
Kujtim i takimit me Papa Françeskun
Nga Don Fatmir Koliqi
Përpara se dielli të lindte, kur errësira ende mbulonte qytetin, u zgjova dhe fillova të përgatitjesha për audiencën me Atin e Shenjtë. Ishte 27 janari i vitit 2025. Takimi ishte planifikuar për në orën shtatë e gjysmë të mëngjesit, në Aula Clementina, një nga sallat e pallatit apostolik, ku Papa pret grupet e veçanta.
Mbërrita në Romë pas mesnate, pasi kisha udhëtuar nga Tirana. Në aeroportin Fiumicino, mora një taksi, sepse në atë kohë të vonë lidhjet urbane për qytet janë më të rralla. Nuk doja të humbja kohë. Mora shpejt një espresso të nxehtë për ta shijuar aromën e saj që vetëm Roma di ta ofrojë. Shoferi i taksisë, një italian tipik, i hapur e komunikativ, pasi e kuptoi se isha prift e po rikthehesha përsëri në Qytetin e Amshuar për konferencën e jubileut të mediave, më përshëndeti ngrohtësisht: “Bentornato, padre!”. “Bentrovato, carissimo!”, ia ktheva unë, duke u ndjerë i emocionuar. Më ktheu për një çast në kohën time studentore në Romë.
E vazhduam bisedën gjatë tërë rrugës duke më përditësuar me të rejat e qytetit, pasi nuk isha që para lëngatës së pandemisë. Derisa ai më jepte lajme e ndodhi romake, unë mendoja vetmevete; e, tekefundit, përkundër të gjitha këtyre “të rejave”, Roma është Romë, e pandryshueshme në veten e saj, gjithmonë me sharm, bukuri e larushi njerëzish prej anekënd botës.
Në Domus Ecclesia, hotelin tim të thjeshtë afër Sheshit të Shën Pjetrit, fjeta si një qengj i mbrojtur në kupenë e vet.
Mëngjesi i hershëm i fundjanarit në Romë ishte i freskët e në Via della Conciliazione pak njerëz lëviznin të mbështjellë hijshëm me shalle e pallto, çantë lëkure e ndonjëri edhe thithte cigaren e parë pas caffe-s së mëngjesit. Kjo rrugë është e magjishme, të jep ndjenjën se po ngjitesh në skenën e një bote tjetër, ku në qendër të pret krahëhapur Bazilika mahnitëse e Shën Pjetrit.
Mbërrita pa vonesë te kolonat e Sheshit, aty ku ishte caktuar hyrja. Ishte bërë rend i gjatë i shtegtarëve që vinin prej të gjitha pjesëve të botës, të cilët me devotshmëri do të kalonin pastaj te Dera e Shenjtë e Bazilikës, që Papa Françesku e kishte hapur në vigjiljen e Krishtlindjes dhe me atë ceremoni kishte nisur vitin e shenjtë. Takova disa prej ipeshkvijve e priftërinjve, që si duket ishin për herë të parë, e nuk arrinin të gjendeshin në atë turmë. E kuptova se edhe ata ishin pjesë e grupit të konferencës, sepse mbanin simbolet e saj. U përbirova te kontrolluesit e hyrjes dhe ua bëra me dije se jemi grup zyrtar që ka audiencë me papën dhe duhet të kalonin në anën e lirë të hyrjes së posaçme. “Va bene padre, venga!”, ma ktheu kontrolluesi. Duke u përbiruar nëpërmjet turmës, takuam disa motra të Nënë Terezës. U përshëndetëm me përzemërsi. E, ato me buzëqeshje e dashní, si bijat e Nanës, na thanë ta përshëndesim papën e të lutemi për to.
Po drejtoheshim kah dera e Hekurt ku kishin filluar të bashkoheshim me grupin që kishin arritur para nesh; (argj)ipeshkvij, priftërinj e laikë nga gjitha kontinentet që merren me botën e komunikimeve sociale. Ma merrte mendja se do të jetë dikush që do ta njoh. Po vëzhgoja me kujdes fytyrat dhe e takova një argjipeshkëv që e njihja tash e disa kohë.
Kur arriti çasti, u nisem nëpër shkallët e pallatit apostolik e po ngjiteshim drejt sallës. Na prinin protokollistët e Vatikanit nëpër korridore arti e historie botërore, me piktura e skulptura, saqë dukej se po hyje në historinë mijëravjeçare të kishës e të botës. Aula Clementina ishte përgatitur me elegancë për të pritur mysafirët e mediave të krishtera nga mbarë bota, e në mesin e tyre isha edhe unë nga Kosova.
Protokolli i Papës kishte caktuar që ipeshkvijtë të uleshin në ulëset e para, e pastaj të tjerët. Isha ulur afër argjipeshkvit të njohur dhe vazhdonim bisedën tonë të zakonshme, e pritnim të vinte Papa Françesku. Nuk vonoi shumë e Papa arriti i ulur në karrocën e tij. Të gjithë u ngritën për ta përshëndetur. Papa dukej i pushueshëm e i buzëqeshur, porse kur e nisi fjalimin e tij enkas për këtë jubile të rëndësishëm u hetua se kishte frymëmarrje të vështirësuar. Na drejtoi porosi të bukur e inkurajuese, duke na porositur të bëhemi përçues të shpresës në botën e komunikimit, përmes së cilës krijohet harmonia vëllazërore. Me dy fjalë misionarike bashkim dhe rrjetëzim na dërgoi të shkojmë edhe tek ata që ende nuk ndihen të pranuar, tek ata që janë të moskuptuar e të përjashtuar. Krijimi i harmonisë bëhet në bashkim me tjerët e në krijimin e lidhjeve ndërmjet vete për të krijuar shpresën e vërtetë në botën e sotme të trazuar me luftëra e konflikte gjithandej.
Na thanë se Papa kishte thyer dorën ditët e fundit dhe të jemi të kujdesshëm që mos t’ia shtrëngonim fort kur do të shkojmë ta përshëndesim një nga një. Papa me një sens humori, siç e ka zakon në raste të këtilla, e për të krijuar një atmosferë relaksi para se të dalim faqe-faqas me të, na tha: “Kur të vini tek unë, mos flisni sikur vetmevete, por me mua, shpreheni qartë e mirë atë që e thoni, sepse, jo rrallë, nuk arrij të kap atë që flisni. Dua t’i kuptoj mirë fjalët tuaja. Të qartë e pa emocione afrohuni t’jua shtrij dorën gjithsecilit”.
Ngriheshim nga ulëset një nga një, plot elegancë e nderim afroheshim te Papa, ia shtrinin dorën me delikatesë për të mos e lënduar dhe paraqiteshin me emër e mbiemër dhe vendin nga vinim.
Po i përcillja i qetë ata para meje e pa ndonjë emocion të veçantë, pos një përqendrim si preventivë personale për t’u përgatitur si dhe çfarë t’i them ato çaste që ishin rezervuar për secilin. Erdhi çasti kur u gjeta para tij, u përkula me shumë nderim, ia shtriva dorën ngadalë e i thashë: “Jam Dom Fatmir Koliqi nga Kosova.” Më shikoi më sy përkëdhelës, të përcjellë me një buzëqeshje të lehtë, e m’u përgjigj: “Ah, Kosova. Mirë se erdhe bir, e punë të mbarë në konferencë.” Dora e tij e djathtë e butë e shtrirë lirshëm, kurse e mbajta mbi dorën time më përkëdheli si gjyshi që përmallet për nipin dhe i dhuron ngrohtësinë e brendshme prej ati. Ky gjest i tij më preku thellë, përjetova rehati shpirtërore, e pëshpërita me vete: Kjo nuk është vetëm një dorë, por dora e një ati. Me dorën e tij të lënduar të tregon historinë e provave së jetës, e me të shëndoshën, të përkëdhelë e të mbron. Ati të tregon sakrificën dhe urtinë e jetës, e bashkë me të ta dhuron butësinë e ëmbël për të siguruar të ardhmen që të pret, pa frikë. Njeriun s’mund ta kuptosh në plotni vetëm kur flet, po s’ta dhurojë prekjen e qenies së tij, ato varrë dhembjesh që e kanë regjë jetën dhe butësinë e ëmbël që e kanë mbajtur gjallë dhe i kanë dhanë kuptim!
Pasi bëmë fotografinë e përbashkët me të gjithë pjesëmarrësit, që ishim nga 123 shtete të botës, zbritëm nëpër të njëjtat shkallë që ishim ngritur, për ta përjetuar tani pallatin apostolik nga një perspektivë tjetër. Sheshi i Shën Pjetrit, ashtu si është përmotshëm, si një mini-botë e veçantë, ishte mbushur përplot me shtegtarë. Rrezet e diellit bënin që mermerët e sheshit të vezullonin. Dola nga pallati apostolik plot bekime, ndërsa dielli i mëngjesit e kishte mbushur Romën me një kthjelltësi të paparë.
Po e linim sheshin dhe po ngjiteshim kodrinës së vogël buzë Shën Pjetrit, tek universiteti papnor për ta filluar konferencën. Kur u ngrita lart, ktheva kokën për ta vështruar Bazilikën dhe pallatin apostolik, ku kishte ndodhur ajo ndjesi e veçantë bekuese. Ndjeva një dëshirë të fortë për ta përjetuar sërish, pa e ditur nëse mund të ndodhte. Në mendjen time ngeli dora e tij e zgjatur me vështirësi, derisa ai po e linte sallën e audiencës e po na bekonte!
Ditët e konferencës kalonin me takime e njohje të reja, pasurime e përvoja që do t’i marrim me vete në realitete tona kishtare, e Roma, të mbushte me sharmin e saj unik, që dhuron përmes qindra rrugicash kalldrëmi, shatërvanësh antikë e arkitekturë të lashtë. Po, Roma është Romë, jo vetëm ka këto pasuri, por sepse e ka dorën bekuese të atit!
Pas dy ditësh, hyra nëpër oborret magjike të Vatikanit për të bashkëkremtuar në meshën e caktuar për jubileun e komunikimit në Bazilikën e Shën Pjetrit, e kryesuar nga Sekretari i Shtetit Kardinali Pietro Parolin. Isha i mbushur me paqen e të qenit bir në shtëpi, plot prani, por ndihej se ati mungonte.
Dora e një ati të mban edhe kur mungon, sepse mungesa e tij nuk është zbrazëti!/drita.info