Papa për ditën e 60-të të komunikimeve shoqërore: “Të ruhen zërat dhe fytyrat njerëzore”

“Të ruhen zërat dhe fytyrat njerëzore”. Kjo është tema që Papa ka zgjedhur për Ditën e 60-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, në një botë ku është e nevojshme të promovohet “edukimi mediatik”, përballë teknologjive si Inteligjenca Artificiale, shpjegon një komunikatë të Dikasterit për Komunikim. Sijevt, kjo Ditë do të kremtohet në shumë vende, më 17 maj 2026. “Si katolikë, ne mundemi dhe duhet ta japim kontributin tonë, që njerëzit – sidomos të rinjtë – të fitojnë aftësinë e mendimit kritik dhe të rriten në lirinë e shpirtit”, shpjegon teksti. “Është gjithnjë e më urgjente të futet në sistemet edukative” një formim që përqendrohet mbi këto teknologji të reja, veçanërisht “në fushën e IA-së (MAIL, domethënë Media and Artificial Intelligence Literacy – Edukimi për Median dhe Inteligjencën Artificiale)”. Në “ekosistemet e sotme të komunikimit, teknologjia ndikon mbi ndërveprimet në një mënyrë të panjohur më parë”, por “e ardhmja e komunikimit – lexohet në tekst – duhet të sigurojë që makinat të jenë mjete në shërbim dhe në lidhje me jetën njerëzore, e jo forca që e zbehin zërin njerëzor”.

 

 

MESAZHI I SHENJTËRISË SË TIJ, PAPA LEONI XIV

PËR DITËN E 60-TË BOTËRORE TË KOMUNIKIMEVE SHOQËRORE

 

Të ruhen zërat dhe fytyrat njerëzore

 

 

Të dashur vëllezër dhe motra!

Fytyra dhe zëri janë tipare unike, dalluese, të çdo personi; ato shfaqin identitetin e tij të papërsëritshëm dhe përbëjnë elementin themelor të çdo takimi. Të lashtët e dinin mirë këtë. Kështu, për të përkufizuar personin njerëzor, grekët e lashtë përdornin fjalën “fytyrë” (prósōpon), e cila etimologjikisht tregon atë që qëndron përballë shikimit, vendin e pranisë dhe të marrëdhënies. Ndërsa termi latin persona (nga per-sonare) përfshin tingullin: jo një tingull çfarëdo, por zërin e pagabueshëm të dikujt.

Fytyra dhe zëri janë të shenjtë. Ato na janë dhuruar nga Hyji, i cili na krijoi sipas shëmbëlltyrës dhe përngjasimit të Tij, duke na thirrur në jetë me Fjalën që Ai vetë na drejtoi; Fjalë që fillimisht jehoi përgjatë shekujve nëpërmjet zërave të profetëve, e më pas u bë trup në plotësinë e kohëve. Këtë Fjalë – këtë komunikim që Hyji bën për vetveten – ne kemi mundur edhe ta dëgjojmë dhe ta shohim drejtpërdrejt (khs. 1 Gjn 1,1-3), sepse ajo u bë e njohur në zërin dhe në Fytyrën e Jezusit, Birit të Hyjit.

Që nga çasti i krijimit të tij, Hyji e deshi njeriun si bashkëbiseduesin e vet dhe, siç thotë Shën Gregori i Nisës[1], ka vulosur në fytyrën e tij një pasqyrim të dashurisë hyjnore, në mënyrë që ai të mund të jetojë plotësisht njerëzinë e vet nëpërmjet dashurisë. Të ruash fytyrat dhe zërat njerëzorë do të thotë, pra, të ruash këtë vulë, këtë pasqyrim të pashlyeshëm të dashurisë së Hyjit. Nuk jemi një lloj i përbërë nga algoritme biokimike, të përcaktuara paraprakisht. Secili prej nesh ka një thirrje të pazëvendësueshme dhe të papërsëritshme, e cila buron nga jeta dhe shfaqet pikërisht në komunikimin me të tjerët.

Nëse ne dështojmë në këtë përkujdesje, teknologjia digjitale kërcënon të ndryshojë rrënjësisht disa prej shtyllave themelore të qytetërimit njerëzor, të cilat shpesh i marrim si të mirëqena. Duke simuluar zëra dhe fytyra njerëzore, urtësi dhe dije, vetëdije dhe përgjegjësi, empati dhe miqësi, sistemet e njohura si inteligjencë artificiale jo vetëm që ndërhyjnë në ekosistemet informative, por depërtojnë edhe në nivelin më të thellë të komunikimit, atë të marrëdhënies ndërmjet personave njerëzorë.

Sfida, pra, nuk është teknologjike, por antropologjike. Të ruash fytyrat dhe zërat do të thotë, në fund të fundit, të ruash vetveten. Të pranosh me guxim, vendosmëri dhe shoshitje mundësitë që ofron teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale nuk do të thotë t’i fshehim vetes pikat kritike, paqartësitë dhe rreziqet.

 

Mos heq dorë nga aftësia për të menduar

Prej kohësh ka shumë dëshmi që algoritmet e projektuara për të maksimizuar angazhimin në rrjetet sociale – që është fitimprurëse për platformat – shpërblejnë emocionet e shpejta dhe, përkundrazi, penalizojnë shprehjet njerëzore që kërkojnë më shumë kohë, si përpjekja për të kuptuar dhe reflektimi. Duke mbyllur grupe njerëzish në “flluska” konsensusi të lehtë dhe indinjate të lehtë, këta algoritme dobësojnë aftësinë për të dëgjuar dhe për të menduar në mënyrë kritike, duke rritur polarizimin shoqëror.

Kësaj i është shtuar më pas një mbështetje naive dhe jokritike ndaj inteligjencës artificiale si një “mik” i gjithëdijshëm, burim i çdo informacioni, arkiv i çdo kujtese, “orakull” i çdo këshille. E gjithë kjo mund të gërryejë edhe më tej aftësinë tonë për të menduar në mënyrë analitike dhe krijuese, për të kuptuar domethëniet, për të dalluar ndërmjet sintaksës dhe semantikës.

Megjithëse IA mund të ofrojë mbështetje dhe ndihmë në menaxhimin e detyrave komunikative, shmangia nga përpjekja e mendimit personal, duke u kënaqur me një përmbledhje statistikore artificiale, rrezikon që me kalimin e kohës të dobësojë aftësitë tona njohëse, emocionale dhe komunikuese.

Vitet e fundit, sistemet e inteligjencës artificiale po marrin gjithnjë e më shumë edhe kontrollin e prodhimit të teksteve, muzikës dhe videove. Kështu, një pjesë e madhe e industrisë krijuese njerëzore rrezikon të shpërbëhet dhe të zëvendësohet me etiketën “Powered by AI”, duke i shndërruar njerëzit në konsumatorë thjesht pasivë të mendimeve të pa menduara, të produkteve anonime, pa autorësi e pa dashuri. Ndërkohë, kryeveprat e gjeniut njerëzor në fushën e muzikës, artit dhe letërsisë reduktohen në një fushë të thjeshtë trajnimi për makinat.

Çështja që na intereson, megjithatë, nuk është çfarë mund ose do të mund të bëjë makina, por çfarë mund dhe do të mund të bëjmë ne, duke u rritur në njerëzi dhe në njohuri, me një përdorim të urtë të mjeteve kaq të fuqishme në shërbimin tonë. Qysh në zanafillë, njeriu tundohet të përvetësojë frytin e njohjes pa mundimin e përfshirjes, të kërkimit dhe të përgjegjësisë personale. Të heqësh dorë nga procesi krijues dhe t’ua dorëzosh makinave funksionet e tua mendore dhe imagjinatën tënde do të thotë, megjithatë, të varrosësh talentet që kemi marrë për t’u rritur si persona në marrëdhënie me Hyjin dhe me të tjerët. Do të thotë të fshehësh fytyrën tonë dhe të heshtësh zërin tonë.

 

Të jesh apo të shtirësh: simulimi i marrëdhënieve dhe i realitetit

Ndërsa lundrojmë në rrjedhat tona të informacionit (feed), bëhet gjithnjë e më e vështirë të kuptojmë nëse po ndërveprojmë me qenie të tjera njerëzore apo me “bot-e” ose “influencues virtualë”. Ndërhyrjet jo transparente të këtyre agjentëve të automatizuar ndikojnë në debatet publike dhe në zgjedhjet e njerëzve. Veçanërisht chatbot-ët e bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM-Large Language Models) po dëshmohen çuditërisht efektivë në bindjen e fshehtë, përmes një optimizmi të vazhdueshëm të ndërveprimit të personalizuar.

Struktura dialogjike dhe përshtatëse, mimetike, e këtyre modeleve gjuhësore është e aftë të imitojë ndjenjat njerëzore dhe kështu të simulojë një marrëdhënie. Kjo antropomorfizim, i cili mund të duket madje argëtues, është njëkohësisht edhe mashtrues, sidomos për personat më të brishtë. Sepse chatbot-ët e bërë tepër “të dashur”, përveçse gjithmonë të pranishëm dhe të disponueshëm, mund të bëhen arkitektë të fshehtë të gjendjeve tona emocionale dhe në këtë mënyrë të futen e të zënë hapësirën e intimitetit të personave.

Teknologjia që shfrytëzon nevojën tonë për marrëdhënie mund të mos ketë vetëm pasoja të dhimbshme për fatin e individëve, por mund të dëmtojë edhe indin shoqëror, kulturor dhe politik të shoqërive. Kjo ndodh kur ne zëvendësojmë marrëdhëniet me të tjerët me ato me inteligjenca artificiale të trajnuara për të kataloguar mendimet tona dhe, kështu, për të ndërtuar rreth nesh një botë pasqyrash, ku çdo gjë bëhet “sipas shëmbëlltyrës dhe përngjasimit tonë”. Në këtë mënyrë lejojmë të na vidhet mundësia për ta takuar tjetrin, i cili është gjithmonë i ndryshëm prej nesh, dhe me të cilin mundemi dhe duhet të mësojmë të takohemi. Pa pranimin e tjetrit, të ndryshëm, nuk mund të ketë as marrëdhënie e as miqësi.

Një tjetër sfidë e madhe që paraqesin këto sisteme në zhvillim është ajo e shtrembërimit (në anglisht bias), i cili çon në përvetësimin dhe transmetimin e një perceptimi të deformuar të realitetit. Modelet e IA-së janë të formësuara nga vizioni i botës i atyre që i ndërtojnë dhe mund, nga ana tjetër, të imponojnë mënyra të të menduarit duke riprodhuar stereotipet dhe paragjykimet që gjenden në të dhënat nga të cilat ato ushqehen. Mungesa e transparencës në projektimin e algoritmeve, së bashku me përfaqësimin e pamjaftueshëm shoqëror të të dhënave, priren të na mbajnë të ngujuar në rrjete që manipulojnë mendimet tona dhe që përjetësojnë e thellojnë pabarazitë dhe padrejtësitë ekzistuese shoqërore.

Rreziku është i madh. Fuqia e simulimit është e tillë sa IA mund të na mashtrojë duke fabrikuar “realitete” paralele, duke përvetësuar fytyrat dhe zërat tanë. Ne jemi të zhytur në një shumëdimensionalitet, ku po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallojmë realitetin nga trillimi.

Kësaj i shtohet problemi i mungesës së saktësisë. Sisteme që paraqesin një probabilitet statistikor si njohuri, në të vërtetë na ofrojnë në rastin më të mirë përafrime të së vërtetës, të cilat ndonjëherë janë madje “halucinacione” të mirëfillta. Mungesa e verifikimit të burimeve, së bashku me krizën e gazetarisë në terren, që përfshin një punë të vazhdueshme mbledhjeje dhe verifikimi informacioni në vendet ku ndodhin ngjarjet, mund të krijojë një terren edhe më pjellor për dezinformim, duke shkaktuar një ndjenjë gjithnjë e më të madhe mosbesimi, humbjeje dhe pasigurie.

 

Një aleancë e mundshme

Pas kësaj fuqie të madhe të padukshme që na përfshin të gjithëve, qëndron vetëm një grusht i vogël kompanish, ato themeluesit e të cilave janë paraqitur së fundmi si krijues të “personazhit të vitit 2025”, pra arkitektët e inteligjencës artificiale. Kjo ngre një shqetësim të rëndësishëm lidhur me kontrollin oligopolistik të sistemeve algoritmike dhe të inteligjencës artificiale, të afta të orientojnë në mënyrë të hollë sjelljet, madje edhe të rishkruajnë historinë njerëzore – përfshirë historinë e Kishës – shpesh pa qenë të vetëdijshëm për këtë.

Sfida që na pret nuk qëndron në ndalimin e inovacionit digjital, por në udhëheqjen e tij, në vetëdijen për karakterin e tij të dyfishtë. I takon secilit prej nesh të ngremë zërin në mbrojtje të personit njerëzor, në mënyrë që këto mjete të mund të integrohen vërtet prej nesh si aleatë.

Kjo aleancë është e mundshme, por duhet të mbështetet mbi tri shtylla: përgjegjësia, bashkëpunimi dhe edukimi.

Së pari, përgjegjësia. Ajo mund të shprehet, sipas roleve, si ndershmëri, transparencë, guxim, aftësi për vizion, detyrim për të ndarë dijen, e drejtë për t’u informuar. Por në përgjithësi askush nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë së vet përballë së ardhmes që po ndërtojmë.

Për ata që janë në krye të platformave online, kjo do të thotë të sigurojnë që strategjitë e tyre biznesore të mos udhëhiqen nga kriteri i vetëm i maksimizimit të fitimit, por edhe nga një vizion largpamës që merr parasysh të mirën e përbashkët, në të njëjtën mënyrë siç secili prej tyre ka për zemër të mirën e fëmijëve të vet.

Nga krijuesit dhe zhvilluesit e modeleve të IA kërkohet transparencë dhe përgjegjësi shoqërore lidhur me parimet e projektimit dhe me sistemet e moderimit që qëndrojnë në themel të algoritmeve të tyre dhe të modeleve të zhvilluara, në mënyrë që të favorizohet një pëlqim i informuar nga ana e përdoruesve.

E njëjta përgjegjësi kërkohet edhe nga ligjvënësit kombëtarë dhe rregullatorët mbikombëtarë, të cilëve u takon të mbikëqyrin respektimin e dinjitetit njerëzor. Një rregullim i përshtatshëm mund t’i mbrojë personat nga një lidhje emocionale me chatbot-ët dhe të kufizojë përhapjen e përmbajtjeve të rreme, manipuluese ose çorientuese, duke ruajtur integritetin e informacionit përballë një simulimi mashtrues të tij.

Ndërmarrjet e mediave dhe të komunikimit, nga ana e tyre, nuk mund të lejojnë që algoritmet e orientuara për të fituar me çdo kusht betejën për disa sekonda më shumë vëmendje të mbizotërojnë mbi besnikërinë ndaj vlerave të tyre profesionale, të drejtuara drejt kërkimit të së vërtetës. Besimi i publikut fitohet me saktësi, me transparencë, jo me ndjekjen e çdo forme të angazhimit. Përmbajtjet e gjeneruara ose të manipuluara nga IA duhet të shënohen dhe të dallohen qartë nga përmbajtjet e krijuara nga njerëzit. Duhet të mbrohet autorësia dhe pronësia sovrane e punës së gazetarëve dhe e krijuesve të tjerë të përmbajtjes. Informimi është një e mirë publike. Një shërbim publik konstruktiv dhe domethënës nuk mbështetet mbi errësirën, por mbi transparencën e burimeve, mbi përfshirjen e subjekteve të përfshira dhe mbi një standard të lartë cilësie.

Të gjithë jemi të thirrur të bashkëpunojmë. Asnjë sektor nuk mund ta përballojë i vetëm sfidën e udhëheqjes së inovacionit digjital dhe të qeverisjes së IA-së. Prandaj është e nevojshme të krijohen mekanizma mbrojtës. Të gjitha palët e interesuara – nga industria teknologjike te ligjvënësit, nga ndërmarrjet krijuese te bota akademike, nga artistët te gazetarët e deri te edukatorët – duhet të përfshihen në ndërtimin dhe realizimin e një qytetarie digjitale të vetëdijshme dhe të përgjegjshme.

Për këtë synon edukimi: të rrisë aftësitë tona personale për të reflektuar në mënyrë kritike, për të vlerësuar besueshmërinë e burimeve dhe interesat e mundshme që qëndrojnë pas përzgjedhjes së informacionit që na arrin, për të kuptuar mekanizmat psikologjikë që ato aktivizojnë, si dhe për t’u mundësuar familjeve, komuniteteve dhe shoqatave tona të përpunojnë kritere praktike për një kulturë më të shëndetshme dhe më të përgjegjshme të komunikimit.

Për këtë arsye është gjithnjë e më urgjente të futet në sistemet arsimore të çdo niveli edhe alfabetizimi mediatik, informativ dhe i inteligjencës artificiale, të cilin disa institucione civile tashmë po e promovojnë. Si katolikë, ne mund dhe duhet të japim kontributin tonë, në mënyrë që njerëzit – sidomos të rinjtë – të fitojnë aftësinë e mendimit kritik dhe të rriten në lirinë e shpirtit. Ky alfabetizim duhet të integrohet gjithashtu në nisma më të gjera të edukimit të vazhdueshëm, duke arritur edhe të moshuarit dhe anëtarët e margjinalizuar të shoqërisë, të cilët shpesh ndihen të përjashtuar dhe të pafuqishëm përballë ndryshimeve të shpejta teknologjike.

Alfabetizimi mediatik, informativ dhe ai i IA-së do t’i ndihmojë të gjithë të mos i përshtaten rrjedhës antropomorfizuese të këtyre sistemeve, por t’i trajtojnë ato si mjete, të përdorin gjithmonë një verifikim të jashtëm të burimeve – të cilat mund të jenë të pasakta ose të gabuara – të ofruara nga sistemet e IA-së, si dhe të mbrojnë privatësinë e tyre dhe të dhënat e tyre duke njohur parametrat e sigurisë dhe opsionet e kundërshtimit. Është e rëndësishme të edukohemi dhe të edukojmë veten për përdorimin e IA-së në mënyrë të qëllimshme, dhe në këtë kuadër të mbrojmë imazhin tonë (fotot dhe audion), fytyrën dhe zërin tonë, për të shmangur që ato të përdoren në krijimin e përmbajtjeve dhe sjelljeve të dëmshme si mashtrimet digjitale, cyberbullying-u dhe deepfake-t që shkelin privatësinë dhe intimitetin e personave pa pëlqimin e tyre. Ashtu si revolucioni industrial kërkonte alfabetizimin bazë për t’u mundësuar njerëzve të përballeshin me risinë, edhe revolucioni digjital kërkon një alfabetizim digjital (së bashku me një formim humanistik dhe kulturor) për të kuptuar se si algoritmet e formësojnë perceptimin tonë të realitetit, si funksionojnë paragjykimet e IA-së, cilët janë mekanizmat që përcaktojnë shfaqjen e përmbajtjeve të caktuara në rrjedhat tona të informacionit (feed), si dhe cilat janë dhe si mund të ndryshojnë supozimet dhe modelet ekonomike të ekonomisë së IA-së.

Ne kemi nevojë që fytyra dhe zëri të rikthehen për të shprehur personin. Ne kemi nevojë ta ruajmë dhuratën e komunikimit si të vërtetën më të thellë të njeriut, drejt së cilës duhet orientuar edhe çdo inovacion teknologjik.

Duke i paraqitur këto reflektime, i falënderoj ata që po punojnë për qëllimet e parashtruara në këtë meshazh dhe i bekoj me zemër të gjithë ata që punojnë për të mirën e përbashkët me mjetet e komunikimit.

 

Nga Vatikani, 24 janar 2026, përkujtimi i Shën Françeskut të Salesit.

 

LEON PP. XIV

 

 

Përktheu: Dom Fatmir Koliqi

 

—————————————–

[1] “Fakti i të qenit i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Hyjit do të thotë se njeriut, që nga çasti i krijimit të tij, i është vulosur një karakter mbretëror […]. Hyji është dashuri dhe burim i dashurisë: Krijuesi hyjnor e ka vendosur edhe këtë tipar në fytyrën tonë, në mënyrë që përmes dashurisë – pasqyrim i dashurisë hyjnore – qenia njerëzore të njohë dhe të shfaqë dinjitetin e natyrës së saj dhe ngjashmërinë me Krijuesin e vet” (khs. Shën Gregori i Nisës, Krijimi i njeriut: PG 44, 137).

Shpëndaje: