Një libër ndihmë për të lexuar psalmet

(Fjalë për librin: Don Anton Uka, Plagët e Shpirtit, Reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 40 – 50, DRITA, Prishtinë 2024, f. 236)

 

Nga Don Lush Gjergji

 

Psalmet ndahen apo cilësohen  si këngë lavdie, himne, por edhe lutje apo uratë, kërkesa,  nderime dhe falënderime,  shumica e përpiluar nga mbreti David (1040 – 970 para Krishtit), por edhe nga tradita gojore  e më hershme biblike.

Ato janë kryesisht si uratë e Popullit të zgjedhur, Izraelit, pastaj të Kishës, së fundi edhe të çdo të krishteri.

Pse dhe si? Aty përshkruhet dialogu mes Zotit dhe Popullit të tij, si uratë, falënderim, kërkim, nderim,  bashkëpunim dhe bashkëjetesë, me një fjalë: jeta me Zotin dhe Popullin e tij.

Vetë Jezu Krishti i ka njohur mirë psalmet, është lutur nëpërmjet  psalmeve, si p. sh. “ O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje” (21, 1), ose “Në duart të tua po e porosis shpirtin tim!” (30, 6).

Prandaj Kisha lutet me psalme, sepse Jezusi është lutur me psalme. [1]

Po ashtu edhe Kisha lutet në stilin e Jezu Krishtit, duke pasuruar dhe begatuar me emëruar çdo psalm, duke ia shtuar çdo psalmi edhe uratën përfundimtare, si dhe antifonat, që përmbledhin lutjen e psalterit apo Liturgjinë e Orëve, si lutje zyrtare e Kishës, që dikur quhej edhe Ufici.

Redaktorja dhe korrektorja e këtij botimi, prof. Luljeta Dushi, Shkodër, në Parathënie pohon që psalmet janë vërtet “dhuratë që ka nevojë të zbërthehet.  Kuptimi i saj duhet shpjeguar...” [2] nëpërmjet tre hapave që duhet të bëhen:

–         Përkthimi, që e ka bërë në mënyrë të shkëlqyeshme meshtari vyeshëm i arqipeshkvisë së Tivarit, Don Simon FILIPAJ [3]

–         Hapi i dytë i dytë është shpjegimi i tyre, që po e bënë për psalmet Don Anton Uka, që “nëpërmjet këtyre vëllimeve  mbi psalmet, duket sikur dëshiron të plotësojë këtë hapësirë ku mund të krijohen në mos keqkuptime, së paku moskuptime.” [4]

–         Hapi i tretë do të ishte ungjillëzimi, pra “më universal, nëpërmjet librave të tij (mendohet të Don Anton Ukas, vr. ime) që më patjetër shërbejnë  si mjet ungjillëzimi, pra në fund të fundit mjet për afrimin shpirtëror me Zotin.” [5]

Parathënia e prof. Luljeta Dashi-t, si dhe Hyrja e Don Anton Uka-s, shpjegimi i psalmeve 40 – 50, me fjalë dhe fjalor përmbajtje, shpjegime të thjeshta dhe përmbajtësore, të thella biblike dhe baritore, aktualizojnë Biblën, si Fjalë e Zotit, dhe porosinë  për  çdo vend dhe kohë, pra, edhe për ne, lehtësojnë dhe mundësojnë leximin, meditimin dhe uratën nëpërmjet psalmeve.

Autori, Don Anton Uka thotë që “Libri i Psalmeve përmban në frymën universale dhe një vlerë të përhershme shpirtërore, nga e cila njerëzit, pavarësisht nga përkatësia e  tyre fetare, mund të frymëzohen  dhe motivohen për një jetë më të mirë me vetveten, me të afërmin dhe me Zotin.”  [6]

Ky botimi i kushtohet  Shën Nënës Tereze në përvjetorin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe (Oslo, 10 dhjetor 1979). [7]

Në psalmin 47: shëlbimi u përket të gjithëve, si “këngë e bukur liturgjike me implementime eskatologjike  të pamohueshme, do të thoshte teologu  gjerman Alfons Defssler. [8]

Si përfundim:

psalmet në kulturën e krishterë, janë:

–         uratë e BV dhe Popullit të Zgjedhur, hebre;

–         Janë cituar dhe lutur prej Jezu Krishtit, Virgjërës Mari dhe apostujve;

–         Të krishterët e parë  psalmet i kanë përvetësuar si lutje e rregullte liturgjike, aq sa në kohën apostolike shumë psalme diheshin, luteshin dhe citohesh përmendsh, sidomos nga apostujt dhe pasardhësit e tyre.

Kush jeton me Fjalën e Zotit, vjen deri te Porosia e saj, dhe nga Fjala dhe Porosia, mbërrin deri te Personi – vetë Zoti,  apo Fjala e mishëruar – Jezu Krishti, i cili na flet dhe thërret, na aftëson për një jetë dhe botë të re, për shëlbimin e amshuar, me mundim, vdekje dhe ngjallje,  pohon Shën Jeronimi ilir, përthyes i Biblës dhe Dijetar i Kishës. [9]/drita.info

 

—————————————————-

[1] Krahaso: Sacrosanctum Concilium (SC) 81

[2] Don Anton Uka, Plagët e Shpirtit, Reflektim psiko – shpirtërore mbi Psalmet 40 – 50, DRITA, vëllimi III,  Prishtinë Parathënie, f. 8.

[3] Shkrimi Shenjt Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e RE, përktheu dhe shtjelloi: Don Simon Filipaj, DRITA, Ferizaj, 1994.

[4] Don Anton Uka, ve. e cit. f. 9 – 10

[5] Po aty, f. 10

[6] Po aty, f. 11

[7] Po aty, f. 3

[8] Po aty, f. 163

[9] Don Lush Gjergji, Shën Jeronimi ilir, përkthyes i Biblës, dijetar i Kishës, DRITA, 2020.

Shpëndaje: