Nga Xhavit Beqiri
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944. Një muaj më vonë, në janar të vitit 1945, regjimi i ri komunist i Jugosllavisë, pasi kishte kryer masakra të tmerrshme anekënd Kosovës, i pushkatoi edhe Ukë dhe Rrustem Rugovën, babanë dhe gjyshin e Ibrahimit dymuajsh. Pra, në këtë fatkeqësi të tmerrshme, Ibrahim Rugova është i njëllojtë me mijëra bashkëkombës të tjerë, që patën “kujtime” të ngjashme.
Nëna dhe kushërinjtë e mbijetuar të Ibrahimit kanë dëshmuar se ai, qysh si fëmijë, nuk ishte si të tjerët. Nuk luante futboll me fëmijët e tjerë, nuk bashkohej me ta në zënkat e zakonshme fëmijërore. Ishte i heshtur, i veçuar… Porse, përherë dhe kudo me një libër në dorë. Zaten e gjithë jeta e tij, derisa u bë lider i shqiptarëve të Kosovës në vjeshtë të vitit 1989, ishte e ndërlidhur vetëm me librin. Nxënësi i ndrojtur i një fshati periferik, u bë më vonë studiuesi më i dalluar i letërsisë në Kosovë, intelektual shembull, që përveçse me dijen shkencore shquhej nga të tjerët edhe me një virtyt unik: URTËSINË! Ky virtyt e shoqëroi atë gjatë gjithë jetës, madje edhe në etapat më të rënda nëpër të cilat kaloi vendi ynë, gjatë viteve ’90 të shekullit XX.
Rugova i njohu teoritë e shkollat e leximit modern, e studioi veprën e Pjetër Bogdanit, prijësit e prelatit të hershëm të shqiptarëve të Kosovës, si dhe i vlerësoi hapur e pa konformizëm autorët bashkëkohorë. Rugova u ndikua nga vepra e Roland Bartit, te i cili ndoqi kurse specializimi. Si shumë intelektualë të tjerë, që jetonin e krijonin në shtete me regjim komunist, ai e pati frymëzim ekzistencializmin, në aspektin shoqëror, ndërsa në atë shkencor ishte i lidhur ngushtë me mësimet strukturaliste dhe semiotike.
Në studimet letrare shqipe, Rugova i takon brezit që shënoi fillimin e rrënimit të realizmit socialist jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën intelektuale shqiptare. Ndikimi i mendimit politik, nacional e human të këtij brezi pati jehonë të jashtëzakonshme, duke u shtrirë shpejt edhe në sferën e mendimit politik. Rugova do të kujtohet për këmbënguljen që ndaj së keqes edhe në art, edhe në politikë, nevojitej refuzimi. Refuzimin estetik, si koncept teorik e si filozofi e mendimit intelektual, Rugova e barti edhe në sferën e politikës. Pra, kalimi i Rugovës nga bota e fisme e letrave në botën e rrëmujshme të politikës, në njëfarë mënyre, atij më shumë iu imponua si pasojë e kontekstit të përgjithshëm kulturor e politik që mbretëronte asokohe në Kosovë, sesa nga prirja apo gjakimi i tij për t’u bërë lider i një lëvizjeje/partie politike.
Në vitet ’90, kur u intensifikua dhuna serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, Rugova e shpallte botërisht filozofinë e tij të rezistencës paqësore, si mjet të realizimit të aspiratave kombëtare për liri, pavarësi e demokraci. Kjo frymë politike ishte praktikë krejt e re në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Në jetën politike Rugovën e ka bërë të veçantë karizma dhe vizioni i tij. Disa ide të tij në fillim nuk kuptoheshin nga opinioni, ndërsa kundërshtarët e tij politikë e akuzonin për utopizëm. Koha dëshmoi se parashikimet e tij ishin të drejta, ndërsa veprimet të bazuara në analiza shumë realiste. Pas çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, në verën e vitit 1999, shumë profeci të tij u bënë të prekshme, ndonëse misioni ende nuk kishte mbaruar.
Rugova e solli popullin e Kosovës fare pranë “tokës së premtuar” (pavarësisë), njësoj si Moisiu biblik, po vetë nuk e priti aktin formal të shpalljes së pavarësisë (që do të ndodhte më 17 shkurt 2008, 25 muaj pas vdekjes së tij). Ikja e Rugovës para kësaj dite është një peng i historisë sonë.
Ibrahim Rugova kujtohet si burrështetasi i parë i Republikës së Kosovës, si ideatori e themeluesi i saj. Rugovën e quajtën “president i brishtë”, për shkak të natyrës së tij të butë, mirëpo ai ishte burrështetas shumë i fortë, sepse të tillë e bënte konsistenca e qëndrimeve. Ai vepronte si fliste dhe fliste si vepronte! Në këtë pikë, unë e shoh të ngjashëm me Shën Nënë Terezën, për të cilën, po ashtu, fjala nuk ndahej nga vepra; që të dy, jetuan dhe vepruan duke u mbetur besnikë të palëkundur koncepteve e bindjeve të veta.
Ibrahim Rugova, i cilësuar edhe Presidenti historik i Kosovës, tashmë është shndërruar në President shpirtëror. Dashuria e popullit të Kosovës për të është ikonike. Rugova është simboli i një epoke; është simboli i pavarësisë së Republikës së Kosovës! Fillimisht nëpërmjet Nënës Terezë e pastaj nëpërmjet tij ne na njohu bota, kurse nëpërmjet tyre ne e rinjohëm botën! Krahasime me Gandin dhe me prijës të tjerë madhështorë nuk janë aspak të rastësishme; Rugova i tillë ishte: Prijës epoke!
Platforma e tij politike ishte e shkurtër, por e qartë: Kosova e pavarur, e inkuadruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe në miqësi të veçantë më Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt, kjo platformë mbijetese e qëndrese, është edhe busulla e së ardhmes së vendit tonë!/drita.info
(Ligjëratë e mbajtur në Zagreb, më 19 tetor 2024)