Ishte një personazh biblik, i quajtur Eleazar, i përmendur në Librin e dytë të Makabenjve, protagonisti i reflektimit të propozuar sot nga Papa, që vazhdoi ciklin e katekizmit kushtuar të moshuarve. Dëshmia e Eleazarit të kujton lidhjen e veçantë ndërmjet besnikërisë së pleqërisë dhe nderimit të fesë, një aspekt që Papa deshi ta nxjerrë në pah, duke vërejtur se nderimi i fesë ndodhet shpesh “nën presionin, madje edhe të dhunshëm, të kulturës së sundimtarëve, e cila kërkon ta poshtërojë, duke e trajtuar si një realitet anakronik. Ndërsa feja “meriton respekt e nderim” sepse “është bekim për të gjithë!”.
AUDIENCA E PËRGJITHSHME
Katekezë mbi pleqërinë – 8. Eleazari, koherenca e fesë, trashëgimia e nderit.
Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!
Në rrugëtimin e këtyre katekezave mbi pleqërinë, sot takojmë një personazh biblik – një plak – me emrin Eleazar, i cili jetoi në kohën e persekutimit të Antiokut Epifan. Është një figurë e fisshme. Figura e tij na ofron një dëshmi të marrëdhënies së veçantë që ekziston midis besnikërisë së pleqërisë dhe nderit të fesë. Ai është një njeri ballëlart! Do të doja të flisja pikërisht për nderin e fesë, jo vetëm të koherencës, të kumtimit, të qëndresës së fesë. Nderi i fesë gjendet herë pas here nën presionin, madje edhe të dhunshëm, të kulturës së sundimtarëve, që kërkon ta përçmojë atë duke e trajtuar si një send arkeologjik, apo besëtytni të vjetër, sedër e sëmurë anakronike etj.
Tregimi biblik – dëgjuam një fragment të shkurtër, por është mirë ta lexojmë të gjithin – rrëfen episodin kur hebrenjtë, me dekret të mbretit, u detyruan të hanë mishra të flijuar idhujve. Kur erdhi radha e Eleazarit, i cili ishte një i moshuar nëntëdhjetëvjeçar, shumë i respektuar nga të gjithë dhe me burrni, oficerët e mbretit e këshillojnë të shtiret, domethënë të bëjë gjoja sikur ha mishrat, por pa e bërë këtë gjë përnjëmend. Pra, hipokrizi fetare; ka shumë hipokrizi fetare, hipokrizi klerikale. Ata i thonë: “Po bëhu pak hipokrit, askush nuk do ta vërë re”. Në këtë mënyrë Eleazari do të kishte shpëtuar dhe – thoshin ata – në emër të miqësisë ai do ta pranonte gjestin e tyre të keqardhjes dhe dashamirësisë. Në fund të fundit – këmbëngulnin ata – bëhej fjalë për një gjest minimal, gjoja se po hante, por pa ngrënë, një gjest i parëndësishëm.
Është një gjë e vogël, por përgjigja e urtë dhe e vendosur e Eleazarit nxjerrë në pah një argument që na godet. Pika kryesore është kjo: çnderimi i fesë në pleqëri, për të fituar ca ditë më shumë, nuk është i krahasueshëm me trashëgiminë që ajo duhet t’u lërë të rinjve, brezave të tërë që do të vijnë. I lumtë Eliazarit! Një plak që ka jetuar në koherencën e fesë së vet për gjatë gjithë jetës, dhe [tani i kërkohet] të përshtatet duke bërë gjoja sikur e braktis fenë, duke shtrënguar kështu brezin e ri të mendojë se i gjithë besimi ishte një shtirje, një veshje e jashtme që mund të braktiset, sado që duke menduar se mund ta ruajë atë në brendësinë e tij. Kjo punë nuk shkon, thotë Eleazari. Një sjellje e tillë nuk e nderon fenë, as para Hyjit. Dhe efekti i këtij banalizimi të jashtëm do të jetë shkatërrues për brendësinë e të rinjve. Ja, koherenca e këtij njeriu që mendon për të rinjtë, mendon për trashëgiminë e ardhshme, mendon për popullin e tij!
Është pikërisht pleqëria – dhe kjo është e bukur për të moshuarit – që këtu shfaqet si vendi përcaktues, vendi i pazëvendësueshëm i kësaj dëshmie. Një i moshuar që, për shkak të dobësisë së tij, do të pranonte ta çmonte praktikën e fesë të parëndësishme, do t’i bënte të rinjtë të besonin se feja nuk ka asnjë lidhje reale me jetën. Ajo do t’u dukej atyre, që në fillimet e saj, si një tërësi sjelljesh që, nëse e do puna, mund të simulohen ose të maskohen, sepse asnjëra prej tyre nuk është aq e rëndësishme për jetën.
Gnoza e lashtë heterodokse, e cila ishte një kurth shumë i rrezikshëm dhe shumë joshës për krishterimin e shekujve të parë, teorizonte pikërisht këtë, është një gjë e vjetër kjo: se feja është një përshpirtëri, jo një praktikë; një forcë e mendjes, jo një formë jete. Besnikëria dhe nderi i fesë, sipas kësaj herezie, nuk kanë të bëjnë fare me sjelljen në jetë, me institucionet e komunitetit, me simbolet e trupit. Joshja e kësaj perspektive është e fortë, sepse interpreton, sipas mënyrës së vet, një të vërtetë të padiskutueshme: se feja nuk mund të reduktohet kurrë në një sërë rregullash mbi ushqyerjen apo praktikash shoqërore. Feja është tjetër gjë. Rreziku është se radikalizimi gnostik i kësaj të vërtete e bën të kotë realizmin e fesë së krishterë, sepse feja e krishterë është realiste, feja e krishterë nuk është vetëm të thuash Besojmën, por do të thotë ta mendosh Besojmën, ta ndjesh Besojmën, ta njëmendësosh Besojmën. T’i përvishesh punës. Ndërsa, ky propozim gnostik është të “bësh gjoja”, sepse rëndësi ka që të kesh përshpirtëri brenda vetes dhe pastaj mund të bësh çfarë të duash. Kjo gjë nuk është e krishterë. Është herezia e parë e gnostikëve, e cila është shumë në modë këtu, në këtë kohë, në kaq shumë qendra përshpirtërie e kështu me radhë. Dhe e boshatis dëshminë e këtyre njerëzve, të cilët tregojnë shenjat konkrete të Hyjit në jetën e bashkësisë dhe, përmes gjesteve të trupit, u rezistojnë prishjeve të mendjes.
Tundimi gnostik që është – le ta themi fjalën – një nga herezitë, një nga devijimet fetare të kësaj kohe, tundimi gnostik mbetet gjithnjë aktual. Në shumë prirje në shoqërinë tonë dhe në kulturën tonë, praktika e fesë pëson një paraqitje negative, herë nën formën e ironisë kulturore, herë me një margjinalizim okult. Praktika e fesë për këta gnostikë, që ishin edhe në kohën e Jezusit, çmohet si një anë e jashtme e padobishme dhe madje e dëmshme, si mbetje e vjetëruar, si një besëtytni e maskuar. Me pak fjalë, një gjë për pleq. Presioni që kjo kritikë e verbër ushtron mbi brezat e rinj është i fortë. Natyrisht, ne e dimë se praktika e fesë mund të bëhet një gjë sipërfaqësore pa shpirt – ky është rreziku tjetër, e kundërta – por në vetvete nuk është aspak e tillë. Mbase na takon pikërisht neve, të moshuarve, një mision shumë i rëndësishëm: t’ia kthejmë fesë nderin e vet, ta bëjmë atë koherente, që është dëshmia e Eleazarit, koherencë deri në fund. Praktika e fesë nuk është simboli i dobësisë sonë, por shenja e forcës së saj. Ne nuk jemi më fëmijë. Nuk po bënim shaka kur iu qasëm rrugës së Zotit!
Feja meriton respekt dhe nder deri në fund: na ka ndryshuar jetën, na ka pastruar mendjen, na ka mësuar adhurimin e Hyjit dhe dashurinë për të afërmin. Është një bekim për të gjithë! Por feja në tërësinë e saj, jo një pjesë. Nuk mund ta shkëmbejmë fenë me disa ditë të qeta, por do të bëjmë si Eleazari, koherent deri në fund, deri në martirizim. Ne do të dëshmojmë, me plot përvujtëri dhe vendosmëri, pikërisht në pleqërinë tonë, se të besosh nuk është diçka “për pleq”, por një gjë e jetës. T’i besojmë Shpirtit Shenjt, i cili i bën të reja të gjitha gjërat dhe Ai do të na ndihmojë me plot dëshirë.
Të dashur vëllezër dhe motra të moshuar, për të mos thënë pleq – jemi në të njëjtin grup – ju lutem, ta hedhim shikimin nga të rinjtë. Ata na vërejnë, mos ta harrojmë këtë. Më kujtohet ai filmi i bukur i pasluftës: “Fëmijët na vërejnë”. Ne mund të themi të njëjtën gjë me të rinjtë: të rinjtë na vërejnë dhe koherenca jonë mund t’u hapë atyre një rrugë shumë të bukur drejt jetës. Nga ana tjetër, çdo hipokrizi e mundshme do të shkaktojë kaq shumë dëm. Le të lutemi për njëri-tjetrin. Hyji na bekoftë të gjithë ne që jemi pleq! (kish.al).