atërore. Në selinë e famullisë gjendeshin 123 besimtarë të krishterë të njohur si “ata që jetonin në viset barbare,” të cilëve ai u kishte ndarë sakramentet. Qysh prej kohës së mjerimit të madh dhe të skamjes, nga disa famulli të malësisë, ishin larguar disa besimtarë të krishterë, të cilët dom Gjergji i vizitonte duke i kërkuar nëpër fshatrat myslimane ku ishin shpërndarë, e u ndante edhe sakramentet.[23]
Në relacionin e 28 majit të vitit 1768, dom Gjergji e njoftonte Kongregatën se një student nga arqipeshkvia e Shkupit do të shkonte në Romë, dhe se relacionin me anë të të cilit dëshironte ti shprehte Kongregatës respekt, përulësi e dëgjueshmëri, do ta dërgonte pikërisht përmes tij. Ndërkohë nga Kongregata kishin ardhur dy relacione, nga të cilat, njëri mbante datën, 01 maj, 1767, por që kishte arritur më 19 dhjetor të vitit 1767. Arsyet e një vonese kaq të gjatë ishin të shumta, por ato më të kuptueshmet lidheshin me mungesën e personave të cilët mund ti sillnin rregullisht relacionet, si dhe largësia e madhe. Në këto kushte, ai i lutej Kongregatës, që të kishte mirëkuptim ndaj tij, në rast se ndodhte që çdo vit nuk do të ishte në gjendje që ta dërgonte relacionin ashtu siç e kërkonte betimi. Dom Gjergji, në vendlindjen e tij në Gjakovë, përkujdesej për rrëfimin e atyre pak besimtarëve të kishterë që kishin mbetur ende atje, ashtu si ai dinte e ashtu si ai mundej.[24]
Nga relacionet e misionarëve kuptojmë se në vitin 1771, në Gjakovë shërbenin dy priftërinj: dom Gjergj Berisha, i cili ishte nga Gjakova dhe shërbente në famullinë e Zogajve, dhe dom Ndre Krasniqi. Dom Gjergji, përmes një relacioni të zakonshëm e njoftonte Kongregatën mbi gjendjen e tij, më 13 korrik të vitit 1771, ndërsa dom Ndreu e njoftonte më 10 gusht të vitit 1771, duke firmosur në fund të relacionit me fjalinë, “student i kolegjit Urbanian dhe famullitar i Gjakovës.”[25] Për shkak të palexueshmërisë së relacioneve, e kemi të pamundur që ta kuptojmë përmbajtjen e tyre. Në muajin shtator të vitit 1711, dom Ndreu gjendej duke shërbyer si famullitar në Prizren.[26] Ndërsa dom Gjergj Berisha, si famullitar në Gjakovë, më 28 qershor të vitit 1772, njoftonte kardinalin përfaqësues të Kongregatës mbi gjendjen e tij si dhe mbi gjendjen e besimtarëve të cilëve u mësonte katekizmin e u ndante sakramentet.[27] Ndërsa në relacionin e 28 shkurtit të vitit 1773, dom Gjergji i shkruante Kongregatës edhe për një rast martese, për të cilin thoshte se e kishte njoftuar edhe arqipeshkvin Mazreku, i cili gjithashtu e kishte njoftuar Kongregatën, çka shihet edhe nga shkrimet zyrtare që i janë bashkëngjitur relacionit të dom Gjergjit.[28]
Më vonë, dom Gjergj Berisha u transferua nga Gjakova si famullitar në Zym, prej nga më 19 qershor të vitit 1774, do të shkruante një relacion për kardinalin i cili ishte përfaqësues i Kongregatës, duke e njoftuar se atë vit ishte emëruar si famullitar në atë famulli. Në relacionin në fjalë, dom Gjergji mes të tjerash shkruante se, deri kur u transferua në Zym, ai kishte shërbyer në Gjakovë, ku kishte shumë besimtar mysliman, të cilët kishin xhamitë dhe hoxhallarët e tyre. Më tej ai shkruante se nga Gjakova kishte shkuar në Zogaj, udhëtim të cilin e kishte kryer me frikë të madhe, për shkak se në ato vise silleshin rrotull rebelë e vagabondë; pikërisht kjo gjendje e kishte detyruar që të paguante edhe një shoqërues i cili e shoqëronte nga fshati në fshat, për shkak se në ato fshatra nuk gjendej asnjë shtëpi ku misionari të mund të gjente strehim. Pikërisht kjo ishte edhe arsyeja, se pse dom Gjergji, kishte provuar që të siguronte së paku një dhomë për strehimin e misionarëve gjatë vizitave të tyre.[29]
Ndërsa në relacionin e 08 qershorit të vitit 1777, dom Gjergji e njoftonte Kongregatën se sipas mundësive të tij po u shërbente atyre pak besimtarëve të mbetur, të cilët po përjetonin tortura të rënda në forma nga më të ndryshmet.[30] Me relacionin e 17 qershorit të vitit 1779, dom Gjergji sërish i dërgonte njoftim Kongregatës, duke e lajmëruar se po shërbente si famullitar në Zogaj,[31] ku, për herë të parë kishte arritur në vitin 1777.[32]
Nga ana tjetër, dom Ndre Krasniqi ishte transferuar nga Prizreni për në Janjevë, e nga Janjeva për në Gjakovë, prej nga përmes relacionit të 20 qershorit të vitit 1770, e njoftonte Kongregatën se kishte kaluar një vit nga relacioni i tij i fundit, dhe sa aktualisht po e kryente shërbimin në famullinë e Gjakovës, që ishte vendlindja e tij, ku e kishte transferuar ordinariati, arqipeshkëv Mazreku. Në këtë relacion, ai flet edhe për qëndrimin e tij në Dubrovnik, ku kishte shkuar për shërim me rekomandimin e arqipeshkvit. Ndërkohë e rikujtonte Kongregatën se, kishte kërkuar nga të gjithë zyrtarët e tij që ta vendosnin në ndonjë kolegj tjetër në Itali, pasi tashmë ishte shëruar dhe po e kryente me zell detyrën e tij.[33]
Arqipeshkëv Mazreku, e kishte autorizuar dom Ndreun që të kujdesej për ndihmat në të holla të cilat priftërinjtë e arqipeshkvisë së Shkupit, merrnin si ndihmë nga Kongregata për Përhapjen e Fesë. Kjo vërtetohet edhe nga shënimi i sekretarit të Kongregatës, sipas të cilit mësojmë se, në mbledhje ai e kishte informuar kardinalin përfaqësues të Kuvendit, që dom Ndre Krasniqi në emër të tij dhe në emër të të gjithë priftërinjve të arqipeshkvisë së Shkupit, lutej që, përmes kanonikut Vinko Radinkoviq, përfaqësues i arqipeshkvisë së Shkupit në Romë, tu ndaheshin ndihmat për vitin 1777. Mirëpo, duke qenë se kjo kërkesë e dom Ndreut u shqyrtua në vitin 1778, u urdhërua që priftërinjve të arqipeshkvisë tu ndaheshin ndihmat për vitin pasardhës. Në këtë mbledhje, dom Ndreun e detyruan që të kujdesej për këtë, dhe që ti dërgonte sa më shpejtë dëshmitë e ndihmave që ishin marrë së fundi. Problemi i këtyre ndihmave për priftërinjtë, ishte shqyrtuar edhe vitin pasardhës, çka na e vërteton edhe relacioni i dom Ndreut, i shkruar në Gjakovë, më 20 qershor të vitit 1779, një relacion ky, që iu dedikua veçanërisht këtij problemi, të cilin dom Ndreu i mundua që ta zgjidhte “në emër të vet dhe në emër të kolegëve të tij.”[34]
Gjendja shëndetësore e dom Ndreut nuk ishte aspak e mirë. Sapo u shërua nga tuberkulozi në mushkri, u sëmur nga sytë, dhe iu desh që të shkonte në Ankonë për shërim. Mirëpo meqë kishte dëgjuar se shpenzimet e shërimit ishin të larta, ai i kishte shkruar Kongregatës, më 02 gusht të vitit 1780, një letër përmes së cilës i kërkonte një ndihmë e cila ishte shumë e nevojshme që ai të qëndronte në Ankonë, dhe të mund të paguante shpenzimet e shërimit.[35] Në po të njëjtën ditë, dom Ndreu i shkroi edhe sekretarit të Kongregatës, duke e sqaruar se sipas mjekëve shërimi i tij do të zgjaste pesë a gjashtë javë. Me këtë letër ai kishte për qëllim që të nxiste mirësinë e sekretarit, i cili me angazhimin e tij, ta mundësonte që Kongregata ta ndihmonte me pagesën e shpenzimeve për shërimin e tij.[36] Gjatë kohës kur po qëndronte në Ankonë, dom Ndreu i shkroi edhe kardinalit i cili ishte përfaqëues i Kongregatës. Në relacionin e 22 shtatorit të vitit 1780, ai e njoftonte kardinalin për një rast martesor nga famullia e tij, duke i kërkuar udhëzime sesi të vepronte me atë rast.[37] Në vazhdim të korrespondencës, në një tjetër relacion nga Ankona, që mban datën 18 nëntor, 1780, dom Ndreu njoftonte Kongregatën që mjeku okulist e kishte rekomanduar që të qëndronte në Itali për tu shëruar, deri në muajin e ardhshëm, për shkak se udhëtimi nëpër malet e Shqipërisë në atë kohë dimri do të ishte tepër i rrezikshëm për shëndetin e syve të tij. Për shkak se shërimi i tij ishte zgjatur në kohë, e për shkak se nuk kishte të ardhura të tjera përveç ndihmës që merrte nga Kongregata, edhe në këtë relacion drejtuar Kongregatës, dom Ndreu lutej për ndihmë.[38]
Nga ana tjetër dom Gjon Berisha në këtë kohë shërbente si famullitar në Zym, dhe me relacionin e 23 qershorit të vitit 1780, njoftonte kardinalin përfaqësues të Kongregatës se arqipeshkvi e kishte transferuar në Gjakovë, ku së bashku me një prift tjetër ishte ngarkuar që të kryente detyrat baritore.[39] Ky transferim i dom Gjonit për në Gjakovë, u krye me siguri për shkak të mungesës së dom Ndreut, i cili ndodhej në Itali për shërim.
Lutjeve të dom Ndre Krasniqit për ndihmë, Kongregata u ishte përgjigjur pozitivisht. Edhe pse mjeku kishte rekomanduar që ai të qëndronte në Itali deri në muajin maj, dom Ndreu vetëm më 16 mars të vitit 1781, gjeti pak kohë që nga Janjeva ti shkruante Kongregatës dhe ta falënderonte për ndihmën dhe strehimin që i kishte ofruar si dhe për gjithë përpjekjet që kishte bërë për shërimin e tij.[40]
Më 18 maj të vitit 1781, dom Gjergj Berisha njoftonte Kongregatën se arqipeshkvi Mazreku e kishte transferuar nga Zogaj për në Gjakovë, dhe i lutej që ajo ti dërgonte librin e katekizmit në gjuhën shqipe.[41] Më 21 janar të vitit 1782, dom Gjergji, famullitar në Gjakovë, i shkruante sekretarit të Kongregatës, duke ia kujtuar se edhe më parë ishte lutur që ti dërgohej katekizmi në gjuhën shqipe si dhe disa libra të tjerë në gjuhën kroate për “dobi të të rinjve”, e megjithëse këto libra ende nuk kishin ardhur, ai gjithmonë kishte shprehur falënderim, duke njoftuar se tashmë gjendej në Gjakovë, ku edhe po kryente shërbimin.[42] Me relacionin e 26 majit të vitit 1782, dom Gjergji si famullitar i Gjakovës, njoftonte sekretarin e Kongregatës se i kishin ardhur librat e katekizmit në gjuhën shqipe dhe atë kroate, dhe se ai do ti shpërndante ato sa më shpejt që të ishte e mundur. Kishte planifikuar që disa kopje do t’ia jepte famullitarit në Pejë, disa të tjera atij në Prizren, ndërsa të tjerat do t’ia dorëzonte arqipeshkvit, pasi kishte kopje të mjaftueshme për të gjithë, për shkak se në Gjakovë flitej vetëm gjuha shqipe e askush nuk fliste kroatisht. Me atë rast dom Gjergji e falënderonte Kongregatën për katekizmin që i kishte dërguar, dhe e informonte se gjendej në Gjakovë ku edhe po u shërbente besimtarëve duke i përmbushur të gjitha detyrimet e tij.[43]
Në relacionin e 02 qershorit të vitit 1783, dom Gjergj Berisha njoftonte kardinalin përfaqësues të Kongregatës, se për shkak të konflikteve civile mes pashallarëve në Gjakovë, shumë shtëpi ishin djegur, por besimtarëve të krishterë nuk u kishte ndodhur asgjë e keqe. Në këtë relacion, famullitari dom Gjoni së bashku me besimtarët i shprehte kardinalit përfaqësues gjithë respektin e tij dhe i lutej që Kongregata ti dërgonte “rruzare të zakonshme si dhe rruzare përmes të cilave jepej falje e veçantë,” ndërsa e siguronte se në shenjë falënderimi, do ti lutej shën Mërisë për kardinalin, me qëllim që ajo ti jepte një jetë të gjatë, plot me shëndet e të mira.”[44]
Tashmë dom Ndre Krasniqi, pasi kishte shërbyer dy vjet në Gjakovë, ishte transferuar në Janjevë e prej andej ishte transferuar në Pejë. Mbi transferimin e tij e kishte njoftuar sekretarin e Kongregatës më 18 maj të vitit 1783, duke iu lutur gjithashtu që sekretari “të mos e harroj shërbëtorin dhe birin e tij më të dëgjuar.”[45] Për shkak të transferimit, në vend të dom Ndreut, në Pejë kishte shkuar dom Gjon Berisha. Me relacionin e 16 dhjetorit të vitit 1784, dom Ndreu e përkujtonte sekretarin e Kongregatës se ende ishte famullitar në Gjakovë dhe se ende kryente detyrën e vikarit të përgjithshëm të arqipeshkvisë së Shkupit. Pikërisht nga kjo pozitë, e njoftonte edhe sekretarin që priftërinjtë e arqipeshkvisë së Shkupit ende nuk i kishin marrë ndihmat për vitet 1783 dhe 1784, duke u lutur që ky problem të zgjidhej në marrëveshje me kanonikun Vinko Radinkoviq, i cili ishte përfaqësues i arqipeshkvit.[46]
Në relacionin e 07 nëntorit të vitit 1786, dom Ndreu e njoftonte kardinalin përaqësues të Kongregatës se prej një kohe të gjatë, (prej gati dy vitesh), nuk kishte mundur që të raportonte për gjendjen e tij, dhe se tani po e përmbushte këtë detyrim të tij, fiks pas shumë kohësh pamundësie. Mes të tjerash ai informonte se dikush kishte udhëtuar për plot dy ditë, dhe ia kishte dalë mbanë që ti sillte një relacion nga arqipeshkëv Mazreku, përmes së cilës ai i kërkonte dom Ndreut që të dërgonte një të ri për studime në kolegjin Urbanian të Romës. Ky i ri duhej që të udhëtonte vetë deri në Shkodër, e më pas të vazhdonte udhëtimin me anije deri në Ankona. Mes gjithë këtyre informatave, dom Ndreu gjithashtu e njoftonte kardinalin se kishte marrë një relacion nga Shkodra, përmes të cilit njoftohej se pikërisht kjo ishte edhe koha më e përshtatshme për të kryer udhëtimin me anije. Pikërisht kjo ishte edhe arsyeja se përse nuk kishte mbetur kohë e mjaftueshme që i riu të shkonte te arqipeshkvi Mazreku në Janjevë, për të vulosur dokumentin përkatës. Vendi në kolegjin Urbanian ishte planifikuar për Anton Berishën, pasardhës i kolegut të dom Ndreut, e gjithashtu konviktor në kolegj. Nga ana tjetër, dom Gjergj Berishën e mbante të qetë shpresa se kardinali do të kishte mirësinë që ta pranonte të riun edhe pa dokumentin e vulosur nga arqipeshkvi. Sa i takon gjendjes në të cilën ndodhej, dom Ndreu shkruante se ishte shëndoshë e mirë, por kishte shumë frikë nga osmanllinjtë, të cilët nuk e linin të qetë as ditën e as natën. Mes rreshtash, ai e falënderonte Kongregatën që ia kishte dërguar ndihmën prej 12 skudësh, dhe që nuk e kishte harruar që ishte një bir i saj i bindur.[47] Në vazhdim të kësaj korrespondence, më 07 nëntor të vitit 1786, dom Ndreu e njoftonte sekretarin e Kongregatës se shumë shpejt i riu Anton Berisha nga Shkodra, do të arrinte në kolegjin Urbanian të Romës. Përsëri dom Ndreu jepte sqarime se për shkak se arqipeshkvi Mazreku gjendej mjaft larg, i riu nuk kishte pasur mundësi që të merrte rekomandimet e duhura si dhe lejen e lëshimit. [48]
Më 30 qershor të vitit 1787, dom Ndreu i shkruante kardinalit përfaqësues të Kongregatës se ende nuk e kishte marrë ndihmën që i takonte si misionar për vitin e shkuar, dhe lutej që përfaqësuesi i kardinalit, kanoniku Radinkoviq t’ia dërgonte atë ndihmë përmes Ndre Radovanit, i cili për momentin ndodhej në Ankona.[49]
Më 19 janar të vitit 1788, dom Gjergj Berisha i shkruante nga Gjakova dhe e falënderonte sekretarin e Kongregatës përmes relacionit të tij me të cilin njoftonte se pasardhësi i tij, Anton Berisha (Nikolla) kishte arritur në Romë shëndoshë e mirë. Ai gjithashtu shkruan se kishte qenë shumë në merak për udhëtimin e Antonit, dhe fakti se gjithçka kishte shkuar mirë, ishte ngushëllim për të. Ai e falënderonte Zotin që kishte mundësuar që udhëtimi i tij kishte shkuar i qetë, pa furtuna detare të cilat në pranverë ishin më se të zakonshme. Midis gjithë informacioneve që përcillte përmes relacionit të tij, ai i lutej Kongregatës që ti dërgonte disa libra katekizmi, ‘të cilat i kishte përgatitur,’ siç thoshte dom Gjergji, ‘imzot Nikolla,’[50] si dhe disa katekizma të tjera të përgatitura nga dom Pjetër Bardhi. Ai lutej sepse këto katekizma, i duheshin për edukimin e të rinjve me mësime feje.[51]
Me relacionin e 20 janarit të vitit 1788, të shkruar nga Gjakova, dom Gjergji i shprehte kardinalit përfaqësues të Kongregatës, përgëzimet e tij që pasardhërsi i tij Anton Berisha, kishte mbërritur shëndoshë e mirë në kolegj, dhe i lutej shën Mërisë për të, me qëllim që edhe në të ardhmen të kishte shëndetin e mirë. Duke qenë se Antoni do ti shërbente Kongregatës, dom Gjergji ia rekomandonte me gjithë zemër nipin e tij, kardinalit përfaqësues.
Në të njëjtin relacion, dom Gjergji diskuton edhe për dy martesa “të çuditshme’ që kishin ndodhur në Serbi. Rasti i parë kishte të bënte me një të ri i cili kishte lidhur martesë, edhe pse nuk kishte mbushur 14 vjeç, e përveç se nuk kishte mbushur 14 vjeç, ishte edhe “assai debole e frigido.” Për hir të ruajtjes së nderit, ky rast nuk i ishte referuar priftit, ndërsa nusja kur e kishte parë “burrin aq të vogël” kishte deklaruar se prindërit e kishin detyruar për një martesë të tillë, dhe se myslimanët e kishin rrëmbyer me forcë. Mirëpo situata komplikohet, pasi ky i ri ka një grua tjetër, e në relacion dom Gjergji pyet nëse lejohet një martesë e tillë apo jo. Për rastin e dytë, dom Gjergji, në respekt të së drejtës kanonike kishtare, përdor pseudonimin ‘Tiço’ dhe thotë se, “Tiço është martuar me Bertën.” Mirëpo kur e kanë marrë vesh myslimanët, ata e kanë kërcënuar seriozisht Tiçon. Me qëllim që ata ta linin të qetë, vajzën e kishte fejuar i vëllai, dhe për këtë rast, ai pyet, “a më lejohet që ta kurorëzoj një rast të tillë, për shkak se më parë një bekim i tillë nuk është praktikuar?” Në fund të relacionit, ai i lutej kardinalit që ai të ndërhynte tek papa me qëllim që këto dy martesa të lejoheshin dhe këto shpirtra besimtarësh të mos humbisnin, duke sugjeruar që për këtë çështje ti drejtohej me shkrim arqipeshkvit Mazreku, me qëllim që ky i fundit për raste të tilla të mund të vendoste duke u mbështetur në ndjenjat shpirtërore.[52] Në këtë relacion të dom Gjergjit, sekretari i Kongregatës ka lënë këtë shënim, “për këto dy raste kurorëzimesh, dom Gjergji kërkon këshillën sipas rekomandimit të arqipeshkvit.”[53]
Dom Ndre Krasniqi i cili shërbente si famullitar në Gjakovë dhe si vikar i përgjithshëm, me relacionin e tij të 09 qershorit të vitit 1788, njoftonte Kongregatën se për shkak se nuk lejohej që të largohej nga Gjakova për të marrë postën në Shkodër, ai kishte shfrytëzuar lidhje të tjera, përmes të cilave kishte punuar edhe më parë, për të marrë informacionet që Kongregata ia dërgonte ipeshkvit dhe priftërinjve në Serbi. Pikërisht për shkak të kufizimit të lëvizjes, as ai e as arqipeshkvi nuk kishin mundësi që ti përmbushnin detyrimet e tyre. Në këtë relacion, dom Ndreu përmend edhe rastin e dom Gjon Berishës, i cili shërbente si famullitar në Pejë, duke thënë se arqipeshkvi duhej që ta kishte njoftuar që më parë Kongregatën sa i takonte atij rasti. Ndërsa sa i takon vetes, dom Ndreu njoftonte se ende ishte në Gjakovë, duke u përpjekur ditë e natë për të qenë në shërbim të besimtarëve të tij. Gjatë atij viti të qëndrimit atje, ai ia kishte dalë që tu shërbente me sukses të gjithë besimtarëve në famullinë e tij. Gjithashtu, njoftonte se i kishte shkruar arqipeshkvit se po i përmbushte detyrimet e tij famullitare, duke iu lutur njëkohësisht që ti dërgonte si ndihmës dom Pjetër Gashin, kërkesë të cilën arqipeshkvi e kishte refuzuar për shkak se dom Pjetri ishte shumë sëmurë nga tuberkulozi dhe gjendej në regjim shtrati.[54]
Ndërkohë dom Gjergj Berisha, tashmë ishte transferuar në Pejë, zhvillim ky për të cilin ishte njoftuar edhe kardinali përfaqësues i Kongregatës për Përhapjen e Fesë, me relacionin e 20 qershorit të vitit 1789.[55]
Më 22 qershor të vitit 1789, dom Ndre Krasniqi, njoftonte Kongregatën se ishte duke e kryer detyrën e tij të famullitarit në vendlindjen e tij, në Gjakovë. Mes të tjerash, ai njoftonte se qyteti kishte 219 frymë besimtarësh të krishterë, ndërsa numri i besimtarëve nëpër fshatra ishte disa herë më i lartë, por pa mundur që të jap ndonjë shifër të saktë, për shkak se ditë pas dite vinin të shpërngulur nga ipeshkvia e Lezhës dhe ajo e Pultit. Sipas relacioneve të tij, kuptojmë se dom Ndreu nuk kishte probleme serioze me drejtimin e famullisë së Gjakovës, për shkak se ajo shtrihej në rrafshinë duke pasur një pozitë të favorshme gjeografike, ndërsa nëpër fshatra nuk kishte rreziqe serioze nga rebelët, çka mundësonte që të gjithë besimtarët nga rrethinat të mund të vinin në qytet sa herë që kishin nevojë për shërbimet e famullitarit. Kështu pra, fal këtyre lehtësive, besimtarët kishin mundësi që ti përmbushnin normalisht detyrimet e tyre të përditshme, sa herë që ishin të sëmurë, kishin për të zgjidhur ndonjë çështje tregtare, apo u duhej që të përmbushnin ndonjë detyrim fetar. Pavarësisht rrethanave që duken të favorshme për besimtarët, vlen të pranohet se ditët kur besimtarët vinin në qytet, rezultonin që të ishin edhe ditët më të lodhshme për famullitarin.[56]
Më 26 janar të vitit 1792, dom Ndreu i shkruajti një tjetër relacion kardinalit përfaqësues të Kongregatës, duke i shpjeguar se për shkak të kryengritjes së myslimanëve shqiptarë, ai nuk kishte pasur mundësi që të lëvizte nga famullia, çka e kishte pamundësuar edhe dërgimin e relacionit të tij drejtuar Kongregatës, përmes së cilës jepte informacione për situatën e atjeshme. Ndërkohë dom Ndreu ende shërbente në Gjakovë, ku gjendeshin rreth 30 shtëpi të krishtera. Vlen të theksohet se në këtë kohë, në vendbanimet rrotull gjendeshin rreth 92 shtëpi të krishtera, të cilat ishin nëntë milje larg famullisë. Pavarësisht vështirësive, jeta e të krishterëve ishte disi aktive; ata thërrisnin priftërinjtë natë e ditë për vizita, e kishte raste që brenda një dite priftërinjtë ishin të ftuar në tre a katër fshatra. Ndërkohë, besimtarët e krishterë që jetonin nën pushtimin osman, përjetonin kushte jetese shumë të vështira. Në të njëjtin relacion, dom Ndreu i lutet Kongregatës që tu dërgoj ndihmat priftërinjve për vitin 1791, për shkak se ato ende nuk kishin arritur.[57] Në relacionin e dom Ndreut, sekretari i Kongregatës ka shënuar se për arqipeshkvin duheshin dërguar 200 skudë, ndërsa për priftërinjtë në Serbi duheshin dërguar 260 skudë.[58]
Në relacionin e 10 qershorit të vitit 1792, arqipeshkvi Mazreku shkruante plot lëvdata për vikarin e përgjithshëm dom Ndre Krasniqi, duke pohuar se ai ishte një prift shumë i sjellshëm dhe tepër i ndërgjegjshëm në detyrën e tij si famullitar.[59]
Cili ishte dom Ndre Krasniqi? Dhe, pse arqipeshkvi Mazreku kishte një vlerësim kaq të çmuar për të?
Le të japim një përmbledhje të shkurtër të biografisë së tij, për të kuptuar më mirë kohën historike së cilës po i referohemi, si dhe zhvillimeve të jetës së krishterë nëpër trojet shqiptare!
Dom Ndre Krasniqi, ishte biri i Gjonit. Ai lindi në Gjakovë. Studimet i kreu në kolegjin Urbanian të Romës, ku kishte shkuar si djaloshar i moshës 14 vjeçare, në 14 shtator të vitit 1760. Sipas regjistrit të studentëve të atij kolegji, mësojmë se prej vitit 1761, Ndreu kishte nisur studimet mbi gramatikën e gjuhës latine.[60] Betimin e pranimit e dha më 03 maj të vitit 1764.[61] Ndërsa ishte me studime, dom Ndreu u sëmur nga tuberkulozi në mushkri, çka bëri që Kongregata të detyrohej që ta rikthente në vendlindjen e tij ku kushtet klimatike ishin tepër të favorshme për shëndetin e tij.[62]
Kështu, në vitin 1767, përmes Ankonës dhe Dubrovnikut, dom Ndreu arriti në vendlindjen e tij, në Gjakovë, ku kishte provuar që të studionte privatisht, për shkak së famullitarët duke qenë se kishin detyrime të mëdha baritore, nuk kishin mundësi që ta ndihmonin.[63] Duke mos dashur që të hiqte dorë nga studimet, në vjeshtën e vitit 1767, shkoi në Dubrovnik, mirëpo as aty nuk pati mundësi që të studionte privatisht për shkak se nuk kishte askënd që ta ndihmonte me studimin e lëndëve teologjike. Fill pas gjithë këtyre përpjekjeve, ai shkroi një kërkesë përmes së cilës lutej që ti mundësohej studimi në Napoli apo në Loreto.[64] Dhe peripecitë nuk kishin fund, kështu, më 15 gusht të vitit 1768, u detyrua që nga Dubrovniku ta njoftonte Kongregatën për gjendjen e tij, duke e lajmëruar se sapo kishte mbërritur atje, kishte përfunduar në burgjet osmane.[65]
Më 11 gusht të vitit 1769, u shugurua si diakon nga arqipeshkvi Tomë Tomiçiq, mirëpo duke qenë se ishte i vogël në moshë, nuk kishte mundur që të siguronte lejen e veçantë 13 mujore që ia lejonte të shugurohej si prift, kështu, pas festës së Zojës së Madhe, kthehet nga Dubrovniku si diakon në vendlindje.[66] Nuk kemi informacione mbi datën e saktë të shugurimit të tij priftëror, por sipas të dhënave mendojmë se është shuguruar aty nga fundi i vitit 1769 apo fillimi i vitit 1770. Ai shquhet si një ndër famullitarët, i cili i pati shkruar një numër të madh relacionesh, Kongregatës për Përhapjen e Fesë.[67]
Në relacionin e 06 janarit të vitit 1795, dom Ndreu i drejtohej kardinalit përfaqësues të Kongregatës që të dërgoheshin ndihmat për priftërinjtë për vitin 1793.[68] Më 20 mars, të vitit 1795, dom Ndreu i shkroi përsëri Kongregatës duke e vënë në dijeni se arqipeshkvi Mazreku e kishte njoftuar se përfaqësues i ri në Romë, ishte emëruar dom Nikollë Matej Rosi, i cili do të kujdesej për punët e arqipeshkvisë së Shkupit. Mes të tjerave, ai e njoftonte gjithashtu se besimtarët e krishterë, ishin të shqetësuar nga luftrat civile që kishin nisur në Kosovë, si dhe përmend edhe grofin Radovani, i cili ishte përfaqësues i “Lartëmadhërisë së Tij” në Ankona, përmes së cilit arqipeshkvi Mazreku edhe më parë kishte marrë të holla për arqipeshkvinë e tij.[69] Duke qenë se ky relacion lexohet me shumë vështirësi, mund të mendojmë se është shkruar për shkak të vonesave në ardhjen e ndihmave për priftërinjtë, të cilat asnjëherë nuk arrinin në kohën e duhur. Edhe në relacionin e 19 marsit të vitit 1796, dom Ndreu i shkruante sekretarit të Kongregatës duke përmendur dom Nikollë Matej Rosin si përfaqësuesin e ri të arqipeshkvisë së Shkupit, të cilit ai i kishte shkruar në respekt të rekomandimit të arqipeshkvit Mazreku, që në këtë periudhë ishte sëmurë për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme që i vinin nga qeveritari osman në Prishtinë.[70] Nga përmbajtja e këtij relacioni kuptojmë se dom Rosi përmendet sa herë bie fjala për ndihmat materiale për të cilat kishte nevojë arqipeshkvia e Shkupit.
Relacioni i 01 nëntorit të vitit 1796, i shkruar nga dom Ndreu dhe dërguar kardinalit përfaqësues të Kongregatës, përcjell lajme shumë shqetësuese; mes të tjerash dërgohet informacion për gjendjen shëndetësore të priftërinjve të arqipeshkvisë së Shkupit, duke raportuar se ata ishin shumë shëndetlig për shkak se u duhej që të udhëtonin shumë shpesh e në kushte të këqija, përmes motit të keq me shi e me baltë nëpër fshatra të largët për të vizituar besimtarët e tyre; ndërsa për gjendjen shëndetësore të arqipeshkvit Mazreku raportonte se mundësitë për përmirësimin e shëndetit të tij ishin tepër të pakta; arqipeshkvi nuk ia dilte që të shërohej pasi shqetësohej vazhdimisht nga qeveritari osman e nga dhuna e “fodullëve mysliman shqiptar.”[71] Relacioni i 05 nëntorit të vitit 1796, sërish i shkruar nga dom Ndreu e njofton Kongregatën për gjendjen e mjerimit ekstrem në të cilin kishin rënë priftërinjtë e arqipeshkvisë së Shkupit, për shkak se ishin gjithmonë të detyruar që tu jepnin ryshfet qeveritarëve të ndryshëm osman. Këta të fundit ishin aq të pamëshirshëm, saqë e shqetësonin herë pas here edhe në shtëpi. Në përfundim të relacionit, dom Ndreu lutet dhe kërkon që grofi Radovani ta përshpejtojë dërgimin e të hollave, të cilat duhej të arrinin sa më shpejt të ishte e mundur përmes Shkodrës.[72]
Relacioni i 20 dhjetorit të vitit 1800, i shkruar nga arqipeshkvi Mazreku, përcillte një lajm të trishtuar e të hidhur; ai po e njoftonte kardinalin përfaqësues të Kongregatës se vikari i përgjithshëm i tij, dom Ndre Krasniqi tashmë, për fat të keq ishte verbuar.[73]
——————————–
[1] ASV, S. Congr. Concilii-Relat., Scopien, vol. 728, Relatio (1706).
[2] ASV, S. Congr. Concilii-Relat., Scopien, vol. 728, Relatio (1706).
[3] ASV, S. Congr. Concilii-Relat., Scopien, vol. 728, Relatio (1707).
[4] AAV, S. Congr. Concilii-Relat., Scopien, vol. 728, Relatio (1710).
[5] AAV, S, Congr. Concilii-Relat., Scopien, vol. 728, Relatio (1713).
[6] AAV, S. Congr. Concilii-Relat., Scopien, vol. 728, Relatio (1716).
[7] BARTOCCETTI Vittorio, Il Collegio Illirico di San Pietro e Paulo di Fermo (1663-1746), Studia Picena,
vol. XI, (1935), f. 158.
[8] AAV, S.,Congr. Concilii-Relat., Scopien, vol. 728.
[9] AAV, S. Congr. Concilii-Relat., Scopien, vol. 728.
[10] AAV, S. Congr. Concilii-Relat., (1725), Scopien, v. 728.
[11] AAV, S. Congr. Concilii-Relat., Scopien, vol. 728, Relatio, (1725).
[12] ZEFIQ Frok, Mihael Summa nadbiskup Skopski (1695 – 1777), Osjek, (1994), f. 45.
[13] ZEFIQ Frok, Mihael Summa nadbiskup Skopski (1695-1777), Osjek, (1994), f. 48.
[14] ASCPF, SOCG, vol. 743, f. 316v, Visita 1750.
[15] ASCPF, SOCG, Visita 1750, vol. 743, f. 319v – 320v.
[16] ASCPF, SOCG, Visita 1756, vol. 770, f. 26.
[17] BARTOCCETTI Vittorio, Il Collegio Illirico di San Pietro e Paolo di Fermo, (1663-1746), Estratto dal v. XI, di “Studia Picena”, Fano, (1935), f. 33.
[18] ASCPF, SOCG, Visita 1760, vol. 792, f. 148.
[19] ASCPF, SOCG, SOCG, vol. 792, Visita 1760, f. 155rv.
[20] ASCPF, SOCG, SC, Servia, vol. 2, f. 20 – 21.
[21] RADONIĆ Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd, (1950),, Beograd,
(1950), f. 652 – 656.
[22] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 43.
[23] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 77.
[24] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 117.
[25] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 149.
[26] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 153.
[27] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 171.
[28] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 202 – 204.
[29] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 240 – 241.
[30] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 295.
[31] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 343.
[32] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 344.
[33] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 347rv.
[34] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 350rv.
[35] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 381rv.
[36] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 382rv.
[37] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 387rv.
[38] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 391r.
[39] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 379.
[40] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 395rv.
[41] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 401.
[42] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 419.
[43] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 427.
[44] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 429rv.
[45] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 445.
[46] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 467.
[47] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 11rv.
[48] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 13.
[49] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 17.
[50] Bëhet fjalë për Gjon Nikollë Kazazin.
[51] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 21.
[52] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 23rv.
[53] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 23.
[54] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 27rv.
[55] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 47rv.
[56] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 51.
[57] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 136.
[58] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 136.
[59] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 146rv.
[60] Archivium Collegii Urbani, (ACU), Reg. VII, v. 1, f. 396.
[61] ACU, Giuramenti, Libri 1, f. 665, faqosja e vjetër f. 454,
[62] ASCPF, Lettere e Decreti, v. 210, f. 118 – 119.
[63] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 84.
[64] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 93rv.
[65] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 121r -122.
[66] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 135rv.
[67] ASCPF, SC, Servia, vol. 2, f. 382rv, 395rv.
[68] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 182.
[69] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 188.
[70] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 190.
[71] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 202.
[72] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 203.
[73] ASCPF, SC, Servia, vol. 3, f. 231 rv.

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër
