Nga Dr. Pavao Brajsha
Tri aspekte të personit demokrat
Është e njohur teoria e Freud-it (Frojdit) mbi tri pjesët e personit njerëzor, siç janë id, ego dhe super-ego”. Id paraqet forcat instinktive të trashëguara, instinktet, dëshirat dhe nevojat brenda njerëzve. Pas lindjes idi është ende i paorganizuar dhe i pakoordinuar. Kësaj pjese të personit vështirë t`i qaset interpretimi racional dhe vështrimi/depërtimi i vetëdijshëm. Atë e sundon parimi i kënaqësisë, domethënë kënaqja e menjëhershme e nevojave instinktive. Këtu ndodhet burimi i të gjitha energjive brenda njeriut: instinkti seksual, libido-ja (epshi).
Super-ego paraqet prindërit, edukatorët e përbrendësuar, sidomos nga vitet e para të jetës dhe besimet/qëndrimet e tyre. Ato te njeriu kryejnë funksionin e mbikëqyrjes, kritikës, ndalimit, përcaktimit se çfarë është e dëshirueshme dhe çfarë duhet të shmanget. Këtu ndodhet edhe baza e asaj që quhet ndërgjegjja njerëzore.
Ego e ka funksionin e një ndërmjetësi midis nevojave veç e veç instiktive në njërën anë, atyre dhe super-egos në anën tjetër, dhe atyre dhe botës së jashtme. Ego e mbron individin si prej efekteve të vetë instinkteve ashtu edhe prej shumë stimujve tejet të fuqishëm nga jashtë. Ai vendos se cilat prej nevojave dhe kur duhet t`i kënaqë, cilat duhet të shtyhen për një kohë dhe rrethanë më të përshtatshme, e cilat duhet të ndrydhen. Kjo pjesë e aparatit psikik të njeriut është përgjegjës për përshtatjen me realitetin apo modifikimin e tij. Sillet sipas parimit të realitetit. Energjinë e fiton nga magazina instinktive e libidosë në din. Ego është produkt i zhvillimit, pjekurisë së personit, të një ndërveprimi të vazhdueshëm midis instinktit, super-egos dhe realitetit të jashtëm. Ndodhet i ndrydhur midis nevojave të brendshme instiktive, të cilat dalin nga id-i nga njëra anë, ndalimet dhe kërcënimet dhe super-ego nga ana tjetër dhe kërkesat e botës së jashtme. Në lidhje me këtë në të lindin tri lloje të frikës: Frika nga instinkti (id), frika nga ndërgjegjja (super-ego) dhe frika nga bota e jashtme.
Për një sjellje demokratike rëndësi të veçantë ka “uni” ynë. Nga sjelljet e “unit” tonë me nevojat personale, ndërgjegjen e brendshme dhe mjedisin varet edhe cilësia e sjelljes njerëzor edhe demokratike. Nga këto marrëdhënie dhe trajtime varet zhvillimi i personit autokratik, reaktiv dhe demokratik te çdonjëri, gjë që ka një ndikim thelbësor në sjelljen tonë me të tjerët përreth nesh.
Pa një zhvillim të “unit” tonë s`jemi në gjendje t`i kontrollojmë ndjenjat, nevojat, instinktet, kënaqësitë tona, në mënyrë që të gjitha këto t`i realizonim pa u bërë dëme të tjerëve rreth nesh, duke toleruar llojllojshmërinë e të tjerëve rreth nesh, bashkë me parimet themelore të drejtësisë në marrëdhëniet tona. E gjithë kjo është baza e një demokracie reale/të vërtetë dhe cilësore.
Personi autokratik, reaktiv dhe demokratik
Personi autokratik është nën ndikimin e super-egos të rreptë dhe të ngurtë, që i dikton një sjellje të caktuar. Te ai mbizotërojnë paragjykimet, bindjet dhe supozimet (nënkuptimet) e trashëguara. Ai vendos në bazë të diktatit të brendshëm dhe jo të nevojave dhe dëshirave të veta aktuale, sidomos jo të ngjarjeve të jashtme. Përshtatshmëria është pothuajse zero. Nuk ka asnjë fleksibilitet. Njihet vetëm parimësia dhe rregullat, për të cilat nuk diskutohet as nuk guxohet të dyshohet në to. Te individë të tillë sundojnë mitet dhe botëkuptimet e marra nga mjedisi më i ngushtë (familja, rajoni, kombi).
Personi reaktiv është i ndikuar fuqimisht nga nevojat, dëshirat vetjake, por edhe nga stimuj, ngjarje të jashtme. Një person i tillë reagon në mënyrë pasive ndaj nevojave instiktive dhe dëshirës tjetër nga brenda dhe stimujve të jashtëm. Nuk e ka pikëpamjen, mendimin as bindjen e vet. Te ai sundon id-i dhe mjedisi ynë. Reagimi i tij është i përcaktuar nga drejtimi dhe intensiteti i stimulit, qoftë nga brenda apo nga jashtë. Ai është një skllav i ngjarjeve brenda tij dhe rreth tij.
Personi demokratik udhëhiqet nga një ego e fortë dhe e pavarur, që e kontrollon reagimin e vetë si ndaj mesazheve nga super-ego, domethënë ndërgjegjja, ashtu edhe nga ato që vijnë nga pjesa instinktive, domethënë id-i, por edhe ndaj të gjitha ngjarjeve nga mjedisi. Te një person i tillë sundon ego-ja e fuqishme dhe i mirëmbajtur.
Sjellja demokratike është e paimagjinueshme pa personin demokratik, ego-n demokratike. Mirëpo është më lehtë ta zhvillosh një person autokratik dhe reaktiv, dhe shumë e mundimshme ta ndërtosh një person demokratik dhe ta zhvillosh një ego demokratike. Do të mund të thuhej se njerëzit spontanisht dhe pa ndonjë mundim bëhen persona autokratikë dhe reaktivë, dhe vetëm me një përpjekje të caktuar mund ta zhvillojnë një person demokratik. Të krijohet përshtypja sikur njerëzit janë të lindur për t`iu nënshtruar bindjeve dhe miteve të trashëguara dhe të pranuara (super-ego) ose lundrimit të paplanifikuar mbi valët e stimujve të brendshëm dhe të jashtëm, dhe jo për një sjellje të përgjegjshme dhe të pavarur, por në të njëjtën kohë adaptuese dhe të vëmendshme demokratike.
Një ego e zhvilluar demokratike është baza e sjelljes sonë demokratike dhe përhapjes së atmosferës demokratike rreth vetes. Ka shumë demokratë me ego autokratike. Ata janë të dëgjueshmit, pasues jo të pavarur, të cilët nuk janë në gjendje të funksionojnë shëndetshëm pa një autoritet pranë vetes dhe me ndihmën e më të fortëve se vetja e tyre, kështu që aktrojnë një demokraci të jashtme dhe e predikojnë teorinë dhe rregullat e sjelljes demokratike.
Demokratët e tjerë janë ata me ego reaktive. Ata janë të sunduar nga nevojat dhe dëshirat, instinkteve dhe pritjeve të veta egoiste, dhe sjellja e tyre demokratike u shërben vetëm si mbulesë për mënyrën e fshehtë të përfitimit vetjak dhe për të kënaqur nevojat e tyre personale.
Vetëm me një ego të zhvilluar demokratik jemi në gjendje të jemi demokratë të vërtetë dhe real, spontan dhe autentik, të suksesshëm dhe të pranueshëm.
Parimi i kënaqësisë, realitetit dhe parimi shoqëror i veprimit
Sigmund Freud (Frojd) dhe Erik H. Erikson dallojnë tri forma themelore të sjelljes/veprimit njerëzor, siç janë: sjellja sipas parimit të kënaqësisë, sipas parimit të realitetit dhe sipas parimit shoqëror.
Sipas sjelljes egoiste që për bazë e ka parimin e kënaqësisë, deri te kënaqja e nevojave të veta arrihet pa iu referuar kohës, vendit dhe të tjerëve. Ëndja nuk ndodh dhe nuk e ka parasysh vendin as rrethanat në të cilat ajo realizohet. Nuk ka rëndësi nëse me arritjen e kënaqësisë vetjake ia pamundëson tjetrit kënaqjen edhe të nevojave të tij. Kemi të bëjmë me një parim të kënaqësisë me çdo kusht, qoftë edhe në kurriz të të tjerëve me të cilët jetojmë. Nëse, për shembull, ecim rrugës dhe në një dritare dyqani na bie në sy një objekt, ne thjesht e thyejmë xhamin dhe e marrim atë që na pëlqen. Nuk mendojmë për pasojat as për dëmet, që me një vepër të tillë i kemi shkaktuar dikujt. Nuk jemi në gjendje të shtyjmë për më vonë dëshirën për atë send deri sa t`i kemi paratë, të hyjmë në dyqan dhe ta lusim shitësin për të na shitur. Kjo është një sjellje e kulluar instiktive, pa frena, pa ndërgjegje dhe në thelb me kohëzgjatje të shkurtër, për shkak se shoqëria shumë shpejt na dënon dhe largon. Këtë e gjejmë te personat asocial. Me një sjellje të tillë nuk shkohet larg.
Sipas sjelljes që për bazë e ka parimin e realitetit, deri te kënaqësia vihet duke marrë parasysh kohën dhe hapësirën. Ekziston aftësia për ta shtyrë më vonë, merren në konsideratë pasojat, gjetja e një metode të përshtatshme për të ardhur deri te kënaqësia. E përbashkëta me parimin e parë është se edhe këtu nuk shikohet partneri dhe nuk merren para sysh nevojat e tij për të njëjtën kënaqësi ose edhe për një të tillë më të madhe. Te një sjellje e tillë sundon egoizmi, por të një lloji më të rafinuar, më të organizuar, më inteligjent. Qëllimi është i njëjtë: për të arritur kënaqësinë. Mirëpo, metoda është tjetër. Rruga është më e gjatë, por më e sigurt dhe më reale. Nëse sjellja sipas parimit të kënaqësisë është detyrim i ashpër i të tjerëve që këta t`i shërbejnë kënaqësisë sonë, atëherë sjellja sipas parimit të realitetit është diçka e ngjashme, por në një mënyrë më delikate, “më e civilizuar”.
Sjellja sipas parimit shoqëror dallon nga dy të parat, sepse ajo ka para sysh tjetrin, dëshirën e tij që edhe ai të vijë te kënaqësia e njëjtë ose edhe më e madhe, dhe kjo arrihet me vëmendjen tonë që tjetrit, për të cilin kemi nevojë për të realizuar kënaqësinë tonë, mos t`i bëhet ndonjë e keqe, që tjetri mos të dëmtohet. Një sjellje e tillë ia mundëson atij pranë nesh që të kënaqet si ne. Një sjellje e tillë nënkupton respektimin edhe të vullnetit të të tjerëve, dëshirave të tyre, harmonizimin e nevojave tona me ato të tyre, sinkronizimin e dëshirave tona me ato të tyre. Një sjellje e tillë përjashton superioritetin e njërit mbi tjetrin, shfrytëzimin e njërit nga tjetri, keqpërdorimin e të tjerëve për qëllime vetjake, të drejtën më të madhe të të fortit, të atij më me ndikim, të atij që është më i gjindshëm dhe më i mençur. Ajo kërkon një marrëdhënie barazie, konsultim demokratik, koordinimi të qëndrimeve, dëshirave dhe nevojave.
Nuk është e vështirë te sjellja që ka për bazë parimin shoqëror ta identifikosh/njohësh sjelljen e vërtetë demokratike dhe bazën e demokracisë së vërtetë./drita.info
(Përktheu dhe përgatiti: Dom Shtjefën Dodes )