SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE KELMENDAS NË SRIJEM (Pjesa I)

Nga Don Frok Zefi

Cilët  janë shqiptarët  kelmendas?­

 

Shqiptarët  janë një  popull  autokton  i  gadishullit  të Ballkanit; ata janë  pasardhës të ilirëve të lashtë, gjurmët e të cilëve ruhen në gjuhën e sotme shqipe, e me siguri edhe në karakteristikat racore të shqiptarëve. Në kohën e dyndjeve të fiseve sllavike, rreth shekullit të  6 dhe të 7 një numër fisesh shqiptare u përqëndruan në male, ku edhe vazhduan jetën. Diku ndodhi që u përzien me sllavët e ardhur, përmes lidhjesh martesore, por në një përqindje të madhe ata e ruajtën formimin e tyre identitar, dhe e vazhduan bashkëjetesën paqësore me popullsinë e re, duke respektuar njëkohësisht edhe rendin  e tyre social të organizuar sipas sistemit  fisnor, që ishte karakteristikë e atyre kohëve.

Një ndër fiset e njohura  shqiptare, është edhe fisi i shquar i Kelmendasve.  Emri i këtij fisi vjen prej emrit Kelmend (Clemens, Klement, Kliment, sipas emrave me origjinë latine, Klement[ët]  apo Klementin[ët]). Emri i këtij fisi nga kroatët, shqiptohet dhe shkruhet në format,  Klement[ët]  dhe Kliment[ët].

Kelmendasit jetojnë në viset e Bjeshkëve të Nëmuna [nëmura], në Malësinë e Madhe, në brezin kufitar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.[1] Këtij fisi i takojnë edhe banorët e rrafshit të epërm të lumenjve Lim e Cem. Lumi Cem  ka dy burime të larguara njëri nga tjetri, në brigjet e të cilëve jetojnë pjesëtarët e këtij fisi.[2] Vendbanimet e tyre si, Selci, Nikqi, Vukli dhe Boga, janë tepër të njohura.

 Janë dëgjuar shumë gojëdhëna  mbi krijimin e këtij fisi. Një prej tyre gjendet e shkruar  në relacionin e vitit 1685,  të arqipeshkëvit  të Shkupit,  Pjetër Bogdanit, mbi Serbinë dhe Shqipërinë.  Sipas kësaj gojëdhëne,  fisi e ka prejardhjen nga i pari i tyre i cili zbriti nga rrjedha e epërme e lumit Moraça, dhe u martua  me një vajzë të fisit të Kuçëve, martesë nga e cila lindi djali i tyre Kelmendi, sipas emrit të të cilit u quajt edhe fisi,  pra, respektivisht ata u quajtën Kelmendas.[3]

Sipas gojëdhënës së dytë, ky fis e ka prejardhjen nga njëfarë bariu i quajtur Kelmend, i cili dikur në Triepshë, hyri  në shërbim te një fshatar i pasur i fshatit e më pas u martua  me vajzën e tij. I ati i saj, i dha çiftit të ri bashkëshortor 20 dele dhe i dërgoi në Bishtan, pesëmbëdhjetë minuta ecje në këmbë larg Selcit, në lindje të Podgoricës. Sipas kësaj gojëdhëne  Kelmendi  pati shtatë djem, të cilët u bënë kryeparë të shtatë vëllazërive: Selcit, Vuklit, Nikajt, Utajt, Martinoviqit (Martinajt), Vukovës në Dukagjin dhe Labit në Kosovë.[4]

Gojëdhëna  e tretë, të cilën e ka shënuar ipeshkëvi sremas Ladislav Szöreny, tregon  se emri i fisit rrjedh nga mbrojtësi i fisit, shën Klementi, papë dhe martir. Szöreny thotë se, “janë quajtur kelmendas për shkak të prejardhjes së tyre katolike. Me fjalë të tjera, papa shën Klementi, nxënës i shën Pjetrit, me predikimin dhe mrekullitë e tij i  ktheu ata  në fenë e Krishtit. Papa shën Klementi, ra martir gjatë përndjekjes së Trajanit, kur paganët ia lidhën spirancën rreth qafës, dhe e hodhën  në det.”[5]

Kjo gojëdhënë në fakt e nderon kultin e  shën Klementit, papë dhe martir, në trojet amë të kelmendasve. Kisha në Shpajë  i është kushtuar pikërisht shën Klementit.[6] Kelmendasit e Shpajës e bartën dhe ruajtën këtë kult, në kohën e shpërnguljes së detyruar në Kosovë, në vitin 1702; edhe kur ikën nga Peshtëri për në Srem, në vitin 1737, përsëri ia kushtuan kishën e tyre shën Klementit, papë dhe martir, e të njëjtën gjë bënë edhe me kishën në Hërtkovci, i cili është vendbanimi më i rëndësishëm i  tyre.

Është interesante edhe gojëdhëna  mbi krijimin e lumit Cem, që është ruajtur në trojet amë të fisit. Udhëpërshkruesi e ka shënuar këtë gojëdhënë, sipas rrëfimit të popullit. “Kelmendasit me krenari më kanë thënë se, ky lum është vepër e mrekullueshme e njëfarë shenjti të tyre, i cili në këtë gur ka bërë kryqin, e më pas nga kryqi rrodhi lumi.”[7] Është e qartë se kjo gojëdhënë për shën Klementin papë, është pakëz ndryshe kur dëgjohet në  rrëfenjat lokale.

Qarkullon edhe një version tjetër  sa i  takon emrit të këtij fisi, që është shfaqur pak më vonë në kohë, e që e lidh emrin e tij me kështjellën bizantine, të quajtur Clementiana, në rrugën Shkodër – Prizren.[8]

Para pushtimit turk, kelmendasit  jetonin vetëm në Malësinë e Madhe. Më vonë ata u përfshinë në luftë të vazhdueshme  me osmanët, të cilët nuk arritën kurrë që t’i nënshtronin plotësisht, edhe pse autoriteti osman  gjatë shekujve të XV dhe të XVI deri diku hodhi rrënjë edhe në këto troje. Kjo gjë shihet posaçërisht, nga mënyra sesi taksoheshin ata nga autoritetet osmane.

Kelmendasit e njohën autoritetin osman me vështirësi  në vitin 1497, e megjithatë ky autoritet ka pasur karakter të   çrregullt mes tyre, sepse ata nuk arritën asnjëherë që t’i kontrollonin tërësisht trojet amë të tyre, pasuritë e tyre,  dhe në veçanti të ardhurat e tyre.[9]

Në  shkurt, të vitit 1638 pushteti osman dërgoi Vuço pashën me 15 mijë ushtarë kundër  kelmendasve, por malësorët trima i mundën turqit, dhe zunë si plaçkë sasi të mëdha të armëve, të kuajve, të të veshurave dhe të të mbathurave të tyre.[10]

Gjatë luftës së Kandisë (1644 – 1669), kelmendasit pushtuan kështjellën e Medunit. Ata i bënin rezistencë të vazhdueshme osmanëve, nuk u nënshtruan asnjëherë, dhe kjo u mundësoi përfitimin e disa privilegjeve që ishin të shumta, duke u garantuar atyre një lloj statusi që ua mundësonte vetëqeverisjen.

Rreth vitit 1700, porta e lartë osmane,  vendosi që t’i nënshtronte kelmendasit, dhe për këtë angazhoi pashain e Pejës, Hodaverdi Mahmut beun, i cili kishte për detyrë që të depërtonte me ushtri në malësi. Me këtë rast, ky i fundit sulmoi edhe kelmendasit, por këta iu përgjigjën sulmit duke bërë një  rezistencë të fortë.[11]

Megjithatë, në vitin 1702, u zbatua vendimi i portës sipas të cilit, 274 familje kelmendase duhej  të shpërnguleshin dhunshëm në Peshtër të Novi Pazarit.[12] Ishte pikërisht kjo koha kur kelmendasit u vendosën edhe në Rugovë e  në rrethinat e Pejës dhe të Rozhajës, ndërsa  nga një dokument osman i korrikut të vitit 1702, kuptohet se edhe tokën e cila në atë kohë nuk kishte një status të qartë pronësie, më në fund e fituan.[13]

Kelmendasit në Peshtër dhe në Rugovë, nuk e duronin dot kontrollin e pandërprerë të pushtuesit osman, e sidomos autoritetin e pashait nga Peja. Për këtë arsye, në vitin 1707, 147 familje kelmendase, u rikthyen në malet shqiptare, duke marrë me dhunë edhe dy misionarë françeskanë. Fill pas këtij zhvillimi, osmanët kundërvepruan duke e shkatërruar misionin françeskan në Peshtër.[14]

Dhunës osmane kundër shqiptarëve, iu bashkëngjit edhe hierarkia e kishës ortodokse të Shkupit, veçanërisht patriarku Kalinik. Ky i fundit, në vitet 1706 dhe 1707 i rëndoi katolikët me taksa të rënda kishtare, të cilat ata as dëshironin  e as kishin mundësi për t’ja paguar. Aq e pamëshirshme ishte përndjekja ndaj tyre, saqë misionarët e Pejës dhe të Gjakovës përfunduan në pranga;[15]

Arqipeshkëvi i Tivarit, Vinko Zmajeviqi, më 14 shtator, të vitit 1710, nga Kotori i shkroi sekretarit të Kongregatës për Përhapjen e Fesë, në Romë, se kelmendasit i kishin mundur turqit dhe u kishin  rrëmbyer 6000 kokë bagëti. Arqipeshkëvi theksonte se, hakmarrjes osmane duhej t’i përgjigjeshin me armë.

Ai personalisht, i donte  kelmendasit, për shkak të qëndrueshmërisë së palëkundur që ata shprehnin, për të mbetur besnik të besimit të krishterë katolik.[16]

Prej vitit 1715 e deri në vitin 1718, gjatë luftës venedikaso-austriake, osmanët rrëmbyen dhe plaçkitën të gjitha misionet në arqipeshkëvinë e Shkupit, duke burgosur e torturuar deri në vdekje disa misionarë. Vetëm misioni i rindërtuar i Peshtërit, i shpëtoi kësaj vale shkatërruese, pasi kelmendasit e mbetur aty, kishin vendosur që ta mbronin.[17] Ndërkohë pashai i Pejës, në vitin 1721,  lejoi rimëkëmbjen e misionit të Rugovës, për shkak se aty dinin të flisnin  shqip.[18]

Në kohën kur erdhën në Peshtër dhe në Rugovë, (rreth vitit 1702), të gjithë kelmendasit i përkisnin besimit katolik, dhe këtë na e vërteton toponomastika e këtyre viseve. Në  gjithë  fshatrat e Rugovës edhe sot përmenden toponime të tilla si,  “brinja e kishës”; në fshatin Bogë, dëgjojmë toponime të tilla si,  “gurët e kishës”, “bregu i kishës”, “kroni i Martin Bogës”; kurse në Shkrel, në Dugaivë, në Haxhaj dhe në Kuçishtë përmendet toponimi, “varret e katolikëve.” Përveç këtyre, ka edhe toponimet të tjera, si për shembull, “livadhi i fratit” apo “kroni i Gjonit.” Të gjitha këto toponime dëshmojnë, se popullsia shqiptare, që u vendos në Rugovë, në këtë periudhë kohore,  i përkishte besimit të  krishterë katolik. Kjo popullsi nisi ta pranonte islamin rreth gjysmës së dytë të shekullit të XVIII, pas shpërnguljes së një pjese të kelmendasve në Srem, në vitin 1737, ndërsa procesi i islamizimit eci shumë ngadalë.[19]

Gjatë luftës austriako – turke (1737 – 1739), kelmendasit nuk ndenjën asnjanës; ata, nën udhëheqjen e  arqipeshkëvit  të Shkupit, Mikel Summa, u çuan në kryengritje. Sipas informacionit që lexojmë në disa shënime arkivore, del se kelmendasit u nxitën për kryengritje edhe nga patriarku serb, Arsenije i IVët Jovanoviq Shakabenta.[20]

Ky informacion  mund të merret  si i besueshëm, pasi  dihet që  Shakabenta, duke u arratisur nga osmanët, më 27 korrik, të vitit 1737, gjeti strehim në disa fshatra  shqiptare të Rugovës, ku edhe  u prit mirë.[21]

Në  një shqyrtimin historiko – gjeografik dhe etnografik të vetin, me titull,  ‘Kush janë “shqiptarët” dhe “kelmendasit” në burimet austriake të fundit të shekullit të XVIItë’,  dr. Rajko Vesellinoviqi thotë se, misionarët katolik  kishin  dhënë raporte të pasakta për kelmendasit dhe vendin e tyre. Vesellinoviqi  merr parasysh veçanërisht dom Tomë Raspasanoviqin, i  lindur në Letnicë,[22] meshtar i arqipeshkëvisë së Shkupit,  i cili bashkë me shqiptarët e arratisur,  në vitin 1690,  u nis për në Budim, duke i përbuzur relacionet e tij.

Nuk dëshiroj të ngre diskutime në lidhje me ngjarjet e së ashtuquajturës,  “dyndja e parë serbe”, sepse në këtë punim, merrem më tepër me  kohën dhe ngjarjet e “dyndjes së dytë serbe”, por dëshiroj ta kundërshtoj dhe ta hedh poshtë si të ashtuquajturën, “dyndja e parë serbe”,  e si të ashtuquajturën, “dyndja e  dytë serbe”, sepse, mbështetur në dëshmitë dhe faktet historike, kam dal në konkluzionin e padiskutueshëm se, ata që e pësuan furinë e persekutimit nga osmanët ishin kryesisht shqiptarët, të cilët jo në pak raste u braktisën, u prenë në besë dhe u lanë në fushëbetejë, sa herë që aleancat austriake në pafuqinë e tyre, detyroheshin që t’i linin në mëshirë të fatit dhe plotësisht të tradhëtuar; sipas dokumenteve historike, nuk ka pasur as dyndje e as shpërngulje masive të popullatës serbe, por ishin shqiptarët ata që u persekutuan e u shpërngulën dhunshëm pas çdo disfate të kryengritjeve të aleancave të krishtera.

Megjithatë duhet thënë se, disa historian serbë, për shkak se nganjëherë në dokumente përmenden “shqiptarët dhe kelmendasit” prej grupit identik nacional të të shpërngulurve, i konsiderojnë shqiptarët dhe kelmendasit sikur të jenë dy popuj, por këtë themi, se historianët serbë shprehen kështu, pasi qartazi mbajnë dhe u qëndrojnë prirjeve manipuluese të fakteve historike.[23]

Në vitin 1769, kur pushteti austriak u përpoq që të sillte në territorin e vet tërë fisin kelmendas, kelmendasit u përshkruajtën në mënyrë autentike dhe me ndërgjegjshmëri, nga prefekti apostolik i misionit të Sremit, ati Franë Antoni nga Bovesi, dëshminë me shkrim të të cilit po  e  sjell  vetëm pjesërisht:

“të ashtuquajturit kelmendas, kanë banuar në pesë fshatra, të cilat janë: Vukli, Selca, Nikqi, Bronja dhe Boga; këto fshatra  kanë pasur  rreth 200 shtëpi, dhe thuajse të gjitha shtëpitë kishin pasur shumë fëmijë. Shumë kelmendas u shpërngulën nga vendlindja e tyre,  dhe tani jetojnë në Rugovë, në Kosovë, si dhe  në fshatra  të  tjerë në Serbi. Sa u takon gjërave shpirtërore, ata  janë nën udhëheqjen e etërve misionarë françeskanë, të cilët kanë në Selcë dhe në Vukël, kishën dhe shtëpinë e pritjes. Ata janë katolik, i respektojnë dhe i dëgjojnë meshtarët e tyre dhe janë të gatshëm që kur mëkatojnë, t’u nënshtrohen urdhëresave kishtare. Ditët e vigjilimit, krezhmëve dhe ditët e tjera që i kanë zgjedhur në nderim  të ndonjë shenjti, zakonisht i kalojnë me bukë e kripë, duke agjëruar deri në perëndim të diellit pa ngrënë e pa pirë; madje shumë prej tyre heqin dorë edhe nga duhani si një shprehi e rëndomtë që është mes tyre. Për festa, dhe kur meshtari vjen për vizitë tek ta, të gjithë janë gati që të shkojnë rregullisht në  meshë, dhe të  pranojnë  sakramentet. Atyre u duket  qesharake kur u kërkojnë dhe i edukojnë që të mos hakmerren, sepse nuk pajtohen me këto mësime, dhe nuk falin  derisa  e marrin hakun e  gjakut  me  gjak. Zakonet  e tyre janë të hershme: hanë në minder, dhe kur dikush prej tyre ndërron jetë, çirren, godasin kraharorin me kujë  të madhe, ndërsa  gratë vajtojnë tek varri; më pas i  gostitin të gjithë të pranishmit, duke therur  30, 40 apo 50 desh, ndërsa gjatë  vitit  vajtojnë  shpesh  mbi varr….”[24]

Ky lloj përshkrimi e rrëzon pohimin e Vesellinoviqit, se meshtarët katolik “i kanë përzier emrat lokal me përkatësinë etnike,”[25] Jemi të bindur se oborri i Vjenës dhe perëndimi katolik, kanë qenë të mirëinformuar për kelmendasit, se ata ishin  shqiptarë të vërtetë.

Tërheqja e arqipeshkvit

Në vitin 1736,  perandori austriak, Karli i VI, po përgatitej për luftë kundër osmanëve, kështu që i ftoi të gjithë të krishterët në Serbi, në Maqedoni dhe në Shqipëri që të çoheshin në kryengritje, sapo të nisnin  operacionet ushtarake. Arqipeshkëvi i Shkupit, Mikel Summa, me kryeparët e fiseve shqiptare,  dhe patriarku serb, Arsenije i IVët Jovanoviq Shakabenta, me bujarët serb menjëherë dolën në krah të perandorit. Arqipeshkëvi Summa i nxiti për kryengritje fiset shqiptare të Kelmendit, Hotit dhe Grudës, por ndodhi që, ndërsa ishte duke nxitur rebelim edhe në Mal të Zi, venedikasit e lajmruan te turqit.

Disa historian serbë pohojnë  se,  arqipeshkëvi Summa, më pas  iku në Austri ose në Hungari, ndërsa ca të tjerë janë të mendimit se ai përfundoi në Sllavoni, në Osijek.[26]

Patriarku Arsenije i IVët  Jovanoviq Shakabenta nga Teshnica, u kthye në Pejë, ndërsa  kryeparët e fiseve, u rikthyen  në trojet e tyre për të mbledhur ushtrinë.

Ndërkohë, situata sa vinte dhe ndryshonte me shpejtësi. Osmanët nisën të grumbulloheshin  në numër të madh, rreth Novi Pazarit dhe në Peshtër.

Më 26 gusht, kur patriarku me ushtrinë e malësorëve, arriti në Novi Pazar, e gjeti qytetin të braktisur. I frikësuar, ai  i braktisi malësorët dhe u arratis drejt manastirit  Studenci në Kragujevc, kështu malësorët e braktisur dhe të habitur u detyruan të ktheheshin pas në male, e ndërsa riktheheshin, përballeshin rrugës me osmanët, të cilët digjnin kullat dhe qytetet e tyre.[27]

Ushtria e Lentulit  u tërhoq deri në Uzhicë. Pas ushtrisë austriake, në njëfarë distance  shkonin edhe disa mijëra shqiptarë katolik, të cilët kishin marrë me vete edhe bagëtitë e tyre. Ky grup përbëhej kryesisht, nga  kelmendasit katolik  nga Rugova dhe Peshtëri. Seckendorfi u tha hapur se nuk mundej që t’i ndihmonte. Kur Seckendorfi u tërhoq nga Uzhica, për të shkuar në drejtim të Valevas dhe Shabacit, në të njëjtën ditë, më 4 tetor, në Uzhicë,  erdhi një delegacion i madh shqiptarësh, i udhëhequr nga françeskani atë Gjoni së bashku  me vojvodët, Prelën, Jokën, Vukën, Lekën, Zekën, Gilën dhe Delin.

Këta iu lutën Lentulit që, për 7 gjinitë e tyre me 4 000 njerëz dhe me rreth 100 000 copë bagëti, të caktohej një pjesë tokë në Banat, ku ata  do të mund të vendoseshin dhe të qëndronin deri në fund të tetorit. Negociatat u ndërprenë për shkak të depërtimit të menjëhershëm të turqve të Bosnjës, dhe për shkak të  tërheqjes së  ushtrisë  austriake.[28]

Ushtria austriake dhe pas saj kelmendasit, u tërhoq në drejtim të Rudnikut dhe Ligut, nëpër rrugë të këqija dhe male të larta, për të arritur më 11 tetor në Valevë.

Aty, më saktësisht në Kllanac i priti Mehmed beu i Zvornikut, i cili më  12 tetor i plaçkiti çetat me kuaj e qerre për të furnizuar trupat  luftarake, dhe hyri në Valevë ku pas masakrimit të tmerrshëm, zuri rob rreth 3 000 shqiptarë që po tërhiqeshin. Ata që shpëtuan, ikën pas ushtrisë austriake në veri, ndërsa një pjesë e kelmendasve, qëndruan rreth Rudnikut dhe Avallës deri në verën e vonë, të vitit 1738.[29]

Është interesant fakti se historianët serbë, Tomiq, Kostiq, Radoniq dhe të tjerë, mes këtyre 4000 shqiptarëve katolik të arratisur, nuk  dallonin dot  pikërisht  kelmendasit katolik dhe laramanët  e  Rugovës dhe të Peshtërit, ndërkohë që  nga dokumentet e arkivit të Propagandës dhe të arkivit sekret të Vatikanit vërtetohet plotësisht se, kelmendasit e Rugovës dhe të Peshtërit, me misionarët e tyre dhe me arqipeshkëvin Mikel Summa, kanë qenë në arrati.

Kjo shpërngulje njihet më shumë si “dyndja e dytë serbe,” për shkak të së cilës rreth 300 familje shqiptare  kaluan në Srem, ku  pas një farë  kohe morën  tokë në territorin e fshatrave të sotëm, Hërtkovc dhe Nikinc.[30]

Përfundim

Po e përfundojmë me fjalët e Franjo Kuhač: “Ne nuk duam dhe nuk dëshirojmë të thuhet: ‘ky është kelmendasi i fundit nga fisi i vet!’ Nëse edhe do të vinte deri te kjo, ai kelmendasi i fundit nuk do të mund të thotë se Kroatët në Srijem i kanë shtypur shqiptarët dhe me dhunë e kanë shuar gjuhën e tyre.”[31] /drita.info

————————————————

[1] Grup autorësh, Rugova, Monografi etnografike, redaktor Mark Krasniqi, Prishtinë, (1987), f.186, (më  tutje: Grup autorësh, Rugova).

[2] MIHAČEVIĆ fra LOVRO, Po Albaniji – Dojmovi s puta, Matica Hrvatska, Zagreb, (1911), f. 21.

[3] JAČOV MARKO, Spisi Tajnog vatikanskog arhiva, f.136.

[4] RADONIĆ JOVAN, Rimska kuria,  f.514.  

[5] SZÖRENY DE KIS – SZÖRENY LADISLAV, Vindiciae Sirmienses seu Descriptio Sirmii, Budae 1746, editio altera, auctior et correctior, [nga latinishtja në kroatisht, përkthyer nga dr. Stjepan   Sërshani, Opis Srijema, Vinkovci, (1989), f.75.

[6] JAČOV MARKO, Spisi Tajnog vatikanskog arhiva, f. 277.

[7] SEDMICA, List za zabavu i pouku, nr. 29, [të dielën më 27.06.1854, viti III], Odlomci iz pisma jednog  putnika, f. 168.

[8] OPĆA ENCIKLOPEDIJA IV, Zagreb, (1978), f. 413.

[9]KANUNI I KANUN – NAME, za Bosanski, Hercegovački, Zvornički, Kliški, Crnogorski i Skadarski  sandjak, I, Sarajevo 1957, f. 153 – 155.

[10] Grup autorësh, Histora e popullit shqiptar I, botimi i tretë, Prishtinë, (1979), f. 344 – 345.

[11] TOMIĆ JOVAN, O Arnautima u Staroj Srbiji i Sand`aku, Beograd, (1913), f. 81.

[12] Grup autorësh, Histora e popullit shqiptar I, botimi i tretë, Prishtinë, (1979), f. 375.

[13] Grup autorësh, Rugova, f.18.

[14] RADONIĆ JOVAN, Rimska kuria,  f. 515 – 516.

[15] ACPF, SC, SERVIA, 1669 -1760, vëllimi I, f. 259 – 260.

[16] RADONIĆ JOVAN, Rimska kuria,  f. 527 – 528.

[17] RADONIĆ JOVAN, Rimska kuria,  f. 534.

[18] RADONIĆ JOVAN, Rimska kuria,  f. 538.

[19] Grup autorësh, Rugova…, f. 19 dhe 186.

[20] ŠIŠMAN BUNJIK, Klementinci, Glasnik Biskupije Đakovačko – Srijemske, nr.11, Đakovo, (1874),

    f.88.

[21] Grup autorësh, Rugova, f.19.

[22] JURIĆ JOSIP SI – KORADE MIJO SI, iz arhivske gradje o ilirskom kolegiju u Loretu, II, Vrela i

     prinosi, nr. 14, Zagreb, (1983), f. 165: “…TOMASO RASPASANOVICH di Letniza in Servia.”

[23] GAVRILOVIĆ dr. SLAVKO, Srem od kraja XVII do sredine XVIII veka, Novi Sad, (1979), [në

    shumë raste, duke përfshirë edhe këtë punim janë  cituar historianët serbë.]

[24] KRIEGSARCHIV WIEN (më tutje, KA WIEN), 1769, 31 – 32, f.5, 5 v, 6.

[25] VESELINOVIĆ dr.RAJKO, Ko su “Albanci i Klementinci” u austrijskim izvorima XVII veka? Istorijsko-geografska i etnografska rasprava, Matica Srpska, Zbornik za društvene nauke, nr.25, Novi  Sad, (1960), f. 116.

[26] KOSTIĆ MITA, Arnautsko naselje u Sremu, Južna Srbija, lib. III, nr. 27/1923, 16.05.1923, Skoplje,

  (1923), f. 276; Ustanak Srba i Arbanasa. Glasnik Skopskog Naučnog društva, f. 209-210; RADONIQ  JOVAN, Rimska kuria,  f. 561.  

[27] KOSTIĆ MITA, Ustanak Srba i Arbanasa, f. 219-220.

[28] KOSTIĆ MITA, Ustanak Srba i Arbanasa, f. 222.

[29] KOSTIĆ MITA, Ustanak Srba i Arbanasa, f. 223.

[30] MARTINOVIĆ ILIJA, Mihael Summa, nadbiskup Skopski, Blagovest nr.9,  Beograd, (1971), f.152.

[31] Kuhač F. Š., Die Klementiner in Slavonien, Agramer Tagbllat, 24. XII. 1894, Zagreb 1894.

Shpëndaje: