Frangut të Bardhë, in memoriam

Nga Evalda PACI

 

Frangu i Bardhë (Franciscus Blancus: 1606-1643), autori që cilësohet në frontespic të një dicionari latinisht-shqip të shekullit XVII është një prej prelatëve më të rëndësishëm që i dhanë jetë një tradite themelvënëse të shkrimit shqip dhe kulturës së lëvrimit libror përkatës. I angazhuar të sjellë për bashkëkohësit një dicionar, që do të përmbante elemente të dy gjuhëve të rëndësishme për të, autori shprehet mirë e bukur në një tekst në gjuhën latine që i thukët në përmbajtje, por i qartë në mendime dhe vërejtje mbi dobinë e veprave të natyrës leksikore, por dhe kulturore, përbën dhe një parashtresë koncize mbi çka ai vetë do të shtjellojë në tekstin autorial në gjuhën shqipe që e pason këtë të fundit. Teksti në gjuhën latine u drejtohet autoriteteve hierarkike që nënkuptojnë dhe hallka të një mbikëqyrjeje librore dhe përmbajtësore që përkthehet me figura që do të përmenden si të tilla dhe në tekstet e aprovimit të veprave të Pjetër Budit (Magister Palatii), por dhe të ndonjë autori tjetër të së njëjtës traditë shkrimore. Teksti në latinisht që u drejtohet kardinalëve të Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fide-s nënkupton edhe vetë rëndësinë e veprës që po sheh dritën e shtypit nën mbikëqyrjen e këtij të fundit, fakt që u detyrohet dhe emrit e mbështetjes së personaliteteve të cilave ky i fundit u drejtohet: Vestro debetur nomini, quod Vestris sub auspicijs prodit in lucem qualecunque hoc opus; qualecunque opus dixi? Erraui: Eximium debueram appellare.

Pikërisht në këtë tekst, por dhe në parathënien pasuese në gjuhën shqipe, autori nënvizon një pikë të ndjeshme të realitetit në vendin e vet, për të cilën do të gjurmojmë shprehje të ngjashme e me të njëjtën domethënie dhe në parashtresën e V. Zmaievich mbi aktet e Kuvendit të Arbënit, të mbajtur në Mërqi në vitin 1703. Mungesa e njohurive të klerikëve në lidhje me gjuhën latine mund të ndihmohet dhe me një mjet të tillë, për të cilin autori mendon gjerë e gjatë në ndërthurjen dhe përballjen e elementeve të gjuhës latine dhe të gjuhës së vet, cilësuar përkatësisht me përveçimet “sermo” dhe “lingua”, gjithnjë në ndihmë të atyre që ai i konsideron përhapës të Ungjillit (Sacri Euangelij propagatores) në krahinat e vendit të vet. Me ribotimin në vitin 1932 të një versioni fotomekanik si rezultat i kontributit të çmuar të romanistit dhe filologut frëng Mario Roques (1875-1961), njëherësh dhe hartues i një parathënieje të gjerë në shumë pikëpamje, ky dicionar u radhit krahas veprës me titull “Recherches sur les anciens textes albanais”, Paris, 1932, të të njëjtit autor, duke shërbyer si shtysë për t’u përvijuar në vijimësi platforma të studimit kritik dhe ekdotik të teksteve të vjetra shqipe, me arritje të ndryshme për nga orientimi metodik, por të vyera për pikëvështrimet dhe farën që arritën të mbillnin te studiuesit e së njëjtës lamije dhe gjurmuesit e trashëgimisë tekstore, leksikore, letrare të letërsisë kishtare shqipe.

Frangu i Bardhë u bë objekt i gjerë studimi në studimet etimologjike të E. Çabejt, në artikujt e K. Ashtës, K. Kamsit, P. Gecit, W. Kamsit, E. Sedajt, Xh. Lloshit, Sh. Sinanit, T. Osmanit, K. Topallit, S. Mansakut, A. Omarit, E. Shkrelit, F. Dibrës, në gjurmimet shumëdimensionale të B. Demirajt, autor i një botimi kritik e filologjik të veprës së Bardhit (Botime Françeskane, Shkodër, 2008) e që pasuron së fundmi dhe fondin e njohjes dhe të receptimit të këtij autori me të dhëna të domosdoshme biografike.

Data e përvjetori i largimit nga jeta të këtij prelati mund të përkujtohen bindshëm dhe me shprehjet që ai vetë përdor në përmbylljes të opusit të vet, në tekstin e introduktuar si “Admonitio de erroribus”, në të cilin reflekton shpirtin e një autori të ndjeshëm ndaj vërejtjeve, por gjithaq të vetëdijshëm për rëndësinë e një vepre si e tija./drita.info

Shpëndaje: