Dom Gaspër Gjini, gjurmues i kulturës dhe shërbëtor i denjë i njeriut pa dallim

Nga Don Frok Zefi

 

Sot, me përulësi dhe nderim, jemi mbledhur për të kujtuar dhe nderuar figurën e shquar të dr. Gaspër Gjinit, në përvjetorin e 40-të të ndarjes së tij nga kjo jetë. Ai ishte një prift, një studiues dhe një shërbëtor i palodhur i Zotit dhe i njeriut.

Lindi më 24 shtator të vitit 1930 në Ferizaj, në një familje të madhe që edukoi 12 fëmijë. U shugurua meshtar më 2 korrik të vitit 1955, dhe më pas vazhdoi studimet në Romë, ku mbrojti doktoratën me temë, “Mbi burimet historiko-juridike të kishës së Shkupit” në Universitetin Papnor Urbaniana. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në shërbim të kishës, duke punuar si sekretar i ipeshkvit, si kancelar i dioqezës dhe mandej si famullitar në Ferizaj e në Shkup. Ai ishte gjithashtu bashkëpunëtor i revistës fetare – kulturore Drita, si dhe shkroi një libër uratash të titulluar,  “Shûjta shpirtërore.”

Një nga veçoritë më të spikatura të dom Gaspër Gjinit ishte, angazhimi i tij për të predikuar Ungjillin në gjuhën e popullit, duke përfshirë edhe gjuhën e romëve. Ai besonte se fjala e Zotit duhet të arrijë në çdo zemër njerëzore, pa dallim feje, kombësie apo gjinie. Në librin e tij me titull,  “Shûjta shpirtërore”, ai shkruan:

“Le të lutemi për ata që vuajnë nga uria, kurse atyre që kanë, u lutemi që ti zbusin zemrat e tyre, duke e kryer detyrën që kanë ndaj të afërmve të tyre pa harruar që të ndihmojnë edhe nevojtarët.”

Dom Gaspëri ishte gjithashtu edhe një historian i shquar. Kryevepra e tij është libri me titull, “Historia e ipeshkvisë Shkup-Prizren nëpër shekuj”, i cili është një burim i çmuar të dhënash që ndihmojnë  për studimin e historisë kishtare shqiptare. Ky libër është botuar në disa gjuhë, duke qenë një testament që dëshmon, për angazhimin që ai pati për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të popullit tonë.

Le të ndalemi pak tek ky libër kaq i rëndësishëm jo vetëm për autorin e saj, por edhe për të gjithë historinë e kishës, duke përmendur disa nga vlerat më të çmuara të tij!

  1. Në pjesë e parë (1), libri trajton fillesat e krishterimit në Dardani, duke përfshirë organizimin e kishës dardane, si dhe, rolin e ipeshkvijve të saj në koncilët e hershëm.
  2. Në pjesën e dytë (2), autori shqyrton ndikimin e ardhjes së sllavëve në trojet tona, si  dhe ndryshimet që shkaktuan ata edhe në organizimin kishtar. Ky libër, hedh gjithashtu dritë edhe mbi sfidat që përjetuan katolikët, nën thundrën pushtuese serbe dhe osmane. Aty gjejmë një analizë shteruese edhe mbi fenomenin e islamizimit dhe të laramanisë mes shqiptarëve, duke na sjell para syve një pasqyrë të qartë të fatit që pësuan kishat katolike në shekujt e  XVI dhe XVII.
  3. Në pjesën e tretë (3), autori Gjini na prezanton me zhvillimet kishtare prej shekullit të  XVII e deri në kohët tona. Pikërisht këtu, ai ndalet dhe na flet mbi përpjekjet ekumenike, sinodet e dioqezës dhe mbi rolin që luajtën pishtarët e arsimit për ruajtjen e identitetit të krishterë katolik. Pikërisht, në këtë pjesë, autori ndalet edhe tek historia e dhimbshme e martirëve të Karadakut, si dhe tek roli i ipeshkvijve në ruajtjen e besimit si nëpër kohët e vështira, ashtu edhe nëpër kataklizmat e ndryshme që ka përjetuar populli ynë nëpër dallgët e historisë.

Ky përvjetor i dyzetë i ndarjes së tij nga kjo jetë, në referencë kohore ka rëndësi, pasi na kujton të gjithëve se nuk ka rëndësi sesa vite jete jetojmë, por cilësia e viteve të jetës sonë, e cila së bashku  me veprat e mia, na bën që të mbesim gjithmonë të gjallë mes njerëzve që na duan në këtë jetë e do të na duan gjithmonë edhe pas kësaj jete. Parë kështu, le ti kujtojmë mësimet e dom Gaspërit, me qëllim që edhe ne të kemi vullnetin për të jetuar një jetë të bukur në respekt të parimeve të Ungjillit të Krishtit, që në fakt është Ungjilli i dashurisë.

Dom dr. Gaspër Gjini, ishte një prift, ishte gjithashtu edhe një studiues e historian me shumë vlera; ai ka lënë pas vetes një trashëgimi të pasur mendimi e shkrimi, duke na dëshmuar se njeriu i ka të gjitha kapacitetet për ta jetuar bukur jetën. E gjithë mendimtaria e tij, i jep një rëndësi të madhe paqes shpirtërore dhe një mënyre jetese që qëndron në harmoni me Zotin dhe me të tjerët.

Në historinë e kishës sonë, rrallë kemi fatin që të takojmë një figurë kaq të veçantë si kjo e dom Gaspërit, i cili e mishëron kaq natyrshëm dhe kaq thellësisht profilin dhe thirrjen e tij ungjillore, si predikues i misionit të Krishtit. Ai nuk ishte vetëm një predikues me fjalë, por edhe me vepra; ai nuk ishte thjesht një njeri i fjalës, por edhe i veprave të bukura të dashurisë së njeriut për njeriun, duke e jetuar në mënyrë të gjallë dhe aktive Ungjillin e Krishtit më së pari në jetën e tij e pastaj duke ua ofruar atë jetë si shembull të tjerëve.

Predikimi i tij nuk mbeste vetëm brenda mureve të kishës, përkundrazi, ai predikoi me jetën që jetoi nëpër të gjitha shtigjet ku shkeli. Ai ishte një njohës i mirë i dhimbjeve njerëzore, i mungesave shpirtërore, por edhe i zbrazëtisë së brendshme njerëzore të cilën u përpoq që ta mbushte me fjalë e me vepra mirësie. Pikërisht për hir të asaj që ishte dhe të asaj që besonte, e predikoi Ungjillin jo për spektakël e as për famë apo lavdi, por për të ndryshuar zemrat, për të ngushëlluar, për të udhëhequr e për çuar njerëz pranë Krishtit, çka besojmë se e kreu me sukses të plotë.

Dom Gaspëri nuk ishte njeri përjashtues, përkundrazi ai ishte gjithëpërfshirës në shoqëri, dhe këtë e tregoi qartë duke u predikuar edhe romëve në gjuhën e tyre rome, një akt ky që tregon shumë për diapazonin e gjerë të besimit që jetonte dhe besonte. Ai ishte i vetëdijshëm se fjalët e shenjta duhej që të shpalleshin në gjuhën që kuptonte njeriu i thjeshtë, dhe ku kishte më mirë sesa gjuha e zemrës! Besojmë se ai i doli me sukses edhe kësaj.

Ungjilli për të nuk ishte teori, por një doktrinë e bukur jete. Në predikimet e tij nuk pati asnjëherë vend retorika boshe, përkundrazi, ai ishte një zë i ngrohtë që dilte nga një zemër plot besim e përulësi, që nuk e kishte aspak të vështirë të prekte edhe zemrat më të pandjeshme. Ai fliste për mirësinë, faljen, durimin, dashurinë për të afërmin e mbi të gjitha fliste për shpresën duke përcjellë mesazhin ungjillor se, “e fundit që vdes është shpresa,” çka do të thotë se shpresa nuk mbaron kurrë.

Sot, ne nuk kujtojmë dom Gaspërin si një prift, si një klerik, apo si një shërbestar prej një jete, përkundrazi, ne sot përkujtojmë shembullin e një predikuesi të mrekullueshëm të Ungjillit; ne sot kujtojmë një njeri, i cili besoi deri në fund, se fjala e Zotit kishte fuqi për të ndryshuar jetët njerëzore. Ai jetoi në thjeshtësi, predikoi me urtësi, dha shumë dashuri duke përpunuar shumë zemra njerëzore që ndoshta nuk do të kishin mundësi por as edhe rast më të mirë për ta mësuar se, zemra e njeriut u krijua për të dashur, thjesht për të dashur ngjashëm Krishtit që na deshi të gjithëve pa kurrfarë shpërblese tonën.

Jeta dhe vepra e dom Gaspërit, na sjell ndërmend fjalët e bukura të shën Antonit të Padovës, i cili shprehej kështu:

“Njeriu nuk mund ta kuptoj vlerën e tij askund tjetër, përveçse duke e parë veten në pasqyrën e kryqit.  I krishteri duhet të mbështetet në kryqin e Krishtit, njëlloj siç mbështetet udhëtari mbi këmbët e tij kur ndërmerr një udhëtim të gjatë. I krishteri duhet të ketë të ngulur thellë në mendje pasionin e Krishtit, sepse vetëm prej andej buron paqja, hiri dhe e vërteta. Veprat tona flasin më shumë sesa fjalët; le ti lejojmë fjalët që të japin mësim, ndërsa veprave tona le tu japim mundësinë që të flasin!”

I përjetshëm qoftë kujtimi i jetës, veprës dhe shërbesës së dom dr. Gaspër Gjinit! Le të shërbej ai gjithmonë si një burim frymëzimi për ne sot, por edhe për brezat që do të vijnë!

(Kumtesë në “Takimet e Imzot Lucjan Avgustnit”, në Ferizaj, 18 maj, 2025)                    

Shpëndaje: