IA, debat në Vatikan mbi etikën, median dhe të ardhmen e njerëzimit

Ekspertë të gazetarisë, të informatikës, edukimit dhe etikës u mblodhën në Universitetin Papnor Urbanian për konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Komunikimin në kuadrin e Ditës Botërore të Komunikimit. Ruffini: “Nuk mund ta ngarkojmë atë, që kemi ndërtuar vetë, me detyrën për të menduar në vendin tonë”. De Mendonça: “Njeriu është gjithmonë i jashtëzakonshëm, mister, thirrje”. Më 25 maj, Papa Leoni XIV boton enciklikën e parë kushtuar Inteligjencës Artificiale.

 

Pak ditë pas kremtimit të Ditës së 60-të Botërore të Komunikimit dhe pas njoftimit të Selisë së Shenjtë për themelimin e një Komisioni ndërdikasterial kushtuar inteligjencës artificiale, ndërsa Papa Leoni XIV përgatitet të botojë enciklikën e tij të parë, Magnifica Humanitas, më 25 maj, kushtuar mbrojtjes së njeriut në epokën e inteligjencës artificiale, Vatikani hapi sot një debat ndërkombëtar mbi një nga çështjet më të rëndësishme të kohës sonë: si të mbrohen fytyrat, zërat dhe mendimet njerëzore në epokën e algoritmeve.

Pikërisht sot paradite, 21 maj, në Universitetin Papnor Urbanian filloi konferenca ndërkombëtare “Ruajtja e Zërave dhe e Fytyrave Njerëzore”, e promovuar nga Dikasteri për Komunikimin, në bashkëpunim me Dikasterin për Kulturën dhe Edukimin, me Fondacionin Shën Gjoni XXIII dhe me vetë ateneun papnor.

Titulli i konferencës i bën jehonë drejtpërdrejt temës së zgjedhur nga Papa Leoni XIV për mesazhin e Ditës Botërore të Komunikimit, e cila u kremtua të dielën e kaluar në shumë vende të botës. Në atë tekst, Papa e përcakton sfidën e inteligjencës artificiale si çështje kryesisht antropologjike, duke paralajmëruar kundër rrezikut që simulimi artificial i marrëdhënieve, emocioneve e madje, edhe i identitetit personal, mund të ndryshojë vetë strukturën e bashkëjetesës njerëzore. “Çështja që kemi për zemër nuk është se çfarë mund, ose çfarë do të jetë në gjendje të bëjë makina, por çfarë mund dhe çfarë do të jemi në gjendje të bëjmë ne”, shkruan Papa, duke ftuar t’i përdorim me vetëdije këto mjete, me përgjegjësi, me bashkëpunim dhe me edukim. Që nga fillimi i papnisë, Leoni XIV e quajti inteligjencën artificiale si “çështjen e re sociale”, që duhet përballuar në dritën e doktrinës shoqërore të Kishës, të dinjitetit të punës dhe të drejtësisë.

 

Ruffini: të mos i delegojmë makinat për të menduar në vendin tonë

Në hyrje të konferencës foli prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini, i cili menjëherë e vendosi atë në kuadrin e mesazhit papnor dhe të reflektimit të Kishës mbi inovacionin teknologjik. Prefekti shpjegoi se ruajtja e përmendur nga Papa nuk është pasive, sikur të ndrysh diçka në sirtar, por një ushtrim aktiv i përgjegjësisë. Ai vuri në dukje rrezikun e delegimit progresiv të mendimit njerëzor tek sistemet artificiale, duke kujtuar një nga shqetësimet qendrore të mesazhit të Leonit XIV: “Rreziku më i madh konsiston në pranimin pasiv të idesë se dija nuk na përket më; dhe se diçka që ne vetë kemi ndërtuar – algoritme, platforma, ose sisteme të automatizuara – mund të ngarkohet prej nesh me detyrën për të menduar në vendin tonë”.

Prefekti e përshkroi transformimin aktual të ekosistemit informativ si një sfidë, që ndikon drejtpërdrejt në gazetari, edukim dhe qytetari, duke theksuar nevojën për të bërë dallimin ndërmjet së vërtetës dhe simulimit, ndërmjet fjalëve njerëzore dhe llogaritjeve statistikore, ndërmjet dijes dhe automatizimit. “Ekonomia e komunikimit nuk mund dhe nuk duhet ta ndajë fatin e saj nga bashkëndarja e së vërtetës”, deklaroi Ruffini, duke nënvizuar se transparenca e burimeve, llogaridhënia dhe cilësia e informacionit janë kritere themelore për ta rivendosur njeriun në qendër.

 

Kard. De Mendonça: fytyra dhe zëri nuk janë të dhëna statistikore

Në fjalën e tij, prefekti i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, kardinali José Tolentino de Mendonça, bëri një reflektim më të gjerë antropologjik dhe kulturor, duke u nisur nga leksiku i mesazhit të Papës Leoni XIV. Duke pasur parasysh titullin “Ruajtja e zërave dhe e fytyrave njerëzore”, ai kujtoi se në traditën klasike dhe të krishterë fytyra dhe zëri nuk janë elemente të thjeshta identifikuese, por shprehje të thella të personit dhe të marrëdhënieve. “Qenia njerëzore nuk mund të reduktohet kurrë në një të dhënë, në një profil, në një algoritëm”, ​​vërejti ai. “Njeriu është gjithmonë i jashtëzakonshëm, mister dhe thirrje”.

Kardinali paralajmëroi kundër rrezikut të simulimit artificial të marrëdhënieve në chatbot-et afektivë, deepfakes dhe në ambientet dixhitale të ndërtuara rreth profilizimit të personalizuar, në gjendje të ndryshojnë edhe “vetë gramatikën e takimeve njerëzore”. Por theksoi edhe nevojën e edukimit për të dalluar të mirën nga e keqja: “Sfida para nesh nuk është të ndalojmë inovacionin dixhital, por ta orientojmë atë”, në përputhje me ftesën e Papës për të krijuar një aleancë kritike dhe të përgjegjshme me teknologjinë.

 

Një diskutim ndërkombëtar dhe ndërdisiplinor

Kjo ditë bashkon figura kryesore nga bota e informacionit, e punës kërkimore-shkencore dhe e inovacionit teknologjik, duke konfirmuar synimin e Vatikanit për të promovuar një diskutim të gjerë dhe vërtet global. Pjesëmarrësit përfshijnë gazetarë të shquar; specialistë të machine learning dhe të informatikës; ekspertë në etikën algoritmike dhe në drejtësinë sociale; si edhe figura të përfshira në administrimin e platformave dixhitale dhe në verifikimin e përmbajtjes.

 

Temat e debatit

Katër, boshtet e debatit. Së pari, marrëdhëniet ndërmjet simulimit dhe autenticitetit, duke vënë në diskutim chatbot-et, marrëdhëniet artificiale, deepfakes dhe transformimin e ekosistemit informativ. Së dyti, çështja e pabarazive sociale, për të shqyrtuar nëse modelet e IA-së ka rrezik të përforcojnë diskriminimin dhe çekuilibrat ekzistuese. Së treti, aleanca ndërmjet njerëzimit dhe teknologjisë, ndërmjet inovacionit, përgjegjësisë dhe qeverisjes. Së fundi, edukimi, për të mos hequr dorë nga aftësia e të menduarit kritik./R.SH. – Vatikan

Shpëndaje: