Një ditë për të përkujtuar bibliografin e “Shejzave”

Mga Andreas Dushi

 

Të nderuar të pranishëm,

Më së pari, lejomëni të shpreh gjithë lumturinë time që jam sonte këtu, si një mik që ftohet për të qenë njëri nga ju, në këtë ditë kaq të veccantë. Ditëlindja e Koliqit, shkrimtarit të parë shqiptar që i dha letërsisë një përmasë urbane, nuk mund të përkujtohet kurrësesi më mirë sesa në një institucion si ky, një Bibliotekë me emrin e Tij. Ju, i nderti monsinjor Dodë, i dashtuni don Fatmir dhe i gjithë kleri i dioqezës së Prizren-Prishtinës, në këtë katedrale, nanë të kishave e të besimtarëve, keni ba një punë që duhet t’ia skuqin faqet të gjithë drejtuesve politikë, nga dy anët e kufirit tonë të padrejtë: Keni ngritur në vendin e merituar figurën e jashtëzakonshme të Ernest Koliqit.

Gjithëpërmasshmëria poliedrike e Ernest Koliqit, fatmirësisht, ruhet e plotë në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Veprat e tij në prozë, poezi e dramë; përkthimet e studimet, vështrimet e shqyrtimet nuk janë prekur as gjatë komunizmit. Nuk janë prekur në kuptimin e parë të fjalës, pasi mbi to rrinte vula e një R-ëje kapitale, në ngjyrë të zezë, e cila ua bënte të qartë të gjithëve se ishin materiale armiqësore, pra të rezervuara vetëm për ata që e kishin mendjen aq plot me partitshmëri, saqë kurrësesi nuk mund të infektoheshin prej përmbajtjes së tyre.

Mbase ndër të vetmit që s’ishte i tillë, por prapëseprap ia doli t’i kalonte ndër duar e të mahnitej prej Koliqit, edhe në atë kohë, ishte një shkodran, pasardhës i Engjëllrove të Drishtit, pra i atij që e bëri gjuhën shqipe më të veçantën në botë: një gjuhë të pagëzuar.

Po të përpiqem ta përmbledh në një fjali jetën e atij për të cilin do të flas tani, ajo kishte me qenë shprehja që herë i atribuohet Ralh Emersonit e herë Harry Trumanit: “Nuk ka asnjë kufi se çfarë mund të arrihet nëse ai që e bën s’do t’ia dijë për meritat”. Sepse, në heshtjen e një murgu, ai ia ka dalë të bëjë punën e një manastiri plot me skribë: rregjistrimin e gjithë pasurisë së jashtëzakonshme bibliografike të revistës që kje, për shumë e shumë vjet, thelbi i kulturës shqiptare, i asaj së vërtetës, jashtë atdheut ku kufizimet idologjike dhe njësimet klasore po shkatërronin gjithë mundësitë për të menduar, shkruar dhe jetuar në liri. Fjalën e kam për “Shejzat”, një pjesë modeste e të cilave ekspozohen këtu, ndërsa personaliteti i heshtur, qiriu i djegur po të huazjomë metaforën naimiane, është Willy Kamsi.

Si përfaqësues i Bibliotekës Kombëtare në këtë mbrëmje, nuk mund të mos e kujtoj atë si bibliofilin më të jashtëzakonshëm dhe si bibliotekarin më të përkushtuar, ndërsa po t’ia lejoj vetes të dal jashtë kësaj kornize institucionale dhe të flas si një besimtar i thjeshtë, pjesë e padenjë e grixhës së Krishtit, s’mund të rri pa e sjellë ndër mend Kamsin edhe si katolikun më të përvujtë. Willy zgjodhi ta jetonte jetën sipas mësimit të Shën Palit që në letrën e dytë dërguar Filipianëve, e bën të qartë se, njeriu nuk duhet të kërkojë vetëm të mirën e vet, por të mirën e të tjerëve.

Willy diti ta bënte shumë mirë zgjedhjen e të tjerëve për të cilët zgjodhi të jetonte. Ata ishim ne, njerëzit e botës së letrave të cilët, sado të përpiqemi, në vogëlsinë tonë, nuk do të dijmë ta nderojmë madhështinë e tij.

Meqë jemi në një bibliotekë, s’kam si të mos kujtoj aktin e guximshëm e domethënës të Kamsit kur, në detyrën e drejtorit të bibliotekës universitare të Shkodrës, familjeve intelektuale shkodrane u bleu librat që shteti u kërkonte ditëpërditë t’i dorëzonin e t’i digjnin, libra me përmajtje fetare, pra armiqësore, dhe ato libra i bëri pjesë të koleksioneve të atij institucioni, duke bërë që në të njëjtën kohë, edhe të shpëtoheshin vlerat e rralla të historisë sonë kombëtare, edhe të mbështeteshin disa prej familjeve më të luftuara nga ai rregjim.

Willy, si një përkujdesës ndaj kulturës shqiptare, ishte admirues i atij që i ka dhënë emrin kësaj biblioteke, Ernest Koliqit. Prandaj edhe u ul e, bashkë me bibliografitë e periodikëve të tjerë kulturorë shqiptar, hartoi, në mënyrë të detajuar, bibliografinë e “Shejzave”, në përpjekjen e realizuar me aq shumë sukses për t’i ardhur në ndihmë kujtdo, e më shumë se gjithë të tjerëve, bibliotekave e bibliotekarëve.

Të nderuar miq,

Misioni i heshtur i Willy Kamsit besoj se më së miri reflektohet në këtë bibliotekë ku jemi sot. Përpjekja e lavdërueshme e klerit katolik për mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare dëshmohet qartë se jo vetëm nuk është shuar, por pret, e gatshme të ripropozohet sa herë paraqitet nevoja, nëpërmjet botimeve, përkthimeve e tani, edhe bibliotekave. Kjo katedrale mahnitëse ku jemi, me bibliotekën “Ernest Koliqi” dhe sallën “Bogdanopolis” është një shembull i qartë i binomit historik “Fe e Atdhe”, sepse pas lutjes, nuk ka asnjë mënyrë më të mirë sesa kultura për ta mbrojtur atdheun.

Që të mos zgjatem më tepër, lejomëni në fund të përcjell urimet më të ngrohta, personale e institucionale, për bibliotekën tuaj, që tanimë është biblioteka jonë, e të gjithëve ne që e duam, e flasim dhe përpiqemi ta ruajmë gjuhën shqipe.

Faleminderit!

 

(Fjala e z. Andreas Dushi, përfaqësues i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe kurator i ekspozitës së koleksionit të periodikut “Shêjzat” të Ernest Koliqit, në Ditën e Bibliotekës “Ernest Koliqi”, në Prishtinë, më 20 maj 2025).

Shpëndaje: