Imzot Dodë Gjergji: “Bota i njeh shqiptarët si popull i Nënë Terezës”

I nderuar kryeministër, ministra,

autoritete kishtare të pranishme,

të gjithë ju njerëz të kulturës dhe të jetës publike në Kosovë,

vëllezër dhe motra.

 

Dëshiroj me e përshëndet mons. Zef Gashin, argjipeshkvin e Tivarit në pension, këtu të pranishëm, dhe dy realitete të veçanta që sot i kemi në këtë akademi për Nënë Terezën: arbëreshët nga Piana degli Albanesi dhe një prani të ukrainasve që i kemi në Kosovë. Këto dy realitete e mbajnë ndërmjet gjithë historinë dhe vuajtjen e popullit tonë, nga Arbëreshët        që u detyruan të ikin në Itali dikur dhe ukrainasit që u detyruan të vinin në Kosovë në ditët e sotme.

Vërtet, në një kohë tejet të vështirë mes shpresës së shqiptarëve që e kapërcyen vuajtën dhe mjerimin nën Perandorinë Otomane, te zhgënjimi i tyre, pasi shpresa u shua shumë shpejt, se realiteti nuk ndryshoi, por ndryshoi vetëm okupatori. Ky zhgënjim për shqiptarët ishte tepër i madh. Porse, Zoti ishte me ne. Zoti nuk vepron me bubullima e zhurmë, por me puhizën e heshtur të dashurisë së vet për ata që e duan.

Në vitin 1910, Zoti e bekoi popullin tonë me një vajzë në Familjen e Bojaxhinjve. Përmes kësaj vepre të heshtur të dashurisë, shpërtheu një Dashuri e Madhe e Zotit për të gjithë botën, për njerëzit e vuajtur e të mjerë në Indinë e largët, në fillim, e pastaj në gjitha skajet e botës, e edhe te ne.

Ne, pra, sot po e kujtojmë një bijë të popullit tonë, e cila nuk ka bë asnjë gjë të veçantë, përveç se ka shpallë dashurinë e vet për Zotin dhe për njeriun në nevojë, sipas thirrjes që e ka marr prej Zotit. Por, gjithashtu, ajo kurrë nuk e ka harruar dashurinë e vet për popullin e saj, sikur shkruante në Budapest, ku kam qenë dëshmitarë: “Unë e kam në zemër popullim tem shqiptar”. Kjo dëshmi e heshtur ka qenë shtrëngim dore e çdo kryetari të shteteve të botës, me porosinë, bani dishka për popullin tem. Bota nuk e njeh shumë Nënë Terezën si bijë e popullit shqiptar, por bota i njeh shqiptarët si popull i Nënë Terezës. Nuk kemi fytyrë, pasaportë më të mirë e më të shndritshme me i paraqit virtytet tona para botës sesa Nënë Terezës.

Pas njëqind vjetëve të lindjes së saj, Kisha, në kye me Papa Gjon Palin II, na e dhuroi si shenjtëreshë. E kjo shenjtëreshë e jona nderohet dhe lutët në mbarë botën, nga të gjithë popujt. Dhe prapë, popujt e botës na njohin si popull i Nënë Terezës. Edhe pse si popull jemi të ndarë në shtete të ndryshme, por Nëna Tereze nga bashkon të gjithëve në të njëjtën nder, respekt, dashuri, dëshmi dhe të njëjtin dinjitet.  

Neve, sot, nuk na mbetet tjetër, përveç se ta hapim zemrën e të mësojmë prej saj, ta hapim shpirtin dhe të gëzojmë me shembullin e saj, siç thotë ajo “njerëz të thjeshtë, por që bëjnë vepra të mëdha” . Prandaj, në familjet tona ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është ushqim i shpirtit, ajo është energjia që e vë në lëvizje krejt qenien njeri dhe gjithë shoqërinë. E unë shpresoj se dashuria e saj do ta vë në lëvizje edhe krejt kombin tonë, që të shkëlqejë me të njëjtën dashuri në të ardhmen. Faleminderit./drita.info

 

(Fjala e plotë e Imzot Dodë Gjergjit në Akademinë solemne për ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, në Qendrën “BogdaniPolis”, Prishtinë, më 26.08.2024)

Shpëndaje: