SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE KELMENDAS NË SRIJEM  (Pjesa II)

Nga Don Frok Zefi

Cilët  janë shqiptarët  kelmendas?­

  Shqiptarët  janë një  popull  autokton  i  gadishullit  të Ballkanit; ata janë  pasardhës të ilirëve të lashtë, gjurmët e të cilëve ruhen në gjuhën e sotme shqipe, e me siguri edhe në karakteristikat racore të shqiptarëve. Në kohën e dyndjeve të fiseve sllavike, rreth shekullit të  6 dhe të 7 një numër fisesh shqiptare u përqendruan në male, ku edhe vazhduan jetën. Diku ndodhi që u përzien me sllavët e ardhur, përmes lidhjesh martesore, por në një përqindje të madhe ata e ruajtën formimin e tyre identitar, dhe e vazhduan bashkëjetesën paqësore me popullsinë e re, duke respektuar njëkohësisht edhe rendin e tyre social të organizuar sipas sistemit  fisnor, që ishte karakteristikë e atyre kohëve.

Perandori austriak, Karli i VI po përgatitej për luftë kundër turqve, vitin 1737, për këtë arsye, ai u bëri thirrje për kryengritje të krishterëve të Kosovës, të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Shqipërisë.

Arqipeshkëvi i Shkupit, Mikel Summa, së bashku me krerët e fiseve shqiptare, si dhe patriarku serb Arsenije i IVët Jovanoviq Shakabenta, së bashku  me fisnikërinë serbe,  ranë menjëherë dakord me perandorin.

Mikel Summa nxiti për kyengritje fiset shqiptare të Kelmendit, të Hotit dhe të Grudës, njëkohësisht përfaqësoi edhe arqipeshkëvin maqedonas të Ohrit, Joasaftin, në negociatat e  fshehta  me  Vjenën, e ndërsa po vazhdonte përgatitjet për kryengritje edhe  në Mal të Zi, venedikasit e spiunuan  atë te turqit.

Në gusht, të vitit 1737,  fati i luftës i braktisi austriakët, kështu që turqit nisën të grumbullonin  ushtrinë në Kosovë, çka bëri që,  në fillim të tetorit, ushtria austriake dhe popullata e krishterë e Kosovës së bashku me përfaqësuesit e vet fetar, të nisnin tërheqjen. Nga shqiptarët katolik, kelmendasit ishin më të angazhuarit, sepse jetonin në dy kolonitë e tyre në Kosovë: në Rugovë dhe në Peshtër.

Gjatë tërheqjes  ishin rreth 4.000 (katër mijë) shqiptarë katolik, së bashku  me arqipeshkvin  e Shkupit, dhe me gjashtë misionarë. Mirëpo, më 12 tetor, të vitit 1737,  të tradhëtuar nga patriarku serb, Arsenije i IVët Javanoviq Shakabenta,  ranë në pritën e Mehmed beut të Zvornikut, në Klanac afër Valevës, i cili zuri rob një të tretën e katolikëve së bashku me 100.000  (njëqind mijë) frymë kafshë,  që i kishin me vete, dhe  me dy misionarë, të cilët  i masakroi  që të gjithë.

Së bashku me arqipeshkëvin Summa, ishin edhe 300 familje shqiptare, me  rreth 1200 shpirtra dhe katër misionarë françeskanë, të cilët  u strehuan nën mbrojtjen austriake pranë Beogradit; 1.400 prej tyre u masakruan, ndërsa 1.400 të tjerë u zunë rob për skllavëri nga turqit.

Pas kësaj disfate të dhimbshme, arqipeshkëvi Summa u detyrua të qëndronte në Beograd, deri  në mes të gushtit, të vitit 1739, ndërsa shqiptarët katolik që ishin me të, u shpërngulën në Srijem, ku u vendosën përfundimisht në dy fshatra që u bënë frashtrat e tyre: në  Hrtkovcë dhe në Nikincë,  ku edhe themeluan “misionin e  veçantë kelmendas,”   me seli në Hrtkovcë.

 

ARDHJA E KELMENDASVE NE SRIJEM

Ne fund të tetorit te vitit 1737 nëpërmjet Savës ne Srijem se bashku me ushtrinë kaloi edhe e ashtuquajtura milicia serbe. Me ata kaluan edhe dy çeta të shqiptarëve në krye me princat Dedën dhe Vatën.[1]

Foto Marija Pakiq nga Hrtkovci në veshje kombëtare në vitin 1910

Në kohën e ardhjes së kelmendasve në Srijem shumë fshatra ishin të shkretuara nga lufta dhe epidemia e murtajës. Mbasi nuk ishin të stacionuar zyrtarisht nga shteti, shqiptarët dhe serbet me forcë zunë fshatrat e braktisura dhe djerrinat. Shqiptarët me kopetë e tyre kalonin si nomadë të gjithë Srijemin, duke jetuar nëpër pyje dhe duke kaluar jetën nëpër strehimore nën dhe (“zemunica”). Në fillim françeskanët qëndronin në teren me turmat e mëdha të besimtarëve. Këtë e konfirmon  edhe propozimi i gjeneralit Engelshoffen, që një françeskan nga fushat e shkretuara në Kukinjash (Irid) të caktohet në Hrkovci.[2]

Kelmendasit nga Kosova u zhvendosën së bashku me organizimin kishtar, kështu që mbetën ashtu të grupuar edhe gjatë popullimit në Hrtkovci dhe Nikinci. Në Hrtkovci janë vendosur Kelmendasit nga Peshteri, kurse në Nikinci ata nga Rugova. Nga meshtarët që gjendeshin në Hrtkovci nga viti 1738 deri në vitin 1748 ishte edhe p. Dominik nga Pieva, që ishte më herët misionar në Rugovë, që ishte edhe prefekt,[3] si dhe p. Leonardo nga Castellucio, i cili kishte ardhur nga Kamenica e Peshterit.[4] Në Nikinci sipas amzave të pagëzimit nga viti 1738 deri në vitin 1745 shërbeu fra Pjetri nga Arezzo, së bashku me fra Ludovik nga Dinamia.[5]

Foto e Ana Uliq, e lindur Cakiq nga viti 1927

SHQIPTARËT KELMDAS NË RELACIONET E MISIONARËVE

DHE IPESHKVIJVE TË SRIJEMIT

Më 15.07.1741 nunci i papës në Vienë, Camillo Paolucci, i shkruan nga Pozhuni Kongregatës për përhapjen e fesë në Romë se ai që më herët është interesuar për kelmendasit katolikë, të cilët janë vendosur në Sllavoni, me qëllim që të mbahen të qëndrueshëm në fenë katolike. Ai luti Portën mbretërore që kelmendasit t’i vendosë në Banatin e Tamishit (Tamiški Banat), që aty t’u ngritën shtëpitë dhe kishat dhe prijësve dhe meshtarëve të tyre t’u sigurohen paga të dinjitetshme. Vetëm se duhet pyetur kelmendasit se çka duan ata: a do të mbeten ushtarë, apo do të bëhen bujq, apo çifçi.[6] Nunci e dërgoi në Srijem fra Donatin nga Trento, që të shohë se çka duan kelmendasit. Në nëntor 1741 ai lajmëroi se ata dëshirojnë të mbeten ushtarë, që janë rreth 160 familje dhe se mund të mblidhen në një fshat të vetëm. Dy udhëheqës shpirtërorë, vlerësoi, se do të ishin të mjaftueshëm për ta dhe propozon që të thirren për shërbim fta Leonardao nga Castellucio dhe fra Ludvik nga Dinamia.[7]

Në fillim të vitit të ardhshëm me të vërtetë u thirrën misionarët e lartpërmendur. Të befasuar dhe habitur nga ky vendim i Kongregatës për përhapjen e fesë në Romë, u ankuan edhe misionarët edhe besimtarë të respektueshëm, por pa sukses. Më datën 06.04.1742 të gjithë kapedanët kelmendas dhe oficerët në Srijem me të gjithë pjesëtarët e kelmendasve dhe bashkësisë shqiptare i shkruanin Kongregatës për përhapjen e fesë në Romë. Ata theksonin se fra Leonardo është dërguar nga kongregata e njëjtë me mision në Kamenicë (në Peshter) dhe me të vërtetë ka qenë rojtar i shpirtrave të tyre nga turqit dhe armiq të tjerë të emrit të krishterë, duke predikuar për të vetmen Kishë shpëtimtare romake Katolike. Ai organizoi shqiptaret në kryengritje gjatë luftës së fundit kundër armikut të përbashkët si dhe nën “ndikimin e tij kemi lëshuar thanë ushtarët, katundet tona shtëpitë dhe pronat tona dhe për shkak të fesë dhe emrit të krishterë dhe kemi kaluar nga Turqia në mbretërinë e Srijemit.” Ata theksuan se atë Leonardon e respektojnë si bari besnik dhe prijës, i cili në rrethanat më të vështira na edukoi në fe, na ndau sakramentet dhe me mund, sakrificë e me punën e vet pastorale e fitoi besimin e tyre te pakushtëzuar. Për shkak të kësaj lusin që tua lënë këtë misionar. Lutjen e tyre e dëshmuan me nënshkrime dhe vula kapedanët Vata dhe Deda, dy bashkëvendës të tyre, dhe dy komandantë roje dhe pastaj gjenden nënshkrimet e tre flamurtarëve dhe tre tetarëve.[8] Tetë ditë me vonë, nga Petrovaradini, më 14 prill 1742, përsëri i shkruajnë kardinalit prefektit te Kongregatës për përhapjen e fesë, dy kapedanët Deda dhe Vata në emër të gjithë shqiptarëve kelmendas, të vendosur në Srijem. Ata e lusin Kongregatën që mos tua marrë fra Leonardon, që në atë mënyrë mos t’i privojë nga ngushëllimi i madh shpirtëror. Në të vërtetë fra Leonardo është aq gjatë në Turqi, dhe tani nën pushtetin e lartmadhërisë së tij Carit, ka ndarë sakramentet dhe udhëhequr pastorizimin ne këtë popull me të cilin ka përjetuar shumë vështirësi nga turqit. Në mënyrë të shkëlqyer flet shqip. Nëse e largoni tani këtë misionar, shqiptarët dyshojnë që misionari tjetër i radhës nuk do të dijë të flasë shqip. Për të gjitha të lartpërmendurat lusin që fra Leonardo mos të zhvendoset diku tjetër.[9] Misionarët e thirrur me zemër te thyer dhe lot në sy është dashur të kalojnë nëpërmjet Osijekut prapa në Itali.

Detaji “Kurora në kapelë” Marija Pakiq,      Antun Nikiq, djali i Paskalit, me

veshje kombtare të burrave rreth viti 1931

Ipeshkvi i Srijemit Ladislav Szorenzei, tani më ordinari i Kelmendasve të vendosur në Srijem, në vitin 1743 bëri një shënim të vetin për besimtarët e rinj të vendosur aty, në të cilin thotë: “Me ardhjen e këtij populli nga Serbia, të quajtur kelmendas, është rritur numri i katolikëve në Srijem. Gjendja e kelmendasve është si më tutje: Ky popull është i gjithë ushtar, përbëhet nga dy kompani, që tani për tani janë të vendosura jo larg Mitrovicës në pronën Jurjevci (Hrtkovci F.Z.) dhe në katër prona të tjera. Janë 160 familje me 1200 shpirtra. Flasin një gjuhë të veçantë. Etërit e tyre shpirtëror janë misionarët atë Dominiku nga Qyteti (Pieva F.Z.), i cili është prijës i misionit dhe atë Pjetri nga Arezzo, që të dytë nga rregulli i reformuar i Vëllezërve të Vegjël françeskanë, Italianë, të cilët e flasin gjuhën e kelmendasve, që më kanë treguar edhe mua si ordinar, dokumentet origjinale për misionin e tyre dhe privilegjet e veçanta u janë ndarë.[10]

Në vitin 1744 misionarët e kelmendasve nga Srijemi në një shkresë pa datë i lajmërohen perandoreshës Maria Terezia në Vjenë, me të cilën përshkruajnë vështirësitë e tyre. Kishat u janë ndërtuar me dru të vjetër dhe janë të mbuluara me kashtë dhe nuk përngjanë tempujve por stallave, janë të dëmtuara nga shiu dhe bora. Rrobat e kishës janë në gjendje të mjerueshme, kurse zbukurimet e altarit nuk korrespondojnë me rregulloret e Kishës. Ortodoksët, që mund të krenohen me kishat e tyre të bukura, bëjnë shaka të pakripura për kishat tona. Banesat e misionarëve janë të mjerueshme dhe jo komode. Kelmendasit u japin diçka nga gruri dhe ndonjë qengj. Për këtë shkak misionarët, përveç shërbesës në famulli, pranuan të shërojnë të sëmurët dhe përgatitjen e ilaçeve, që të mund të fitonin mjetet të nevojshme për mbijetesë. Dhe ata e lusin perandoreshën që t’u ndajë 150 forinta nga arka e famullisë në Pozhun.[11]

Më 05.03.1745 këshilli mbretëror nga Pozhuni lajmëron ipeshkvin Szorenyi që sipas kërkesë modeste të etërve misionarë, të cilët në luftën e kaluar janë vendosur në Srijem së bashku me kelmendasit dhe të cilët ia ka paraqitur lartmadhërisë perandorake, u është caktuar që secili misionar do të marrë nga 75 forinta në vjet nga arka e famullisë në Pozhun, si pagë të tyre vjetore.[12]

Më 1745 vjen deri te mosmarrëveshja në mes ushtarëve shqiptarë të fesë katolike dhe oficerëve të tyre ortodoks, si dhe në mes kolonelit Atanazije Rashkoviq dhe kapedanëve kelmendas Dedës dhe Vatës. Duket se konflikti ishte në bazë fetare, mbasi pasoi urdhri i perandoreshës Maria Terezia i datës 28 korrik 1745, i dërguar nënmarshall markezit Askan Guadagni-t në Osijek, që shqiptarëve katolikë Kuqi, të quajtur kelmendas, t’u caktohen oficerët katolikë, kurse shqiptarëve ortodoks t’u caktohen oficerët ortodoks.[13]

Më 1746 ipeshkvi i Srijemit Ladislav Szorenyi realizoi vizitën e parë kanonike tek “populli kelmendas”. Ipeshkvi shkruan: “më datën 17 maj nga Zemuni shkova tek kelmendasit, populli i krishterë, i cili para 8 viteve është vendosur nga Serbia në Srijem dhe për tani, në pronat e Jurjevcit (Hrtkovci – F.Z.) dhe Nikinci, ku me datat 18 dhe 19 kam krezmuar përafërsisht 700 persona, kryesisht më të vjetrit dhe të rriturit e dy gjinive.[14]

Më 1746 Shqiptarët në Srijem përjetuan dëshpërim tjetër. Pushteti austriak, për vendosjen e kufirit ushtarak, kishte ndërmend formimin e një kombi të ri nga popullata e ndryshme – kombin e Kufitarëve ose Krajishnikëve. Që të arrihet sa më lehtë kjo, u ndaluan emrat nacional dhe fisnor që ishin përdorur deri atëherë, kështu që edhe emri “Shqiptar” dhe “Kelmend”. Ipeshkvijtë dhe priftërinjtë nuk iu përmbajtën fare kësaj ndalese, kështu që me Misionin në Hrtkovci dhe Srijem me këmbëngulje vazhdonin t’i thërrisnin misioni i kelmendasve dhe të ruajnë vetëdijen kombëtare të këtyre njerëzve për përkatësinë e tyre shqiptare.[15]

Më datën 13.03.1747 perandoresha Maria Terezia i shkruan nga Vjena Ipeshkvit të Srijemit Ladislav Szorenueit. Perandoresha personalisht verifikon se a janë të sakta deklaratat e misionarëve për numrin e kelmendasve, që sipas misionarëve ata janë rreth 1200 shpirtra dhe a është e vërtetë se janë vetëm dy misionarë. A duhet, sipas mendimit të Ipeshkvit, të dërgohet edhe ndonjë misionar tjetër, si kanë kërkuara ata vetë? A do të gjendej në këto vise ndonjë meshtar apo rregulltar, i cili e njeh mirë gjuhën e kelmendasve, si dhe a pranojnë misionarët nga arka e famullisë së Pozhunit 150 forinta rrogë.[16]

Viti 1748 kaloi me preokupimet rreth ndërtimit të kishës në Hrtkovci dhe kapelës në Nikinci. Më 22.03.1748 këshilli perandorak në Pozhun miratoi shumën prej 400 forintave, duke ua bërë me dije se të hollat mund t’i marrin në Osijek tek taksambledhësi kryesor për Sllavoni, Augustin Kollhundt.[17] U bë një parallogari për kishën në Hrtkovci.[18] Prefekti i misionit fra Bonaventura Prugger i dërgon një parallogari (preventiv) dhe planin ipeshkvit për kishën e re në Hrtkovci.[19] Nuk u fillua menjëherë me ndërtim, kështu që u rrit kostoja e shpenzimeve. Më 26.09.1750 u miratua shuma prej 700 forinta (florentina), kështu që do të ndahet për kishën në Hrtkovci 400, kurse për kapelën në Nikinci 300 forinta.[20]

Ngjarja kryesore e vitit 1749 ishte ndarja e truallit për shtëpi kelmendasve në Hrtkovci, Nikinci dhe Jarak. Iu ndanë gjithsej 222 njësi toke për trulla banimi.  Kelmendasit në Jarak me kohë kaluan në ortodoksizëm dhe u deklaruan si serbë.[21]

Nga viti 1750 deri në vitin 1754 u zhvillua një proces jo i këndshëm në mes ipeshkvit ndihmës të Srijemit Nikolla Josipoviq Gjivoviq dhe misionarëve. Misionarët dëshironin që të mbeten jashtë jurisdikdionit të Ipeshkvisë dhe gjithmonë thirreshin në privilegje që ua ka dhënë Kongregata për përhapjen e fesë, kurse ipeshkvi ndërmori gjithçka që t’i nënshtrojë. As njëra anë nuk kishte skrupull duke dëshmuar të drejtën e vet. Ipeshkvi Gjivoviq iu drejtua për ndihmë metropolit të Kalës Franjo Klobusuczzky, por edhe personalisht te Maria Terezia, duke kërkuar që misionarët të tërhiqen, përveç atë Trentit. Perandoresha e kontaktoi kardinalin Mellini, por nuk erdhi tek tërheqja e misionarëve. Dyshonin se kelmendasit do të pranonin misionar te rinj. Është interesant se për arqipeshkvin Suma në këtë proces shkruhej me respekt, dhe se ai në përputhje me dispozitat kishtare nuk është përzier në konflikt,[22] kurse autoritetet ushtarake, në anën tjetër, propozuan që në rast të dëbimit të misionarëve, shërbimin do ta pranonin françeskanët e provincës Bosna Srebrena, të cilët tashmë ishin famullitarë në Kufirin ushtarak në territorin e Regjimentit të Petrovaradinit dhe Brodit.[23]

Gjatë vitit 1769 autoritetet ushtarake urdhëruan që Kelmendasit në Srijem të rregullojnë varrezat e tyre dhe të vendosin rrethojat.[24] Po ashtu perfekti njoftoi autoritetet shtetërore në Nikinci se nga Turqia kanë emigruar shumë familje shqiptare.[25] Autoritetet ushtarake austriake fillojnë të nxitnin migrimin e ri të shqiptarëve nëpërmjet detit dhe tokës në Srijem. Në atë mënyrë do të zgjidhej çështja e financimit të misionarëve, sepse çdo shtëpi do të paguante nga dy forinta në vit.[26] Nga dokumentet nuk kuptohet qartë se a është tentuar t’i zhvendosin vetëm kelmendasit e mbetur në Peshter, të cilët ishin të ekspozuar ndaj islamizimit të dhunshëm, apo edhe kelmendasit të cilët jetonin në trungun amë në Malësinë e Madhe. Një dokument këshillon që shqiptarët të barten nëpërmjet detit dhe për këtë të paguhen anijet në Rijekë dhe Trieste, sepse nuk është praktike të bëjnë udhëtim tokësor, sepse ata nuk do të duan të udhëtojnë pa bagëtitë e tyre. Rruga në këmbë do të zgjaste 7 ditë së paku, kurse ka ndodhur në luftën e kaluar që turqit 1/3 e të ikurve i kanë masakruar kurse 1/3 e kanë shndërruar në robër.[27] Për atë qëllim autoritetet kërkuan nga misionarët ndihmë në ndërmjetësim dhe përshkrimin e saktë të zakoneve dhe të jetës së kelmendasve dhe atdheut të tyre. Me këtë rast u angazhua at Franjo Antun nga Bovesi, i cili ishte edhe perfekt i misionit të Srijemit. Ai shkroi një raport të detajuar dhe të saktë si dhe shumë të bukur për kelmendasit, atdheun e tyre dhe vendqëndrimet e tyre, si dhe mënyrën e tyre të jetesës.[28] Është fat i madh që nuk erdhi deri te ky migrim dhe në këtë mënyrë të vijë deri te zhdukja nga bashkësia e fiseve tjera shqiptare. Qëndrimin e tyre në Peshter dhe Rugovë e paguan shtrenjtë, mbasi përveç një numri të vogël familjesh të ikura në Srijem, të gjithë ishin të detyruar në fund të shekullit 18 të konvertoheshin nga feja katolike në atë islame.[29]

 

SHQIPTARËT KELMENDAS NË SHKOLLIM PËR PRIFTËRINJ

Po në vitin 1769 u fillua të mendohej seriozisht për edukimin e klerit kelmendas, vendas. Është i mahnitshëm kujdesi i Maria Terezës që të realizohet kjo ide. Ajo vendosi që djemtë e zgjedhur të shkollohen tek Jezuitët në Osijek në shkollë latine. Nipërit e kapedan Dedës nga Hrtkovci, vëllezërit Jozef dhe Martin Deda, tashmë ishin shkolluar në shkollën ushtarake për inxhinieri në Gumpendorf.[30]

Si kandidatë për priftërinj u zgjodhën dhe u dërguan në Osijek 7 djelmosha.

Nga Hrtkovci ishin zgjedhur:

  1. Antun Maletiq, jetim, katolik, 13 vjeç, djalë i birësuar i nënoficerit Maletiq, nr. 7;
  2. Simon Deda, i biri i Stakë Dedës, katolik, 11 vjeç, nr. 11. I ati është invalid.
  3. Karlo Gega, katolik, i biri i Gjelosh Dedës, i cili është gjysmë invalid, 9 vjeç, nr. 13;
  4. Jakob Loss, katolik, i biri i Tomë Losses, oficer në pension, 12 vjeç, nr. 6;
  5. Augustin Prenlija, katolik, i biri i Andre Prenliut, gjysëminvalid, 11 vjeç, nr. 33.

Kurse nga Nikinci ishin përzgjedhur:

  1. Andre Maroshi, katolik, nr. 12, i biri i Prenli Maroshit, korporal (kaplar, tetar) i pensionuar, 11 vjeç;
  2. Gjelosh Pali, katolik, nr. i shtëpisë 18, i biri i Marosh Palit, korporal (kaplar, tetar) i pensionuar, 13 vjeç.[31]

Që në vitin e parë të shkollimit djelmoshat treguan sukses të theksuar në mësime dhe sjellje, si raportoi atë Josip Fischer, eprori i Misionit në Osijek në letrën e datës 03.XII.1769.[32] Këtë vit në Hrtkovci erdhi deri tek konflikti në mes të kelmendasve dhe misionarit atë Karlo nga Pavija. Për këtë proces është ruajtur regjistrimi i gjithë kryefamiljarëve në Hrtkovci, si dhe disa gjëra interesante. Është për të ardhur keq që noteri ushtarak nuk ka shkruar në mënyrë precize fjalët shqipe. Një banor akuzoi fra Karlon se ai nuk kishte dashur t’i pagëzonte të birin në gjuhën kelmendase me formulën: “Pr emnit Attit, e Birit, e Spirit Sent”, por tri here i kishte derdhur ujë mbi kokë dhe kishte thënë në gjuhën kroate: “Ja te krstim” (Unë të pagëzoj).[33]

 

Don PAL ZOGAJ (Pavao Sogagni)

Në vitin 1771 arriti në Osijek dhe më 25 nëntor u lajmërua në Komandën kryesore të klerit të Sllavonisë Don Pal Zogaj, meshtar i Arqipeshkvisë së Shkupit. Ai prift ishte caktuar për instruktor dhe edukator të kandidateve për priftërinj nga Hrtkovci dhe Nikinci, që qëndronin në Kështjellën e Osijekut.[34]

Don Pal Zogaj ishte me prejardhje nga fshati Zogaj të Gjakovës. Nga viti 1749 deri në vitin 1759 kishte studiuar në Romë në Kolegjin Urban në Kongregatën për përhapjen e fesë. Mbas përfundimit të studimeve u kthye në Arqipeshkvinë e Shkupit dhe u shugurua si meshtar.[35] Së pari shërbeu si famullitar në Janjevë.[36]. Pastaj në Prizren[37] dhe përsëri në Janjevë.[38] Për Pashkët e vitit 1765 Arqipeshkvi Mazrreku e dërgoi që të shërbente famullinë e Rugovës, por ai u vendos në Pejë tek vikari i Arqipeshkvisë së Shkupit don Ivan Logorezzi dhe nga aty vizitonte dhe shërbente misionin e vet të gjerë dhe të varfër.[39] Në raportin e vet Kongregatës për përhapjen e fesë të datës 20.08.1767 don Pali përmend gjendjen në misionet e dikurshme kelmendase dhe thotë se në famullinë e Rugovës janë vetëm 12 shtëpi të deklaruara publikisht si katolikë. Në Peshter në fshatin Ulaj ka mbetur vetëm një familje katolike kurse në fshatrat e tjera ndonjë plakë aty këtu. Peshterasit u konvertuan në islam më 1746 dhe atëherë është shkatërruar kisha e bukur që ndodhej në Kamenicë.[40] Deri në fund të vitit 1769 don Pali udhëhiqte famullinë e Rugovës kur e ktheu arqipeshkvi në Janjevë si dënim ku shërbente edhe vetë.[41] Më datën 20.12.1771 arqipeshkvi Mazreku shkruante se Don Pali kishte udhëtuar në Osijek, por më 02.11.1771 ishte ndalur në lazaretin e Zemunit. Po ashtu arqipeshkvi pyet Kongregatën se çka të bëjë me famullinë e Rugovës, e cila më nuk ka asnjë famullitar.[42]

Familja e Pepe Niliq (Xhumalia) nga Hrtkovci, në vitin 1895

Me arritjen në Osijek don Pali filloi menjëherë të kryejë detyrën si instruktor i gjuhës shqipe dhe prefekt i djelmoshave shqiptarë, nxënësve jezuitë. Në vitin 1771 misionarët e Hrtkovcit kërkuan nga Kongregata në Romë fjalorin dhe gramatikën shqipe, nëpërmjet të cilave do ta kishin më të lehtë t’u jepnin mësim fëmijëve shqiptarë. Ata theksuan se një dërgesë me libra të tillë i ka ardhur don Palit në Osijek, i cili është instruktor i fëmijëve kandidatë për priftërinj.[43]

Në vitin 1773 në Hrtkovci, në selinë e misionit u ngrit shkolla. Edhe pse shkolla u ngrit me insistimin dhe mundin e misionarëve, aty nuk mësohej shqip, por gjermanisht. Në kishë lutej dhe predikohej shqip, mbahej mësimi i fesë i fëmijëve dhe i të rinjve shqip. Kur më 06.05.1777 ipeshkvi i Đakovos (në Kroaci), mons. Matej Franjo Krtica, mbajti mësimin e fesë dhe pyeti fëmijët dhe të rinjtë për njohuritë e tyre, ai e bëri sipas modelit të gjuhës shqipe që kishte marrë nga mësuesit.[44] Më 1773 u ndalua urdhri jezuit, kështu që edhe u ndërpre puna kulturore dhe arsimore e anëtarëve të saj. Pezullimi i urdhrit jezuit nuk ishte me nxitim. Nxënësit mbaruan vitin shkollor 1773/74 në Osijek nën udhëheqjen e jezuitëve. Për këtë dëshmon don Pali në letrën e vet me datën 15.01.1774 Kongregatës në Romë. Ai në këtë letër lavdëron nxënësit e vet dhe progresin që kishin bërë në mësime.[45] Vitin e ardhshëm shkollor 1774/1775 nxënësit shqiptarë, së bashku me prefektin e tyre, gjenden në Seminarin grekokatolik në Zagreb, në të cilin i pranoi ipeshkvi Vasilije Božičković. Në Zagreb së bashku me don Palin kishin ardhur vetëm 4 të rinj. Don Palin në Zagreb mbaroi së shkruari gramatikën shqiptare, që kishte filluar ta shkruajë qysh në Osijek. Në vjeshtën e vitit 1774 u nis për Vjenë, që t’ia prezantoj mbretëreshës dorëshkrimin e gramatikës shqipe dhe për të kërkuar mbështetje për ta shtypur, për shkak të nxënësve dhe popullit në Hrtkovci dhe Nikinci, në mënyrë që ta ruanin gjuhën shqipe.[46] Në Vjenë i është dashur t’i përmbahej protokollit të caktuar dhe gjërat nuk rrodhën ashtu siç i kishte menduar don Pali. Gramatika e tij u kthye në Zagreb në shqyrtim tek ipeshkvi Božičković. Në vitin 1775 don Pali adresoi lutjen Maria Terezës, në të cilën e lut perandoreshën që t’i rritet paga, të shtypet gramatika e tij, që të caktohet si meshtar në Hrtkovci dhe Nikinci, ose që t’i sigurohet miratimi nga Porta e lartë e Stambollit për t’u kthyer në vendlindje dhe në Arqipeshkvinë e Shkupit.[47] Perandoresha lutjen e don Palit e dërgoi në Këshillin mbretëror kroat në Varazhdin, që rreth asaj lutjeje Këshilli të bëjë një marrëveshje me ipeshkvin Božičković dhe që për atë çështje të jepet një mendim përfundimtar.[48] Božičković jep një përgjigje të detajuar, çka edhe nuk i plotësonte të gjitha pritshmëritë e don Palit.[49]

MARIA PAKAJ, SHQIPTARE NGA Hrtkovci

E veshur si nuse ne ditën e martesës në vitin 1910

Në vitin 1776 autoritete ushtarake propozuan që don Pali të vendoset s prift në Hrtkovci dhe Nikinci por ipeshkvi i Đakovos, Krtica, nuk ishte i mendimit të zgjidhej ajo çështje në këtë mënyrë. Ipeshkvi dëshironte që të pritej deri në shugurimin e Antun Maletiqit për prift.[50] Me përfundimin e vitit shkollor 1775/76 don Pali ishte i detyruar ta lëshojë Seminarin ortodoks në Zagreb. Ai përgjigjen e ipeshkvit Božičković e kishte marrë si ofendim personal. Kishte shkruar një akuzë kundër tij dhe seminarit të tij Komandës kryesore në Osijek dhe si e lëshoi Zagrebin, shkoi në Hrtkovci.[51] Në vitin 1776 ipeshkvi Krtica e emëroi Don Palin ndihmës shpirtëror në Hrtkovci.[52] Në atë kohë nuk ka ekzistuar kurrë askund një bashkëpunim i ngushtë në mes klerit rregulltar dhe klerit dioqezan…

I gjithë një vit deri më 25.07.1777 kishte kaluar në mosmarrëveshje në mes nënprefektit atë Kandidos nga Gjeneva dhe kapelanit të padëshiruar don Pal Zogaj.[53]

Më 20.11.1777 në shtëpinë e vet në Osijek vdes Mikel Summa Arqipeshkvi i Shkupit, që ishte pensionuar. Ai kishte jetuar në Osijek që nga viti 1739. Mbasi u lirua nga detyra prej Arqipeshkvisë së Shkupit, u bë sufragan i arqipeshkvit të Ostrogonit, primatit të Hungarisë. E varrosi ipeshkvi Đakovos Krtica, në kishën françeskane në kështjellën e Osijekut, më 22.11.1777.[54]

Mbasi lëshoi misionin në Hrtkovci, don Pali shkoi në Shid, atje qëndroi në vitet 1778 dhe 1779 në pronën e ipeshkvit ortodoks dhe nënprefektit Speis.[55] Në gusht të vitit 1779 don Pali përsëri ishte në Vjenë dhe qëndroi tek abati Jozafat Bastašić, epror i Kuvendit të Shën Barbarës.[56] Në fillim të muajit nëntor 1779 Komanda e përgjithshme në Osijek për here të fundit i shkruan ipeshkvit Krtica, që ta vendosë don Palin si famullitar në Hrtkovci dhe Nikinci, kurse si kapelan t’i emërohet Antun Maletiq, kur të përfundojë studimet në Zagreb,[57] por mu atë vit atij iu revokua shërbimi nga Pallati mbretëror i Vjenës.[58] Ai nga aty u kthye në vendlindjen e vet dhe më 22.04.1780 i lajmërohet Kongregatës në Romë. Arqipeshkvi i Shkupit Mazrreku e emëron famullitar në vendlindjen e vet në Zogaj por më 30.07.1781 arqipeshkvi lajmëron në Romë se don Pali kishte vdekur.[59]

Misioni në Hrtkovci ishte vend shumë i rëndësishëm azili për katolikët e fshehur laramanë, të cilët kishin vendosur t’i ktheheshin fesë së stërgjyshërve të tyre dhe këtë nuk mund ta bënin në Rugovë dhe Peshter, pa rrezikuar jetën. Për shkak të ndërgjegjes së pastër, disa familje kishin ikur në Srijem me bashkëvendësit. Për këtë në mënyrë specifike tregojnë amzat e lindjes dhe vdekjes në famullinë e Nikincit, në të cilën janë vërejtur shumë emra muslimanë.[60] Lajmin për laramanët e gjejmë në dokumentet e arkivit të Kongregatë për përhapjen e fesë në Romë dhe në arkivin dioqezan në Đakovo. Që më 29.05.1767 misionarët nga Srijemi kanë lajmëruar në Romë se nga Turqia kanë ardhur dy familje të katolikëve të fshehtë. Këtu janë pagëzuar 6 persona kurse 11 të tjerë janë liruar nga mëkati i apostazisë. Po të njëjtin vit në Nikinci kishin arritur 4 burra laramanë, të cilët përsëri kishin mësuar për fenë, të liruar nga mëkatet, të rrëfyer dhe të kunguar.[61]

Më 24.12.1782 fra Bernardini nga Cutigliani kërkoi leje nga ipeshkvi i Đakovos, për të mësuar në fe dhe për t’i pranuar në Kishë një familje laramane, që ishte e shpërngulur në Nikinci. Këta të arratisur kishin sjellë rekomandimin e don Gjon Berishës, famullitarit të Zymit, nga 07.10.1781, që familja përbëhej nga tre persona të martuar dhe me ta kishte ardhur edhe një që nuk ishte i pagëzuar – “turk”. Misionari kërkon leje nga ipeshkvi për raste të tilla, që do të ndodhnin në të ardhmen për të ikurit e tjerë nga territori i Turqisë.[62]

Në nëntor të vitit 1785 u emërua si kapelan i pavarur në Nikinci prifti vendas don Antun Maletiq. Aty qëndroi 10 vite të plota kurse në Hrtkovci ende ishin françeskanët italianë.[63] Me vdekjen e priftit të pare në Hrtkovci dhe misionarit të të fundit italian aty, fra Gregori nga Milano, më 02.05.1794, shuhet edhe misioni kelmendas në Srijem. Hrtkovci dhe Nikinci hiqen nga administrimi i e Kongregatës për përhapjen e fesë në Romë dhe me gjitha karakteristikat e një famullie të zakonshme kalojnë nën administrimin e Ipeshkvisë së Đakovos.[64]

Nga grigja dioqezane veçanërisht ishin të dalluar, përveç të lartpërmendurit don Antun Maletiq (Anton Mala?) 1755-1815 edhe dy kelmendas nga Hrtkovci: kanoniku i famullisë së Nikincit Petar Mala (Pjetër Mala?) 1807-1835 dhe Pavao Gjotiq (Pal Gjotaj?), prift në Hrtkovci 1836-1855.[65]

ASIMILIMI I SHQIPTARËVE KELMENDAS

Me kohë në Hrtkovci filloi të ndryshojë edhe struktura e popullsisë. Rreth vitit 1810 aty vendosen edhe kroatët nga Slunji dhe më 1871 gjermanët nga Ruma.[66] Në fund të shekullit 19. atyre do t’u bashkohen edhe një numër i mirë i hungarezëve nga Bačka dhe Srijemi. Me kohë kelmendasit u kroatizuan dhe mbas vitit 1890 u deklaruan si kroatë.[67] Megjithatë kanë ruajtur disa zakone dhe veshje shqiptare, por kanë ruajtur edhe emrat dhe mbiemrat e tyre karakteristikë dhe pseudonimet e tyre. Më 1987 në 250 vjetorin e migrimit të kelmendasve në Srijem, në Nikinci dhe Hrtkovci kishte rreth 40 familje me prejardhje shqiptare.[68]

Më 1848 kelmendasit nuk deshën të luftojnë kundër hungarezëve katolikë dhe të pranojnë Vojvodinën serbe. Posaçërisht ishte i indinjuar me ta patriarku Josif Rajaçiq dhe komiteti kryesor, të cilët dërguan kundër kelmendasve 200 kufitarë me shajkaçë (kapuçi karakteristik serb) dhe me një top.[69] Gjatë luftës së parë botërore, më 11.09.1914 ushtria serbe e dogji shtëpinë famullitare në Hrtkovci. Me atë rast u dogj arkiva e pasur e Misionit të Srijemit dhe amzat e vjetra. Kishën e gjuajtën nga Drenovci i afërt me rreth 50 predha por mrekullisht ka shpëtuar me dëmtime të vogla.[70] Gjatë luftës së dytë botërore u zhvendosën gjermanët, duke u vendosur në Gjermani dhe shumë familje kelmendase, duke u vendosur në Zagreb dhe Kroaci. Vendet e zbrazura i kolonizuan me serbët nga rrethi i Rajiqit. Më 1991 gjatë luftës erdhi deri te spastrimi etnik i fshatrave nga kroatët dhe shqiptarët dhe te ndërrimi i emrit të fshatit nga Hrtkovci në Srbislavci.

PËRFUNDIM

Dhe në fund të përmendim se gjimnazin në Vinkovci me maturën e madhe e përfundoi prifti shqiptar Pal Gjotaj (Pavao Gjotiq).[71] Këtu kishte jetuar vitet e fundit të jetës së vet edhe nëna e dy poetëve tanë Slavko dhe Miroslav Magjer, e lindur në Hrtkovci nga familja kelmendase Prelaj (Preloviq), l. Curić (Curraj).

Po e përfundojmë me fjalët e Franjo Kuhač: “Ne nuk duam dhe nuk dëshirojmë të thuhet: ‘ky është kelmendasi i fundit nga fisi i vet!’ Nëse edhe do të vinte deri te kjo, ai kelmendasi i fundit nuk do të mund të thotë se Kroatët në Srijem i kanë shtypur shqiptarët dhe me dhunë e kanë shuar gjuhën e tyre.”[72]

——————————————————————————

[1] Mita dr. Kostić, Ustanak Srba i Albanaca …, fq. 226.

[2] Slavko Gavrilović, Srem od kraja XVII. do sredine XIX. veka, Novi Sad, 1979, fq. 279.

[3] ASCPF, SOCG, vol. 702, f. 37.

[4] ACPF, SC, Servia 1669.-1760., vol.I. pp. 300-301.

[5] Emerik Gašić, Župa Nikinci, dorëshkrim, Biskupski Ordinarijat Đakovo.

[6] Jovan Radonić, Rimska kurija…, fq. 564.

[7] Jovan Radonić, Rimska kurija…, fq. 564-565.

[8] ACPF, SC, Servia 1669-1760, vol. 1., fq. 300-301.

[9] ACPF, SC, Servia 1669-1670, vol. 1., fq. .299.

[10] DA Đakovo, Visita tio et Conscriptio Alma e Dioecesis Syrmiensis 1743 peracta, fq. 34.

[11] DA Đakovo 1744.

[12] DA Đakovo 28/1745.

[13] E. Laszowski: Arbanasi (Klementinci) u Hrtkovcima i Nikincima i Soganijeva gramatika arbanaškog jezika, Hrv. list, Osijek 1923, fq. 44.

[14] DA Đakovo, Visitatio et Conscrpitio Almae Dioecesis Syrmiensis de a. 1746, fq.44.

[15] Arhiv Hrvatske, Zagreb, Srijem, županija , Prothocollum congregationum 1745-1764, fq. 118.

[16] Arhiv Hrvatske, Zagreb, Srijem, županija, Prothocollum congregationum 1745-1764, fq. 118.

[17] DA, Đakovo, 49/1748.

[18] DA, Đakovo, 49/1748.

[19] DA, Đakovo, 49/1748.

[20] DA, Đakovo, 26. IX. 1750.

[21] Mita Kostić, Ustanak Srba i Arbanasa…, Glasnik Skopskog naučnog društva VII.-VIII., Skopje 1929, fq. 233-234.

[22] DA, Đakovo, 23. VII, 1754. I 1. VII. 1754.

[23] Eusebius Fermendžin: Acta Bosnae potissimum ecclesiastica, Zagreb 1887, fq. 555-559.

[24] KA Wien, HKR, 1769., 31.-38.   

[25] KA, Wien, HKR, 1769.,31.-32. fq. 2-6v.

[26] AH, Zagreb, K. 10, 1769. 1-66.

[27] KA, Wien, HKR, Prot. Expedit 1769., fq. 32-38.

[28] KA Wien, 1769, 31.-32, fol. 5-6.

[29] ACPF, SC, Servia, vol. II. fq. 127.-128.

[30] KA, Wien 1769, 30.-131, fol. 5-15.

[31] KA Wien,1769, 30-125, fol. 2-3.

[32] KA Wien, HKR, Prot. Expedit 1769, fq. 3, 5, 5v.

[33] KA Wien, 1769, 30-131, fol. 5-15v.

[34] ACPF, SC, Servia, vol. II. ff. 155-156.

[35] ACPF, SC, Servia, vol. II. fq.137.

[36] ACPF, SC, Servia, vol. II. fq. 599.

[37] ACPF, SC, Servia, vol. II. fq. 47-48.

[38] ACPF, SC, Servia, vol. II. fq.47-48.

[39] ACPF, SC, Servia, vol. II. fq. 81-82.

[40] ACPF, SC, Servia, vol. II. fq. 127-128.

[41] ACPF, SC, Servia, vol .II. fq. 147-148.

[42] ACPF, SC, Servia, vol. II. fq. 191-193.

[43] ACPF, SC, Ungheria, vol. VI, fq. 272.

[44] ACPF, SC, Ungheria, vol. VI, fq. 313-314.

[45] ACPF, SC, Servia, vol. II, fq. 228-229.

[46] ACPF, SC, Servia vol. II. fq.259.-260.

[47] AH, Zagreb, CRC, nr. 218/1775, K 209.

[48] AH, Zagreb, SRC, nr 218/1775, K 209, fq. 2-3.

[49] Arhiv Eparhie Križevačke, nr. 25/1775.

[50] DA Đakovo, nr. 9/1776.

[51] Šimrak dr. Janko, Albanci iz Nikinaca i Hrtkovaca u Zavodu, Spomenica o 250-godišnjici grkokatoličkog sjemeništa u Zagrebu, /Kalendar/, Zagreb 1931.

[52] DA Đakovo, Protocollum Literarum Episcopalium Ecclesiarum ab anno 1776 usque ad Finem Anni 1780, fq. 48

[53] ACPF, SC, Ungheria, vol. VI. fq. 408-409.

[54] Protocollum conventus Imaculatae C.B.M.V. Diacovae, Anno Dni 1740. Antiqui cenobii Purissimae absque Nae Vo Virginis, Diacove usque ad 28. Junni 1806, fq. 50.

[55] DA, Đakovo, nr 16/1778 dhe nr. 15/1779.

[56] DA, Đakovo, nr 16/1778 dhe nr. 15/1779.

[57] DA, Đakovo, nr. 99/1779.

[58] ACPF, SC, Servia, vol. II, fq. 365-366.

[59] ACPF, SC, Servia, vol. II, fq. 263. dhe fq. 403-404.

[60] Prothocollum baptisatorum Paroeciae Nikiczi 1770-1808. Liber defunctorum Paroeciae Nikinzensis, vol. VI, fq. 161.

[61] ACPF, SC, Ungheria, vol. VI, fq. 161.

[62] DA, Đakovo, nr. 264/1782.

[63] DA Đakovo, Visitatio Misionis Clementinae in Hertkovcze 1787, fq. 161-162.

[64] DA Đakovo, Acta Visitationis Canonicae ab 1768 ad 1803.

[65] E. Gašić: Župa Nikinci, dorëshkrim, Biskupski ordinarijat Đakovo.

[66] DA Đakovo, Visitatio Canonica parrochiae Hrtkovci, 20.I.1853.

[67] M. dr. Šenoa: Doseljavanje tuđinaca u Srijem, Rad JAZU, vol. 201, Zagreb. ….

[68] Marko Loš, župnik nikinački, Popis Klementinskih obitelji u Hrtkovcima i Nikincima 1987. godine, dorëshkrim.

[69] S. Gavrilović, Srem u revoluciji 1848. i 1849., Beograd 1963, fq. 196.-197.

[70] Ljetopis župe Hrtkovačke, dorëshkrim, Biskupski ordinarijat Đakovo.

[71] E. Gašić, Župa Hrtkovci, dorëshkrim, Biskupski ordinarija Đakovo.

[72] Kuhač F. Š., Die Klementiner in Slavonien, Agramer Tagbllat, 24. XII. 1894, Zagreb 1894.

Shpëndaje: