
Raporti i arqipeshkvit të Shkupit, Lazër MJEDA me rastin e pushtimit serb të Kosovës dhe të Maqedonisë në vitin 1913
Vjenë, më 24 janar 1913
Fort i nderuar zotëri!
Shpresoj se po e ndihmoj Shkëlqesinë Tuaj duke ju dërguar një përmbledhje të raportit që ma dërgoi meshtari dom Zef (Josip) Ramaj, famullitar i Shkupit, dhe dom Pashk Krasniqi, bashkëpunëtori im në Prizren, mbi mënyrën sesi serbët i keqtrajtuan shqiptarët në arqipeshkvinë time. Theksoj se këto ngjarje që kanë ndodhur, janë vetëm një pjesë e krimeve, sidomos në këtë zonë, ku sytë e huaj nuk arritën. Është shumë e vështirë për meshtarët që të marrin informacion, sepse komunikimi mes një famullitari dhe një tjetri është i ndaluar dhe është jashtëzakonisht e rrezikshme të flitet për këto gjëra. Ato që shkruhen këtu, janë pohimet e atyre që kanë qenë dëshmitar të këtyre ngjarjeve, ose që kanë dëgjuar për to nga njerëz të cilëve mund t’u besohet.
Në Kumanovë, një ushtar serb në zyrën e famullisë, e përshkroi kështu mënyrën sesi ata e kishin sulmuar një fshat shqiptar:
“Ata që shpëtuan para mbërritjes sonë, u fshehën nën kulmet e shtëpive të tyre, kështu, ne iu vumë zjarrin shtëpive dhe kur flakët arritën në çati, ata dolën nga vendet e tyre të fshehjes.” “Ne,” vazhdoi ushtari, “po i prisnim në hyrjet e shtëpive, dhe kur ata dolën nga vendet e tyre të fshehjes, i vramë. Nëse mes tyre kishte fëmijë, nuk e shpërdoronim municionin, por përdornim bajonetat për t’i vrarë fëmijët.” “E gjithë kjo ndodhi,” e përfundoi dëshminë e tij ushtari, “sepse dikush n’a qëlloi nga shtëpitë me flamuj.”
Në Shkup, siç e dimë tashmë, serbët hynë pa hasur thuajse në asnjë lloj rezistence. Për pesëmbëdhjetë ditë, ata hidhnin çdo natë në ujërat e lumit Vardar, pa zhurmë, njëzet apo tridhjetë trupa shqiptarësh. Nuk mjaftoi kjo, por pas kalasë së qytetit serbët kishin hapur një gropë të madhe, të cilën donin ta mbushnin me trupa shqiptarësh, dhe pikërisht aty shiheshin me sy të lirë më shumë se njëqind trupa të groposur!
Një ngushticë tjetër, e hapur rishtazi në Kisella Vodë, jo shumë larg Shkupit, ka shërbyer si një varr i përbashkët për 80 trupa shqiptarësh. Shqiptarët e plagosur u lanë në spital për të vdekur nga uria, dhe shumë prej tyre u zhdukën më pas, në dallgët e Vardarit. Një nga dëshmitarët më tha se një ditë kishte parë 130 të plagosur. Ditën e dytë kishin mbetur 80 prej tyre, ndërsa në ditën e tretë numëroheshin vetëm tridhjetë, dhe askush nuk e dinte se ku kishin përfunduar.
Një mbrëmje, dy shqiptarë teksa po ecnin të qetë rrugës kryesore, u vranë nga disa banditë që po pinin të çartur në një han. Grupi i inxhinierëve serbë vendosi që të çonte në atë vend një kalë të ngordhur, që e sollën me një automjet ushtarak, për të maskuar vrasjen. Tre shqiptarë të tjerë u vranë me bajoneta pranë urës së Vardarit, thjesht sepse guxuan të përdornin një kalim publik. Serbët i shfrytëzonin burimet ujore për t’i shfarosur shqiptarët. Plot 40 burime ujore u mbushën me trupat e shqiptarëve.
Njeriut i vinte të çmendej kur dëgjonte sesi serbët i përshkruanin vjedhjet, djegiet dhe përdhunimet që u kishin bërë grave shqiptare në aq shumë mënyra barbare. Kur kryenin aktet përdhunuese, serbët i detyronin burrat dhe etërit shqiptar që të mbanin llamba dhe të shikonin sesi po përdhunoheshin gratë dhe vajzat e tyre, madje duke mos i kursyer as vajzat 12 vjeçare! Një i ri serb ishte aq i lodhur nga këto akte barbare saqë mezi qëndronte në këmbë. Ai më tha, “jam i rraskapitur, pasi 20 orët e fundit as kam ngrënë, as kam pirë, e as kam fjetur, sepse kam qenë i zënë duke dhunuar shqiptarët nëpër shtëpitë e tyre.” Një ushtar serb së bashku me dy roje, u vodhi shqiptarëve 150 lira turke (rreth 3.444 franga ari), dhe kur pa një shqiptar të moshuar që po kalonte në rrugë, i bërtiti duke i thënë, “Sa keq që jeni aq shumë! M’u desh t’a harxhoja krejt municionin tim për t’ju vrarë juve!”
Gjendja u përkeqësua akoma më shumë, kur serbët në Shkup u dhanë ushtarëve pije alkoolike, dhe ata më pas në gjendje të dehur hynë nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe kryen shumë akte të tmerrshme e me të gjitha mënyrat e mundshme. Vetëm për t’i shfarosur shqiptarët në atë zonë, serbët dogjën pesë fshatra afër Shkupit. Aq brutal ishte ai zjarr i ndezur prej tyre, saqë tymi u pa në qytet për plot tri ditë të tëra. Megjithatë, në Shkup nuk ka pasur as përleshje dhe as keqpërdorime të flamujve të bardhë.
Viktimat nuk kanë munguar as në Moravë. Në Trstenik u vranë 60 shqiptarë, në Goshicë (Gurishtë) 10, në Sinicë 32, në Verban 20, në Lubizhdë 19, në Kamenogllavë, një fshat me 50 familje, gjatë pushtimit u vranë të gjithë burrat. Kur hyri ushtria armike, të gjithë burrat e fshatit dolën për të parë ardhjen e ushtrisë serbe, që më pas i lidhi dhe i torturoi pa mëshirë fshatarët e mjerë. Ata të cilëve u ra të fikët dhe që ndoshta kishin mundësi për të mbijetuar, nuk u kursyen, por u shkuan të gjallë nëpër bajonetat e tyre.
Në Kalkandela (Tetovë), u përdor çdo pretekst i mundshëm për të vrarë shqiptarët, dhe u vranë pa mëshirë 85 shqiptarë, që u gjetën nëpër shtëpitë e tyre. Skllavërimi dhe sjelljet e tjera mizore ishin të njëjta me ato që ndodhën në Shkup.
Në Gostivar, komandantët serbë kërkuan nga banorët e qytetit 200 lira turke dhe kur e morën shumën e kërkuar, gjendja në qytet kaloi relativisht mirë, me vetëm gjashtë shqiptarë të vrarë. Nuk dihet asgjë për fatin e fshatrave përreth atyre dy qyteteve, por mund të merret me mend çfarë ka ndodhur po të kemi parasysh atë që ndodhi diku tjetër.
Nuk mund të themi asgjë konkrete për Mitrovicën dhe për rrethinat e saj, por ajo që u dëgjua ishte se edhe aty ishin kryer masakra të tmerrshme ndaj shqiptarëve.
Në Ferizaj, për 24 orë u zhvillua një luftë e tmerrshme, prej së cilës pati shumë serbë të vrarë, ndërsa nga shqiptarët mbijetuan vetëm tre prej tyre të moshës 15 vjeç e lart. Aq e rëndë ishte përleshja, saqë një grua shqiptare, kur pa sesi ia vranë burrin, mori një pushkë dhe me të vrau pesë serbë. Një serb më tregoi se në një qytet ata kishin vrarë plot 1200 shqiptarë, duke përfshirë edhe fshatrat përreth.
E njëjta gjë ndodhi edhe me shqiptarët në Gjilan, ndonëse ata nuk bënë asnjë rezistencë ndaj pushtuesve. Edhe aty serbët kanë kryer grabitje dhe masakra.
Në Prishtinë numri i shqiptarëve llogaritet në 5000. Duket se shqiptarët, nën udhëheqjen e oficerëve osman, përdorën flamurin e bardhë për të vrarë shumë oficerë e ushtarë serbë. Numri i saktë i të vrarëve nuk dihet.
Në Leshkobarë, një fshat afër Ferizajt, tetë katolik u vranë duke ecur rrugës kryesore, edhe pse nuk kishin as armë e as sende komprometuese. Ata u qëlluan në vend, vetëm sepse ishin shqiptarë.
Qyteti i Prizrenit u rrethua dhe u pushtua pa luftë, por kjo nuk e ndaloi përsëritjen e tmerreve të bëra mbi shqiptarët kudo, me përjashtim ndoshta të Prishtinës. Qyteti dhe rrethinat e tij janë plot me banda dhe spiunë serbë, që kryejnë akte vërtetë të tmerrshme. Serbët nuk bëjnë asnjë pyetje. Mjafton që të shohin një shqiptar dhe e vrasin menjëherë. Në qytet mbretëron vdekja. Serbët trokasin nëpër dyert e shqiptarëve, rrëmbejnë burrat dhe i vrasin në vend, vetëm sepse janë shqiptarë.
Për disa ditë shqiptarët nuk u lejuan që t’i varrosnin të vrarët e tyre. Çdo natë, në mes të qytetit dëgjoheshin të shtëna armësh. Numri i atyre që u vranë brenda pak ditësh shkoi në 400, pa përmendur grabitjet, tradhtitë apo përdhunimin e grave. Fjala e ditës ishte, “të gjitha këto mizori janë për shqiptarët!” Për serbët këto mizori ishin jo vetëm të dëshirueshme, por edhe të drejta, prandaj edhe u bënë. Nuk mjaftuan tmerre si këto, por ishte edhe komandanti ushtarak B. Janković, që me një revole në dorë, i detyronte krerët e qytetit që t’i dërgonin një telegram urimi mbretit serb Pjetër.
Erdhi festa myslimane e kurban bajramit dhe 800 dele u dërguan në treg për t’u therur. Çfarë bënë serbët? Ata erdhën menjëherë me oficerë të armatosur dhe i konfiskuan delet për ushtarët e tyre, duke i ndaluar myslimanët që të festonin bajramin.
Komandanti kishte nevojë për furnizime për ushtarët e tij që po shkonin drejt Lumës, por nuk kishte kuaj. Pra, çfarë bëri ai? Ai thirri 200 të rinj shqiptarë, e ngarkoi secilin prej tyre me rreth 40 okë (50 kg) ushqim në kurriz dhe i dërgoi për gjithë natën, nëpër baltë, në një udhëtim prej shtatë orësh për në kamp. Kur arritën atje, i njëjti komandant u shkoi përpara shqiptarëve dhe u bërtiti duke u thënë, “përnjëmend, kjo është shumë interesante!”
Një grua katolike nga Fani, e quajtur Dila, nga fshati Shgjin, erdhi në Prizren bashkë me djalin e vet dhe me disa kushërinj nga dy fshatrat e tjerë të Gjugjës, për të blerë rroba dhe ushqime të nevojshme për martesën e vajzës së saj dhe të dy vajzave të tjera. Kur mbaruan pazarin, shkuan te komandanti Janković dhe i kërkuan një letër rekomandimi si garanci që asnjë ushtar që mund t’u dilte para në rrugën për në shtëpi, të mos i shqetësonte. Komandanti ua dha letrën dhe ata u nisën për në shtëpi. Kur arritën në Zhur, katër orë larg nga Prizreni, u përballën me disa ushtarë serbë. Menjëherë ia dorëzuan letër – garancinë një oficeri të paautorizuar, i cili mohoi gjithë sa shkruhej në të. Ndërsa një ushtar nisi t’u kontrollonte me kujdes bagazhet, mes të cilave nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
Megjithatë, ushtarët serb i lidhën të katër burrat së bashku, kurse gruas ia lidhën duart pas shpine. Më pas, burrat i rrahën me kondakët e pushkëve, dhe i detyruan të ecnin deri në buzë të gropës ku edhe i vranë, e i hodhën në të, njëri mbi tjetrin. Nuk u mjaftuan me kaq, por morën sinjalin dhe qëlluan edhe një herë mbi trupat e ftohtë. Nëna e pikëlluar psherëtiu me dënesë, pastaj thirri të birin dhe kur pa kufomat, iu lut ushtarëve që ta vrisnin edhe atë, që të mund të bashkohej me djalin e saj, por ata ia refuzuan kërkesën.
Kështu, dy pushtuesit e lidhën atë pas trungut të pemës, dhe e lanë aty. Ndërkohë, njëri nga ushtarët mori një copë bukë, që viktima e kishte blerë në Prizren për udhëtimin e vet, dhe qëlloi mbi të dy herë. Me të dëgjuar të shtënat, komandanti dhe disa oficerë u afruan në vendngjarje, dhe i pyetën ushtarët pse qëlluan. Ushtari u përgjigj se kishin vrarë katër shqiptarë, sepse donin të vidhnin armë nga kampi dhe për ta vërtetuar këtë u treguan bukën me plumba. Komandanti nuk pyeti më tej për verifikime, por u ndje krenar si gjithmonë për ushtarët e tij. Gjatë gjithë asaj kohe, askush nuk u kujtua për gruan e gjorë që kishte mbetur e lidhur pas pemës. Ajo u braktis atje për gjithë të hënën pasdite, natën pasardhëse, gjithë të martën, e ashtu e gjeti edhe mëngjesi i së mërkurës.
Kur e zgjidhën, nëna e pikëlluar ra në tokë më shumë e vdekur sesa e gjallë. I dhanë pak ujë dhe bukë me plumba. Më pas e morën me vete ashtu me duart e lidhura në shpinë. Tashmë kishte rënë nata, dhe me të mbërritur në Prizren, e mbyllën në një shkollë serbe, në një dhomë të errët ku ajo kaloi një natë të tmerrshme me duart e lidhura pas shpine. Të nesërmen në mëngjes e çuan te komandanti Janković, dhe aty u akuzua si tradhtare para tij, para shumë oficerëve, si dhe para katër qytetarëve. Gruaja e gjorë, duke qarë me lot dhe duke i rënë edhe të fikët, tha gjithçka si më parë, por gjenerali refuzoi që ta pranonte fjalën e saj dhe kështu e mbylli në dioqezën serbe.
Të nesërmen ajo u lirua dhe iu dha në kujdes disa katolikëve, që e çuan në kishën e tyre. Ata e pyetën oficerin sesi këta shtetas kishin qëlluar me dy plumbat që kishin qenë në bukë, duke kërkuar që të merrej në pyetje për t’u akuzuar bukëpjekësi, dhe jo blerësi i pafajshëm. Ata nuk mund t’i akuzonin drejtpërdrejt ushtarët, sepse në atë kohë lufte nuk kishte shpresë për një gjyq të drejtë dhe ushtarët nga ana tjetër nuk i dëgjonin eprorët e tyre. Pyetja që ata bënë ishte sesi kishte qenë e mundur që dy plumbat që ishin në një copë të vogël buke, të pjekur në furrë, nuk kishin shpërthyer, dhe përgjigjja që morën ishte se ata kishin bërë hulumtimet e tyre dhe se ajo gjë ishte e mundur.
Në Prizren u vra pa arsye një bukëpjekës, i quajtur Gjon, që ishte i biri i Prekë Palit. Ai përgatiti bukën e përditshme për disa ushtarë. Ndodhi që një oficer, i cili mbikëqyrte shpërndarjen e bukës, e la për pak kohë pushkën e tij mauser, të mbështetur në murin e një dyqani të varfër, dhe doli jashtë. Ndërkohë kur erdhi mbikëqyrja ushtarake, gjeti atje edhe pushkën, kështu konfiskuan çdo gjë dhe e arrestuan bukëpjekësin. Ky i fundit u shpjegoi gjithçka, madje u dha edhe emrin e oficerit që kishte harruar mauzerin e tij, por ata nuk donin ta dëgjonin dhe e çuan për ta dënuar me vdekje.
Kur Gjoni u burgos, vëllai i tij, Gjini, nxitoi që të gjente oficerin që pasi u gjet, erdhi bashkë me të në komisariat. Oficeri dëshmoi se ai e kishte lënë armën (mauserin) e vet për pak kohë të mbështetur në murin e dyqanit, madje u tregoi atyre edhe numrin e tij. Pavarësisht gjithë deklaratave që bëri, ata e rrahën. Për fatin e Gjonit të gjorë nuk dihej asgjë. Dhjetë ditë më vonë, nëna e tij shkoi në polici. Të nesërmen e marrjes në pyetje të djalit të saj, ajo kuptoi se trupi i tij tashmë gjendej jashtë qytetit, dhe me këmbëngulje iu lut përgjegjësve të serbëve që të lejonin varrimin fetar të të birit. Ata e injoruan. Pastaj ajo shkoi te prifti katolik dhe i tregoi se çfarë kishte ndodhur. Prifti më pas shkoi tek serbët përgjegjës dhe u kërkoi që në emër të lirisë së besimit të lejonin varrimin fetar, por ata e dëbuan. Më në fund, pas shumë ndërmjetësimeve dhe lutjeve, përgjegjësit e lejuan të atin që ta varroste të riun sipas zakonit fetar duke i treguar se ku e kishin groposur pasi e kishin vrarë.
Bashkëpunëtori im në Prizren më tregoi edhe një dëshmi tjetër, ku mes të tjerash më tha:
“Një ditë shkova në konakun e serbëve për gjëra personale, e më konkretisht u gjenda në repartin e drejtësisë. Aty pashë një ushtar që erdhi dhe kërkoi një palë këpucë nga drejtori, i cili i tha se nuk kishte këpucë. Pastaj ushtari kërkoi të paktën një palë sandale, e përsëri iu tha se as sandale nuk kishte. Në atë moment hyri një oficer, rangun e të cilit nuk e dija, por pashë që kolegët e trajtuan me shumë respekt. Ky iu drejtua ushtarit dhe i tha, “Pse po poshtëron veten para drejtorit duke i kërkuar një palë këpucë? Shko dhe merri një palë këpucë të mira nga shqiptari i parë që sheh. Vrite dhe pastaj merrja këpucët. Kështu bëra edhe unë. Çizmet që kam veshur, kanë ardhur nga një shqiptar, që e vrava për t’ia marrë. Kuptojeni se ajo që ne duam është që të shkatërrojmë shqiptarët.”
Mund ta imagjinoni se çfarë pësuan shqiptarët në rrethinat e Prizrenit. Shumë fshatra u dogjën dhe fshatarët e varfër u vranë pa pikë mëshire. Trajtim i veçantë iu bë edhe shqiptarëve katolik, pasi për ta thuhej se ishin në anën e austriakëve dhe se ishin armiq të serbëve. Për shkak të kësaj, tre fshatra u dogjën dhe tridhjetë kryetarë fshatrash u vranë. Ndër aktet e fundit të barbarisë është edhe kjo:
- Ushtarët serbë hynë nëpër shtëpitë e fshatrave katolike. Pasi hëngrën dhe pinë nga furnizimet e tyre (aty gjetën edhe verë) i nxorën gratë nga shtëpitë e tyre, i lidhën dhe i detyruan që të kërcenin. Më pas i qëllonin me mauzerët e tyre, dhe ndjenin kënaqësi; akoma më shumë kënaqeshin kur i shikonin që binin përtokë. Kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera “interesante” të këtij lloji.
Gjeneral Jankoviqin e kishin njoftuar se fisi Luma nuk do të lejonte që trupat serbe të kalonin pa luftë. Prandaj ai deklaroi se këta njerëz ishin raca më e ulët njerëzore dhe dekretoi që të gjithë duhej të vriteshin. Ata kishin vendosur që t’i mblidhnin të gjithë, pra, burra, gra dhe fëmijë dhe pa kursyer askënd do t’i eliminonin një e nga një, dhe më pas do ta shkatërronin edhe fshatin e tyre me zjarr. Në atë zonë shkatërruan 27 fshatra dhe masakruan shumë burra e gra. I morën fëmijët nga gjoksi i nënave të tyre, lidhën në ta kashtë dhe i dogjën të gjallë. Grave shtatzëna ua shpuan barkun me bajonetat e tyre duke vrarë kështu të gjithë fëmijët e palindur. Është e paimagjinueshme, por është e vërtetë!
Një ushtar serb, i cili besonte se më kishte mik, më tha me shumë entuziazëm se, “kanë mbetur vetëm pak fshatra pa u djegur e pa u shkatërruar në zonat rreth Tetovës, Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës. Gjithçka tjetër atje është në zjarr. Kështu sillemi me shqiptarët,” përfundoi së thëni ai.
Një oficer serb pohoi se 75% e shqiptarëve dukej se tashmë ishin vrarë. Në gjithë Kosovën, e cila ishte e pushtuar nga serbët, deri më tani numri, pa ekzagjerim, llogaritet të jetë 25.000 të vrarë.
Serbët dhe ata që mbanin anën e gabuar, e nisën këtë luftë, siç thonë ata, “për të çliruar të krishterët nga barbarizmi mysliman.” Do të ishte shumë më e saktë ta quanim, “kryqëzatë në favor të ortodoksëve dhe për shfarosjen e shqiptarëve.”
Duhet theksuar se, pas tmerreve fillestare të luftës, hakmarrja serbe u drejtua veçanërisht edhe kundër katolikëve. Mora letra që pohojnë se shumë katolik ishin persekutuar, burgosur, e futur në burgje pa asnjë arsye. Ata e bënë këtë për t’i frikësuar myslimanët dhe për të ndaluar katolicizmin e tyre të preferuar, sepse mes tyre kishte shumë konvertime.
Lazër MJEDA
Arqipeshkëv i Shkupit[1]
Përgatiti për Dritën: Don Frok Zefi
———————————————-
[1] Raporti i arqipeshkvit të Shkupit, Lazër Mjeda, mbi pushtimin serb të Kosovës dhe të Maqedonisë, i shërbeu Leo Frudlich për të shkruar më vonë librin e tij ‘Golgota shqiptare, Frok ZEFI, Skopsko-prizerenska nadbiskupija u XIX stiljeću, 2., svezak, Zagreb, (2022), f. 229 – 234.