
Nga Joseph Pearce
Është e pamundur që shumë njerëz të mendojnë se Frodo Baggins, heroi i vogël i Kryezotit të Unazave, ka ndonjë lidhje me Kreshmët. Çfarë lidhje ka një hobit me traditën e agjërimit? Çfarë lidhje ka Kryezoti i Unazave me Zotin që vdiq për ne në kryq? Dhe çfarë lidhje ka Mes-Toka (eng. Middle earth) me arsyen e ekzistencës së periudhës së Kreshmëve?
Këto janë pyetje të mira, për të cilat J. R. R. Tolkien na jep një të dhënë kur thotë se: “Kryezoti i Unazave është, natyrisht, vepër thelbësisht fetare dhe katolike.”
Si mund të jetë kështu? Si mund të ketë një tregim për hobitë, xhuxhët, elfët dhe magjistarët ndonjë lidhje me jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit?
Përgjigjja gjendet në datën kur Unaza shkatërrohet. Unaza e Vetme, që sundon të gjitha dhe i lidh në errësirë, shkatërrohet më 25 mars. Kjo duhet të na bëjë të ndalemi dhe të mendojmë, sepse 25 marsi është, natyrisht, festa e Lajmërimit, dita kur engjëlli i Zotit i shpalli Marisë dhe ajo ngeli shtatzënë me fuqinë e Shpirt Shenjt. Është dita kur Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne, dita kur Zoti u bë njeri. Shumica e katolikëve e dinë këtë, por pak e dinë se, sipas traditës, 25 marsi është gjithashtu data e Kryqëzimit. Pra, nuk është vetëm dita kur Zoti u bë njeri, por edhe dita kur Krishti vdiq për mëkatet tona.
Tolkien e dinte këtë. Ai ishte katolik praktikues gjatë gjithë jetës së tij.
Por çfarë lidhje ka data e Mishërimit dhe e Kryqëzimit me shkatërrimin e Unazës?
Unaza është “Unaza e vetme që sundon të gjitha dhe i lidh në errësirë.” Mëkati i Parë është mëkati i vetëm që sundon të gjitha dhe i lidh në errësirë. Unaza e Vetme dhe Mëkati i Parë shkatërrohen në të njëjtën datë. Tolkien dëshiron që ta kuptojmë këtë lidhje. Ai na tregon se fuqia e Unazës është e lidhur me fuqinë e mëkatit. Unaza është sinonim i mëkatit.
Kjo do të thotë se vendosja e Unazës është akti i mëkatit. Kur e bëjmë këtë, zhdukim nga bota e mirë që ka krijuar Zoti, por bëhemi të dukshëm për Sundimtarin e Errësirës, sepse kemi hyrë në domenin e tij. Nëse e mbajmë Unazën vazhdimisht, duke jetuar në mëkat, të varur nga stile jetese shkatërruese, shpirti ynë fillon të tkurret dhe të thahet. Nuk jemi më hobiti i mirë që Zoti na krijoi për të qenë, por shndërrohemi në krijesa të mjeruara, si Gollumi, që nuk duam asgjë tjetër veçse mëkatin që është bërë aq i çmuar për ne, edhe pse na bën të mjerueshëm. Me fjalë të tjera, një jetë mëkatare ka fuqinë të na “gollumizojë”.
Nëse mbajtja e Unazës simbolizon jetën në mëkat, mbartja e Unazës simbolizon mbartjen e Kryqit. Nëse jemi mbajtës të Unazës dhe jo veshës të saj, atëherë ne mbajmë peshën e mëkatit pa mëkatuar. Po marrim kryqin tonë dhe po ndjekim Krishtin.
Frodo Baggins, si ai që është zgjedhur të jetë Mbartësi i Unazës, është mbajtësi i Kryqit. Ai është, pra, një figurë e Krishtit. Kjo është arsyeja pse Tolkien e ka vendosur largimin e tij nga Rivendelli më 25 dhjetor dhe mbërritjen e tij në Mount Doom (Golgota) më 25 mars (E Premtja e Madhe). Udhëtimi apo pelegrinazhi i Frodos fillon në ditëlindjen e Krishtit dhe përfundon në ditën e vdekjes së Krishtit.
A ka ndonjë lidhje një hobit me zakonin e agjërimit? A pasqyron udhëtimi i Frodos udhëtimin tonë kreshmor drejt këmbëve të Kryqit? A është Kryezoti i Unazave një vepër thelbësisht fetare dhe katolike?
Më mirë besojeni!
Joseph Pearce është Profesor Vizitor i Letërsisë në Universitetin Ave Maria dhe Studiues Vizitor në Thomas More College of Liberal Arts (Merrimack, New Hampshire). Autor i mbi 30 librave, ai është kryeredaktor i St. Austin Review, redaktor i serisë Ignatius Critical Editions, instruktor i lartë në Homeschool Connections dhe kontribues i lartë në The Imaginative Conservative dhe Crisis Magazine. Faqja e tij personale është jpearce.com
Përkthimi: Shoqëria C. S. Lewis