
(Fjalë mbi librin: Frok Zefi, Veprimtaria e Jezuitëve në popullin shqiptar”, Prishtinë: Drita, 2024, 152 f.)
Nga Prof. dr. Gjon Berisha
Të nderuar të pranishëm!
Në mesin e botimeve të Shtëpisë Botuese “Drita”, sot para jush po përurojmë edhe një studim të veçantë nga fusha e historisë kombëtare i titulluar: Veprimtaria e Jezuitëve në popullin shqiptar. Ky studim na vjen nga don Frok Zefi, një emër i njohur prej kohësh për studimet e tija shkencore në të mirë të historisë kishtare në mesin e shqiptarëve, përkatësisht të historisë së Argjipeshkvisë Shkup-Prizren.
Kur Papa Françesku iu drejtua studentëve, mësuesve dhe prindërve të shkollave jezuite të Italisë dhe Shqipërisë në një audiencë në vitin 2013, ai diskutoi thelbin dhe vlerën e një edukimi jezuito-katolik, i cili në thelb ndjek ushtrimet shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës dhe Kushtetutën e Shoqërisë së Jezusit. Jezuitët në të gjitha aktivitetet e shumëllojshme dhe apostullatin e tyre e vendosin Jezusin në qendër, duke e bërë atë prototip. Kështu, Jezusi u bë thelbi i bërthamës së një edukimi jezuit.
Të njëjtat parime të edukimit jezuit që Papa Françesku diskutoi në vitin 2013 u zbatuan në Shqipërinë e shek. XIX, kur në vend u krijua Shoqëria e Jezusit.
Veprimtaritë e jezuitëve në mesin e shqiptarëve ishin të shumëfishta: arsimore; veprimtari apostolike dhe bamirëse misionare; kulturore dhe veprimtari të tjera. Historia e jezuitëve në Shqipëri është dialoguese – një dialog i Shoqërisë së Jezuitëve me shqiptarët duke ndërmjetësuar me atë që Papa Françesku (më 2013) e quan besnikëri krijuese, treguesit që vijnë nga Mësuesi i Kishës për situatën e veçantë shqiptare. Ata ndoqën nocionin Injacian për të mos i imponuar historisë, por përkundrazi të bisedonin me historinë dhe më pas të bëheshin pjesë e historisë dhe e njerëzve që po jetonin historinë. Historia shqiptare e Shoqërisë së Jezuitëve ishte një histori e kulturës dhe pasurimit të ndërsjellë, një ndërveprim që ndodh kur Ungjilli prek njerëzit dhe historinë. Jezuitët lanë një ndikim te shqiptarët dhe u prekën në këmbim – shumë prej tyre u bënë shqiptarë me zgjedhje. Jezuitët ishin besnikë ndaj doktrinës së Kishës dhe besnikë ndaj kulturës nacionale dhe njerëzve të cilëve u shërbenin dhe respektonin. Shembujt më tipik të jezuitëve që u njësuan në shqiptarë ishin Zef Valentini dhe Fulvio Cordignano, që të dy misionarë, historian dhe studiues të kulturës dhe të drejtës zakonore shqiptare.
Në reflektimet e tij personale mbi kontributet arsimore dhe kulturore të jezuitëve në mesin e shqiptarëve, Fr. Fulvio Cordignano S.J. (1887-1952), kur u pyet se përse jezuitët shkuan në Shqipëri, duke pasur parasysh se katolikët e Shqipërisë ishin pakicë, ai u përgjigj se shkuan: “për të kontribuuar në ruajtjen e besimit tradicional katolik romak … për të ndihmuar në hapjen e rrugës së qytetërimit dhe kulturës katolike në këtë rajon, të njëjtën kulturë dhe qytetërim për të cilin luftoi par excellence Skënderbeu”. Ky është një vlerësim i saktë i misionit jezuit në Shqipëri.
Fjala kryesore në libër i kushtohet veprimtarisë së misionarëve jezuitë në Kosovë, përkatësisht Misionit Fluturues (Missione Volante), të cilët erdhën me qëllim për të forcuar e ripërtërirë besimin katolikë në mesin e besimtarëve, sipas modelit të asaj që bënë kolegët e tyre në Dalmacinë. Jezuitët kishin filluar veprimtarinë e tyre në kuadër të një konteksti të ri të zhvillimeve politike që ndodhën në Perandorinë Osmane në gjysmën e dytë të shek.XIX. – me reformat osmane. Në këtë kontekst të ri shpallej barazia teorike e të gjithë subjekteve të Perandorisë, pavarësisht nga besimi i tyre, ndonëse në praktikë nuk ishte gjithmonë i favorshëm për katolicizmin.
Nëpërmjet analizës së veprimtarisë së Misionit Fluturues Shqiptar, një mision i nisur zyrtarisht më 1888 nga misionarët jezuitë dhe e përfunduar më 1912, ky studim i autorit Frok Zefi, fokusohet në punën rivendosëse dhe ripërtëritjes shpirtërore në mesin e popullatës katolike; me kufizimet e hasura nga misionarët të gjendur përballë armiqësisë së autoriteteve osmane dhe një ambienti të veçantë të popullsisë katolike që jeton në një mjedis mysliman. Në rrethana të tilla, misionarët jezuitë duhej tu përshtateshin veprimeve të tyre ditore në terren. Atyre u kërkohej përshtatje çdo ditë, përballë shoqërisë së krishterë katolike dhe mjedisit vendas.
Në libër autori nënvizon detyrën e misionarëve dhe priftërinjve për të luftuar paditurin fetare dhe abuzimet në mesin e të krishterëve, domethënë zakonet jo-kristiane, veçanërisht adoptimin e emrave myslimanë, punën gjatë festave fetare, mbylljen e grave që nga mosha dymbëdhjetë vjeç (duke i penguar ato edhe të shkojnë në meshë) dhe kurorëthyerjen, etj. Në këto rajone, misionarët duhej të ndihmonin edhe priftërinjtë e përhershëm dioqezian. Prandaj bëhet fjalë edhe për forcimin e besimit dhe praktikave fetare, por edhe për të shënuar sa më qartë kufirin mes besimit dhe besëtytnive të myslimanëve dhe të krishterëve katolikë. Kjo ishte ajo që misionarët jezuitë u ngarkuan që ta luftonin, përmes llojeve të ndryshme të aktiviteteve.
Nisja e Misionit Fluturues Shqiptar i përgjigjet dëshirës së misionarëve jezuitë për të ndihmuar në njohjen dhe në të jetuarit praktik të besimit katolikë për ata banorë të cilët kishin mungesë të priftërinjve. Përmes Misionit Fluturues Shqiptar, jezuitët kishin një qëllim specifik: të rivendosnin, forconin dhe ruanin në fenë katolike banorët katolikët shqiptarë që rrezikoheshin, sikur shumë të tjerë, të largoheshin nga besimi dhe Kisha Katolike. Më saktësisht për misionarët, problemet ndaj të cilave u ekspozua atëherë popullsia katolike ishin të trefishta: mungesa e klerit, injoranca në çështjet e fesë dhe jetesa e tyre në një mjedis dominues mysliman. Përballë kësaj, jezuitët konsideronin se priftërinjtë e izoluar nëpër famulli (p.sh. françeskanët) ishin praktikisht të pafuqishëm të pengonin abuzimet fetare dhe kalimet në fenë islame. Prandaj, jezuitët përpiqeshin të zhdukin abuzimet, dhe duke forcuar besimin, të ngadalësonin procesin e konvertimet. Kjo përfshinte ushtrime shpirtërore për klerin dioqezian dhe rregulltarët, vizita të gjitha famullive, veçanërisht atyre që kishin mbetur pa priftërinj; predikimi i fjalës së Zotit; udhëzime fetare për popullsisë, organizmi i mësimit të fesë (katekizmit) jo vetëm për fëmijët dhe të rinjtë, por edhe për të rriturit – burrat dhe gratë, dhënia e sakramenteve, largimin e abuzimeve dhe hyrjen e besimtarëve në jetën praktike fetare. Ata ia dolën të bënin edhe shumë pajtime gjaqesh, si dhe të ndihmonin në normalizimin marrëdhënieve të shumë njerëzve që kishin qenë në hasmëri e urrejtje për vdekje me njëri-tjetrin. Nuk munguan edhe rastet e ndihmës në dhënien e shërbimeve shëndetësore. Bëhet fjalë gjithashtu për përpjekjet e tyre për çrrënjosjen e “besëtytnive”, shumë t ë përhapura në mesin e katolikëve, siç ishin: shkrimi i letrave nga klerikët mysliman (hajmalive) apo besimi në fuqinë e varreve apo tyrbeve.
Bazuar me të drejtë në letrat dhe raportet e Misionit (Relazione sulla Missione Volante Albanese…dhe Lettere edificanti della Provincia Veneta), autori don Frok Zefi, na ofron në formë të detajuar punën e misionarëve jezuitë të zhvilluar në Prizren, Zym, Gjakovë, Pejë, Shkup e Ferizaj, Janjevë e Letnicë. Autori na sjellë të dhëna të detajuara për punë e misionarëve jezuitë në mesin e laramanëve apo kripto-katolikëve si dhe në mesin e apostatëve, fenomen i cili kishte një përhapje të konsiderueshme jo vetëm në fshatrat e Karadakut, të tilla si Binça, Stublla, Terziaj e ndonjë tjetër, por edhe në famullitë e Rrafshit të Dukagjinit.
Autori trajton edhe një segment tjetër të jetës fetare në Kosovë, përkatësisht në argjipeshkvinë e Shkupit – involvimin e aktorëve të shumtë kishtar dhe civil nga vende të ndryshme në jetën e organizimit kishtar.
Në organizimin e jetës fetare ndërhynë edhe ipeshkvij dhe argjipeshkvij, Vatikani, Kongregata e Propagandës Fide, si dhe delegati apostolik me banim në kryeqytetin osman. Edhe pse besimi katolik mbrohej nga protektorati dhe mbështetej financiarisht nga monarkia Austro-Hungareze, nuk i pengoi përfaqësuesit e tjerë të huaj, veçanërisht konsujt francezë dhe italianë, të ndërhynin në emër të qeverisë së tyre. Megjithatë, ekzistenca e këtyre aktorëve të ndryshëm, në disa raste, çoi në konteste, këndvështrime e në veprime konkurrence, madje edhe konflikte që ndikuan në veprimtarinë e secilit. Fillimet e Misionit Fluturues Shqiptar dhe sfidat e projektit për të themeluar shtëpinë e Misionit në Prizren i ilustron më së mirë divergjencat e mundshme të këndvështrimeve dhe strategjive të aktorëve katolikë – fetarë dhe jofetarë – të përfshirë në realizimin ose mosrealizimin e projekteve të caktuara.
Shtëpia e jezuitëve nuk i hapi dyert deri në vitin 1910 – më shumë se 20 vjet pas fillimit të misionit, ajo u hap në Shkup, e jo në Prizren ku ishte planifikuar. Kjo shtëpi e Shoqërisë së Jezuitëve ishte pjesë e Misionit Flutures Shqiptar, me rezidencë në Shkodër.
Edhe pse u përballën me sfida e rreziqe të shumta, misionarët jezuit tejkaluan çdo pritshmëri. Sipas autorit, në të gjitha rastet, misionorët treguan se Misioni Fluturues Shqiptar kishte mjete efektive për të kompensuar dëmet që i ishin shkaktuar Kishës Katolike ne Kosovë. Përveç punës rivendosëse mes popullatës katolike të Kosovës, kontributi i jezuitëve u vlerësua lartë sepse rritën, edukuan dhe udhëzuan një numër të madh priftërinjsh të Arqipeshkvisë së Shkupit
Me këtë studim, konsiderojmë se autori don Frok Zefi, ka dhënë një kontribut kualitativ për historiografinë shqiptare në përgjithësi dhe për historinë Kishës Katolike në Kosovë në veçanti.
Autorit don Frokut i urojmë shëndet e suksese në punën e tij baritore e shkencore kurse Shtëpisë Botuese “Drita” suksese në projektet e ardhshme./drita.info